Bota

Falimenton banka në Paraguaj, 3 mln njerëz humbin paratë brenda natës, Presidenti jep dorëheqjen

Protestuesit kanë dalë prej ditësh në rrugë, duke kërkuar kthimin e parave dhe vënien para përgjegjësisë të personave që çuan bankën drejt falimentimit.

F.I
Falimenton banka në Paraguaj, 3 mln njerëz humbin paratë brenda
Santiago Peña

PARAGUAJ-Një krizë e rëndë bankare dhe politike ka përfshirë Paraguajin, pas kolapsit të Ueno Bank, një prej institucioneve më të mëdha të financimit digjital në vend. 

Banka Qendrore ndërhyri dhe mori nën administrim institucionin, pasi konstatoi se treguesi i aftësisë paguese kishte rënë nën gjysmën e nivelit minimal të kërkuar nga ligji. Pas ndërhyrjes, rreth 3 milionë klientë nuk mund të përdornin llogaritë e tyre, në një vend me rreth 6.5 milionë banorë.

Çfarë ndodhi

Ueno Bank administronte rreth 800 deri në 850 milionë dollarë fonde publike, përfshirë rreth 380 milionë dollarë të investuara nga fondi shtetëror i pensioneve dhe shëndetësisë. Problemet u zbuluan gjatë kontrolleve të Bankës Qendrore, të cilat evidentuan kredi të konsiderueshme për kompani të lidhura me pronarët e bankës. Sipas autoriteteve, një pjesë e këtyre huave ishte dokumentuar në mënyrë të pamjaftueshme dhe nuk kishte kolateral të mjaftueshëm për të mbuluar detyrimet në rast mospagimi.

Gjithashtu, në bilancet e bankës ishin përfshirë shpenzime të llogaritura gabimisht si aktive. Kriza ka krijuar pasiguri për qytetarët që nuk mund të tërheqin apo transferojnë paratë e tyre. Protestuesit kanë dalë prej ditësh në rrugë, duke kërkuar kthimin e parave dhe vënien para përgjegjësisë të personave që çuan bankën drejt falimentimit. Mes tyre ka qytetarë që thonë se nuk kanë mundësi të blejnë as ushqimet për familjet e tyre.

Mes krizës së vendit, presidenti Santiago Peña njoftoi vendimin për t'u larguar nga detyra, duke e lidhur atë me nevojën për të ruajtur stabilitetin e vendit, paqen sociale dhe institucionet demokratike. Ai deklaroi se përparësi mbetet qetësia e qytetarëve dhe garantimi i kthimit të fondeve. Megjithatë, dorëheqja mund t'i hapë rrugë fitimit të imunitetit parlamentar, nëse pranohet nga Parlamenti dhe ai merr statusin e senatorit të përjetshëm. Në qendër të polemikave është edhe lidhja e Peña-s me bankën, ku ai ishte një prej ortakëve themelues në vitin 2023.

MOS HUMB