Ekonomi

Ekonomia shqiptare peng i parasë së pistë: Çfarë fshihet pas bumit të pronave dhe Lekut të fortë?!

SPAK raportoi në Kuvend se paratë transferohen përmes sistemeve informale si Havala, kriptomonedhave, transportimit fizik të cash-it dhe ndarjes së shumave në transaksione të vogla, në mënyrë që të shmangen kontrollet bankare.

Redaksia Zëri
Ekonomia shqiptare peng i parasë së pistë: Çfarë
foto ilustruese

TIRANË-Sekuestrimi nga SPAK i rreth 150 milionë eurove pasuri të paluajtshme të krijuara nga tregtimi i drogës riktheu debatin mbi varësinë e ekonomisë nga kapitali me burim të paligjshëm. Ekspertët parashikojnë dy vite të vështira dhe stabilizim gradual brenda pesë vjetësh, me përfitime më të mëdha për eksportet dhe prodhimin pas pesë deri në shtatë vjetësh. Teorikisht, nëse flukset e paligjshme do të zeroheshin llogaria e përgjithshme e ekspertëve do të ishte një shuarje që do të shkonte në rendin e 10 miliardë eurove për të gjithë ekonominë.

Humbjet do të vinin nga ulja e çmimeve të banesave, duke shkaktuar presion financiar mbi ndërtuesit dhe bankat. Rikthimi i kursit të këmbimit në normalitet do të ulte fuqinë blerëse dhe do të rriste inflacionin e importuar. Por, nga ana tjetër, banesat do të bëheshin më të arritshme për familjet që mbështeten te të ardhurat nga puna. Bizneset e ligjshme do të përfitonin nga një treg me rregulla më të barabarta, ndërsa kapitali mund të zhvendosej drejt aktiviteteve me produktivitet më të lartë si bujqësia dhe industri që në afat të gjatë do t’i siguronte vendit zhvillim të qëndrueshëm.

Kur në mesin e qershorit 2026, SPAK sekuestroi rreth 150 milionë euro pasuri të paluajtshme, të investuara nga vetëm një grup kriminal gjatë viteve 2019–2021, u bë edhe më e dukshme pesha që kapitali me burim të paligjshëm ka fituar në ekonomi.

Rasti ngriti shqetësimin në opinionin publik dhe në qarqet e ekonomistëve se çfarë do t’i ndodhte ekonomisë shqiptare nëse flukset e parave të pista do të ndërpriteshin, ose do të kufizoheshin ndjeshëm.

Shqetësimi lidhet veçanërisht me sektorët ku këto para dyshohet se kanë gjetur më shumë hapësirë, si ndërtimi dhe tregu i pasurive të paluajtshme.

Një frenim i menjëhershëm mund të sillte rënie të transaksioneve, ngadalësim të ndërtimeve dhe ulje të konsumit të luksit. Pasojat mund të preknin edhe kompanitë e varura nga kapitali kriminal, ndërsa zhvlerësimi i mundshëm i Lekut do të ushtronte presion mbi çmimet. 

Rreziqe mund të shfaqeshin gjithashtu në sistemin financiar, sidomos aty ku huatë janë mbështetur në prona me vlera të fryra.

Megjithatë, ekonomistët vlerësojnë se goditja e parë nuk duhet ngatërruar me efektin afatgjatë. Profesori i ekonomisë, Oltion Rrumbullaku, argumenton se ndërprerja e këtij modeli mund të ketë pasoja pozitive brenda dy ose tre vjetësh, duke ndihmuar stabilizimin e kursit të këmbimit dhe duke e bërë tregun e banesave më të arritshëm për qytetarët që sigurojnë të ardhura nga puna formale.

Pano Soko, analist i çështjeve ekonomike, vlerëson se Shqipërisë do t’i duheshin të paktën pesë vjet për të ulur gradualisht varësinë nga kapitali informal.

