Shqipëria në Bordin e Paqes me ftesë të Trump, Kuvendi ratifikon marrëveshjen me 110 vota pro
TIRANË- Kuvendi ka miratuar në seancën e sotme projektligjin për aderimin e Shqipërisë në "Bordin e Paqes" me 110 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim. Opozita gjithashtu ka bashkuar votat me mazhorancën për të votuar nismën e ndërmarrë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ndërkohë që i vetmi që abstenoi ishte deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muci.
Ndërkohë, gjatë kësaj seance janë rrëzuar 3 amendimet e propozuara nga Partia Demokratike, lidhur me këtë projektligj. Amendamenti i opozitës për të hequr emrin e Edi Ramës nga titulli i projektligjit u rrëzua me 79 kundër, 30 pro dhe 0 abstenime.
Më herët, Presidenti Bajram Begaj autorizoi kryeministrin Edi Rama për të nënshkruar marrëveshjen e Bordit të Paqes. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i qeverisë u shpreh se pritet të shkojë personalisht në Shtëpinë e Bardhë, për të nënshkruar përfshirjen e Shqipërisë në këtë bord./ZËRI
“Do të fitojmë apo jo?! Po, po!”, Rama qesh në Kuvend: Lali Eri në burg pa prova! SPAK, sporteli ku lihen letrat e popullit
TIRANË-Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit i ka dolë sërish në mbrojtje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të cilin tha se po mbahet në burg pa prova.
Edi Rama: Do të fitojmë apo jo, po, po, po! (Qesh) Në fillim thatë nuk ka ftesë, se unë jam mësuar me ju, ua jap pak nga pak. Doli ftesa, jo po këtë ftesën e ka gjithë bota. Tani thonë nuk je tek bordi, ok. Por u ngatërruat se nuk e dini si strukturohen grupet ndërkombëtare, kanë një organigramë që nuk e kuptoni. Do ngrini kartonin dhe do votoni Bordin e Paqes dhe mua si përfaqësues i Bordit të Paqes në Shtëpisë së Bardhë, sot do ngrini kartonin. Ne detyruam presidentin Trump që të më pranojnë pa pagesë. SPAK është bërë si sportele. Ka qenë një sportel pas kryeministrisë kur bënim stërvitje dhe aty liheshin; letrat nga populli. Kështu është bërë SPAK. Dhe Tony Blair keni çuar në SPAK. S’doli gjë! Tani çoni prapë Tony Blari se kush e di del ndonjë provë si ato që mbajnë në burg pa gjyq lali Erin për të cilin janë shkruar tre volume.
Rama ironi të fortë me opozitën: Ju fituat, po votoni që unë të vetëdorëzohem në SHBA, por si anëtar i Bordit të Paqes
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë ironi me opozitën në Kuvend, që sipas tij pretendonte se ai do të arrestohej si Maduro, por në fakt sot do të votojnë për ta dërguar në SHBA, si përfaqësues të Shqipërisë në Bordin e Paqes. Rama tha se opozita korr vetëm fitore imagjinare, ndërsa ironizoi dhe përpjekjet e tyre që në Kongresin Amerikan të flitet për tenderat e AKSHI-t. Kryeministri shqiptar komentoi po ashtu dhe për statusin non grata, që sipas opozitarëve do i hiqej Berishës dhe do i vendosej atij.
Pjesë nga fjala e Ramës: Sot ky Kuvend mblidhet për të ratifikuar një akt të vullnetit të mirë të cilin Shqipërisë në radhë të parë kësaj shumice qeverisëse në emër të këtij vendi dhe sigurisht krejt Kuvendit, i takon ta bëjë sa herë vjen në tryezë tema e paqes. Ne shumica kuvendore e Shqipërisë për tre mandate të plota e kemi bërë zëdhënësin dhe punëtorin e paqes në këtë rajon të trazuar edhe kur kjo është dukur dhe madje është komentuar si tradhti. Ne e kemi çuar Shqipërinë e përkushtuar për paqen deri dhe në krye të OSBE-së, apo në tryezën e KS të OKB ku kemi nderuar flamurin dhe kombin shqiptar.
Ju fituat se për muaj me radhë thatë se Amerika do më bënte mua gjyqin. Ju fituat sepse e parlamëruat popullin që mua do më thërrisnin në Amerikë më 20 janar. Ju festuat arrestimin e Maduros dhe ju thatë shqiptarëve ishte provë për arrestimin e Ramaduros. Unë me ju nuk tallem, nuk tallem, kurrë me fitoret tuaja. Sot ju do të votoni të vërtetën e madhe që unë nuk do ta uroj ushtrinë amerikane të bashkohet me protestën tuaj nga tarraca e kryeministrisë, sepse do dorëzohem vetë paqësisht. Do të vijnë të më marrin me eskortë dhe të më çojnë në Shtëpinë e Bardhë për të më ulur si anëtar të Bordit të Paqes.
Ju prisni të fitoni me helikopterë të ushtrisë amerikane, por jo se unë do dorëzohem vetë. Fituat edhe këtë herë. Në fillim thashë që nuk është ftesë, unë jam mësuar me ju, ua jap pak nga pak, se po mbyteni. Larg qofshi të mbytur. Doli ftesa, thatë; këtë ftesë e ka gjithë bota. Tani thatë: “Nuk je te bordi.” Ok, ok! Rëndësi ka që do ngrini kartonin me votën tuaj dhe do të miratoni Bordin e Paqes. Sot do ngrini kartonin, do fitoni, po apo jo? Po, po! Ju denoncuat aferën 1 miliard dollarë që ua premtova seksereve të vendit, por denoncimi juaj më detyroi të hiqja dorë dhe Trump u detyrua të më pranonte pa pagesë.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Bordin e Paqes, ka ndezur sot Kuvendin, me socialistët që e kanë futur relacionin me procedurë të përshpejtuar. Në Komisionin për Politikën e Jashtme, u rrëzuan amandamentet e PD, që kërkoi që Shqipëria të përfaqësohej nga presidenti Begaj dhe jo nga kryeministri. Vetë Rama i pranishëm në seancë, dha sqarime se pse nuk ishte i pranishëm sot në Davos, ku Trump nënshkroi marrëveshjen me 19 shtete, përfshirë dhe Kosovën./ZËRI
“Nuk është çështje partie”, Spiropali për Bordin e Paqes: Ftesa e Trump për Ramën jo e zakonshme…
TIRANË- Ditën e sotme u miratua me 13 vota pro projektligji për Bordin e Paqes për Gazën, në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit. Pas votimit në Komisionin e Jashtëm, ky projektligj u diskutua edhe në seancën plenare.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj theksoi se pjesëmarrja në këtë mekanizëm nuk është një çështje partie, por një çështje shteti, e cila mbetet e rëndësishme pavarësisht se kush drejton qeverinë.
Ajo theksoi se Bordi i Paqes lind në një kohë të vështirë, ku ndryshimet globale po ndodhin me shpejtësi dhe ku konfliktet e vjetra po thellohen, duke rritur nevojën për qasje të reja dhe për përgjegjësi reale nga vendet që ulen në tryezën ndërkombëtare.
Spiropali: Pak ditë më parë, Donald Trump i ka drejtuar kryenminsitrit Edi Rama një ftesë që nuk është e zakonshme, një ftesë që e pozicionon vendin tonë si anëtare themeleuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar, Bordi i Paqes. Për të qenë aty që në fillim, në ndërtimin e këtij mekanizmi. Kjo nuk është çështje partie, është çështje e shtetit shqiptar. Në këtë sallë kemi dallime politike, kjo është normale. Por ka momente kur këto dallime nuk na ndihmojnë dhe ky është njëri prej tyre. Sot Shqipëria ka nevojë për qetësi, maturi, unitet. Ky është një vendim që do të mbetet në kohë pavarësisht se kush është sot në qeveri. Bordi i Paqes nuk lind në një kohë normale, lind në një kohë që po ndryshon shpejt. Konflikte të vjetra nuk po mbyllen, por po thellohen. SHBA në këtë realitet ka zgjedhur një qasje të re, një qasje që kërkon përgjegjësi reale nga ata që ulen në tryezë.
Sot nuk ka rëndësi sa i madh je në hartë, por sa i besueshëm je në sjellje, sa koherent je në aleanca. Shqipëria e ka ndërtuar këtë besueshmëri. Ajo nuk ka ardhur vetvetiu ka ardhur nga një orientim i qartë, partneriteti me SHBA. Ky partneritet nu kështë slogan, është histori konkrete. Kjo besueshmëri nuk është abstrakte, lidhet me një drejtim që ka pasur Shqipëria në këto vite dhe mënyrën se si Rama e ka përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, me guximin për të krijuar aleanca aty ku të tjerët shihnin vetëm kufij, me aftësinë për të krijuar besim aty ku të tjerët shikonin vetëm formalitete diplomatike dhe me vendosmërinë për të mbajtur Shqipërinë në anën e duhur të historisë.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Bordin e Paqes, ka ndezur sot Kuvendin, me socialistët që e kanë futur relacionin me procedurë të përshpejtuar. Në Komisionin për Politikën e Jashtme, u rrëzuan amandamentet e PD, që kërkoi që Shqipëria të përfaqësohej nga presidenti Begaj dhe jo nga kryeministri. Vetë Rama i pranishëm në seancë, dha sqarime se pse nuk ishte i pranishëm sot në Davos, ku Trump nënshkroi marrëveshjen me 19 shtete, përfshirë dhe Kosovën./ZËRI
Pse nuk ishte në Davos për të firmosur marrëveshjen me Trump? Rama: Zgjodha vajzën, me lejen e tij…
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në Kuvend, ku dha sqarime në lidhje me mungesën e tij në Davos, për të firmosur marrëveshjen me presidentin amerikan Donald Trump, për Bordin e Paqes.
“Isha në mes të një dileme nëse duhet ti përgjigjesha babait, apo të prisja vajzën. Natyrisht që vajzën e zgjodha me lejen e babait. Prisja nga zoti Mediu, që të hidhte poshtë pretendimin e Britanisë dhe të mbante anën e Amerikës. Zoti Mediu rrini i qetë, analizat i kanë bërë ata që na ftuan”, u shpreh Rama.
Rama iu përgjigj interesimit të deputetëve të pranishëm në sallë, mes tyre dhe Erald Kaprit, i cili solli shembullin e presidentes së Kosovës, e cila ishte pranë Trump në Davos.
“Duke përfituar nga rasti që kemi kryeministrin në sallë, dua mendimin e tij nëse është krenar sot që presidentja e Kosovës ndodhet në nënshkrimin e Bordit të Paqes, ndërsa kryeministri i Shqipërisë nuk ndodhet në Davos për të firmosur”, u shpreh Kapri.
Ai theksoi se pritshmëritë kanë qenë që Shqipëria të ishte e pranishme në Davos, pasi sipas deklarimeve zyrtare, vendi ynë është konsideruar si një nga themeluesit e kësaj nisme. Kapri iu referua gjithashtu deklaratës së kreut të grupit parlamentare të PS-së, Taulant Balla, sipas të cilit Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka marrë një ftesë të tillë. /ZËRI
Bordi i Paqes, Presidenti Begaj lëshon autorizimin për përfaqësimin e Shqipërisë nga kryeministri Rama
TIRANË- Presidenti Bajram Begaj ka lëshuar autorizimin për përfaqësimin e Shqipërisë nga Kryeministri Edi Rama në Bordin e Paqes së iniciuar nga presidenti i SHBA, Donald Trump.
AUTORIZIM PËR LËSHIMIN E PLOTFUQISË PËR NËNSHKRIM MARRËVESHJEJE
Në mbështetje të nenit 92, shkronja “e”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 5, pika 2, si dhe nenit 6, pika 1 dhe 3, të ligjit nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, autorizoj Sh.T.Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, për nënshkrimin e “Marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes”, miratuar në parim me vendimin nr. 45, datë 21.1.2026, të Këshillit të Ministrave.
Kompetencat, të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga lëshimi i kësaj plotfuqie, si dhe përfaqësimi i Republikës së Shqipërisë sipas këtij autorizimi, nuk mund të delegohen te asnjë autoritet apo organ tjetër publik. Ushtrimi i tyre nga autoriteti i përcaktuar në këtë autorizim është i detyrueshëm, në përputhje me ligjin.
“Sazanin ia dhamë unë e Nano Berlusconit”, Berisha: Mbështesim projektet e Kushner në Shqipëri
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi investimet amerikane në Jug të vendit nga kompania e dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, të cilat tha se i mbështet. Jashtë ambienteve të Kuvendit, Berisha u shpreh se edhe ai e ka ofruar ishullin e Sazanit tek Berlusconi, por për shkak të krizës financiare që preku Italinë, projekti dështoi. Sipas Sali Berishës, Rama nuk e firmosi marrëveshjen para se Donald Trump të zgjidhej presidenti i SHBA-ve.
