LIVE UPDATES

A do ta prekin kuqezinjtë ëndrrën e botërorit? Nesër Poloni-Shqipëri, Sylvinho optimist: Mund të ndodhë gjithçka

➤Nesër në orën 20:45 sytë e të gjithë shqiptarëve do të jenë në sfidën Poloni-Shqipëri, me ëndrrën e madhe për finalet e Kupës së Botës 2026. ➤Përballja është e vlefshme për gjysmëfinalet e play-off të Botërorit 2026. Stadiumi 'PGE Arena' pritet të jetë i mbushur kuqezi, ku mbi 3 mijë fansa do jenë shqiptarë. ➤Trajneri i kombëtares, Sylvinho në prag të ndeshjes u shpreh se kjo do të jetë një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e kuqezinjve. ➤Tekniku brazilian u ndal te mungesat, duke thënë se nuk është koha që stafi të qahet, ndërsa nuk e ka zbuluar ende formacionin zyrtar që do të hidhet nesër në fushë. ➤Nga ana tjetër trajneri i Polonisë, Jan Urban ka pranuar se Shqipëria përherë u ka shkaktuar probleme. ➤Në rast se kuqezinjtë kalojnë polakët në këtë ndeshje teke, më 31 mars do luajnë sërish në udhëtim për finalen play-off kundër fituesit e çiftit Ukrainë - Suedi.

4 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

Gjimshiti: Do provojmë ta ndalim Lewandowskin, ekipi është gati

A do ta prekin kuqezinjtë ëndrrën e botërorit? Nesër
Berat Gjimshiti

TIRANË- Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, u shpreh në konferencën përpara mediave se ekipi është gati për këtë moment historik. Gjimshiti tha se kuqezinjtë janë të përgatitur për një përballje të vështirë, duke u shprehur se skuadra do të japë maksimumin për të realizuar objektivin.

Më tej, ai theksoi se do të kërkohet angazhim maksimal nga e gjithë skuadra për t’i kushtuar vëmendje sulmuesit të Polonisë, Robert Lewandowski. Gjimshiti nënvizoi se eksperienca e fituar në ndeshjet e fundit do të jetë një faktor i rëndësishëm për ekipin shqiptar.

“Kundërshtari ka një nivel të lartë, por do provojmë të arrijmë këtë ëndërr. Besoj që ekipi është gati. Fiton më i zoti. Do provojmë ta ndalim Lewandowskin, duhet të jetë e gjithë skuadra në momente të mira. Unë hyj në fushë gjithmonë për fitore dhe e gjithë kombëtarja. Kemi marrë shumë eksperiencë në ndeshjet e fundit dhe besoj se do na ndihmoj edhe nesër. Sulmi dhe mbrojtja duhet të jenë perfekte për të ftuar ndaj një kombëtareje, siç është Polonia”, tha ai. /ZËRI

2 MUAJ ME PARE

'S'më pëlqen të qaj'! Sylvinho ende pa formacion para sfidës me Poloninë: Pllana dhe Shehu na ndimojnë, por se di

A do ta prekin kuqezinjtë ëndrrën e botërorit? Nesër
Sylvinho

VARSHAVË- Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka folur në një konferencë për mediat, pas mbërritjes në Varshavë, Poloni. Sylvinho foli edhe për mungesat në skuadrën kuqezi, por tha se “nuk mund të qahemi”. Teksa u ndal te formacioni zyrtar i skuadrës, tekniku brazilian u shpreh se ende nuk ka vendosur se cilët lojtarë do të zbresin në fushë.

“Kjo skuadër është rritur shumë. Kemi lojtarë që luajnë si sulmues krahu, por edhe në qendër. Siç e thash edhe më herët, nuk më pëlqen të qaj. Është e vërtet që na mungojnë 2-3 lojtarë, por duke u bazuar te karaktersitikat e lojtarëve, nuk mund të qahemi. Nuk ia kam idenë se përse ai tha se do të na mundin nesër. Ai është një njeri i qetë, kanë një skuadër të madhe, luajnë në shtëpi. E kuptoj presionin. Nuk jemi të surprizuar. Ne kemi një ekip të madh. Në Europianin e 2024 kishim tre ndeshje radhazi me tre skuadra të mëdha, duke marrë shumë eksperiencë. Në 90 minuta ndodhin çdo gjë. Jemi gati të luajmë 90 minuta nesër.

Jam mirë. Kjo është pjesa më e vështirë për një trajneri të kombëtareve. E kemi ndjekur kampionatin polak. Dy vite më parë, kemi qenë këtu duke parë një ndeshjes së Muçit. Duke pasur Pllanën dhe Shehun pjesë të skuadrës na ndihmojnë. Nuk e di a do të luajnë të tre, por pjesëmarrja e tyre na ndihmon. Pllanën e ndjekim prej gjashtë muajsh. Kemi pasur vetëm dy stërvitje, sot kemi të fundit dhe ende nuk e kam ndarë mendjen për formacionin përfundimtar”, tha Sylvinho./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Sfida historike! Sylvinho: Kam dy muaj që nuk fle. Trajneri i Polonisë: Shqipëria shkakton surpriza, uroj mos të jetë nesër

A do ta prekin kuqezinjtë ëndrrën e botërorit? Nesër
Sylvinho dhe Jan Urban

VARSHAVË-Kombëtarja shqiptare ka mbërritur sot në Varshavë, ku nesër do të përballet me Poloninë në një ndeshje shumë të rëndësishme për rrugëtimin drejt Botërorit. Pas arritjes në kryeqytetin polak, trajneri i Kombëtares kuqezi, Sylvinho, ka folur në një konferencë për mediat. Sipas tij Polonia nuk është një skuadër që dominon në mbajtjen e topit, por në tranzicion është një skuadër shumë e fortë.