Dy vitet e para do të sillnin goditjen më të fortë, ndërsa nga viti i tretë deri në të pestin, mund të niste stabilizimi i tregut të banesave, zgjerimi i aktiviteteve të ligjshme dhe rritja e të ardhurave nga formalizimi.

Vetëm më pas do të bëhej më i dukshëm kalimi i investimeve nga prona drejt prodhimit, teknologjisë dhe eksporteve.

Hipotetikisht, nëse rubineti i parave të pista do të mbyllej menjëherë, ekspertët parashikojnë shuarje gati të 10 miliardë eurove në ekonomi që do të vinin nga flluska e pronave dhe kthimi i kursit të këmbimit në realitet.

Por përvoja ndërkombëtare, veçanërisht ajo e Italisë, tregon se pastrimi i ekonomisë nga ndikimi kriminal nuk është një proces i shpejtë. Largimi i kapitalit të paligjshëm mund të përmirësojë përdorimin e burimeve dhe të riorientojë shpenzimet drejt investimeve më të dobishme, por rezultatet kërkojnë reforma të qëndrueshme dhe institucione funksionale për shumë vite.

Për Shqipërinë mbetet i vështirë zëvendësimi i këtij kapitali me një model tjetër rritjeje, të mbështetur te prodhimi, eksportet, teknologjia dhe kapitali formal. Pa këtë alternativë, pastrimi i ekonomisë mund të krijojë boshllëk. 

Si kalojnë paratë nga aktiviteti kriminal te prona

Raporti vjetor i SPAK për vitin 2025 paraqet një skemë shumë më të organizuar sesa lëvizja e thjeshtë e parave cash nga një vend në tjetrin. Sipas gjetjeve të hetimeve, pastrimi i parave lidhet kryesisht me të ardhurat nga trafikimi i narkotikëve dhe armëve, emigracioni i paligjshëm, trafikimi i qenieve njerëzore dhe mashtrimet financiare.

SPAK raportoi në Kuvend se paratë transferohen përmes sistemeve informale si Havala, kriptomonedhave, transportimit fizik të cash-it dhe ndarjes së shumave në transaksione të vogla, në mënyrë që të shmangen kontrollet bankare. Rrjetet veprojnë në disa shtete. Në një vend krijohen të ardhurat kriminale, në një tjetër organizohet transferimi dhe më pas fondet futen në biznese ose pasuri që u japin atyre pamje të ligjshme.

SPAK evidenton përdorimin e zyrave të këmbimit valutor, agjencive të udhëtimit, kompanive të ndërtimit dhe subjekteve të tjera tregtare apo financiare jobankare. Përmes këtyre bizneseve, paratë e paligjshme përzihen me xhiron normale dhe mbulohen me kontrata, fatura apo dokumente që i paraqesin si të ardhura të ligjshme.

Fundi i këtij zinxhiri është shpesh prona. Paratë investohen në apartamente, toka, hotele, vila, lokale ose biznese me qarkullim të madh në cash. Prona i jep kapitalit kriminal hipotekë dhe vlerë tregu dhe mundësinë që më pas të shitet, të jepet me qira ose të përdoret si kolateral.

Rastet e hetuara tregojnë se pastrimi i parave nuk kryhet më në mënyrë të rastësishme. Ai funksionon si një aktivitet i organizuar, ku transportuesit, koordinatorët, ndërmjetësit dhe bizneset mbuluese kanë role të përcaktuara.

Personat që merren me transferimin ose transportimin e parave mund të marrin 3–10% të shumës. Për koordinatorët e vendeve të origjinës dhe destinacionit, përfitimi mesatar vlerësohet në 5–6%, ndërsa transportuesit fizikë marrin përqindje më të ulëta ose pagesa fikse.

Ndërtimi, segmenti më i dukshëm i pastrimit të parave

Rritja e fortë e ndërtimeve dhe e çmimeve të banesave në Tiranë gjatë dekadës së fundit ka ngritur pikëpyetje mbi burimet që financojnë tregun.

