Ekonomi

Turistët e huaj sollën gati 2 miliardë euro në 6 muaj, por janë gjithnjë e më koprracë

Mesatarisht për çdo hyrje shpenzimi mesatar në 6 mujorin e parë ishte 428 euro, nga 457 euro që rezultoi në të njëjtën periudhë të një viti më parë

E.K
Turistët e huaj sollën gati 2 miliardë euro në 6 muaj, por
Turistet ne shqiperi

TIRANË- Shqipëria regjistroi 4.5 milionë hyrje të shtetasve të huaj në 6 muajt e parë të vitit, me një rritje prej 34% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të INSTAT.

Por, ndonëse kanë hyrë më shumë të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve janë turistë, ata nuk janë të prirur të shpenzojnë shumë.

Të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se shpenzimet e të huajve në Shqipëri arritën rekordin e 1.95 miliardë eurove në 6 mujorin e parë të vitit, me një rritje prej 25% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Mesatarisht për çdo hyrje shpenzimi mesatar në 6 mujorin e parë ishte 428 euro, nga 457 euro që rezultoi në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tendenca e turistëve të huaj për të shpenzuar pak në Shqipëri është konstatuar dhe nga operatorët turistikë dhe njësitë tregtuese. Në një sondazh të mëparshëm të Monitor, operatorët turistikë raportuan se turistët që vijnë në Shqipëri janë “low cost”.

Bizneset thanë se të huajt janë ata që shpenzojnë më pak. Të pyetur se cilët janë turistët që shpenzojnë më pak sa i takon kombësisë, kanë renditur italianët të parët, të ndjekur nga polakët. Pas tyre renditen rusët, ukrainasit, çekët. Bizneset cilësojnë se turisti që viziton vendin tonë kërkon të shpenzojë sa më pak.

“Janë turistë super low cost, turistë supermarketi”, – do të shprehej një prej tyre. Në të njëjtën linjë duket se është edhe komenti i një tjetër biznesi që vlerëson se ata që vijnë në Shqipëri janë tepër kursimtarë dhe e kanë zgjedhur vendin tonë pikërisht për këtë arsye.

Edhe shqiptarët nuk kursehen jashtë

Ndërsa të huajt po vijnë gjithnjë e më shumë në Shqipëri, shtetasit vendas po preferojnë të ikin jashtë, të nxitur dhe nga çmimet e lira të linjave ajrore. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se shpenzimet e shqiptarëve jashtë në 6 mujorin e parë të vitit ishin 1.2 miliardë lekë, me një rritje prej 24% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Bilanci, vendit i mbetën 740 milionë euro

Prej vitesh, bilanci i udhëtimeve në vend është pozitiv, me të huajt që sjellin më shumë valutë, sesa nxjerrin udhëtarët shqiptarë jashtë. Sipas BSH-së, në 6 mujorin e parë 2024, bilanci i udhëtimeve ishte 740 milionë euro, me një përmirësim prej 28% nga e njëjta periudhë e një viti më parë. /monitor 

Poll

MOS HUMB