Sylvinho; Polonia nuk është një skuadër që dominon në mbajtjen e topit, por në tranzicion është një skuadër shumë e fortë. Ndaj Holandës kanë pasur ndeshje të mira. Janë një skuadër që janë mësuar të luajnë në Euriopian dhe Botëror. Në tranzicion mund të të shënojnë gola lehtësisht. Edhe trajneri i tyre, Jan Urban, ka krijuar një skuadër të mirë. Me Muçin dhe Mehmeitn kemi pasur kontaktin e parë të hënën. E kam të vështirë për zgjedhjen. Mehmetin e kemi sjellë në skuadër kohë më parë, edhe Muçi ka qenë. Ne duhet t’i përshtatemi situatës, por e dimë që po t’i hedhim në fushë, do të ndihmojnë ekipin. Unë mendoj se jemi përmirësuar shumë në këto tre vite. Flas për ciklin tim, nuk referohem te trajnerët e mëparshëm. Sa i përket ndeshjes së nesërme, sigurisht që kemi pasur eksperiencën e parë në Europianin 2016 dhe më pas e dyta në Europianin 2024. Por mendoj se po, do jetë një nga më të rëndësishme. A do fle sonte? Kam dy muaj që nuk fle gjumë.

Edhe trajneri i Polonisë, Jan Urban, është shfaqur sot para mediave për konferencën e zakonshme në prag të sfidës me Shqipërinë, në gjysmëfinalet e play-off të Botërorit. Tekniku i polakëve theksoi edhe një herë se sa e vështirë do të ishte ndeshja përballë kuqezinjve, për të ulur paksa entuziazmin e tepruar të vendasve.

Jan Urban: Ata fituan një ndeshje jashtë fushe në Ligën e Kombeve ndaj Ukrainës e gjithashtu fituan një ndeshje të rëndësishme dhe prestigjioze jashtë ndaj Serbisë. Dhe sipas mendimit tim, ata u paraqitën në mënyrë brilante në Kampionatin Europian. U mundën 1-0 nga Spanja, 2-1 nga Italia dhe barazuan 2-2 me Kroacinë. Kjo tregon se është një skuadër e aftë që të shkaktojë një surprizë. Uroj që të mos jetë nesër.  Unë pres një ndeshje të hapur. Edhe pse Shqipëria është një skuadër e fokusuar në aspektin mbrojtës, ata janë të ndërgjegjshëm që gjithçka mbaron në këtë ndeshje. Ata kanë krijuar gjithmonë e më shumë probleme për ne në çdo ndeshje. Kjo është një skuadër me një formacion shumë stabël, pasi ka punuar me të njëjtin trajner prej tre vitesh. Ata janë shumë të organizuar dhe mundohen të maksimizojnë pikat e tyre të forta. Skenari mund të jetë i ndryshëm. Unë do të dëshiroja që të kontrollonim ndeshjen, por nuk e dimë se si do të jetë qasja e ekipit shqiptar. Ne do të mundohemi që të luajmë në një mënyrë që t’i bëjë ata të sillen në mënyrën se si ne duam. A do ia dalim? Këtë do ta shohim vetëm nesër.

2 MUAJ ME PARE

Rruga drejt Botërorit 2026, Kombëtarja 'fluturon' drejt Varshavës! "Avullojnë" biletat, mbi 3 mijë tifozë kuqezinj

A do ta prekin kuqezinjtë ëndrrën e botërorit? Nesër
kombetarja drejt varshaves

TIRANË- Futbollistët e Kombëtarfes u nisën paraditen e kësaj të mërkure nga Tirana në Varshavë, në rrugëtimin për play-off-in e Kupës së Botës 2026. Të enjten, në orën 20:45 në ‘PGE Arena’ kuqezinjtë do përballen në gjysmëfinalen play-off kundër Polonisë.

Stadiumi 'PGE Arena' pritet të jetë i mbushur kuqezi, ku mbi 3 mijë fansa do jenë shqiptarë.  Më herët, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) deklaroi se janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen e kombëtares. Në dispozicion të shqiptarëve ishin vendosur 3,000 hyrëse, ose 5 për qind e kapacitetit të Stadiumit Kombëtar në Varshavë.

Interesi nga tifozët shqiptarë është tepër i madh, pasi bëhet fjalë për ndeshjen e parë që kombëtarja shqiptare zhvillon në 'play-off'-in e Kupës së Botës, dhe ka mundësi të kualifikohet po për herë të parë në fazën finale të një Botërori.

Takimi Poloni - Shqipëri do të luhet më 26 mars, në orën 20:45, në stadiumin “PGE Narodoëy” të Varshavës.

Në rast se kuqezinjtë kalojnë polakët në këtë ndeshje teke, më 31 mars do luajnë sërish në udhëtim për finalen play-off kundër fituesit e çiftit Ukrainë - Suedi.

Poll

MOS HUMB