Një pjesë e kërkesës mbështetet nga kreditë bankare, remitancat, kursimet e emigrantëve dhe të ardhurat e bizneseve. Megjithatë, shkëputja e çmimeve të banesave nga pagat tregon se tregu nuk mund të shpjegohet vetëm me fuqinë blerëse që krijohet nga të ardhurat e deklaruara.

Një apartament me sipërfaqe 100 metra katrorë, që në vitin 2016 kushtonte mesatarisht 85,700 euro, në vitin 2025 arriti në rreth 200 mijë euro.

Për familjet që mbështeten vetëm te paga, blerja e një banese është bërë dukshëm më e vështirë. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, në vitin 2024, një çifti të ri i duheshin 18.6 vite punë për të blerë një apartament me sipërfaqe 70 metra katrorë, nëse do të çonte të gjithë pagën bruto për këtë qëllim, ndërsa në vitin 2019 duheshin 13.5 vite.

Ky hendek nuk provon në vetvete pastrim parash, por tregon se një pjesë e kërkesës financohet nga burime të tjera me origjinë të paqartë.

Çmimet e banesave u rritën në një kohë kur popullsia e vendit pësoi rënie të fortë në dekadën e fundit, duke u tkurrur me rreth 600 mijë banorë ndërmjet viteve 2012–2025. Çmimet u rritën me shpejtësi në një kohë kur popullsia e vendit u tkurr, teksa rreth 40% e banesave në pallate ishin bosh, sipas Censit 2023, shumica e tyre në Tiranë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar mbikëqyr ekonomitë në të cilat pastrohen para përmes tre treguesve: kur çmimet rriten më shpejt se pagat, kur ndërtimi rritet ndërsa popullsia tkurret dhe kur monedha vendase forcohet. Të gjitha këto paradigma të FMN-së vërtetohen në tregun tonë.

Çfarë ndodh nëse mbyllet rubineti

Pikërisht në vitin 2016, kur kanabisi u kultivua masivisht në të gjithë vendin, filluan zhvillimet në kursin e këmbimit dhe në ndërtim. Leku, nga 140 lekë që këmbehej me Euron 10 vite më parë, vazhdoi forcimin e shpejtë dhe aktualisht këmbehet rreth kuotës 94 lekë, me forcim 33%.

Lejet e ndërtimit vërshuan, sidomos në Tiranë dhe në bregdet. Për shembull, në vitin 2016, sipërfaqja e lejeve ishte vetëm 209 mijë metra katrorë; një vit më vonë, në 2017, u rrit me më shumë se dyfish.

Kur grupet kriminale u fuqizuan dhe, nga kanabisi, hynë në tregun e kokainës dhe në tregtinë me shumicë të drogave të forta nga Amerika Latine drejt Europës, lejet e ndërtimit u shumëfishuan, për të arritur në 1.4 milionë metra katrorë në vitin 2019, teksa kulmi arriti në vitin 2024, me 2.5 milionë metra katrorë.

Tregu i ndërtimit shpërtheu në një moment kur popullsia e vendit përjetoi emigrim masiv, me 600 mijë persona të larguar ndërmjet viteve 2016–2026, dhe kjo është pasoja më e rëndë që solli kriminalizimi i ekonomisë.

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, thotë se, në rast të një ndërprerjeje të menjëhershme të parave që vijnë nga jashtë ekonomisë së ligjshme, goditjen e parë do ta pësonte kërkesa për apartamente të shtrenjta, prona të dyta dhe njësi të blera kryesisht për investim. Kompanitë me shumë apartamente të pashitura do të detyroheshin të ulnin çmimet, të shtynin projektet e reja dhe të ngadalësonin punimet.

1. Soko e përshkruan një skenar të tillë traumatik për ekonominë. Sipas tij, rënia e kërkesës deri në 70% do të krijonte spirale uljeje çmimesh dhe daljeje në treg të apartamenteve që sot mbahen bosh. Kur shitjet bien, ndërtuesit kanë nevojë për likuiditet dhe ulin çmimet.

