18 vite pas në kohë! Rrugëtimi mes luftës për Kosovën e Pavarur ngre 'peshë' sheshin e Prishtinës
KOSOVË-Emocione, festë, marshim, flamuj të UÇK-së, Kosovës, Shqipërisë dhe pankarta me mesazhe për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare...kjo është pamja e sheshit të Prishtinës, ku mijëra shqiptarë janë bërë bashkë në ditën e 18-vjetorit të Pavarësisë.
Kosova kërkon sot edhe drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria Speciale ka kërkuar 180 vite burg në total për Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin (nga 45 vite secili). Sheshi i Prishtinës është mbushur me mijëra shqiptarë, teksa para tyre është shfaqur në ekran rrugëtimi mes luftës për Kosovën e Pavarur.
Një tjetër moment prekës, ishte ai kur Hashim Thaçi sot para gjykimit në Hagë, 18-vite para lexonte si kryeministër i asakohe deklaratën e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, në orën 15:39. Ky moment u shfaq në ekranin e madh të vendosur para shqiptarëve të cilët kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria Speciale ka kërkuar 180 vite burg në total për Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin (nga 45 vite secili).
/ZËRI
"Drejtësi, jo politikë"! Marshim në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë, "pushtohet" sheshi në Prishtinë
PRISHTINË- Qytetarët nga i gjithë vendi kanë filluar të mblidhen në sheshin "Skëndërbeu" në Prishtinë, ku do të marshojnë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Me moton "Drejtësi, jo politikë", dhe me flamujt e UÇK-së ne duar, qytetarët kanë mbushur sheshin, ku pritet t'u bashkohen edh figura të larta shtetërore.
Të pranishëm në shesh me qytetarët, janë edhe figura politike si Vjosa Osmani, Ali Ahmeti, Taulant Balla etj.
Marshimi organizohet nga platforma “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Katër ish-çlirimtarët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. Gjykata Speciale ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin, në një total prej 18 vitesh. /ZËRI
18-vjetori i Pavarësisë! Trump i dërgon letër Osmanit, urime edhe nga Mbreti Charles III dhe liderët e BE
KOSOVË-Në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka marrë letra urimi nga liderët e Europës, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trum në letrën e tij drejtuar Presidentes Vjosa Osmani, përgëzon popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Trump e ka felenderuar ndërkohë Vjosa Osmanin dhe popullin e Kosovës për mbështetjen e përpjekjeve amerikane për paqe, si dhe ka mirëpritur Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, i cili siç thiotë, synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë.
Letra urimi janë dërguar edhe nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III. Mbreti thekson miqësinë e qëndrueshme mes dy vendeve dhe shpreh vullnetin për të forcuar më tej bashkëpunimin në të ardhmen. Ai nënvizon rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe angazhimin për një partneritet edhe më të ngushtë.
Urimet nuk kanë munguar as nga Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, për Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Në letrat e tyre, liderët kanë përcjellë urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.
18 vite shtet! Mbahet seanca solemne në Kuvend, Osmani: U fitua me mund e gjak. Begaj: Shqipëria është shtëpia juaj
KOSOVË-Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca solemne me rastin e kremtimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në këtë seancë ku është prezent edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka marrë fjalën presidentja Vjosa Osmani, e cila vuri theksin në përpjekjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për arritjen e lirisë por dhe kontributin për shtetbërjen.
Vjosa Osmani: 18 vjet më parë Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet, rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. 18 vjet më parë Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë e të dhimshëm. Pavarësa u fitua me mund, gjak e sakrificë e durim shekullor. U ndërtua nga ata që u persekutuan, dëbuan burgosën, dëbuan dhe asnjëherë nuk u nënshtruan. Sot përulemi para kujtimit të të gjithë burrave e grave që ranë për këtë ditë, që Kosova të jetë republikë. UÇK është ideali më i madh që ka ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Kjo luftë ishte e drejtë, e pastër dhe e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë, relativizuar apo barazuar viktimën me agresorin është e padrejtë por edhe e pavërtetë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK sot në Hagë së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë u ngritën për liri, dinjitet për të jetuar të lirë në atdhe. Çdo përjekje për ta barazuar luftën tonë me krimet gjenocidiale të Serbisë jo vetëm që minon drejtësinë por edhe dmton thelë themelet e paqes afatgjatë në rajonin tonë.
