TIRANË- Raporti i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale nuk është përfshirë në rendin e ditës të seancës plenare të 23 korrikut, edhe pse kjo ishte parashikuar të ishte seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar.
Në rendin e ditës të publikuar nga Kuvendi mungon pika për raportin e Komisionit të Posaçëm, ndonëse afati i funksionimit të këtij komisioni përfundoi më 15 korrik.
Megjithatë, paraditen e të enjtes, pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të diskutojë kalendarin e punimeve për periudhën 27–31 korrik, për të vendosur gjithasthu nëse do të zhvillohet një tjetër seancë plenare.
Sipas burimeve, 27 korriku konsiderohet data më e mundshme për zhvillimin e një seance tjetër, nëse Konferenca e Kryetarëve jep miratimin.
Ndërkohë, Partia Socialiste ka deklaruar se në raportin e saj, përveç analizës së reformës territoriale të vitit 2014, do të paraqesë edhe propozimin për një ndarje të re të territorit në bashki. Nga ana tjetër, Partia Demokratike pritet të dorëzojë në Kuvend vetëm një analizë të reformës territoriale të vitit 2014, pa paraqitur një propozim për hartën e re administrative.
Por, ndërkohë, pavarësisht përfundimit të afatit të Komisionit të Posaçëm, raportet e PS dhe PD nuk kanë marrë ende dritën jeshile në komision, pasi nuk janë prezantuar dhe votuar. Sipas rregullores, ato duhet të kalojnë fillimisht këtë fazë përpara se të shqyrtohen nga deputetët në seancë plenare. Tashmë mbetet në dorë të Konferencës së Kryetarëve vendimi nëse Reforma Territoriale do të rikthehet në axhendën e Kuvendit të enjten, apo do të ketë një seancë tjetër parlamentare./ZËRI