KOSOVË- Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke hapur rrugën për një proces të ri zgjedhor brenda partisë. Hamza e bëri të ditur vendimin në një konferencë për mediat, ku ka njoftuar edhe Kryesinë e PDK-së.
Gjarë konferencës, Hamza theksoi se drejtimin e PDK-së e kishte marrë për shkak të përgjegjësisë ndaj partisë dhe jo për ambicie personale politik. Hamza deklaroi se po largohet nga PDK-ja, por nga posti i kryetarit.
"Unë sapo e përfundova mbledhjen e Kryesisë dhe sot, para jush dhe para gjithë qytetarëve, dua të bëj publik vendimin tim. Sot kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Ky është një vendim i menduar, i marrë me përgjegjësi dhe me bindje se partia jonë do të hyjë në një proces të ri ku anëtarësia do të ketë fjalën e saj dhe ku të rinjve do t’ju krijohet hapësira e merituar për të kontribuar. Që të jem i qartë, nuk po largohemi nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi dhe vlerat tona politike. Dhe nga sot, e di çka kam gjetur, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Hamza.
Gjithashtu, Hamza u shpreh se kishte pritur që udhëheqja e PDK-së t'u rikthehej ish-krerëve të UÇK-së pas 16 shtatorit, ditën e vendimit të Hagës. Por, zhvillimet e Hagës nuk e lejuan këtë, duke i dënuar me 81 vite burg në total Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Hamza u zgjodh kryetar i PDK-së më 17 nëntor të vitit të kaluar, në një konventë zgjedhore të partisë. Ndërkohë, me dorëheqjen e tij, PDK-ja pritet të hyjë në një fazë të re organizative, ku pritet të përcaktohen hapat për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe drejtimin e ardhshëm të partisë./ZËRI