Ekonomi

Durana Tech Park një parajsë fiskale? Malaj: Vlerësimin e bëri Korporata e Investimeve, askush nuk i ndalon Tatimet për kontrolle

Rreth 50 biznese, janë bërë pjesë e Durana Tech Park, duke përfituar mospagesën e taksave, në një kohë që projekti i parkut teknologjik mbetet vetëm në letër, pasi toka e përcaktuar në zonën e Xhafzotajt, është lënë djerrë

E.K
Durana Tech Park një parajsë fiskale? Malaj: Vlerësimin e
petrit malaj

TIRANË- Ministri i Financave Petrit Malaj, në një konferencë të përbashkët me Drejtorin e Tatimeve, Ilir Binaj, u pyet nga gazetarët, në lidhje me bizneset që do të përfitojnë lehtësira fiskale, përmes operimit në Durana Tech Park. Malaj tha se ka qenë Korporata e Investimeve ajo që ka analizuar të dhënat fiskale të këtyre bizneseve, dhe ka dorëzuar listën te Autoritetet e Tatimeve, se cilat biznese përfitojnë heqjen e taksave. Megjithatë, sipas tij, asgjë nuk mund ta ndalojë administratën Tatimore që të ushtrojë kontrolle në këto subjekte, në rast se verejnë parregullsi në aktivitetin e tyre.

“Për sa i përket subjekteve të cilat janë tashmë subjekte të regjistruara në parkun Durana, ka një kuadër ligjor që është i mirëpërcaktuar se kush janë subjektet që përfitojnë dhe çfarë dokumentacioni do të duhet të paraqesin në mënyrë që të përfitojnë nga lehtësirat fiskale që ofron Durana Tech Park. Këto subjekte kanë qenë objekt analize nga kompania AIC-ja (korporata shqiptare e investimeve) apo autoriteti përkatës që ka bërë vlerësimin përkatës. Pasi ka bërë vlerësimet e këtyre subjekteve, lista e subjekteve përfituese i përcillet Administratës Tatimore pas një analize të thelluar dhe vendoset nëse do të përfitojnë ose jo lehtësira tatimore. Megjithatë, marrja e lehtësirave tatimore nuk i përjashton autoritetet tatimore që të shkojnë dhe të kryejnë kontroll nëse vërejnë që ka parregullësi në ushtrimin e aktiviteteve nga këto subjekte”, u shpreh Malaj.

ZËRI zbërtheu pak ditë më parë, skemën e dyshimtë që është ndjekur në krijimin e Durana Tech Park, në të cilën deri tani janë regjistruar më shumë se 50 biznese, që nga 1 Janari nuk do të paguanin taksa dhe detyrimet në shtet, pasi supozohej të sillnin risi në fushën e teknologjisë. Durana është një park teknologjik i krijuar më 20 shkurt 2025 dhe është pronë e Korporatës Shqiptare të Investimeve. Në bazë të ligjit shqiptar, zhvilluesi i parkut është KSHI dhe drejtoresha Elira Kokona. Në vitin 2022, presidenti Barjam Begaj dekretoi një ligj të kaluar më herët në Parlament, “për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”.

Ky ligj, është edhe dera e parë hapëse për parqet teknologjike në Shqipëri, si qendra inovacioni të produkteve më të reja teknologjike. Dhe deri këtu, çdo gjë është në rregull. Parku i ri teknologjik kërkon edhe një terren të ri. Për këtë, qeveria i dha Duranës përmes VKM, më 27 mars të 2024, një sipërfaqe me 140.000 m2 në Xhafzotaj në Durrës, që do të përdoreshin për hapjen e këtij parku. Në këtë moment, Durana ende nuk kishte lindur, pasi regjistrimi zyrtar i saj në shtetin shqiptar është bërë më 20 shkurt 2025. Pra gati 11 muaj më pas.

Por edhe pse ka kaluar 2 vite që nga koha kur Durana mori tokën nga shteti, dhe 1 vit nga momenti që u regjistrua, në Xhafzotaj të Durrësit, toka është djerrë. Nga 1 janari i vitit 2026, e gjithë industria e zhvillimit dhe prodhimit të softuerëve në Shqipëri hyri në një regjim të ri tatimor. I gjithë ky sektor u përjashtua nga norma e reduktuar me 5% e tatimit mbi fitimin, duke bërë që të gjitha bizneset e kësaj fushe të kalojnë në një regjim standart me 15% të tatimit mbi fitimin. Rekomandimet e FMN dhe BE për mos të patur privilegje ushtruan një presion pozitiv mbi qeverinë shqiptare, duke bërë që në paketën e re fiskale, edhe këto biznese do të trajtoheshin po njësoj.

Kompanitë kryesore të zhvillimit të softwerëve në Shqipëri, përftuese të parave publike deri më tani dihen se janë dyshja Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi të shpallur në kërkim. Shumë prej kontratave të AKSHI-t janë fituar nga Beqiri bashkë me biznesmenin Gëzim Hoxha. Ky i fundit me kompaninë e tij FIRST, në vetëm 1 tender sekret nga AKSHI ka përfituar plot 60 milionë euro.

Kështu, 53 kompani, u bënë pjesë e “DURANA” duke përfituar lehtësirat fiskale që do të hynin për ta në fuqi nga 1 janari i vitit 2025, kohë kur paralelisht konkurrentët e tyre në sektor do të paguanin 15% tatimin mbi fitimin përfshirë edhe detyrime të tjera./ZËRI

Poll

MOS HUMB