Kjo mund të krijojë panik te pronarët që i kanë blerë apartamentet si investim, duke i nxitur t’i nxjerrin në treg. Shtimi i ofertës, në një kohë kur kërkesa është e dobët, do të ushtronte presion të mëtejshëm mbi çmimet. Por jo të gjitha kompanitë do të prekeshin njësoj.

Ndërtuesit me pak borxhe, projekte të financuara me kapital të ligjshëm dhe banesa të orientuara drejt kërkesës reale do të kishin më shumë mundësi të mbijetonin, thotë z. Soko.

Më të rrezikuara do të ishin kompanitë që kanë blerë truall me çmime të larta, mbështeten te parashitjet dhe kanë detyrime të mëdha ndaj bankave, furnitorëve dhe kontraktorëve. Një pjesë e tyre mund të falimentonte, ndërsa tregu mund të zhvendosej nga apartamentet luksoze drejt banesave më të vogla dhe më të përballueshme.

Rreziku më i madh do të shfaqej nëse kriza e ndërtimit do të kalonte te bankat. Sipas z. Soko, ekspozimi i sektorit bankar ndaj ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme arrin rreth 2,5 miliardë euro. Përveç kredive të drejtpërdrejta, një pjesë e madhe e huave për individë dhe biznese është e garantuar me prona.

Në rast të rënies së çmimeve, do të ulej edhe vlera e kolateralit. Megjithatë, zhvlerësimi i pronës nuk sjell automatikisht mosshlyerjen e kredisë. Problemi përshkallëzohet nëse rënia e çmimeve shoqërohet me falimentime kompanish, humbje vendesh pune dhe ulje të të ardhurave.

Atëherë do të rriteshin kreditë me probleme, bankat do të shtrëngonin huadhënien dhe financimi do të pakësohej edhe për sektorë të tjerë. Ndërtimi është i lidhur me prodhimin e materialeve, transportin, tregtinë, arkitekturën, mobilimin dhe shërbimet e pasurive të paluajtshme. Një tkurrje e fortë do të ulte punësimin, konsumin dhe të ardhurat buxhetore.

Nga ana tjetër, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sistemi bankar po financon një pjesë gjithnjë e më të madhe të kërkesës. Kredia e re për blerje banesash u rrit për të shtatin vit radhazi në vitin 2025 dhe arriti rekordin historik prej 64.4 miliardë lekësh, ose rreth 658 milionë euro. Krahasuar me vitin 2024, kredia e re u rrit me 17.3%.

Në fund të vitit 2025, portofoli aktiv i kredisë për shtëpi arriti në 243.6 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 16.7%. Vetëm gjatë periudhës 2021–2025, bankat dhanë rreth 254 miliardë lekë kredi të reja për blerje banesash, 115% më shumë se në pesëvjeçarin 2016–2020.

Megjithatë, kredia nuk shpjegon të gjithë rritjen e çmimeve, sidomos kur një pjesë e blerjeve kryhet me fonde të veta. Edhe blerësit që marrin kredi duhet të sigurojnë parapagimin, që mund të arrijë nga 15% deri në 30% të vlerës së pronës.

Rritja e shpejtë e financimit për pasuri të paluajtshme ka shqetësuar edhe Bankën e Shqipërisë. Në vitin 2024 u aplikua shtesa kundërciklike e kapitalit për bankat, ndërsa nga 1 korriku 2025 hynë në fuqi kufizimet mbi raportin e kredisë ndaj vlerës së pronës dhe raportin e kësteve ndaj të ardhurave të huamarrësit.

Për kreditë në Lek, bankat mund të financojnë deri në 85% të vlerës së shtëpisë së parë dhe 80% të së dytës. Kësti mujor nuk duhet të kalojë 40% të të ardhurave për shtëpinë e parë dhe 35% për të dytën. Kufijtë janë më të ulët për huatë në valutë.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka tërhequr vëmendjen për rritjen e ekspozimit të bankave ndaj pasurive të paluajtshme dhe për mungesën e të dhënave të plota mbi tregun. Një rënie e menjëhershme e çmimeve mund të rriste kreditë me probleme, të dobësonte huadhënien dhe të transmetonte goditjen nga ndërtimi në pjesën tjetër të ekonomisë.

