IRAN- Irani ka kundërshtuar njoftimin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për "biseda produktive" me ta, duke thënë se nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Vendi pretendon se vendimi i Trump për të shtyrë sulmet ndaj termocentraleve iraniane erdhi pasi Irani paralajmëroi se do të synonte të gjithë infrastrukturën energjetike në të gjithë Azinë Perëndimore në shenjë hakmarrjeje.
"Nuk ka kontakt të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me Trumpin. Ai u tërhoq pasi dëgjoi se objektivat tanë do të ishin të gjitha termocentralet në Azinë Perëndimore", tha një burim iranian për agjencinë gjysmëzyrtare të lajmeve Fars.
“Trump u tërhoq nga sulmi ndaj infrastrukturës kritike, ndërsa kërcënimet ushtarake të Iranit u bënë të besueshme. Presioni mbi tregjet financiare dhe kërcënimi i obligacioneve brenda SHBA-së dhe Perëndimit është rritu, dhe ky ka qenë një faktor tjetër i rëndësishëm për këtë kthim prapa. Që nga fillimi i luftës deri më sot, Teheranit i janë dërguar mesazhe nga disa ndërmjetës, përgjigjja e qartë e të cilëve ka qenë se ne do të vazhdojmë të mbrohemi derisa të arrijmë frenimin e nevojshëm”, tha një zyrtar i lartë i sigurisë për gazetën gjysmëzyrtare të Iranit, Tasnim.
Deklaratat bien ndesh me postimin e Trump në Truth Social, në të cilin ai tha se SHBA-të dhe Irani kishin zhvilluar "biseda shumë të mira dhe produktive" gjatë dy ditëve të fundit dhe se ai i kishte udhëzuar Departamentit të Luftës të shtynte të gjitha sulmet ushtarake kundër centraleve elektrike dhe infrastrukturës energjetike iraniane për pesë ditë.