
TIRANË- Femrat shqiptare kryesojnë në botë për nivelin e lartë të barazisë në paga me meshkujt. Renditja është bërë nga Forumi Ekonomik Global, në kuadër të raportit për barazinë gjinore të vitit 2025. Shqipëria renditet e para në botë për nën-treguesin “Barazia në paga për punë të ngjashme”, që është pjesë e tregtuesi “Pjesëmarrja Ekonomike dhe Mundësitë”, një prej katër grupeve kryesore që matin indeksin e barazisë gjinore, së bashku me “Arsimin”, “Shëndetin dhe Mbrojtjen”, dhe “Fuqizimin Politik”.
Sipas raportit, Shqipëria mbyll 93.1% të hendekut gjinor për barazinë në paga, që do të thotë se gratë marrin mesatarisht 93.1% të asaj që fitojnë burrat për të njëjtin punë. Kjo përqindje është më e larta në botë dhe ka diferencë me vendin e dytë që është Islanda dhe e mbyll hendekun me 85.1%.
Treguesi “barazia në punë për paga të ngjashme” bazohet në të dhënat e Vëzhgimit me Drejtuesit, që organizohet nga Forumi Ekonomik Global, ku mbi 11 000 udhëheqës biznesi nga 123 vende përgjigjen në shkallën 1–7 për pyetjen:
“Në shtetin tuaj, për punë të ngjashme, në çfarë mase pagat e grave janë të barabarta me ato të burrave?” (1 = jo fare, shumë më pak se burrat; 7 = plotësisht, të barabarta). Vlerat mesatare të përgjigjeve (1–7) konvertohen në një indeks 0–1, ku 1 (ose 100%) përfaqëson barazi të plotë (“fully equal”) dhe 0 (ose 0%) përfaqëson mosbarazi të plotë.
Shqipëria ka një barazi shumë më të lartë në paga në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në Serbi, hendeku gjinor mbyllet në nivelin 64%, Mali i Zi 66.3%, Bosnjë Hercegovinë 60.8%, Maqedoninë e Veriut 54.6% (e fundit në Europë). Të dhënat për Kosovën mungojnë. Ndërsa e parafundit në Europë është Italia (55%), pra me gratë që paguhen gati sa gjysma e burrave.
Femrat drejtuese në Shqipëri paguhen më shumë sesa meshkujt
Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, që i referohen vitit 2023, Paga mesatare e femrave ishte 68.2 mijë lekë, ose 6.2% më pak sesa e meshkujve, që paguhen 72.7 mijë lekë në muaj. Nga 36 grup-profesione që raporton INSTAT, vetëm në 5 prej tyre, (Drejtues administrativë dhe komercialë; Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë; Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë; Punëtorë shërbimi dhe ndihmës; Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes) ose 14% të grup-profesioneve gjithsej, gratë paguhen më shumë sesa burrat. Ndonëse në pjesën më të madhe të profesioneve, gratë marrin më pak sesa burrat, ka një kategori ku ato gjithmonë dominojnë, atë të drejtuesve, duke qenë madje më të paguarat nga të gjithë.
Sipas INSTAT, në grup-profesionin “Drejtues administrativë dhe komercialë”, gratë u paguan mesatarisht me 201 mijë lekë në muaj në 2023, me rritje prej 16% në raport me vitin e mëparshëm. Ky është grup-profesioni më i paguar në vend. Në krahasim me burrat që punojnë në të njëjtin profesion (188 mijë lekë), femra drejtuese paguhen 7.2% më shumë.
Edhe në shtet, gratë paguhen më shumë. Në grup-profesionin “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, paga mesatare mujore e femrave ishte 108 mijë lekë, ose 6% më shumë sesa e meshkujve në të njëjtën kategori./Monitor