Kursi i këmbimit shkakton tronditjen më të madhe

Në vitin 2016, 1 euro këmbehej me 140 lekë, ndërsa aktualisht me rreth 93 lekë, ose 33% më pak. Në disa periudha, Leku u forcua edhe pse deficiti i llogarisë korrente u zgjerua.

Pano Soko e sheh kursin e këmbimit si kanalin tjetër ku kanë ndikuar hyrjet e kapitalit jashtë ekonomisë së deklaruar. Sipas tij, forcimi i Lekut nuk shpjegohet vetëm nga kërkesa dhe oferta që krijojnë aktivitetet e ligjshme, por edhe nga hyrje të tjera valutore që kanë rritur sasinë e euros në treg.

Në vitin 2025, të ardhurat nga turizmi arritën rreth 5,7 miliardë euro, remitancat rreth 1,1 miliardë euro dhe Investimet e Huaja Direkte, rreth 1.6 miliardë euro.

1.Soko parashikon se, nëse flukset e paligjshme të kapitaleve do të ndërpriteshin menjëherë, kursi mund të shkonte në 130–140 lekë për euro. Sipas tij, zhvlerësimi i fortë i Lekut do të sillte rritje të lartë të çmimeve, për shkak të varësisë së ekonomisë shqiptare nga importet.

Ky është një skenar i skajshëm, i mbështetur mbi supozime që nuk mund të verifikohen plotësisht me të dhënat ekzistuese. Megjithatë, ulja e ndjeshme e ofertës së Euros do ta dobësonte Lekun. Kjo do të ndihmonte eksportuesit dhe familjet që marrin remitanca, pasi do të merrnin më shumë lekë për çdo euro. Në anën tjetër, do të shtrenjtoheshin karburantet, ushqimet, ilaçet, makineritë, automjetet dhe lëndët e para.

Në një skenar më të përmbajtur, nëse Euro kthehet në nivelet e vitit 2021, me 125 lekë, vlera e eksporteve të vitit 2025 do të rritej nga 346.1 miliardë në rreth 441.5 miliardë lekë, ose 27%, rreth 1 miliard euro më shumë.

Por, gjithashtu, importet do të rriteshin nga 887.3 miliardë lekë në rreth 1.13 trilionë lekë me rreth 2,5 miliardë euro më shumë, ose gati 30% më të lartë, e cila do të transferohej në tregjet e pakicës dhe kjo faturë do të paguhej nga konsumatori.

Deficiti tregtar do të zgjerohej nga 541.1 miliardë në rreth 690.2 miliardë lekë, nëse sasia e mallrave të tregtuara do të mbetej e njëjtë. Por, nga ana tjetër, në një skenar ku Euro do të këmbehej me 125 lekë në vitin 2025, eksportuesit do të përfitonin, ndërsa familjet dhe bizneset do të përballeshin fillimisht me çmime më të larta dhe me kosto më të mëdha investimi.

Por, sipas z. Soko, skenari i kursit të këmbimit është më i rëndi. Nëse kemi një frenim të menjëhershëm të flukseve të paligjshme, zhvlerësimi i Lekut do të vijë në mënyrë të menjëhershme, pra brenda disa javësh, ndoshta dy deri në tre muaj.

Ekonomisti analizon se, bazuar në të dhënat aktuale të ekonomisë së pastër dhe nëse i krahasojmë ato me periudhat e mëparshme kur nuk kemi pasur infiltrim të parasë nga jashtë ekonomisë, kursi natyror i këmbimit do të ishte në nivelin 1 euro = 130-140 lekë.

