Factcheck

EKSKLUZIVE/ Deputeti Asllan Dogjani fshehu pasurinë duke falsifikuar kontratën e ndërtuesit, bëri deklarim të rremë në ILDKPI

Deputeti Asllan Dogjani rrezikon të humbasë mandatin. ZËRI sjell shkeljet flagrante që Dogjani ka bërë në ILDKPI. Dogjani falsifikoi formularin me një firmë pa vulë duke deklaruar se apartamentin e ka dhuratë për shërbime konsulence.

Fjola Graçi
EKSKLUZIVE/ Deputeti Asllan Dogjani fshehu pasurinë duke falsifikuar
Asllan Dogjani, deputet

TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Asllan Dogjani është një nga politikanët që në mënyrë të habitshme ka mundur ti shmanget filtrit të deklarimit të pasurisë përmes falsifikimit haptazi të dokumentacionit.  Ligji shqiptar parashikon që zyrtarët e zgjedhur që fshehin ose bëjnë deklarim të rremë të pasurisë rrezikojnë deri në 3 vite burg. 

ZËRI posedon dhe publikon sot këto dokumente që tregojnë sesi Dogjani, edhe pse e ka paguar me mandate bankare apartamentin në fjalë, deklaron në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë se këtë pronë e ka përfituar falë shërbimeve të konsulencës.

Historia nis në vitin 2006, kur Dogjani përmes shoqërisë së ndërtimit PROTIAL SHPK, vendosi të merrte një apartament.

Apartamenti në fjalë u mor nga Dogjani në këtë shoqëri për një vlerë për 950 euro për metër katrorë. Kjo vlerë, u pasqyrua në një kontratë noteriale të rregulltë mes Dogjanit dhe shoqërisë, ku siç edhe mund të shihet, rezulton me firmë dhe me vulë me administratorin e shoqërisë, N.A.

EKSKLUZIVE/ Deputeti Asllan Dogjani fshehu pasurinë duke falsifikuar
Dogjani, kontrata e paguar

Në vitin 2010, Dogjani asokohe deputet, bën deklarimin e detyrueshëm të pasurisë pranë ILDKPI, ku shprehet se ka në pronësi një apartament, i cili i është dhuruar nga puna si konsulent ligjor i kompanisë Protial.

EKSKLUZIVE/ Deputeti Asllan Dogjani fshehu pasurinë duke falsifikuar
Dogjani, deklarimi i vitit 2010

Bashkëngjitur në ILDKPI, ai dorëzon edhe një kontratë e noterizuar pranë noteres Blerina Avrazi, të cilën mund ta shihni më poshtë.

EKSKLUZIVE/ Deputeti Asllan Dogjani fshehu pasurinë duke falsifikuar
Dogjani, kontrata e dyte e falsifikuar

Kontrata, e cila përmban vetëm firmë dhe 5 nene, nga 6 që kishte kontrata e parë, përcakton se Dogjani nuk do të paguajë asnjë qindarkë pranë kompanisë pasi këtë e merr falas nga shërbimet e tij të konsulencës ligjore.

Por ky në fakt nuk është një gabim njerëzor.

Siç edhe mund të shihet, në mandatet bankare që ZËRI pa, shihet qartësisht se Dogjani e ka paguar  këtë apartament në bankë me disa këste, dhe e vetmja arsye pse kontrata e dytë u rishkrua vetëm me noteren dhe pa vulën e kompanisë ishte për ta deklaruar atë në ILDKPI, e për të fshehur kështu pasurinë. Konkretisht, Dogjani ka paguar në këto data, vlerën që duhet të jepte për apartamentin, të cilin në ILDKPI e deklaron si një pronë që iu dha falas nga vlera 113.980 euro, burimi i të cilave është i panjohur.

-       Data 06.12.2006, vlera 30.000 Eur (tridhjete mije euro) paguar Naim Alimerkos

-       Data 16.04.2007, vlera 10.0000 Eur (dhjete mije euro) paguar Naim Alimerkos

-       Data 14.05.2007, vlera 30.000 Eur (tridhjete mije euro) paguar Naim Alimerkos

-       Data 01.08.2008, vlera 10.000 Eur (dhjete mije euro) paguar Naim Alimerkos

-       Data           2008, vlera 15.000 Eur (pesembedhjete mije euro) paguar Naim Alimerkos

-       Data 11.08.2008, vlera   3.500 Eur (tre mije e peseqind euro) paguar Naim Alimerkos

-       Data 05.02.2010, vlera 10.000 Eur (dhjete mije euro) paguar Ilirjan Çeles

-       Data 07.05.2010, vlera 5.480 Eur (pese mije e katerqind e tetedhjete) paguar Ilirjan Çeles

Në total 113.980 Eur (njeqind e trembedhjete mije e nenteqind e tetedhjete euro).

Përse Dogjani i pagoi këto para, nëse apartamentin e mori falë konsulencës së tij brilante me vlerë 113 mijë euro?

Ky deklarim i rremë dhe falsifikim i formularit të ILDKPI është bërë qëllimisht nga Dogjani për të fshehur pasurinë, dhe sot do të duhet të jetë subjekt i Prokurorisë së Posaçme dhe KQZ për heqjen e mandatit.

Në një trajektore tejet të çuditshme, pasuria e Dogjanit nga 2010 deri në vitin 2022, është shumëfishuar në mënyrë të habitshme.

EKSKLUZIVE/ Deputeti Asllan Dogjani fshehu pasurinë duke falsifikuar

Dogjani i tregon ILDKPI se ka një njësi biznesi në pronësi, me sipërfaqe 79.9 m2 dhe vlerë 90 mijë euro. ZËRI u interesua dhe mësoi se kjo pronë, ndodhet në pallatin e Protial, atje ku Dogjani pagoi këstet e apartamentit. Në kohën që dyqani doli në treg, kishte një vlerë të vlerësuar nga ekspertët në të paktën 150 mijë euro. Habia qëndron në faktin sesi Dogjani e përfitoi për vetëm 90 mijë euro, në vitin 2022, kohë kur çmimi i referencës në zonën ku ndodhet kjo pronë është 2500 euro për metër. Pra nga 2500 euro, Dogjani u bë pronar dyqani në katin përdhe për vetëm 940 euro/metri.

Kjo njësi tashmë është kthyer në hostel me qira ditore për turistët.

Në Google mund të gjendet si Zara Guesthouese, ndërsa pronari i saj, Asllan Dogjani dhe e shoqja nuk e kanë regjistruar si aktivitet as në Tatime dhe as në QKB, duke iu shmangur ligjit të ri për tatimin e biznesve air bnb.

ZËRI e kontaktoi deputetin Dogjani përpara publikimit të këtij artikulli, por nuk morëm asnjë përgjigje, përse deputeti vendosi të falsifikonte formularin e ILDKPI.

Ky është rasti i disatë për të cilin prokuroria do të duhet të veprojë, pasi historia është e pastër dhe kontratat janë dorëzuar nga vetë Dogjani në ILDKPI në mënyrë fiktive.

Fatos Tushe është subjekt aktual i SPAK ndërsa në të shkuarën të tjerë deputetë e zyrtarë publikë janë gjetur në shkelje të hapur të ligjit duke fshehur dhe falsifikuar formularët e deklarimit në ILDKPI. /ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB