TIRANË- Kryebashkiaku Erion Veliaj ka firmosur ndryshime të reja në Bashkinë e Tiranës, dy ditë pas transferimit të tij në burgun e Fierit. Veliaj ka vendosur largimin nga detyra të dy nënkryetarëve, Vasilika Vjero dhe Ilir Mëngra, si dhe emërimin e Etleva Bishës në detyrën e nënkryetares së Bashkisë.
Emri i Etleva Bishës nuk është i panjohur në politikën shqiptare. Ajo ka qenë pjesë e themelimit të FRESH-it dhe ka një angazhim të gjatë në radhët e Partisë Socialiste. Bisha ka qenë pjesë e reformimit të shërbimeve sociale gjatë drejtimit të ministrisë nga Erion Veliaj.
Kjo lëvizje vjen pas asaj të 6 tetorit, kur Veliaj riktheu në detyrë Sara Goxhajn dhe ish-deputetin socialist dhe ish-prefektin e Tiranës, Sadi Vorpsin.
Ndryshimet pasuan shkarkimin e Anuela Ristanit nga Erion Veliaj, më 28 gusht. Në vendim argumentohej se Ristani kishte refuzuar zbatimin e urdhrave të kryebashkiakut dhe gjatë detyrës së saj është kthyer në një pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të Veliajt, pasi sipas tij ka munguar koordinimi institucional, moszbatim të vendimeve gjyqësore dhe refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit të Bashkisë. Nga 28 gushti në Bashkinë e Tiranës nuk ka një drejtues të deleguar që të qëndrojë në krye të punëve, teksa kryebashkiaku Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025./ZËRI
