Ekonomi

Bankat fillojnë të nuhasin risk në ndërtim, shtrëngojnë kredinë për blerje banesash

Banka e Shqipërisë raportoi se shumë prej bankave private kanë filluar sakaq të marin masat duke e bërë më të vështirë kreditimin për blerjen e banesave.

Redaksia Zëri
Bankat fillojnë të nuhasin risk në ndërtim,
Foto ilustruese

Lejet që qeveria jep në seri për ngritjen e kullave të larta deri në qiell duket se kanë filluar të trembin edhe bankat, të cilat kanë filluar të nuhasin risk në sektorin e ndërtimit. Banka e Shqipërisë raportoi se shumë prej bankave private kanë filluar sakaq të marin masat duke e bërë më të vështirë kreditimin për blerjen e banesave.

“Kushtet e ofertës për kredi të individëve ishin të fragmentuara në këtë tremujor, të shprehura në lehtësim të tyre për kreditë konsumatore dhe në shtrëngim për kreditë e dhëna në financimin e blerjeve të banesave,” deklaroi BSH në raportin e fundit të Politikës Monetare.

Zgjerimi i vrullshëm i tregut të ndërtimit ka krijuar jo pak shqetësim në opinionin e gjerë për një fluskë të mundshme të sektorit. Ky është një risk që tani me sa duket kanë filluar ta ndjejnë edhe bankat.

Bankat fillojnë të nuhasin risk në ndërtim,

“Zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave konsiderohen prej disa bankave si faktori kyç në shtrëngimin e standardeve, kushteve e termave të kreditimit për kreditë lëvruar individëve në këtë tremujor,”-deklaron BSH. Në tre vitet e fundit sektori i ndërtimit është rritur me ritme dukshëm më të larta se sa pjesa tjetër e ekonomisë. Nga ana tjetër pavarësisht shtimit masiv të ofertës nga ndërtimet e reja, të njëjtën trajektore kanë ndjekur edhe çmimet.

Në dy vitet e fundit ky zgjerim i ndërtimit është mbeshtetur fuqishëm nga bankat përmes kredisë për blerje banesash, e cila ka qenë në nivelet më të larta historike. Por me sa duket tashmë bankat kanë filluar të zmbrapsen nga kreditimi masiv i banesave për shkak të risqeve që perceptojnë.

A është kjo sjellje thjesht një korrektim nga nivelet e larta të dy viteve të fundit apo ka brenda saj edhe perceptimin e një krize të mundshme? Kjo do të bëhet më e qartë gjatë tre mujorëve në vijim. Ndërsa shtrëngimi i kredisë për blerje banesash do të vazhdojë, atëherë bankat po nuhasin më shumë se thjesht risk./Kapitali

Poll

MOS HUMB