
TIRANË- Projektbuxheti i vitit 2024 do të ketë në dispozicion mbi 7 miliardë lekë (konkretisht 735,9 miliardë lekë), të cilat do të shpërndahen nëpër institucionet e vendit dhe do të vihen në dispozicion të tyre. Sipas Ministrisë së Financave, 633,7 miliardë vijnë nga të ardhurat dhe pjesa tjetër është borxh i ri (deficiti) prej 61,9 miliardë lekësh. Pjesën më të madhe të “tortës” buxhetore do e marrin investimet publike, plot 128.5 miliardë lekë, të cilat do të shpërndahen sipas parashikimeve.
Koncensionet, disa prej të cilave nën hetim dhe nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, do vijojnë të marrin para nga buxheti i shtetit pavarësisht se ndaj tyre është ngritur flamuri i “kuq”. Të gjitha do të marrin ofro 32 miliardë lekë sëbashku.

Në projektbuxhetin e vitit 2024 koncesioni/PPP (Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril një përdorimesh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale), do të ketë në dispozicion 1.75 miliardë lekë. Po ashtu, Rruga e Arbrit, ndërtimi dhe operimi i aksit Orikum-Dukat, mirëmbajtja e aksit Milot-Morinë dhe ndërtimi dhe mirëmbajtja e Tripotit në Vlorë do të marrin nga buxheti afro 5 miliadë lekë. Një pjesë e buxhetit shkon dhe për koncensionin e dializës dhe check-up. Pjesa tjetër për investime arsimore në Bashkinë e Tiranës. Ndërsa sa i përket borxhit publik, qeveria parashikon uljen e tij deri në fund të vitit 2024 në 59.8%, më i ulëti që nga viti 2011.

Sa i përket institucioneve të rëendësishme, më me "fat" do jenë Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Infrastrukturës. Në një kohë luftrash, qeveria ka akorduar për Ministrinë e Mbrojtjes plot 48.3 miliardë lekë. Një pjesë do të jenë dhe në shërbim të Emergjencave Civile, duke marrë parasysh situatën e vështirë me zjarret me të cilën u përball vendi këtë vit. Më shumë do të marrin Forcat e Luftimit, ndërsa një pjesë do të shkojë dhe për mbështretjen financiare të ushtarakëve.

Ministria e Arsimit vitin e ardhshëm do të marrë 52.2 miliardë lekë, nga 47.7 miliardë lekë që është këtë vit.
Ministria e Financave do të marrë në 57.2 miliardë, nga 50.4 këtë vit.
Më pak para në buxhetin e këtij vitit do të marrë Ministria e Bujqësisë. Nga 10 miliardë që priten të shpenzohen këtë vit, për vitin 2024 ky dikaster do të marrë 7.2 miliardë lekë.
Rritje të të ardhurave do të pësojnë dhe institucionet më të larta të drejtësisë në vend. Kështu në buxhetin e vitit 2024 janë parashikuar 11 miliardë lekë për Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese, SPAK, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe sistemet e tjera të drejtësisë nga 9.2 miliardë këtë vit.

Ministria e Brendshme ka marrë në total rreth 47 miliardë lekë sëbashku me intitucionet e varësisë, si Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe shërbimet e përgjithshme të planifikuara.

Sa i përket qeverisjes vendore janë vënë në dispozicion 71.2 miliardë lekë për 61 bashkitë e vendit. Bashkia Tiranë do të marrë edhe pjesën më të madhe, rreth 5.2 miliardë lekë, ndjekur nga Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri dhe Vlora.

Ndërkohë Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi i Shqipërisë marrin në total mbi 17 miliardë lekë. Në to përfshihen shërbimet e përgjithshme publike dhe administrimi.

Defiçiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet në nivelin 2.5% të PBB nga 2.2% të PBB që pritet deri në fund të vitit 2023.
Ndërkohë në paketën fiskale të vitit 2024, qeveria parashikon parashikon rishikimin e masave për disa nga shkeljet e bizneseve.
Rishikime qeveria bën dhe në ligjin për akcizën.
“Akciza e llogaritur sipas pikës 2, të këtij neni, indeksohet çdo dy vjet në masën e normës zyrtare të inflacionit të shpallur nga INSTAT-i, por jo më shumë se 1.5%, me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve të tij, për të cilat akciza do të aplikohet sipas kalendarit të përcaktuar në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet ligjit. Indeksimi i akcizës, sipas paragrafit të parë të kësaj pike, është shuma e normës së shpallur të inflacionit të vitit të dytë paraardhës, plus normën e shpallur të inflacionit që rezulton deri në fund të 9-mujorit të vitit paraardhës, por jo më shumë se 1.5%.”, thuhet në vendim.
Projektbuxheti 2024 pritej të prezantohej sot në Konferencën e Kryetarëve dhe më pas në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave për të vijuar debatin në parim në të gjitha komisionet. Por protesta e depoutetëve të bopozitës la “peng” diskutimet. Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë u bllokua, po ashtu dhe mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Pas shqyrtimit në komisionet parlamentare, projektbuxheti pritet të kalojë në parim me 22 nëntor, ndërsa nen për nen më 7 dhjetor./Zëri.ai