TIRANË- Tregu i sigurimit të jetës këtë vit po bëhet edhe më i varur nga produkti i tij kryesor, sigurimi i jetës së debitorit.
Statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se në fund të 8-mujorit 2025 ky produkt solli 81.5% të primeve të shkruara bruto, në rritje të mëtejshme nga niveli 78.8% i një viti më parë.
Varësia e madhe e tregut nga një produkt i vetëm duket se po reflektohet edhe në një luhatshmëri më të madhe në ndarjen së tregut mes kompanive.
Në fund të 8-mujorit, tregu kryesohej nga Albsig Jeta, me 37.09% të primeve të shkruara bruto, e ndjekur nga Sigal Life, me 31.38%, Insig Jeta, me 16.39%, Sicred, me 14.81% dhe Vienna Life Insurance, me 0.33%.
Ndarja e tregut ka lëvizur dukshëm krahasuar me një vit më parë, kur tregu dominohej nga Sigal Life Uniqa Group Austria, me 39.91% të primeve të shkruara bruto, e ndjekur nga Albsig Jeta, me 23.99%, Insig Jetë, me 21.72% dhe Sicred, me 14.37%.
Duke qenë se produktet e sigurimit të jetës shiten kryesisht nëpërmjet bankave, kompanitë e sigurimit konkurrojnë me njëra-tjetrën duke ofruar komisione relativisht të larta.
Vitin e kaluar, shpenzimet e marrjes në sigurim (që përcaktohen kryesisht nga komisionet) në tregun e sigurimit të jetës ishin mbi dy herë më të larta se shpenzimet e paguara për dëme.
Këtë vit, Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një procedurë hetimi të thelluar në tregun e ndërmjetësimit të sigurimit të jetës për kreditë.
Sigurimi i jetës së debitorit ngelet baza kryesore e tregut të sigurimit të jetës në Shqipëri.
Shumica e bankave kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë bankare afatgjata dhe në shuma të mëdha. Zakonisht, këto kontrata sigurimi kërkohen në kreditë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme. Megjithatë, ka banka të veçanta që mund të kërkojnë sigurim jete edhe për kreditë konsumatore, për shuma apo maturitete të caktuara. Sigurimi i jetës rinovohet çdo vit, për të gjithë kohëzgjatjen e kredisë.
Madje, në vitet e fundit, sigurimi i jetës për kreditë ofrohet madje edhe nga kompanitë e mikrofinancës konsumatore, nëpërmjet subjekteve të lidhura me to. Institucionet financiare kanë përfitime në formën e komisionit të shitjes për policat e shitura prej tyre.
Ecuria e mirë e kreditimit në vitet e fundit, por edhe forcimi i kanaleve dhe mekanizmave të shitjes nga shoqëritë e sigurimit të jetës ka dhënë një ndikim pozitiv në ecurinë e këtij produkti.
Tregu i sigurimi të jetës këtë vit është në rritje me 13.5%, nga 9.2% që ishte rritja në segmentin më të madh, të sigurimit të Jo-Jetës. Sigurimi i jetës së debitorit dha kontributin kryesor, me një rritje të primeve me 17.4%./Monitor