
SHBA- Qindra shkencëtarë të klimës në botë presin që temperaturat globale të rriten në të paktën 2.5 gradë celcius (4.5F) këtë shekull, duke shkatërruar objektivat e kaluara të dakorduara ndërkombëtarisht. Kështu ka zbuluar një sondazh i bërë nga "The Guardian".
Pothuajse 80% e të anketuarve, të gjithë nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), parashikojnë rritjen me të paktën 2.5 gradë, ndërsa pjesa tjetër mendojnë se kufiri do të jetë 3 gradë më shumë. Vetëm 6% mendojnë se do t'u përmbahen normave dhe rritja do të jetë vetëm 1.5 gradë. Pra, rreth një e katërta e ekspertëve të IPCC që u përgjigjën menduan se rritja e temperaturës globale do të mbahej në 2 gradë ose më poshtë, por me zhvillimet e fundit, treguan se i kanë humbur shpresat.
"Unë mendoj se ne jemi duke shkuar drejt përçarjes më të madhe shoqërore, do ndodhë brenda pesë viteve të ardhshme," tha Gretta Pecl, profesoreshë në Universitetin e Tasmanisë.
Shumë nga shkencëtarët parashikojnë një të ardhme "gjysmë-distopike", me zi buke, konflikte dhe migrim masiv, të gjitha të nxitura nga valët e të nxehtit, zjarret, përmbytjet dhe stuhitë me një intensitet dhe frekuencë shumë më të madhe se ato që kemi kaluar deri më tani. Ekspertë të shumtë thanë se kishin mbetur të pashpresë, të indinjuar dhe të frikësuar nga dështimi i qeverive për të vepruar pavarësisht provave të qarta që ka ofruar shkenca./ZËRI