TIRANË- Sektori bankar ka regjistruar më shumë kredi të reja me probleme për gjysmën e parë të këtij viti. Në qershor 2025, fluksi vjetor i kredive të reja me probleme ishte sa 1.9% e kredive të rregullta, nga 1.7% dhe 1.8% një gjashtëmujor dhe një vit më parë.
Nga ana tjetër, norma e rikuperimit të kredive me probleme u rrit në rreth 15% nga 13% një vit më parë. Norma e rikuperimit tregon vlerën e kredive që janë hequr nga kategoria e kredive me probleme dhe që kanë kaluar në klasat performuese gjatë një viti, në raport me tepricën e kredive me probleme në fund të periudhës. Kjo ecuri tregon rritje të aftësisë së bankave për të rikuperuar kreditë me probleme.
Ndërsa norma e dështimit, që tregon shpejtësinë me të cilën akumulohen kreditë e humbura në krahasim me portofolin e përgjithshëm të kredisë, ka rënë në 1% nga 1.1% një gjashtëmujor më parë dhe 1.2% një vit më parë, i ndikuar nga zgjerimi i tepricës së përgjithshme të kredisë. Ky tregues shpreh fluksin e ri të kredive të humbura gjatë një viti ndaj tepricës së përgjithshme të kredisë në fund të periudhës.
Megjithatë, vlera e kredive të humbura të fshira nga bilancet e bankave shënoi një rritje të fortë në gjysmën e parë të këtij viti. Sektori bankar nxori jashtë bilanceve rreth 5.3 miliardë lekë. Kjo vlerë ishte 279% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera e kredive të fshira në periudhën e fundit ishte sa 17.6% e tepricës së përgjithshme të kredive me probleme në portofolin e bankave, nga rreth 2.7% gjashtëmujorin e kaluar.
Raporti i kredive me probleme nuk ka pësuar luhatje shumë të mëdha për pjesën e parë të këtij viti dhe në fund të korrikut ishte pranë nivelit të 4%.
Megjithëse portofoli i kredisë ka vazhduar rritjen me ritme dyshifrore edhe gjatë vitit 2025, raporti i kredive me probleme e ka frenuar rënien, duke sinjalizuar një rritje në stokun e kredive të këqija. Mund të vlerësohet se stoku i kredive me probleme është rreth 36.1 miliardë lekë, nga 34.9 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar dhe 37.7 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Që nga fillimi i këtij viti, stoku i kredive me probleme është rritur me 3.6%.
Me gjithë tendencën e vazhdueshme në rënie gjatë viteve të fundit, Shqipëria ende vazhdon të ketë një raport të kredive me probleme ndër më të lartët në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Të dhënat krahasuese nga Nisma e Vjenës, projekt i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i takojnë fundit të vitit të kaluar, kur raporti i kredive me probleme për sektorin bankar shqiptar në fund të vitit të kaluar ishte në nivelin 4.17%, niveli i dytë më i lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vendi me raportin më të lartë të kredive me probleme në fund të vitit 2024 ishte Mali i Zi, në nivelin 4.7%.
Banka e Shqipërisë është shprehur e shqetësuar nga rritja e shpejtë e kreditimit dhe ka nisur aplikimin e masave që tentojnë ngadalësimin e rritjes së kredisë, sidomos për financimin e pasurive të paluajtshme. Që nga muaji korrik i këtij viti, kanë nisur të aplikohen kufizime lidhur me përqindjen e vlerës së banesës që mund të financohet me kredi bankare, por edhe me raportin maksimal të lejuar mes këstit të kredisë dhe të ardhurave mujore të huamarrësit. /Monitor