Ekonomi

Malaj: Ekonomia shqiptare u rrit me 3.7%! Nafta mbi 200 lekë/litër mund të rikthejë Bordin e Transparencës?

Malaj theksoi se pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit mbeten pozitive, ndërsa shtoi se qeveria parashikon që rritja ekonomike të arrijë në 4%.

zh.ll
Malaj: Ekonomia shqiptare u rrit me 3.7%! Nafta mbi 200 lekë/litër
petrit malaj

TIRANË- Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi se ekonomia shqiptare ka vijuar trajektoren e rritjes dhe konsolidimit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, Malaj bëri me dije se Shqipëria shënoi një rritje ekonomike prej 3.7% në tremujorin e parë, më të lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Malaj theksoi se pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit mbeten pozitive, ndërsa shtoi se qeveria parashikon që rritja ekonomike të arrijë në 4%.

"Shqipëria gjatë tremujorit të parë të 2026, ka shënuar një rritje prej 3.7 % më e larta sesa mesatarja e Ballkanit Perëndimor , por dhe e BE-së. Kemi një rritje ekonomike, e cila në fakt, sipas parashikimeve të financave do ketë deri në fund të vitit një rritje prej 4%, ku padyshim sektorët me kontributin më të madh janë sektori i shërbimeve dhe sektori i investimeve, qofshin këto private apo publike. Parashikimi ynë është që deri në vitin 2026, PPB-ja të arrijë në 29 miliardë euro, dhe pritshmëritë tona deri në fund të mandatit të shkojë në 35 miliardë euro“, tha Malaj.

Ministri Malaj komentoi edhe rritjen e çmimit të naftës, e cila ka arritur në 206 lekë për litër, duke thënë se rikthimi i Bordit të Transparencës është një çështje që i përket Ministrisë së Ekonomisë dhe do të vendoset nga Këshilli i Ministrave. Ditët e fundit ka pasur luhatje të çmimeve në treg, por sipas Malajt, nëse shtrenjtimi do të vijojë, nuk përjashtohet mundësia e rikthimit të Bordit të Transparencës.

“Kjo është nën tagrin e Ministrisë së Ekonomisë. Rikthimi i Bordit të Transparencës apo jo është një vendimmarrje e Këshillit të Ministrave, me propozim që vjen nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit. Ka pasur një kuhatje të çmimeve përgjatë 10 ditëve të fundit. Me qetësimin e situatës në Lindjen e Mesme ka një rënie të çmimeve. Ky është një vlerësim që e bën Këshilli i Ministrave pas propozimit nga Ministria e Ekonomisë. Nëse do të keni një rritje të çmimeve relativisht të gjatë, padiskutim që do të hyjë në fuqi edhe Bordi i Transparencës”, tha Malaj./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB