TIRANË- Pas më shumë se një viti në kërkim nga autoritetet shqiptare, Bilal Kara, pronari i rrjetit spitalor “Sante Plus”, është arrestuar në Maqedoninë e Veriut. Lajmi është bërë i ditur nga mediat maqedonase, të cilat raportojnë se në pranga ka rënë edhe Geriana Arapi, ish-drejtuese e spitalit. Edhe Arapi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë, në shtator të vitit 2025.
Sipas raportimeve të mediave vendase, arrestimi i tyre u bë i mundur pas një operacioni të gjerë të autoriteteve maqedonase për dyshime mbi abuzime me ndërhyrjet kirurgjikale në sy dhe përfshirjen e zyrtarëve të Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Gjatë operacionit, u godit një grup kriminal pjesë e të cilit ishin disa sh-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Republikën e Maqedonisë.
"Ministria e Brendshme njoftoi sot se oficerë policie nga Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Krimit të Rëndë pranë Ministrisë së Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike për Krime të Rënda, kryen një aksion policor si pjesë e një hetimi për dyshime për procedura të paligjshme që lidhen me operacionet në sy, gjatë të cilit u shtyp një grup kriminal, disa prej të cilëve ishin ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Republikën e Maqedonisë", raportojnë mediat maqedonase.
Raportohet se në total janë arrestuar 11 persona, përfshirë ish-drejtorin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Den Donçev. Ndërsa sipas raportimeve, Kara tashmë është dërguar në Gjykatën Penale për procedura paraprake.
Bilal Kara ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2025, pasi akuzohet për abuzime të kryera përmes klinikës private "International Medicare", ish-"Sante Plus". Klinika u bllokua pasi dyshohet se nuk kishte raportuar fitime me vlerë 1 milion euro.
Gjatë periudhës hetimore disamujore, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe nga kontrollet në subjekt, u konstatua se nëpërmjet lëshimit të faturave të pafiskalizuara, ishte kryer evazion fiskal me vlerë mbi 1 000 000 euro. Gjithashtu, në spital përdoreshin medikamente të dyshuara të kontrabanduara, të ndaluara për përdorim, nga autoritetet kompetente, si dhe ishin punësuar pa u siguruar, 5 shtetas./ZË
