Factcheck

Paligjshmëria e "Blue Taxi" vazhdon! Kush i mbron taksitë pa logo?!

Në tre herë që i infiltruari nga ZËRI kërkoi shërbimin e Blue Taxi, u përball me dy paligjshmëri, dy herë mjeti taksi erdhi me targa të verdha, por pa logo identifikuese dhe një herë nuk kishte as logo dhe as targën e verdhë.

F.m
Paligjshmëria e "Blue Taxi" vazhdon! Kush i mbron taksitë pa
Blue Taxi

TIRANË- Shërbimi taksi është shërbim publik i licencuar, që përgjatë viteve të fundit ka marrë një zgjerim të sektorit, ku kulmi i përdorimit pritet të jetë viti 2024, kur Shqipëria parashikohet të vizitohet nga 15 milionë turistë të huaj.

Por problemet me këtë sektor janë të shumta, dhe ashtu siç kemi raportuar disa herë, kompanitë që ushtrojnë veprimtarinë në këtë sektor, jo gjithmonë zbatojnë ligjet në fuqi dhe Kodin Rrugor.

Katër muaj pas investigimit të ZËRI-t ku u përfshinë një sërë rrjetesh taksish, si Lux Taxi, Blue Taxi e King Taxi, ku shihej sesi taksitë shërbenin si ndërmjetësues të trafikut të kokainës, ky sektor ka sërish probleme, duke nisur nga mungesa e logove dhe e targave të verdha.

Gjatë vëzhgimit tonë, kemi parë sesi kompania Blue Taxi, edhe pse Udhëzuesi për Shërbimin Taksi e thotë qartë që për t’u pajisur me licencë shërbimi taksi, për transport udhëtarësh, krahas të tjerave duhet që automjetet taksi, të jenë të pajisura me targa të veçanta dhe që automjetet taksi, të jenë me ngjyrën e kërkuar nga bashkia licencuese, nuk e respekton plotësisht këtë kriter.

Në tre herë që i infiltruari nga ZËRI kërkoi shërbimin e Blue Taxi, u përball me këto dy paligjshmëri, dy herë mjeti taksi erdhi me targa të verdha, por pa logo identifikuese dhe një herë nuk kishte as logo dhe as targën e verdhë.

Në një nga bisedat e regjistruara nga agjenti i ZËRI-t, shoferi taksi i identifikuar si Armando Biraku ndalohet nga Policia Rrugore pasi kapet në shkelje të Kodit Rrugor, po përdorte celularin teksa i jepte makinës.

Pjesë nga biseda:

Agjenti: Me ne e kishte ky?

Taksisti i Blue Taksi, Armando Biraku: Eeee, më pa me telefon…

Efektivi i Policisë Rrugore: Ma jep pak patentën.

Në pak sekonda bisedë me efektivin, vihet re se bluve nuk u bën më përshtypje kalimi i mjeteve të kësaj kompanie pa logo apo me targa të bardha, por gjithashtu vërtetohet se ky shofer nuk përmbush kriteret për të mundësuar transportin e udhëtuarëve.

Shoferi i Blue Taksi numëronte plot 11 gjoba që nga momenti që kishte marrë patentën, gjë që tregon se përdorimi i celularit apo shkelja e Kodit Rrugor ishte kthyer në një rutinë për të.

Pjesë nga biseda:

Efektivi i Policisë Rrugore: Paske 11 gjoba

Taksisti i Blue Taksi, Armando Biraku: Këto janë kështu, i kam marrë më targa të bardha unë. Kur kam qenë me targë të bardhë.

Biseda tregon se si vetë drejtuesi i mjetit e pranon se jo pak herë operon në shkelje dhe lëviz me taksi me targa të bardha.

A i ka bërë përshtypje kompanisë fakti që ky drejtues ka marrë 11 gjoba?

‘Përkëdhelja’ e kësaj kompanie nga autoritetet është e dukshme, pasi efektivi në prani të klientit e ‘fal’ taksistin dhe në vend që t’i vendosë 150 mijë lekë të vjetra për shkeljen që dëshmoi, përdorimin e celularit në timon, i vendos vetëm 15 mijë lekë të vjetra.

Pjesë nga biseda:

Efektivi i Policisë Rrugore: 150 të vete gjoba.

Taksisti i Blue Taksi, Armando Biraku: Aman për Zotin o burrë, se për punë kemi dalë.

