
TIRANË- Shqipëria regjistroi një rritje prej 33.3% të net-qëndrimeve në strukturat akomoduese turistike gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo përfaqëson normën më të lartë të rritjes në të gjithë Europën. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, gjatë janarit, shkurtit dhe marsit 2025, në Shqipëri u regjistruan gjithsej 750,933 net-qëndrime, me një ritëm rritjeje që tejkalon ndjeshëm mesataren europiane, e cila shënoi një rënie të lehtë prej -0.2%.
Rritja e net-qëndrimeve u ndikuar kryesisht nga të huajt, që panë një rritje prej 38%, ndërsa të vendasve ishin 26% më të larta në tre muajt e parë të këtij viti, në krahasim me janar-mars 2024.
Pjesa më e madhe e këtyre netëve u regjistrua në hotele dhe struktura të ngjashme (713,784 netë), 32.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, 36 864 net-qëndrimi në akomodimet e pushimit dhe qëndrimit afatshkurtër (shtepi me qira, vila turistike, bujtina), një rritje me 52.4% me T1 2024. Vetëm 285 net-qëndrime u regjistruan në kampingje, një rënie prej 61.5 për qind.
Net-qëndrimet nga turistët në BE
Në tremujorin e parë të vitit 2025, në Bashkimin Europian u regjistruan 452.4 milionë netë qëndrimi në struktura akomoduese turistike, duke shënuar një rënie të lehtë prej 0.2% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024. Në janar u regjistruan 139.0 milionë netë qëndrimi (+3.5% krahasuar me janarin 2024), në shkurt 147.7 milionë (-0.8%) dhe në mars 167.7 milionë (-2.7%).
Rëniet e lehta të regjistruara në tremujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shpjegohen kryesisht me ndryshimin e datave të festave në kalendarin e këtij viti. Vizitorët e huaj përbënin rreth 45.6% të gjithsej netëve të qëndrimit gjatë tre muajve të parë të vitit 2025, me ndryshime të mëdha mes vendeve të BE-së.
Pjesa më e madhe e netëve të kaluara nga turistë të huaj në këtë periudhë u regjistrua në Maltë (91.2%), Qipro (85.7%) dhe Luksemburg (80.4%). Në të kundërt, vizitorët e huaj përbënin vetëm një të pestën e netëve të qëndrimit në Poloni (18.6%), Rumani dhe Gjermani (përkatësisht 20.1% dhe 20.2%). Në tremujorin e parë të vitit 2025 u vu re një rritje e lehtë e netëve të qëndrimit nga vizitorët e huaj (+1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024), ndërsa për netët e qëndrimit të brendshme u shënua një rënie e lehtë (-1.3%).
Rritjet më të mëdha të netëve të qëndrimit nga vizitorët e huaj u regjistruan në Letoni (+18.5%), Maltë (+17.2%) dhe Finlandë (+10.6%). Në anën tjetër, rëniet më të mëdha u regjistruan në Irlandë (-23.1%), Kroaci (-16.7%) dhe Suedi (-11.5%)./Monitor