
TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar në Kuvend një projektligj që synon kthimin e parave për profesionistët e lirë, të cilët kanë paguar tatimin mbi fitim. Kjo lëvizje vjen pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese të taksës prej 15% mbi profesionet e lira, e cila ishte planifikuar të hynte në fuqi këtë vit.
Sipas opozitës, për rreth 6541 tatimpagues, të cilët kanë paguar në periudhën janar – qershor 2024, duhet të ketë një rimbursim të plotë të shumës prej 500 milionë lekësh. Në draftin ligjor përcaktohet që paratë duhet të kthehen brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit ose të transferohen për të shlyer detyrime të tjera tatimore. Për profesionistët që nuk kanë bërë pagesa, drafti parashikon fshirjen e detyrimeve tatimore dhe kamatëvonesave të akumuluara.
Megjithëse qeveria ka shprehur vullnetin për të kthyer mbrapsht paratë, opozita thekson se ky draft nuk lë hapësirë për interpretime ose abuzime në të ardhmen.
Kjo nismë vjen si pasojë e paqartësive ligjore të shkaktuara pas shfuqizimit të pjesshëm të ligjit nga Gjykata Kushtetuese, e cila e cilësoi taksën si të papajtueshme me Kushtetutën, por nuk dha udhëzime të qarta për hapat e mëtejshëm lidhur me pagesat që janë kryer nga profesionistët e lirë. Gjatë një interpelance me deputeten demokrate Jorida Tabaku, ministri i Financave, Petrit Malaj tha se dikasteri që ai drejton ka kërkuar ndihmë nga Kushtetuesja lidhur me mënyrën sesi duhet të veprojnë për paratë e mbledhura. Më pas, do të veprojnë. Por duket se ky hap nuk e ka bindur opozitën, e cila ka depozituar draftin në Kuvend./ ZËRI