TIRANË-Fermerët që janë shpallur fitues në fazën e parë të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi kanë më shumë kohë për të përfunduar procedurat. Afati për dorëzimin e dokumentacionit është shtyrë deri më 11 shtator.
Përmes një njoftimi publik, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi shtyrjen e afatit, duke theksuar se synohet t'i jepet kohë aplikantëve për plotësimin e dokumenteve dhe verifikimin e kushteve.
Mësohet se në total janë regjistruar 42,730 aplikime, ku kryeson Fieri, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora. Më të kërkuarat kanë qenë masat për tufën e të imtave, me 7,240 aplikime, bletarinë me 7,000 dhe tufën e gjedhit me 6,730 aplikime.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 përfshin 12 masa mbështetëse.
Bëhet fjalë për 9 masa direkte mbështetjeje dhe 3 masa investimi për fermerët dhe agrobiznesin që përfshijnë:
• tufën bazë të matrikulluar të gjedhit
• tufën bazë të matrikulluar të imtave
• mbarështimin e bletarisë
• tufën bazë të matrikulluar të dosave dhe/ose paradosave
• kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera dhe tunele plastike
• fermat organike
• implementimin dhe certifikimin Global GAP
• mbështetjen për sipërfaqet e mbjella
• ripopullimin e peshkimit në ujërat e brendshme
Ndërkohë, masat e investimit fokusohen te:
• mbështetja për fermerët e rinj
• ndërtimi dhe rikonstruksioni i staneve
• pajisjet, makineritë dhe mjetet për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës.