LIVE UPDATES

BE “furtunë” reagimesh: Mos prekni reformën në drejtësi! Jo ndërhyrje politike (Përplasje edhe për Bordin e Paqesë)

➤E mërkura ka qenë ditë përplasjesh dhe reagimesh të forta! Në kohën kur kryefjala e medias është vizita e kryeministrit Edi Rama në SHBA, në Tiranë, Brukseli dërgoi kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister dhe deputetin e Parlamentit Europian, Peter Gahler. ➤Dyshja nga PE-ja përçuan mesazhe të forta nga Kuvendi i Shqipërisë, në lidhje me reformën në drejtësi.➤ Pyetjet për veprimet e Shqipërisë nuk munguan, ku një debat u zhvillua mes deputetit të PE-së, i cili pyeti kreun e grupit parlametar të PS, Taulant Ballën se pse pranuan me nxitim ftesën për në 'Bordin e Paqes', kur shumë vende të BE-së janë kundër. ➤Balla i është përgjigjur eurodeputetit, duke i thënë se Shqipëria dhe SHBA-të kanë një marrëdhënie të veçantë me njëra-tjetrën. ➤Pika kyçe që përmblodhi takimin ishin ndryshimet e fundit në lidhje me ligjet e propozuara nga qeveria dhe çështja e zv.kryeministres Belinda Balluku. ➤Për këtë të fundit, David McAllister theksoi se duhet të zgjidhet nga qeveria shqiptare. ➤Në të njëjtën linjë edhe ambasadori i Delegacionit të BE në Shqipëri Silvio Gonzato, i pyetur lidhur me ndryshimin në ligj për mospezullimin e ministrave dhe 6 funksioneve të tjera, theksoi rëndësinë e mosprekjes së Reformës në Drejtësi. ➤Zyrtar i lartë i BE-së, David McAllister i bëri thirrje politikës që të mos ndërhyjë në drejtësi, duke nënvizuar se Shqipëria ka humbur 11 vende në renditje si shkak i korrupsionit.

5 artikuj për këtë temë.
3 MUAJ ME PARE

Bordi i Paqes! Rama drejt SHBA-së, europianët refuzojnë 'tavolinën' e Trump

BE “furtunë” reagimesh: Mos prekni reformën në
Edi Rama dhe Donald Trump

SHBA-Nesër në Washington DC do të mbahet takimi inaugurues i Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është nisur drejt kryeqytetit amerikan për të marrë pjesë në këtë mbledhje, ndryshe nga ceremonia e parë themeluese në Davos, ku ai nuk ishte i pranishëm. 

Por teksa Rama mbërrin në SHBA, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, u regjistruan debate gjatë një takimi mes delegacionit të Parlamentit Europian dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, lidhur me 'Bordin e Paqes'. Mësohet se eurodeputeti Peter Gahler, ka ngritur pikëpyetje dhe ka kërkuar llogari ndaj Ballës, se përse Shqipëria i është bashkuar nismës së Trump. Sipas Peter Gahler, Bashkimi Europian nuk është shprehur ende dhe as nuk ka mbajtur një qëndrm për Bordin e Paqes.

Vetëm Hungaria dhe Bullgaria kanë sinjalizuar se do t’i bashkohen plotësisht nismës, vendet e tjera europiane nuk e kanë pranuar ftestën, ose në rastin tjetër do të jenë vëshguese. Italia, Rumania dhe Qipro do të marrin pjesë si vëzhgues. Disa vende, përfshirë Danimarkën, nuk kanë marrë fare ftesë.

Komisioni Europian gjithashtu nuk do të bëhet anëtar, duke dërguar në Uashington komisioneren për Mesdheun Dubravka Šuica. “Ne nuk po bëhemi anëtarë,” deklaroi zëdhënësja kryesore Paula Pinho.

Presidenti i Këshillit Europian António Costa ka shprehur rezerva serioze: “Ne kemi dyshime serioze për një sërë elementesh në kartën e bordit lidhur me fushëveprimin e tij, qeverisjen dhe përputhshmërinë me Kartën e OKB-së.”

Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm ka ngritur shqetësime të ngjashme, duke theksuar se “karta … ngre shqetësime në raport me parimet kushtetuese të BE-së.”

