TIRANË-Duke folur në “Opinion”, CEO Fatbardha Rino tha se çdo risi në një treg të rregulluar si ai bankar sjell natyrshëm reagim dhe rezistencë, sidomos kur ndryshon mënyrën tradicionale të funksionimit të sistemit financiar. Ajo e konsideroi këtë si një fenomen të njohur në çdo treg europian kur futen banka digjitale.
Jet Bank, sipas saj, është ndërtuar mbi parimin e një strukture të verifikuar, me aksionarë të kontrolluar dhe pa përfshirje në operacione, ndërsa drejtimi është plotësisht i ndarë dhe profesional.
“E vjetra gjithmonë reagon ndaj të resë, por rregullatori dhe faktet mbeten të vetmet që vlejnë,” u shpreh ajo.
Ajo shtoi se transformimi digjital në banking nuk është vetëm teknologjik, por edhe kulturor, sepse ndryshon mënyrën se si qytetarët aksesojnë shërbimet financiare. Pikërisht kjo, sipas saj, është arsyeja pse bankat digjitale shpesh keqkuptohen në fazat e tyre të para.