TIRANË- Shqipëria është vendi me përdorimin më të ulët të kanaleve elektronike për blerjen e policave të sigurimit.
Sipas një raporti për Tregtinë Elektronike në Ballkanin Perëndimor, të përgatitur nga Shoqata e Tregtisë Elektronike në Maqedoninë e Veriut, që shfrytëzon të dhënat e Eurostat, vetëm 1.7% e kontratave të sigurimit në Shqipëri blihen nëpërmjet kanaleve elektronike.
Shqipëria renditet e fundit për këtë indikator mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Vendi me përdorimin më të lartë të kanaleve elektronike për blerjen e policave të sigurimit është Maqedonia e Veriut, me 7% të totalit, e ndjekur nga Serbia, me 5.5%, Bosnje-Hercegovina, me 3.3% dhe Mali i Zi, me 2.2%.
Në përgjithësi, rajoni i Ballkanit perëndimor është ndjeshëm mbrapa nivelit mesatar të Bashkimit Europian për këtë indikator. Në vendet e BE-së, mesatarisht 12.9% e policave të sigurimit blihen online. Nivelet më të larta shënohen në Irlandë, me 41.2%, Estoni, me 38.5% dhe Letoni, me 34%.
Me ligjin aktual, në Shqipëri nuk është e mundur që i gjithë procesi i shitjes së kontratës së sigurimit të kryhet nëpërmjet kanaleve elektronike. Klientët mund t’i porositin policat e sigurimit online, por ato u dorëzohen fizikisht nga kompania e sigurimit, për t’u nënshkruar prej tyre.
Por, me ndryshimet e propozuara ligjore të këtij viti, pritet që shumë shpejt i gjithë procesi i lidhjes së kontratave të sigurimit të bëhet nëpërmjet kanaleve elektronike.
Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.52/2014, “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, që është depozituar në Kuvend për miratim në fillim të këtij viti, parashikon mundësinë që shoqëritë e sigurimit ose ndërmjetësit e tyre mund të përdorin sisteme elektronike për lidhjen e kontratave të sigurimit me konsumatorët, në përputhje me kërkesat e legjislacionit përkatës. Lidhja e kontratës së sigurimit në internet dhe me mjete elektronike konsiderohet njëlloj e vlefshme me lidhjen me shkrim, nëse konsumatori ka konfirmuar kuptimin e të gjithë informacionit dhe ka pranuar kontratën e sigurimit.
Në vitet e fundit, disa banka tregtare dhe institucione financiare jobanka po aplikojnë me sukses konceptin e digjital onboarding, që parashikon mundësinë e marrjes së produkteve apo shërbimeve financiare nga klientët e rinj pa qenë nevoja për një identifikim fillestar duke u paraqitur fizikisht në bankë. Shërbimi i identifikimit dhe nënshkrimit elektronik të klientit mundësohet nga operatorë të akredituar në vendet e Bashkimit Europian.
Me ndryshimin e ligjit sektorial, krijohen hapësirat që edhe kontratat e sigurimit të lidhen nëpërmjet kanaleve elektronike.
Ndërkohë, këtë vit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike përgatitur projektligjin “Për Identifikimin Elektronik, Shërbimet e Besuara dhe Portofolin e Identitetit Digjital”.
Ky projektligj synon të përditësojë kuadrin ligjor bazë që lidhet me identifikimin dhe nënshkrimin në distancë, elementë që po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve elektronike në sektorin privat dhe publik./Monitor