Ekonomi

Nënshkrimi i marrëveshjes SHBA-Iran sjell 'qetësi' edhe për tregun botëror, ulet çmimi i naftës

Nafta e tipit Brent zbriti nën nivelin e 78 dollarëve për fuçi

F.I
Nënshkrimi i marrëveshjes SHBA-Iran sjell 'qetësi' edhe
foto ilustruese

SHBA-Tregjet ndërkombëtare reaguan menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes kornizë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme. Zhvillimi u prit pozitivisht nga investitorët, ndërsa çmimet e naftës shënuan rënie dhe bursat kryesore botërore u ngjitën në nivele më të larta.

Sot nafta Brent ra me 1.12%, duke zbritur në 78.66 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI humbi 1.28% dhe u tregtua me 75.81 dollarë për fuçi. Analistët e lidhin këtë rënie me uljen e rrezikut gjeopolitik në rajon dhe pritshmëritë për rikthimin gradual të eksporteve iraniane të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Optimzimi u reflektua edhe në tregjet financiare. Indeksi japonez Nikkei 225 u rrit me rreth 5%, duke arritur nivele rekord, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut fitoi 5.2%. Rritje shënuan edhe indekset e tjera aziatike, pasi investitorët vlerësuan se marrëveshja do të reduktojë rrezikun e ndërprerjeve në furnizimin global me energji dhe në zinxhirët ndërkombëtarë të tregtisë.

Një nga elementët kryesorë të marrëveshjes është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Kryeministri pakistanez Shahbaz Sharif deklaroi se ngushtica do të hapet plotësisht pa vonesë, ndërsa SHBA do të nisë menjëherë heqjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane.

Marrëveshja SHBA-Iran përfshin 14 pika dhe parashikon që Irani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore, si dhe krijimin e një fondi prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Dokumenti parashikon gjithashtu një periudhë 60-ditore negociatash për finalizimin e kushteve përfundimtare, lehtësimin gradual të sanksioneve dhe rifillimin e lundrimit normal në Ngushticën e Hormuzit./ZËRI

Poll

MOS HUMB