Ekonomi

BSH-Institucionet financiare të kredidhënies fituan 56 mln euro vitin e kaluar

Aktualisht, në tregun financiar operojnë 40 institucione financiare jobanka, nga të cilat 25 subjekte janë institucione të kredisë, mikrokredisë, faktoringut, qirasë financiare, blerjes së kredive me probleme

Redaksia Zëri
BSH-Institucionet financiare të kredidhënies fituan 56 mln euro vitin
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Institucionet financiare jobanka e mbyllën vitin e kaluar me një fitim prej 5.5 miliardë lekësh ose rreth 56 milionë eurosh vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi i këtyre institucioneve u rrit me afërsisht 15% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e fitimeve të këtyre institucioneve nuk lidhen me aktivitetin e tyre bazë, kryesisht forma të ndryshme të kredidhënies, por me dividendët e marrë nga shoqëritë ku janë aksionere. Disa prej institucioneve financiare jobanka janë aksionerë të bankave tregtare dhe fitimet e tyre ndikohen edhe nga shpërndarja e dividendëve të këtyre bankave.

Banka e Shqipërisë vë në dukje se institucionet financiare jobanka që ushtrojnë veprimtaritë e kreditimit raportuan përsëri një vit pozitiv, karakterizuar nga zgjerimi i aktivitetit, performancë e mirë financiare dhe nivel të mirë të kapitalizimit. Totali i aktiveve të tyre arriti në nivelin 75 miliardë lekëve, 8% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa portofoli i huasë i institucioneve financiare jobanka në fund të vitit 2024 arriti në 61.5 miliardë lekë ose pothuajse 627 milionë euro. Portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është rritur me 10.3% krahasuar me një vit më parë.

Në pjesën dërrmuese, portofoli i kredisë së institucioneve financiare jobanka u takon institucioneve financiare jobanka të kredidhënies dhe të mikrofinancës. Kredia e dhënë nga mikrofinanca përbën rreth 6.9% të portofolit të total të kredisë për ekonominë shqiptare.

Sipas sektorëve të ekonomisë, sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë dhe i aktiviteteve të tjera të shërbimit, janë sektorët më të financuar prej tyre (me nga rreth 17% dhe 13% të totalit të stokut për bizneset), ndjekur nga ndërtimi (12%). Kredia dhënë individëve zë 51% të totalit të kredisë dhe pjesa tjetër u takon bizneseve. Cilësia e kredisë shënoi gjithashtu një përmirësim të lehtë. Raporti i kredive me probleme ra në 12.2%, nga 12.8% që kishte qenë një vit më parë. Rreth 79% e kapitalit të paguar të institucioneve jobanka që ushtrojnë veprimtarinë e kreditimit është kapital vendas.

Aktualisht, në tregun financiar operojnë 40 institucione financiare jobanka, nga të cilat 25 subjekte janë institucione të kredisë, mikrokredisë, faktoringut, qirasë financiare, blerjes së kredive me probleme etj.; 5 subjekte janë institucione pagesash dhe 10 janë institucione të parasë elektronike. Aktiviteti kryesor i IFJB-ve është ai kreditues (26%), ndjekur nga shërbimet për ofrimin e garancive dhe marrjen e angazhimeve (17%), si dhe pagesa dhe transferta dhe shërbime të këmbimit valutor (me 16%)./ Monitor

Poll

MOS HUMB