Ekonomi

Shqipëria ndër 50 vendet që mund të ushqejnë veten, në rajon na e kalon Serbia

Klasifikimi mat vetë-mjaftueshmërinë ushqimore të një vendi në raport me konsumin e brendshëm, përmes 7 kategorive kryesore, fruta, perime, bishtajore, ushqime me bazë niseshte (si buka, patatet, orizi), mish, peshk, qumësht e nënprodukte si dhe tre produkte të tjera shtesë vezë, sheqerna, vajra bimorë.

Redaksia Zëri
Shqipëria ndër 50 vendet që mund të ushqejnë veten,
Foto ilustruese

Në një botë që po përballet me pasiguri të mëdha ushqimore, Shqipëria përfshihet mes 50 vendeve që kanë aftësinë të vetëushqehen. Ky është konkluzioni i një analize të realizuar nga platforma ndërkombëtare Visual Capitalist, bazuar në të dhëna të Universitetit të Leeds-it dhe Economist Intelligence Unit.

Klasifikimi mat vetë-mjaftueshmërinë ushqimore të një vendi në raport me konsumin e brendshëm, përmes 7 kategorive kryesore, fruta, perime, bishtajore, ushqime me bazë niseshte (si buka, patatet, orizi), mish, peshk, qumësht e nënprodukte si dhe tre produkte të tjera shtesë vezë, sheqerna, vajra bimorë.

Shqipëria, ndonëse nuk renditet mes fuqive të mëdha bujqësore, ka arritur të ruajë një ekuilibër të brishtë mes prodhimit dhe konsumit të brendshëm ushqimor, duke u renditur në vendin e 41 nga 50 shtete. Ajo shënon vetë-mjaftueshmëri të lartë në prodhimin e frutave dhe perimeve (214% dhe 278%), falë klimës së favorshme dhe traditës së kultivimit të tyre në zona si Myzeqeja, Fieri, Lushnja apo Korça.

Dy produktet e tjera ku ka mjaftueshmëri të lartë janë mishi (156%) dhe qumështi e nënproduktet (501%). Megjithatë vendi ka deficencë në prodhimin e bishtajoreve (70%). Nivelin më të ulët të vetë mjaftueshmërisë Shqipëria e ka në ushqime me bazë niseshte (si buka, patatet, orizi), me 25% dhe çuditërisht te peshku (18%), ndonëse jemi një vend me hapësirë të gjerë bregdetare.

Sipas metodologjisë së raportit, vetë-mjaftueshmëria arrihet kur një vend ka një vlerësim prej 100% në secilën kategori. Në kontekst: kjo do të thotë që prodhimi vendas përmbush tërësisht nevojat për konsum të brendshëm për një kategori të caktuar ushqimore (p.sh., fruta, mish, perime etj.). Një vlerë mbi 100% tregon tepricë (eksportues neto), ndërsa nën 100% tregon varësi nga importet.

Ajo që e bën këtë renditje edhe më interesante është krahasimi me rajonin. Shqipëria, sipas të dhënave të Eurostat të përpunuara nga Revista Monitor, ka peshën më të lartë të bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto në Europë – me mbi 17% në vitin 2024. Pavarësisht këtij kontributi të madh të sektorit bujqësor në ekonomi, Shqipëria renditet më poshtë se Serbia në listën e vetë-mjaftueshmërisë, që pozicionohet e 18-a.

Kjo tregon një problem të strukturuar në eficiencën e përdorimit të tokës, në zinxhirin e përpunimit, dhe në kapacitetet e shpërndarjes dhe ruajtjes. Serbia ka një sektor bujqësor me peshë më të vogël në PBB – rreth 6.1% në 2024 – por me rezultate dukshëm më të larta në aspektin e prodhimit të drithërave dhe eksportit të ushqimeve bazë.

Kjo për shkak të infrastrukturës më të mirë, sipërfaqeve më të mëdha për frymë dhe nivelit më të lartë të mekanizimit. Në Europë më mirë se Shqipëria në këtë renditje janë dhe shtete si Turqia, Kroacia, Rumania, Spanja, Bosnjë Hercegovina. Në nivel global, lista kryesohet nga vende si Guyana, Australia dhe Kanadaja, të cilat prodhojnë shumë më tepër ushqime sesa konsumojnë. Ndërkohë, vendet më të ekspozuara ndaj krizave ushqimore janë ato që nuk kanë tokë bujqësore të mjaftueshme ose nuk e kanë të zhvilluar sektorin prodhues, si Koreja e Jugut, Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit. Në këto shtete, importet përbëjnë mbi 80% të konsumit të përditshëm ushqimor.

Sipas raportit, Frutat mund të duken të bollshme në supermarketet europiane, por shifrat tregojnë një realitet krejt tjetër. Ndër vendet më të larta në renditje, Rusia plotëson vetëm 33% të nevojave të veta për fruta, Letonia vetëm 13%, ndërsa Estonia arrin vështirë 3% të vetë-mjaftueshmërisë. Edhe prodhimi i perimeve nuk është shumë më i mirë për këto vende.

Në kontrast, Europa Jugore ka performancë shumë më të mirë në këtë drejtim. Për shembull, Spanja prodhon katër herë më shumë fruta dhe perime sesa i duhen për konsum të brendshëm, duke eksportuar shumicën drejt vendeve të veriut./Monitor

Poll

MOS HUMB