Tani, importet kanë marrë peshë shumë të madhe në ekonomi, pasi, për shkak të kursit të këmbimit, prodhimi shqiptar ka humbur terren në mënyrë eksponenciale.

Duke qenë se importet zënë rreth 70% të konsumit dhe diçka më shumë tek investimet, atëherë zhvlerësimi me 45-55% i monedhës do të prodhonte inflacion minimalisht në nivelin 30-40%. Kjo, për familjet shqiptare, do të thotë shuarje e pasurisë dhe e të ardhurave me minimalisht 30-40% për një periudhë shumë të shkurtër.

E njëjta gjë vlen edhe për investimet e kompanive. Eksperti thotë se, sipas një llogarie shumë të përgjithshme, do të ishte një shuarje që do të shkonte në rreth 10 miliardë euro për të gjithë ekonominë, çka do të ishte shumë më e lartë sesa shuarja që shkaktoi kriza e piramidave në vitin 1997.

Rreziku transferohet te sektori financiar

Para pandemisë, tregu i banesave nuk financohej shumë nga kreditë bankare, por pas vitit 2021 ka një rikthim të bankave në tregun e pasurive të paluajtshme. Kredia e re për blerje banesash u rrit për të shtatin vit radhazi në vitin 2025 dhe arriti rekordin historik prej 64.4 miliardë lekësh.

Gjatë periudhës 2021–2025, bankat dhanë rreth 254 miliardë lekë kredi të reja për blerje banesash, 115% më shumë se në pesëvjeçarin 2016–2020. Por, për ekonomistin Soko, rreziku nuk kufizohet vetëm te kreditë e dhëna për apartamente dhe ndërtim.

Pasuritë e paluajtshme përdoren si kolateral edhe për kredi të dhëna në sektorë të tjerë. Nëse çmimet e pronave do të binin fort, do të ulej vlera e garancive që mbështesin një pjesë të madhe të portofolit të huadhënies.

Ky është skenari ekstrem. Të dhënat aktuale të bankave sugjerojnë se sistemi hyn në një korrigjim të mundshëm nga një pozicion relativisht i qëndrueshëm. Në fund të vitit 2024, raporti i kredive me probleme ishte 4.17%, ndërsa treguesi i mbulimit të likuiditetit arrinte 273.4%, shumë mbi minimumin rregullator.

Për këtë arsye, ngadalësimi i moderuar i çmimeve nuk do të përkthehej automatikisht në krizë bankare. Për të prodhuar një tronditje sistemike, do të duhej të kombinoheshin një rënie shumë e fortë e pronave, falimentime të shumta kompanish, humbje masive punësimi dhe rritje e shpejtë e mosshlyerjes së kredive.

Megjithatë, dobësia qëndron te mungesa e të dhënave për detyrimet jashtë sistemit bankar. Parapagimet, huatë mes kompanive, kreditë nga persona të lidhur dhe marrëveshjet informale mund të krijojnë rreziqe që nuk shfaqen në bilancet e bankave. Kriza mund të nisë te zhvilluesit, të kalojë te furnitorët dhe blerësit dhe vetëm më pas të mbërrijë te sistemi financiar.

Etapat që kërkon pastrimi i ekonomisë dhe riorientimi i modelit

Përvoja ndërkombëtare tregon se pastrimi i ekonomisë nga flukset e paligjshme zgjat me vite, por përvoja italiane jep dy mësime të rëndësishme.

I pari është se largimi i ndikimit kriminal mund të përmirësojë mënyrën se si përdoren burimet. Ndërhyrjet në bashkitë e infiltruara nga mafia kanë sjellë riorientim të shpenzimeve drejt shërbimeve dhe investimeve më të dobishme për komunitetin.

Mësimi i dytë është se rezultatet kërkojnë kohë. Italia ka ndërtuar mekanizmat e sekuestrimit, konfiskimit dhe ripërdorimit të pronave përmes reformave të vazhdueshme që prej viteve 1980 dhe 1990. Përfitimet janë krijuar gjatë dekadave dhe jo brenda një mandati qeverisës, ndërsa puna vijon ende sot.