Ndërkohë presidenti Bajram Begaj gjatë senacës solemne në Kuvendin e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë dha mesazhin "Shqipëria është krah Kosovës". Begaj tha se lufta ish-krerët e UÇK-së, për të cilët Prokuroria e Hagës ka kërkuar 180 vite burg, po përballen me akuza të montuara.
Bajram Begaj: Ju uroj gëzuar ditën e pavarësisë, çdo shqiptar, kudo ndodhet, çdo familje shqiptare, sot ndihet pjesë e festës, gëzimit, urimit dhe krenarisë. Sot është ditë e madhe, sot Kosova mbush 18 vjeç. Në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë, momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësisë. Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, shtet sovran, sot është vendi ku liria frymëzon. Kosova është shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella kontributesh e sakrificash. Ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes, pa harruar themelet me të cilat u ndërtuar, intelektualët dhe luftëtarët. Luftuan me sukës për ideale të mëdha, lirinë, të drejtat e tyre, identitetin kombëtar shqiptar dhe mbijetesën. Ky popull ka treguar se është qëndrestar dhe i pathyeshëm. Kosova ishte me fat që i pati, i rriti i besoi, dhe i mban siç e meritojnë, simbole frymëzuese të Republikës së Kosovës. Kosova është histori që bën krenar kombin tonë dhe ata që luftuan, por edhe miqtë e partnerët tanë strategjikë, sidomos SHBA dhe bashkësinë perëndimore. Për herë të parë, NATO përdori nenin e angazhimit duke parandaluar katastrofën humanitare, gjenocidin dhe dëbimin kolektiv të qytetarëve të Kosovës, duke mundësuar rikthimin në tokën e tyre, në familjen e vlerave europiane. Zërat tona janë me dëshmorët e lirisë, por sot mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me betejë të vështirë, të padrejtë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Kosovës nuk mund të shkruhet pa emrat e Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit dhe bashkë luftëtarëve të tyre. Ata që udhëhoqën popullin drejt lirisë, po përballen me akuza të montuara duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar. UCK që mori armët për të kërkuar lirinë, do jenë simbole të lirisë. E vërteta nuk mund të tjetërsohet, historia nuk mund të rishkruhet, sepse liria ka emër, liria meriton drejtësi, liria meriton mirënjohje. Shqipëria është me UÇK, qytetarët e Kosovës. Shqipëria ka qëndruar pranë Kosovës, qëndron sot krah Kosovës dhe do të qëndrojë jetë e mot me Kosovën. Ne jemi një komb, Shqipëria është shtëpia juaj, Kosova është shpirti ynë.
Mes protestës dhe gjyqit në Hagë! Kosova feston 18-vjetorin e Pavarësisë!
KOSOVË-Sot bëhen 17 vjet që kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Pasditen e 17 shkurtit të vitit 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës në Prishtinë shpalli zyrtarisht Pavarësinë, një hap historik i cili ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë me me vuajtje dhe sakrifica.
Ligjshmëria e pavarësisë për një kohë të gjatë ka qenë temë e diskutueshme, pasi Serbia ka kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës duke e cilësuar të paligjshme. Për këtë ajo kërkoi edhe opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 2008, kërkesë që u hodh poshtë më 22 korrik 2010.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë, ata vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (’97-’99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.
Më 18 shkurt 2008 presidenca e Bashkimit Evropian vendosi që vendet anëtare të ishin të lira për të vendosur nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Shumica e vendeve të unionit evropian e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ende nuk e njohin atë.
18-vjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës. Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit. Por, nuk është ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës etj.
Sot dita e pavarësisë i gjen ish-krerët e UÇK-së përballë gjyqit në Hagë, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Sot zhvillohet seanca e shtatë e deklaratave përmbyllëse që tashmë ka kaluar te pyetjet e gjykatës.
Prokuroria Speciale ka kërkuar 180 vite burg në total për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin (45 vite secili). Në mbështetje të ish-krerëve, sot në orën 14:00 në Prishtinë, platforma “Liria ka Emër” ka thirrur një protestë ku do të marrin pjesë edhe figura të larta shtetërore.
Monumenti ikonik i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, është shndërruar sërish në qendër të reagimeve qytetare në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Në një komunikatë të kësaj platforme thuhet se pas “burgosjes” simbolike me rrethoja hekuri dhe mbishkrimit “Kosova e burgosur!”, këtë mëngjes atij iu vendosën edhe 5000 emblema magnetike të UÇK-së.