Efektivi i Policisë Rrugore: Po të vë 15 mijë lekë të vjetra. Nga të reja ta kalova të vjetra, dakort?

Taksisti i Blue Taksi, Armando Biraku: Je shumë i mirë. Por problem është…

Efektivi i Policisë Rrugore: Tani, mos fol më…

Taksisti i Blue Taksi, Armando Biraku: Si më dalin 11 gjoba mua?

Efektivi i Policisë Rrugore: Ta them unë, që nga historiku që ke marrë patentën.

Taksisti i Blue Taksi, Armando Biraku: Me pikë si jam? Ndikon në patentë kjo?

Efektivi i Policisë Rrugore: Po të kisha vënë atë tjetrën po. (150 mijë lekë të vjetra) Armando Biraku e?

Taksisti i Blue Taksi, Armando Biraku: Po. Shef a ka ndonjë mundësi, më mirë mos të vësh fare…

Efektivi i Policisë Rrugore: Tani, të lutem. Kaloi ajo, edhe ta bëra nderin unë. Nga 150 ta vura 15 mijë lekë të vjetra.

Taksisti i Blue Taksi, Armando Biraku: Rrofsh, faleminderit. Shiko si je, shiko. Shiko historikun këtu.

Taksisti i Blue Taksi, Armando Biraku: Na fal e

Agjenti: S’ka gjë…

Efektivi i Policisë Rrugore: Ik se paske, ik se ke atë…ik. Paguaje brenda 15 ditëve, në rregull je.

Taksisti i Blue Taksi, Armando Biraku: Rrofsh. Më heqin trurin këta mua. Si ka mundësi?

A është ky një rast sporadik në tolerimin e këtyre shkeljeve nga kompania Blue Taksi nga autoritetet?

ZËRI ka dëshmuar që jo!

Që nga publikimi i dokumentarit Narco Taxi, Drejtoria e Policisë Rrugore ka zhvilluar operacione njëri pas tjetrit, një prej tyre dhe “ROADPOL” për kontrollin, verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor nga operatorët dhe drejtuesit e mjeteve të shërbimit taksi, por siç duket, këto shkelje që me tre lëvizje ZËRI i pikasi, për ta kanë qenë të pakapshme.

Policia e Shtetit shprehet gjithashtu se mbikëqyrja dhe kontrollet në fushën etransportit publik të udhëtarëve, nuk janë përgjegjësi vetëm e Policisë Rrugore, sepse referuar Kodit Rrugor dhe ligjit “Për transportin në RSH”, kjo përgjegjësi iu takon dhe Policisë Bashkiake, Policisë Tatimore dhe Sektorit kundër Krimit Ekonomiko-Financiar.

Këto dy të dy të fundit kanë heshtur!

Mungesa e targave të verdha dhe e logove vënë në dyshim sigurinë e qytetarëve, pasi vetë mbishkrimi në mjetet e taksive dëshmon një lloj sigurie për udhëtarët, që fakti që po hipin në një mjet të licensuar e loguar, dikush që qëndron pas tyre mban përgjegjësi për çdo shkelje apo për njeriun që drejton timonin.

Ndryshe, përse do të duhet të ekzistonin këto rregulla?

Ku është dallimi nga makinat e tjera private, të palicensuara që qëndrojnë të parkuara me derën gjysmë të hapur në pritje të ndonjë klienti rastësor?

Lehtësimi i tyre nga ndëshkimi dhe lënia në gjendje të lirë, u jep frymëzim këtyre kompanive që të përballen pa frikë edhe me rivalët e tyre, të cilët nga ana ligjore kanë qenë mjaft të rregullt.

Një prej këtyre rasteve është edhe shoferi i Lux Taxi, që u raportua teksa kërcënonte një taksist individual për vendin e parkimit.

Qytetarët nga ana tjetër, kanë denoncuar për implikim të punonjësve të Policisë në lidhje me kompanitë e taksive, gjë që faktohet edhe në këtë material.

Jemi në kulmin e sezonit turistik dhe lëvizjet e tilla, mungesae transparencës dhe e sigurisë cënon imazhin e vnedit përpara turistëve dhe kjo gjë nuk zgjidhet me pushimin nga puna të dy apo të shoferëve që kryejnë shkeljen. Historia e përsëritur po tregon që jo dhe që hetimet duhet të nisin nga shumë më lart, atje ku është vendqëndrimi i këtyre mjeteve dhe atje ku nis prishjae zinxhirit të paligjshmërisë.

Poll

MOS HUMB