Kjo mbështet vlerësimin e z. Soko se Shqipërisë do t’i duhej të paktën një periudhë pesëvjeçare për ta ulur gradualisht varësinë nga kapitali informal. Por pesë vjet do të ishin vetëm faza e parë. Ndërtimi i një modeli ku rritja mbështetet te prodhimi, teknologjia dhe eksportet mund të kërkojë më shumë. Pesë vjet për stabilizim, më shumë për ndryshimin e modelit.

Në dy vitet e para, ekonomia do të përjetonte goditjen më të fortë. Do të kishte më pak transaksione pronash, ngadalësim të ndërtimit, më pak konsum luksi dhe vështirësi për kompanitë e varura nga kapitali informal.

Ai thotë se, nga viti i tretë deri në të pestin, tregu i banesave do të fillonte të stabilizohej, aktivitetet e ligjshme do të fitonin më shumë hapësirë, të ardhurat tatimore nga formalizimi do të rriteshin dhe sistemi bankar do të kishte më shumë informacion për rreziqet.

Pas vitit të pestë do të bëhej më i dukshëm ndryshimi i strukturës ekonomike. Investimet do të mund të lëviznin gradualisht nga prona te prodhimi, teknologjia dhe eksportet. Përmirësimi i produktivitetit dhe krijimi i një baze të re të rritjes do të kërkonin pesë deri në shtatë vjet, ndoshta edhe më shumë.

Pano Soko e përshkruan kapitalin e paligjshëm si një problem që ka depërtuar në pjesët jetike të ekonomisë dhe nuk mund të hiqet menjëherë pa dëmtuar gjithë sistemin. Zgjidhja që propozon është një proces gradual, i shoqëruar me fuqizimin e eksporteve dhe të burimeve të ligjshme të kapitalit.

Përvoja ndërkombëtare mbështet të njëjtin përfundim: pastrimi nuk është një fushatë disamujore, por një proces institucional dhe ekonomik shumëvjeçar. Vështirësitë nuk lidhen vetëm me pastrimin e ekonomisë, por edhe me orientimin e saj drejt një burimi tjetër rritjeje.

Përfitimet nga rikthimi i ekonomisë në normalitet

Pesha e ndërtimit dhe e sektorëve të tjerë që lidhen me të, si pasuritë e paluajtshme dhe aktivitetet e arkitekturës, ka ardhur në rritje vitet e fundit, duke zënë rreth 18% të ekonomisë në vitin 2025. Vetëm ndërtimi zuri vitin e kaluar 12.56% të ekonomisë, me rritje nga viti 2024.

Në çdo 100 lekë shtesë në ekonomi, 12 lekë vijnë nga sektori i ndërtimit. Nga ana tjetër, bujqësia dhe industria, sektorët prodhues të vendit që punësojnë rreth 42% të të punësuarve, janë në rënie. Në vitin 2025, në çdo 100 lekë shtesë në ekonomi, 14.6 lekë erdhën nga bujqësia dhe 7.4 lekë nga industria.

Në vitin 2016, në çdo 100 lekë shtesë, 18.6 ishin nga bujqësia dhe 8.5 nga industria. Tkurrja e sektorëve prodhues në ekonominë totale e bëri ekonominë jokonkurruese, duke ulur eksportet dhe duke rritur importet.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2025, investimet e reja arritën në 798 milionë euro, në rritje me 13.5% krahasuar me një vit më parë, teksa pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se një të tretën e Investimeve të Huaja Direkte.

Profesori Oltion Rumbullaku tha se frenimi i flukseve të paligjshme do t’i çonte kapitalet dhe kredinë drejt sektorëve prodhues, si industria dhe bujqësia.

