TIRANË- Projektbuxheti për vitin 2026 është miratuar sot nen për nen me 7 vota pro dhe asnjë kundër në Komisionin e Ekonomisë, Punësimin dhe Financat. Kryetarja e Komisionit mbylli mbledhjen me votimin e projektbuxhetit, teksa kërkoi që zbatohet me atë rritje ekonomike që është parashikuar.
“Kemi nevojë që në një mënyrë mbase informale të bëjmë ca diskutime për këto ide që kemi. Kemi nevojë të ulemi me ju për këto gjëra, urime dhe suksese që të zbatojmë projektbuxhetin me atë rritje ekonomike që kemi parashikuar”, tha Milva Ekonomi, në mbyllje të mbledhjes.
Pas këtij hapi, tashmë pritet që buxheti të miratohet nen për nen në sallën e Kuvendit, në seancën plenare të së enjtes, 11 dhjetor.
Ndërkohë, po sot, Komisioni i Ekonomisë ka miratuar edhe projektligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat", sipas të cilit nuk do të jepet më asnjë koncesion që vjen si ofertë e pa kërkuar.
Buxheti 2026
Projektbuxheti i vitit 2026 u publikua pak ditë më parë. Nga shifra prej 8.8 miliardë lekësh, 100 milionë euro do të shkojnë për rritjen e pensioneve sipas skemës së re, ndërsa 135 milionë euro do të shkojnë për rimbursimin e medikamenteve. Fondi për rindërtimin do jetë në 50 milionë euro. Kostoja totale e rritjes së pagës minimale së bashku me indeksimin parashikohet rreth 10 miliardë lekë.
Sa i përket institucioneve të drejtësisë, rritjen më të madhe e ka Këshilli i Lartë Gjyqësor me gati 12 milionë euro më shumë, duke marrë për vitin 2026 gjithsej 68 milionë euro. Edhe SPAK merr një buxhet më të madh për vitin 2026. Prokuroria e Posaçme do të ketë në dispozicion 21 milionë euro nga 18.8 milionë që kishte vitin e kaluar./ZËRI

