TIRANË-Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet ligjore për adoptimin e monedhës euro. Projektligji i ri "Për Bankën e Shqipërisë", i publikuar për konsultim, përfshin për herë të parë një kapitull të veçantë që përcakton mënyrën se si do të funksionojë banka qendrore shqiptare pas hyrjes së vendit në Eurozonë. Në draft është sqaruar se si do të funksionojë hedhja në qarkullim e euros, si do emetohet apo se si do të mbahet rezerva valutore.
Projektligji parashikon se, nga dita e prezantimit të euros si monedhë e Republikës së Shqipërisë, euro do të bëhet njësia monetare e vendit, ndërsa Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane. Banka e Shqipërisë do të përcaktojë edhe dizajnin e monedhave metalike euro që do të emetohen nga Shqipëria, sipas standardeve evropiane.
"Njësia monetare në Republikën e Shqipërisë do të jetë “Euro”. Banka e Shqipërisë do të fusë në qarkullim kartëmonedhat dhe monedhat Euro. Banka e Shqipërisë përcakton dizajnin e monedhave që emeton në përputhje me rregulloret përkatëse të Bashkimit Evropian”, thuhet në 3 pikat e nenit 91 të projektligjit.

Në dokument thuhet se pas prezantimit të EURO-s si monedhë e Republikës së Shqipërisë, Banka e Shqipërisë do të mbajë dhe administrojë rezervat valutore në përputhje me Traktatin mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian, Statutin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe të Bankës Qendrore Evropiane, si dhe aktet e Bankës Qendrore Evropiane dhe rregulloret e Bashkimit Evropian.
Hyrja në fuqi e këtyre dispozitave lidhet drejtpërdrejt me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përmbushjen e kritereve për t'u bërë pjesë e Eurozonës.Euro është monedha zyrtare e 21 nga 27 vendet e BE-së.