Ndërtimi, turizmi dhe shërbimet kanë qenë ndër burimet kryesore të rritjes ekonomike, ndërsa industria dhe bujqësia kanë mbetur më të dobëta. Por është shumë paradoksale që, teksa turizmi rritet, nga ana tjetër ulet prodhimi bujqësor. Ky model krijon punësim dhe të ardhura, por e mban ekonominë të varur nga konsumi i brendshëm, turizmi sezonal, importet dhe çmimet e pronave.

Produktiviteti i punës në Shqipëri në vitin 2023 ishte më pak se gjysma e mesatares së Europës Qendrore dhe Lindore dhe vetëm 13% e nivelit të ekonomive të zhvilluara të BE-së.

Zoti Rrumbullaku shprehet se kufizimi i kapitaleve të pajustifikuara do të krijonte mundësinë që kreditë dhe kursimet të shkojnë më shumë drejt makinerive, teknologjisë, bujqësisë moderne, përpunimit dhe shërbimeve që shiten jashtë vendit.

Por z. Soko thotë se, nëse ndërtimi merr më pak para, bankat nuk do t’i kalojnë automatikisht ato tek industria. Bizneset prodhuese duhet të kenë projekte të financueshme, tregje dhe fuqi punëtore të kualifikuar.

Dy vitet e para do të sillnin boshllëk që aktivitetet prodhuese nuk mund ta mbushnin menjëherë. Nga viti i tretë deri në të pestin mund të fillonte rritja e investimeve në sektorë të tjerë. Efekti mbi produktivitetin dhe eksportet do të bëhej më i dukshëm pas pesë deri në shtatë vjetësh.

Ekonomistët ndajnë të njëjtin mendim se rikthimi në normalitet i ekonomisë do të forcojë shtresën e mesme dhe do të rrisë konkurrencën e drejtë në treg, si për individët, ashtu edhe për bizneset. Një mjek, inxhinier, ekonomist apo specialist teknologjie mund të ketë të ardhura mbi mesataren, por përsëri të mos arrijë të blejë një apartament në Tiranë.

Paga e tij aktualisht konkurron me kapital qe vjen nga burime kriminale. Familjet që jetojnë me të ardhura të deklaruara po jetojnë në një treg ku rregullat nuk janë të njëjta për të gjithë.

Të dhënat tregojnë inflacioni i pasurive të paluajtshme e ka vështirësuar jetesën e profesionistëve dhe ka nxitur largimin e tyre nga vendi. Nga viti 1990 deri në vitin 2025, u larguan nga vendi 1.8 milionë persona, shumica të rinj, më shumë sesa u kthyen.

Ekspertët e çështjeve demografike, Ilir Gëdeshi dhe Russell King, këshillojnë se, për të mbajtur të rinjtë në vend, Shqipëria ka nevojë për një transformim të strukturës prodhuese, në drejtim të zgjerimit të bazës ekonomike, rritjes së vlerës së shtuar dhe krijimit të vendeve të punës të qëndrueshme dhe të kualifikuara.

Një strukturë e tillë do të zgjeronte mundësitë e biznesit, punësimit dhe të ardhurave, duke rritur perceptimet për perspektiva më pozitive ekonomike dhe sociale në vend, veçanërisht te të rinjtë dhe te shtresat më të arsimuara të popullsisë.

Po ekspertët e ekonomisë pohojnë se kapitali kriminal nuk e dëmton ekonominë vetëm kur përdoret për të blerë prona. Ai deformon konkurrencën mes kompanive. Një biznes i zakonshëm duhet të mbulojë kostot me të ardhurat që siguron nga klientët.

Duhet të paguajë punonjësit, furnitorët, taksat, energjinë dhe interesat. Një subjekt i përdorur për pastrimin e parave mund të vazhdojë aktivitetin edhe pa prodhuar fitim të mirëfilltë, sepse synimi kryesor është futja e kapitalit në qarkullim.

Kjo mund t’i lejojë atij të blejë prona me çmime më të larta ose të qëndrojë në treg edhe kur një biznes normal do të kishte falimentuar./Monitor

Poll

MOS HUMB