
TIRANË-Pas kërkesës së kryetarëve të dy komisioneve parlamentare, Bledi Çuçit të Komisionit të Sigurisë dhe Fatmir Xhafës të Komisionit për Mbikqyrjen Institucionale drejtuar Toni Gogut lidhur me transferimin e Erion Veliajt në burgun e Fierit, ministri i drejtësisë u është përgjigjur sot socialistë.
Çuçi dhe Xhafaj kërkuan të dinë nëse Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë për urdhrin e vlerësuar prej tyre ai sekret shtetëror, të lëvizjes të Erion Veliajt. Po ashtu kërkuan tu vihet në dispozicion praktika dokumentare e këtij procesi. Ndërkohë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, të mbajtur një ditë më parë Bledi Çuçi i kërkoi Gogut të jepte edhe dorëheqjen nëse nuk dispononte dokumentacionin.
Lidhur me kërkesat mësphet se ministri i Drejtësisë Toni Gogu, është shprehur se ka urdhëruar inspektim për rastin e transferimit të papritur të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, dy ditë më parë. Po ashtu ministri i drejtësisë mësohet të jetë shprehur se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, është përgjegjëse direkte sipas ligjit për transferimin e të paraburgosurve apo të dënuarve.
Lidhur me transferimin e Veliajt në burgun e Fierit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se urdhri i transferimit është firmosur sipas procedurave dhe është bërë në përputhje me ligjin, por nuk jepet një arsye konkrete për transferimin e Veliajt nga Durrësi në burgun e Fierit. Drejtoria e Burgjeve thekson se sa i përket urdhrit të transferimit është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”.