Qëndrimet e vendeve të BE-së

Austria: Nuk ka gjasa të bashkohet. Kancelari austriak Christian Stocker tha se vendi i tij nuk kishte plane për t’u bërë anëtar. “Ekziston tashmë një organizatë e krijuar për raste të tilla, OKB-ja … dhe unë nuk jam në favor të strukturave paralele”.

Belgjika: Nuk po bashkohet dhe nuk është ftuar. Ministri i Jashtëm Maxime Prévot u detyrua të mohojë pretendimet nga Shtëpia e Bardhë se Belgjika ishte regjistruar muajin e kaluar. Transmetuesi kombëtar RTBF raportoi se amerikanët kishin ngatërruar Belgjikën me Bjellorusinë. Belgjika dëshiron që BE-ja të arrijë një qëndrim të përbashkët për këtë çështje, tha Prévot.

Bullgaria: Po shqyrton anëtarësimin. Kryeministri në detyrë Rossen Jeliazkov u ul pranë Trump kur nisma u lançua zyrtarisht muajin e kaluar në Zvicër, por vendimi është ende në pritje të ratifikimit në parlament.

Kroacia: Nuk po bashkohet. Si Kryeministri Andrej Plenković ashtu edhe Presidenti Zoran Milanović, zakonisht rivalë politikë, u shfaqën të një mendimi në refuzimin e ftesës.

Qipro: Status vëzhguesi. Si Athina ashtu edhe Nikozia thanë se kanë kanale të hapura me Izraelin dhe Autoritetin Palestinez.

Çekia: Nuk ka gjasa të bashkohet. Kryeministri Andrej Babiš tha se Praga dëshiron të koordinohet me vendet e tjera të BE-së.

Danimarka: Nuk është ftuar. Ndërsa marrëdhëniet me SHBA-në janë në pikën më të ulët pasi Trump ushtroi presion të fortë ndaj Kopenhagës dhe Nuuk-ut për të hequr dorë nga Groenlanda, një territor gjysmë-autonom danez, Danimarka ishte i vetmi vend skandinav që nuk mori ftesë.

Estonia: Nuk është ftuar.

Finlanda: Nuk po bashkohet. Presidenti Alexander Stubb tha se bordi “është një nismë e mirë”, por shtoi se Finlanda nuk do të bashkohet në formën aktuale. “Ne kemi një politikë të përbashkët europiane dhe do t’i qëndrojmë asaj,” i tha ai medias finlandeze Yle muajin e kaluar.

Franca: Nuk po bashkohet. Franca ishte ndër vendet e para që sinjalizoi se nuk do të bashkohej, duke kritikuar mbivendosjen e mundshme me OKB-në, papajtueshmërinë me angazhimet e saj ndërkombëtare dhe zgjerimin e fokusit përtej Gazës.

Gjermania: Nuk ka gjasa të bashkohet. Deri tani, qeveria gjermane ka reaguar me kujdes ndaj bordit. Ndërsa mbështet në përgjithësi përpjekjet për të arritur paqe në Gaza, Ministri i Jashtëm Johann Wadephul ka theksuar vazhdimisht se OKB-ja ekziston tashmë si një trupë ndërkombëtare e vendosur për zgjidhjen e konflikteve.

Greqia: Status vëzhguesi. Greqia fillimisht e kundërshtoi bordin, duke këmbëngulur që ai të kufizohej vetëm në Gaza, nga frika e anashkalimit të OKB-së dhe sfidave të mundshme ndaj qëndrimit të saj në mosmarrëveshjen detare me Turqinë. Megjithatë, qeveria greke tha se bordi duhet t’u përmbahet rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Hungaria: Po bashkohet. Një aleat i ngushtë i Donald Trump, Kryeministri Viktor Orbán tha se vendi i tij do t’i bashkohet nismës si një nga anëtarët themelues, “sepse Hungaria ka nevojë për paqe për të vazhduar të rritet dhe të zhvillohet”.

Irlanda: Nuk po bashkohet. Zëvendëskryeministri Simon Harris tha muajin e kaluar se nisma ngre “sinjale shumë serioze alarmi.” “Çdo gjë që Putini po konsideron t’i bashkohet dhe që ka fjalën paqe në të nuk më duket mirë,” tha ai, sipas transmetuesit vendas RTE.

