
TIRANË- Banka e Shqipërisë ka dhënë opinionin e saj në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për projektbuxhetin 2025. Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Financave dhe Ekonomisë, zëvendës-guvernatorja Luljeta Minxhozi kërkoi një rishikim të skemës së pensioneve, pasi sipas analizës së BSH-së, kjo përbën rrezik për financat publike për shkak se popullsia po plaket dhe ka emigruar fuqia punëtore. Gjithashtu, janë ndaluar edhe tek informaliteti i pagave. Më shumë në këtë pikë është ndalur drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli.
"Kërkojmë rishikim të skemës së pensioneve, përbën rrezik për financat publike. Skema e pensioneve po sfidohet fortë nga ndryshimet demografike, plakja e popullsisë dhe emigrimi i krahut të punës. Mbështesim qeverinë në një skemë të re në përputhje me skemat e BE-se. Skemën e pensioneve duhet t'a rishikojmë sepse bëhet rrezik potencial për ritmin e rritjes ekonomike. Ka një shkallë të lartë informaliteti sa i takon deklarimit të pagave. Në gjykimin tonë përpara se të eksplorohen parametrat e reja të sistemit të pensioneve do të ishte e udhës të kuptoheshin drejt përmasat e këtij informaliteti, në mënyrë që të mos devijojnë parametrat e skemës së re. Jemi nga të paktat vende që në momentin që qeveria rrit pagën minimale, ne na rritet edhe numri i punonjësve sepse bizneset kanë shumë punonjës me paga të larta dhe nuk i raportojnë,”- u shpreh Themeli.
Më pas, zëvendësguvernatorja e parë Luljeta Minxhozi shtoi se aktualisht po analizohet situata për të propozuar masa për të ndaluar rënien e shpejtë të euros. Që nga viti 2022 euro është e zhvlerësuar me afro 30%, ndërsa leku është forcuar. Nëse 2 vite më parë një euro shkëmbehej me 122 deri në 127 lekë, sot një euro shkëmbehet me 98 lekë.
“Banka e Shqipërisë bashkohet me shqetësimin e zhvlerësimit të euros, më shumë se për zhvlerësimin shqetësimi është për ritmin e zhvlerësimit pasi mund të shkaktojë dëme ekonomike. Ndërsa në afatgjatë ne jemi duke parë për të bërë analiza shumë të hollësishme se çfarë i sjellë ekonomisë shqiptare një zhvlerësim i shpejtë. Për ne është problem ritmi i shpejtë i zhvlerësimit, dhe ne po e analizojmë dhe të propozojmë një rrugë se si mund të ngadalësohet ritmi i rënies. Ne u kemi sugjeruar që të shikojnë drejt të ardhmes dhe të rishikojnë planet e tyre. Industria fason e ka nisur aktivitetin mbi krahun e lirë të punës, dhe rreziku nga mungesa e punësimi është më i madh se rreziku që ju vjen nga kursi i euros. Ato duhet të ndryshojnë modelin e biznesit,”- shprehet Minxhozi.
Ndërsa drejtori Erald Themeli sqaroi se Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyrë për të stabilizuar kursin, pasi në këtë mënyrë ekonomia do të dëmtohej pasi do të rriteshin interesat dhe inflacioni.
“Ne do të na duhej të kishim një normë bazë interesi në 10% nëse do të ndërhynim në kursin e këmbimit për ta stabilizuar atë që tu rrisnim fitimet bizneseve. Po ashtu po të ndërhynim në kurs do të kishim një inflacion 2 shifror ende dhe shumë larg objektivit tonë. Zhvlerësimi ka ndikuar në rënien e borxhit, ka ulur çmimet e importit, bizneset kanë përfituar terma më të mira financimi pasi interesat kanë qenë të qëndrueshme,”- tha Themeli.
Për vitin që vjen, në arkën e shtetit për vitin e ardhshëm projektohet se do të arkëtohen 7.5 miliardë euro, por shpenzimet llogariten se do të jenë në 8.2 miliardë euro. Objektivi është që niveli i borxhit të arrijë në 55.8% të prodhimit të brendshëm bruto. Nga këto, investimet publike parashikohen të jenë 1.6 miliardë euro ndërsa pjesa tjetër janë shpenzime korrente, pra shpenzime të tilla si paga, pensione apo interesa borxhi. Ndërsa rritja ekonomike për vitin e ardhshëm parashikohet të arrijë në 4%./ZËRI