Bizneset që tregtojnë produkte me ndikim në energji por jo vetëm do të jenë të detyruara që të bëjnë etiketim të detajuar të tyre duke synuar kështu rritjen e eficiencës.
Një projektligj i nxjerrë për konsultim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nën emërtimin “Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji” synon që ky kusht të ketë shtrirje të plotë në treg dhe plotësimi i detyrimit të mbikëqyrjet nga një Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut.
Relacioni sqaron se si rezultat i zhvillimit të produkteve gjithnjë e më efiçente në energji, klasat e energjisë të përcaktuara në legjislacionin në fuqi A (A+, A++ dhe A+++) në etiketat e produkteve në treg do të ndryshohen. Rregullorja e re BE-së për etiketimin e energjisë përcakton një shkallë të re krahasuese për klasat e energjisë nga A (më efikase) në G (më pak efikase).
“Etiketimi i energjisë është një shtytës kryesor për të ndihmuar konsumatorët të zgjedhin produkte që janë më shumë eficiente në konsumin e energjisë si dhe inkurajon prodhuesit të nxisin inovacionin duke përdorur teknologji më eficiente në energji” thuhet në relacion.
I njëjti thekson se furnizuesit dhe tregtarët do të përmbushin detyrimet e përcaktuara në këtë nisme ligjore lidhur me vendosjen apo shfaqjen e etiketave, markave, simboleve apo mbishkrimeve të tjera dhe do të vendosin në treg dhe/ose në shërbim produkte me ndikim në energji në përputhje me këto karakteristika.
“Përveç informacionit në lidhje me konsumin e energjisë së produktit, etiketat mund të ofrojnë gjithashtu të dhëna specifike për veçori të tjera përkatëse të përdorimit, të tilla si emetimet e zhurmës së produktit ose konsumin e ujit” nënvizohet në relacion.
Autoritetet parashikojnë që mbikëqyrja dhe plotësimi i detyrimeve nuk do të jenë të thjeshta për tu monitoruar pasi Inspektorati do të ketë nevojë për kapacitete të rritura.
“Problematikat që do të përballet tregu është zbatimi i kuadrit ligjor nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut i cili është përgjegjës edhe për inspektimin e zbatimit të legjislacionit parësor dhe dytësor në fushën e etiketimit të energjisë për produktet me ndikim në energji.
Për ecurinë e këtij procesi parashikohen vështirësi në inspektimin e etiketimit të produkteve me ndikim në energji si pasojë e ndryshimeve të sipërpërmendura të etiketave në treg të cilat kërkojnë rritje të kapaciteteve të kësaj strukture përgjegjëse për monitorimin e tregut të këtyre produkteve” thuhet në dokument.
Aktet nënligjore që e bëjnë të zbatueshëm këtë ligj parashikohet që të bëhen të disponueshëm brenda 12 muajve nga miratimi ndërkohë që drafti parashikon gjoba për ata që nuk përmbushin detyrimet. Monitor