Italia: Status vëzhguesi. Ministri i Jashtëm António Tajani tha se ishte “e përshtatshme” që Roma të merrte pjesë si vëzhguese në takimin e parë të enjten, pasi Qipro kishte marrë një vendim të ngjashëm, duke mbajtur aktualisht presidencën rrotulluese të Këshillit. “Ne jemi europianë dhe, pas këtij vendimi, e konsideruam të përshtatshme të dërgojmë një delegacion si vëzhgues.”

Letonia: Nuk është ftuar.

Lituania: Nuk është ftuar dhe nuk do të bashkohej.

Luksemburgu: Nuk është ftuar dhe nuk do të bashkohej. Kryeministri Luc Frieden tha se vendi i tij ndoshta nuk do të merrte pjesë, edhe nëse do të ishte ftuar. Ai vlerësoi nismën për të krijuar paqe në Gaza, por tha se preferonte organizatat ekzistuese shumëpalëshe, si OKB-ja, për t’u marrë me këtë çështje, sipas medias lokale Paperjam.

Malta: E pavendosur. Kryeministri Robert Abela tha se vendi i tij nuk ishte ftuar zyrtarisht për t’u bashkuar, por qeveria ka marrë një ftesë “joformale”. Abela ka kritikuar gjithashtu formatin e bordit.

Holanda: E ftuar, e paqartë nëse do të bashkohet. Kryeministri në largim Dick Schoof konfirmoi muajin e kaluar se vendi kishte marrë një ftesë për t’iu bashkuar nismës, por tha se nuk ishte marrë ende një vendim përfundimtar. Qeveria e re, e udhëhequr nga Rob Jetten, ende nuk ka bërë ndonjë njoftim për këtë çështje.

Polonia: Nuk po bashkohet. Ndërsa Presidenti Karol Nawrocki, një aleat i partisë opozitare konservatore Ligj dhe Drejtësi dhe i vetë Trumpit, ka sinjalizuar mbështetje për nismën, vendimi përfundimtar i takon qeverisë. Kryeministri Donald Tusk ka thënë se Polonia nuk do të bashkohet “në rrethanat aktuale”.

Portugalia: Do të bashkohet vetëm nëse fokusi mbetet te Gaza. Qeveria nuk e ka pranuar ende ftesën, tha Ministri i Jashtëm Paulo Rangel muajin e kaluar, por vendi do të ishte i hapur për t’u bashkuar “nëse kufizohet në Gaza,” sipas medias lokale Publico.

Rumania: Status vëzhguesi. Presidenti Nicușor Dan njoftoi të hënën se do të marrë pjesë në takimin në Uashington si vëzhgues.

Sllovakia: Refuzoi. Qeveria e Kryeministrit Robert Fico nuk do ta pranojë ftesën për t’u bashkuar. Një nga arsyet e përmendura është se vendi nuk mund të përballojë tarifën prej 1 miliard dollarësh për të siguruar anëtarësim të përhershëm.

Sllovenia: Refuzoi. Kryeministri Robert Golob refuzoi të marrë pjesë, duke thënë në fund të janarit se nisma “cenon seriozisht rendin më të gjerë ndërkombëtar” dhe se mandati i saj, që shkon përtej Gazës, është tepër i gjerë.

Spanja: Refuzoi. Kryeministri Pedro Sánchez tha muajin e kaluar se e refuzonte ofertën, megjithëse vendi i tij “e vlerëson ftesën”. Ai e paraqiti vendimin si një mënyrë për të qëndruar në përputhje me “angazhimin e Spanjës ndaj rendit shumëpalësh, sistemit të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”.

Suedia: Nuk po bashkohet. Kryeministri Ulf Kristersson tha se do të koordinohet me vendet e tjera të BE-së, por vendi i tij nuk do t’i bashkohet nismës “siç qëndron aktualisht teksti,” sipas medias suedeze Aftonbladet.

3 MUAJ ME PARE

Në 2017 i dha zgjidhje krizës PD-PS- McAllister rikthehet me mesazh: Shqipëria ka humbur 11 vende, politika mos ndërhyjë në drejtësi

BE “furtunë” reagimesh: Mos prekni reformën në
David McAllister

TIRANË-Delegacioni i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, kryesuar nga Kryetari David McAllister zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Shqipëri. McAllister u rikthye në Tiranë pas 9 vitesh po me një synim të qartë, ku ashtu si në vitin 2017 i dha zgjidhje krizës politike, një paketë propozimesh kompromisi që përfshinte sugjerime konkrete për mënyrën se si opozita dhe mazhoranca mund të bashkëpunojnë. 

