TIRANË- Komisioni i Ligjeve ka miratuar në mbledhjen e parë për këtë legjislaturë edhe aktin normativ të dhjetorit 2025, që rishikonte buxhetin e shtetit. Sipas ministrit të Financave, Petrit Malaj, rishikimi i aktit u bë u për shkak të nevojave dhe urgjencave.
Ministri theksoi se nëpërmjet këtij akti, sigurohet mbështetje financiare të disa kategorive. Konkretisht: 15 mijë lekë shpërblim për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe. Si dhe 15 miliardë lekë u vendos të kaloheshin në skemën e pensioneve, për financimin e reformës së re.
Ky akt gjithashtu parashikon transferimin e të gjitha fondeve të papërdorura, nga ministritë apo institucionet buxhetore, fonde që do të kalojnë në llogarinë e posaçme pranë Bankës së Shqipërisë, për skemën e pensioneve.
“Nëpërmjet këtij Akti Normativ ne parashikimin transferimin e të gjitha fondeve të papërdorura, siç thashë dhe pak më parë, nga ministritë apo institucionet buxhetore, fonde që do të kalojnë në llogarinë e posaçme pranë Bankës së Shqipërisë, për skemën e pensioneve, që më tej do të përdoren me Vendim të Këshillit të Ministrave duke mbështetur politikat e qeverisë për skemën e re të pensioneve. Nga një vlerësim paraprak që ka bërë Ministria e Financave, shuma që ne minimalisht parashikojmë që do të jetë e papërdorshme, pra është shumë minimale që ne parashikojmë që do të jetë e papërdorshme dhe që do të kalojë në llogarinë e Bankës së Shqipërisë, është minimalisht 150 milionë euro”, tha ministri i Financave Petrit Malaj në Komisionin e Ligjeve.
Akti normativ parashkon një fond shtesë prej 2 miliardë lekësh edhe për bujqësinë. Ndërsa në total, fondi i alokuar për vitin 2025, nga i cili fermerët kanë përfituar drejtëpërdrejtë, shkon në masën 6.4 miliardë lekë.
“Në total, fondi i alokuar për vitin 2025, nga i cili fermerët kanë përfituar drejtëpërdrejtë, shkon në masën 6.4 miliardë lekë, pra është hera e parë që shkon kjo mbështetje për fermerët, krahasuar me 5.3 miliardë lekë që ishte mbështetja në vitin 2024. Sipas të dhënave që disponojmë, realizimi i këtij fondi deri më sot është në masën 90 % për skemat mbështetëse dhe 93% për kompensimin e naftës. Mund të konfirmojmë se pagesat janë ende duke u kryer nga drejtoria e Thesarit dhe pritshmëritë janë që realizimi i kësaj mbështetjeje të shkojë deri në masën 100%, deri në fund të muajit Janar”, tha ministri.
Gjithashtu, një fond shtesë prej 1.76 miliardë lekësh apo 18 milionë euro është alokuar për shëndetësinë. Fondi do të shkojë për furnizimin e spitaleve me medikamente, në rang vendi. Fondi prej 1.2 miliardë lekësh shkon për të shlyer detyrimet e papaguara të bashkive. 1.3 miliardë lekë janë alokuar me qëllim mbulimin e shpenzimeve të Policisë së Shtetir, ndërsa një shtesë fondi në masën 847 milionë lekë është parashikuar për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, për organizimin e aktiviteteve sportive me karakter kombëtar e ndërkombëtar./ZËRI