SHBA-Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar armëpushimin 5 ditor me Iranin. Lajmi vjen brenda 24-orëve nga ultimatumi i Trump ndaj Iranit lidhur me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Presidenti i SHBA njofton se ka patur bisedime të mira mes dy vendeve dhe thotë se vijimi i marrëdhënieve do të varet nga suksesi i grupeve negociatore ndërsa për 5 ditët e ardhshme nuk do të sulmohen centralet energjetike iraniane.
Donald Trump: Kam kënaqësinë të raportoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit bisedime shumë të mira dhe produktive, në funksion të një zgjidhjeje të plotë të armiqësive tona në Lindjen e Mesme. Bazuar në frymën dhe tonin konstruktiv të këtyre diskutimeve të thelluara dhe të detajuara, të cilat pritet të vijojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Mbrojtjes të shtyjë çdo sulm ushtarak ndaj centraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore, në varësi të ecurisë së mëtejshme të negociatave. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje.
Ndërkohë negociatat kanë filluar me SHBA që kërkon një sërë angazhimesh nga Irani, duke përfshirë: Pezullim pesëvjeçar të programit të raketave balistike; Zero pasurim me uranium; Çmontimin e objekteve bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Fordow; Mbikëqyrje të rreptë ndërkombëtare të teknologjisë bërthamore; Marrëveshje për kontrollin e armëve në rajon me vendet fqinje; Ndalim të financimit të grupeve si Hezbollahu, Huthit dhe Hamasi.
Nga ana tjetër edhe Irani ka dalë me disa kushte kryesore për të arritur fundin e konfliktit, konkretisht: garanci për të parandaluar konflikte të ardhshme, mbylljen e bazave ushtarake amerikane në rajon, kompensimin për dëmet, fundin e luftërave në fronte të shumta, një kuadër të ri ligjor që rregullon Ngushticën e Hormuzit dhe veprime ligjore kundër figurave mediatike që i konsideron armiqësore.