Këtë herë zyrtari europian u ndal në tre pika që cilësohen të rëndësishme për BE-në, duke nisur nga lufta kundër korrupsionit, përfundimi në kohë i reformës zgjedhore dhe mbrojtja e lirisë dhe pluralizmit mediatik. McAllister i bëri thirrje politikës që të mos ndërhyjë në drejtësi. Ai solli në vëmendje raportin e TI, ku Shqipëria ka humbur 11 vende në rënditje. 

David McAllister: Jemi duke punuar dhe për raportin vjetor të PE, i cili do të prezantohet të enjten e javës së ardhshme. Në vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në rrugëtimin në BE. Njohim edhe rezultatet e forta, dëshmia e së cilës ka qenë hapja e grupkapitujve në 13 muaj. Nuk ka vend për vetëkënaqje, por Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të punojë edhe më fort për përmbushjen e negociatave. Dua të them tri pika që janë shumë të rëndësishme për PE sepse kanë lidhje me vlerat themelore: së pari, ka nevojë që të vijojë lufta kundër korrupsionit. Është bërë shumë në këtë fushë, por nuk jemi ende të kënaqur. Nevojitet implementim i plotë i legjislacionit, plotësim me staf të strukturave të drejtësisë, të mos ketë ndërhyrje politike dhe politikanët të japin shembullin. Së dyti, duam të shohim një reformë zgjedhore reale që të bëhet në kohë të mjaftueshme duhet të jetë gjithëpërfshirëse me opozitën dhe t’u adresohet rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Së treti, duam të shohim përpjekje të forta për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe pluralizmin mediatik. Kjo kërkon më shumë transparencë nga pronarët e mediave dhe masa garantuese për të mbrojtur gazetarët. Ekziston nevoja për të ruajtur forcën shtytëse në luftën kundër korrupsionit. Shumë është arritur në këtë fushë por nuk është në nivelin e kënaqshëm. Javën që shkoi doli raporti i TI, Shqipëria ka humbur 11 vende në renditje. Është e nevojshme që të ketë një zbatim të plotë të legjislacionit, të ketë plotësim të stafit të strukturave të drejtësisë, të mos ketë ndërhyrje politike dhe duhet që politikanët të udhëheqin duke dhënë ata vetë shembullin.

Kujtojmë David McAllister zbarkoi në Tiranë në pranverën e vitit 2017, kur Shqipëria po përballej me një krizë politike ku së bashku me eurodeputetin Knut Fleckenstein sollën një draft marrëveshje të përgatitur për të zhbllokuar krizën. Ata sollën në tryezë një paketë propozimesh kompromisi që përfshinte sugjerime konkrete për mënyrën se si opozita dhe mazhoranca mund të bashkëpunojnë për zgjedhje, dhe u arrit marrëveshja e famshme e 17 Majit 2017 Rama-Basha, në atë që u quajt “McAllister Plus”, një paketë kompromisi e pranuar nga opozita dhe e mbështetur edhe nga mazhoranca. Opozita vendosi të pranojë propozimin e kompromisit duke lejuar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe duke hequr bllokimin, dhe marrëveshja synonte të siguronte garanci për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, përfshirë zgjedhjen e institucioneve të pavarura për procesin. Më në fund, kjo solli zgjidhjen e krizës politike dhe pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet e vitit 2017.

3 MUAJ ME PARE

Ndryshimi i Ligjit me "imunitet" për ministrat, Gonzato: Të mos preket Reforma në Drejtësi

BE “furtunë” reagimesh: Mos prekni reformën në
Silvio Gonzato

TIRANË-Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato i ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë së bashku me zyrtarin e KE-së, David McAllister u pyet për nismën ligjore të PS-së që synon ndalimin e pezullimit të ministrave dhe jo vetëm nga SPAK.

Gonzato deklaroi se po i ndjekin të gjitha nismat që kanë lidhje me shtetin ligjor, duke iu referuar këtu propozimeve të PS-së për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale. Ambasadori deklaroi se pret që qeveria të konsultohet me ta, teksa theksoi se është e rëndësishme mosprekja e Reformës në Drejtësi, të miratuar në vitin 2016.

