Ekonomi

Tatimet: Rritet me 60% faturimi i deklaruar në tregun agro-ushqimor të Tiranës

Nga analiza e tregut agro-ushqimor në Tiranë është konstatuar një rritje prej 60% e faturimit të deklaruar, sipas të dhënave nga tatimet.

Redaksia Zëri
Tatimet: Rritet me 60% faturimi i deklaruar në tregun agro-ushqimor të
Foto ilustruese

TIRANË- Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar se po vazhdon monitorimi dhe kontrollet për formalizimin e tregut ushqimor dhe rritjen e sigurisë ushqimore. Administrata Tatimore (AT) dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) kanë zhvilluar gjatë kësaj jave monitorime dhe kontrolle në të gjithë Shqipërinë.

Nga analiza e tregut agro-ushqimor në Tiranë është konstatuar një rritje prej 60% e faturimit të deklaruar, sipas të dhënave nga tatimet.

Në fillim të korrikut, nisi një aksion për formalizimin e tregut të produkteve bujqësore/blegtorale dhe rritjen e sigurisë ushqimore.

Aksioni është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët mes Tatimeve, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë për të formalizuar sektorin bujqësor dhe për të siguruar gjurmueshmërinë e produkteve, përmes pajisjes së fermerëve me NIPT dhe lëshimit të faturave në çdo hallkë të zinxhirit tregtar.

Në fillim të aksionit Ministri i Financave Petrit Malaj dhe ministrja e Bujqësisë Anila Denaj thanë se përmes këtij aksioni të përbashkët synojnë të rrisin transparencën, të forcojnë sigurinë ushqimore dhe të ulin informalitetin në sektor.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) ka sqaruar me herët për Monitor se referuar udhëzimit nr.16, datë 03.04.2020, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, të gjithë njësitë tregtare pa përjashtim që blejnë mallra nga prodhuesit bujqësorë e blegtoralë duhet të shoqërohen me faturë të fiskalizuar, të llojit autofaturim.

Skema për faturimin e mallrave të blera direkt prej fermerëve, nga një market lagjeje, bar, restorant apo supermarkete të mëdhenj është e njëjtë, si në rastin e tregtimit të mallrave bujqësore apo blegtorale te përpunuesit apo grumbulluesit e mëdhenj./Monitor

Poll

MOS HUMB