TIRANË- Yield-et e obligacioneve 15-vjeçare shënuan një rritje të lehtë në ankandin e kësaj jave, duke forcuar sinjalet për një ndryshim të tendencës së normave të interesit në tregun financiar.
Ministria e Financave zhvilloi sot ankandin e rihapjes së ankandit të muajit shkurt, për obligacionet me maturim 15-vjeçar. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar u rrit lehtë në 5.75%, nga 5.67% që kishte qenë në ankandin fillestar, të muajit shkurt.
Edhe në këtë ankand u vërejt një rënie e ndjeshme e kërkesës së investitorëve, krahasuar me atë fillestar. Shuma totale e kërkesave ishte rreth 1.7 miliardë lekë, gjithsesi më e lartë se shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, prej 1.5 miliardë lekësh. Pro rata ose pjesa e pranuar e kërkesave konkurruese, sidoqoftë, rezultoi mjaft e lartë, në nivelin 99.3%.
Pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, tendenca e rënies së yield-eve të titujve qeveritarë është frenuar, por megjithatë ende nuk mund të flitet për rritje shumë domethënëse të tyre. Bonot e Thesarit me maturim 12-mujor janë ende në nivelin e normës bazë të interesit, ndërkohë që instrumentet më afatgjata po shfaqin gjithashtu sinjale të një rritjeje të vogël.
Përcaktuese në këtë tendencë duket të ketë qenë ulja e pjesëmarrjes së investitorëve në ankandet e fundit. Kjo mund të shpjegohet me pritshmëritë më të larta për rritje të normave të interesit në muajt e ardhshëm, në ndjekje të presioneve të shtuara inflacioniste që ka shkaktuar rritja e çmimeve të produkteve energjetike.
Efektet priten të reflektohen së shpejti në treguesit makroekonomikë, duke filluar nga norma e inflacionit. Kjo pritet të sjellë edhe reagimin e bankave qendrore, me rritjen e normave të interesit.
Banka e Shqipërisë, në raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të vitit, u shpreh qartë se konflikti ushtarak në Lindjen e Mesme dhe intensifikimi i tensioneve gjeopolitike rrezikojnë të shndërrohen në një goditje negative oferte për ekonominë shqiptare.
Raporti evidenton qartë rrezikun se, në varësi të kohëzgjatjes dhe intensitetit të zhvillimeve, kjo goditje rrezikon të pasqyrohet në rritje të inflacionit dhe frenim të rritjes ekonomike në vend, në përmasa potencialisht të ngjashme me zhvillimet që pasuan fillimin e konfliktit në Ukrainë gjatë vitit 2022.
Yield-et e titujve qeveritarë në përgjithësi janë hallka e parë dhe më e shpejtë ku transmetohen lëvizjet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Instrumenti më i ndjeshëm është i bonove 12-mujore, që ka edhe frekuencën më të shpeshtë të emetimit në tregun primar. Ky tregues përdoret edhe si referencë ose benchmark për kuotimin e kredive afatgjata në Lekë për sektorin privat. Për këtë arsye, një rritje e yield-eve nuk do të rriste vetëm koston e huamarrjes së qeverisë, por edhe të sektorit privat./Monitor