“Siç e dini ne i ndjekim nga afër të gjitha nismat që kanë lidhje me shtetin ligjor. Edhe që të mos prekin parimet e Reformës në Drejtësi të vitit 2016. Dhe presim që qeveria shqiptare të konsultohet me ne për çdo iniciativë”, tha Gonzato.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

Grupi Parlamentar i PS prezantoi më 16 shkurt, nismën ligjore për ndryshimin e nenit 242, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zv/kryeministren Belinda Balluku. Sipas propozimit të PS-së, në nenin që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit apo kryebashkiakut do të shtohen edhe 7 subjekte të reja ndaj të cilave nuk mund të shtrihet masa e sigurisë e pezullimit të detyrës. Bëhet fjalë për Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Rama niset drejt Washingtonit, plas debati në zyrat e Kuvendit! Pse do shkoni në Bordin e Paqes? Balla-eurodeputetit: Pyet Brukselin se...

BE “furtunë” reagimesh: Mos prekni reformën në
Peter Gahler-taulant balla

TIRANË- Kryeministri Edi Rama është nisur këtë të mërkurë drejt Washingtonit, në përgjigje të ftesës së presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes, ku Shqipëria do të jetë një ndër shtetet themeluese. Kjo është konfirmuar gjatë një konference për mediat që dha ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, paraditen e sotme, pas ministerialit për Korridorin VIII që u zhvillua sot në Tiranë

Ndërkohë, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, janë regjistruar debate gjatë një takimi mes delegacionit të Parlamentit Europian dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare. 

Mësohet se eurodeputeti Peter Gahler, ka ngritur pikëpyetje dhe ka kërkuar llogari ndaj Ballës, se përse Shqipëria i është bashkuar nismës së Trump. Sipas Gahler, Bashkimi Europian nuk është shprehur ende dhe as nuk ka mbajtur një qëndrm për Bordin e Paqes. Përballë këtij fakti, eurodeputeti ka ngritur pyetjen se si mund të pranonte Shqipëria menjëherë ftesën e Presidentit të SHBA.

Nga ana tjetër, Balla është përgjigjur duke theksuar se Shqipëria ka një "marrëdhënie të veçantë" me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nënvizoi se zyrtarët e BE‑s duhet të pyesin vetë institucionet e Bashkimit Europian për mos‑përfaqësim të qartë në këtë strukturë.

“Zoti Gahler bën mirë të pyesë Këshillin Europian pse ju vetë si BE nuk keni një pozicion të përbashkët për këtë çështje,” tha Balla.

3 MUAJ ME PARE

Çështja Balluku? McAllister: Është përgjegjësi politike, të zgjidhet nga qeveria!

BE “furtunë” reagimesh: Mos prekni reformën në
David McAllister

TIRANË- Delegacioni i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, të kryesuar nga Kryetari David McAllister ka zhvilluar një vizitë pune në Shqipëri. Në përfundim të vizitës, McAllister është ndalur në një konferencë për mediat, ku ka folur për një sërë çështjesh të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt rrugëtimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

Diplomati europian bëri me dije se ka nisur puna për raportin vjetor që do të prezantohet në Parlamentin Europian të enjten e ardhshme. McAllister theksoi se BE e mbështet rrugën e Shqipërisë drejt familjes europiane, ndaj bëri thirrje që të vijojë puna me përmbushjen e reformave.

Diplomati europian McAllister komentoi edhe rastin e Belinda Ballukut. Ai deklaroi se çështja e Ballukut është një test kritik për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit. McAllister u shpreh se kjo çështje ka qenë pjesë e diskutimeve gjatë vizitës dhe takimeve në Tiranë, ndërsa theksoi se nuk është në pozicion për të komentuar një çështje individuale. Ai deklaroi se rasti i Ballukut nuk është vetëm çështje juridike, por edhe përgjegjësi politike. 

“Unë nuk mund të komentoj me hollësi për çështje individuiale. Por për këtë rast që përfshin zonjën Balluku, do të thosha që  është një cështje që do bëjë test kritik për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit...Kjo çështje ka pasur një vëmendje gjatë takimeve që ne kemi pasur. Unë nuk jam në pozicionin për ta komentuar.  Por kjo nuk është thjesht një çështje ligjore por edhe e përgjegjshmërisë politike që duhet të zgjidhet nga qeveria shqiptare", tha ai. /ZËRI

Poll

MOS HUMB