“Sa i përket Zvernecit është një çështje private me pronarët. Nuk do të jetë dhënë tokë publike. Sa i takon Sazanit, ne i mbështesim investimet Amerikane, por ky e bëri për influencë politike, por dështoi. Po të mos dështonte nuk merrte të bënte gazin e dheut Presidentin amerikan. Sazanin edhe qeveria ime e ka ofruar. Ai ka qenë një ishull aspak i lakmueshëm, e ofroi Fatos Nano para meje, e ofrova unë, ra kriza. Mikut të shquar të kombit shqiptar Silvio Berlusconi, e pranoi por erdhi kriza financiare. Nëse bëhet unë nuk kam kundërshtim. Sazanin e ka ofruar Fatos Nano, Sali Berisha dhe janë bërë projektet nga Berlusconi, Sazanin e ofroi ky dhe ky gjeti Kushner, i cili erdhi me një fond shumë të madh, por çfarë bëri ky? Nëse marrëveshja ishte që ta firmoste para zgjedhjes së Trump, ky mashtroi dhe nuk e firmosi para zgjedhjeve”, tha mes të tjerave Berisha.
PYETJE PËRGJIGJET ME GAZETARËT
Po falja e Sazanit dhe Zvërnecit a është një përpjekje e kryeministrit Edi Rama për të korruptuar familjen Trump dhe pse nuk e denoncon opozita këtë?
Sali Berisha: Jo, janë të ndryshme Ambrozia. Për sa i përket Zvërnecit është një çështje private. Unë nuk di të jetë dhënë tokë publike aty, por do ta shohim. Për sa i përket Sazanit, e kam deklaruar,deklarata ime është kjo: ne mbështesim investimet amerikane, por natyrisht ky e bëri atë për influencë politike. I sigurt që dështoi, sepse po të mos dështonte, nuk merrte përsipër të përpiqej të bënte gazi i dheut presidentin e SHBA në një samit që u bë kryelajm i atij samiti. Ndaj dhe këtu duhet t’i ndajmë gjërat. Zvërneci është investim publik. Sazanin ai e dha, por po të më çosh pak më tutje, mund të them disa gjëra të tjera, të palidhura me këtë.
Si rregull a nuk duhet opozita t’i kërkojë kryeministrit Edi Rama se mbi ç’baza po e negocion këtë marrëveshje? Pak a shumë siç keni bërë me Portin e Durrësit. Pse për Sazanin keni një lloj menefregizmi?
Sali Berisha: A doni të jemi i sinqertë? Sazanin edhe qeveria ime e ka ofruar. Unë nuk mund të mos jem ai që jam. E kemi ofruar, sepse në kohën kur ne kemi bërë vlerësimin, ai ka qenë një ishull aspak i lakmuar. E ofroi Fatos Nano para meje. E ofrova unë, ra kriza. Ia ofrova mikut të shquar të kombit shqiptar, Silvio Berluskoni. E pranoi dhe bëri projektin. Bëri një projekt shumë të mirë, por erdhi kriza financiare. Aty janë dokumentet. Pse e ofruam? Sepse nuk është i lehtë për t’u zhvilluar. Tani fondet janë shumë të mëdha sepse sipas asaj që kam dëgjuar janë dy miliardë euro të fondit sovran arab. Në qoftë se bëhet, unë nuk kam asnjë kundërshtim.
Por çfarë marrin shqiptarët sepse po falim diçka për llogari politike dhe akses tek presidenti Trump?
Sali Berisha: Sazanin e ka ofruar Fatos Nano. E ka ofruar Sali Berisha dhe janë bërë projektet nga i ndjeri Silvio Berluskoni. Sazanin e ofroi ky. Dhe ky gjeti Xhared Kushner, i cili erdhi me një fond shumë të madh. Por çfarë bëri ky? Në qoftë se marrëveshja ishte që ta firmoste para zgjedhjes së presidentit Trump, ky mashtroi. Ky nuk e firmosi para zgjedhjes së presidentit dhe ky u përpoq gjer në fund ta përdorë atë për të paktën edhe një fotografi me Lindën. A e dëgjuat atë që tha mbrëmë se i rrodhi ajo? Të paktën një fotografi me Lindën të kemi. Ajo nuk ndodhi.
A fiton kapital politik Edi Rama nga kjo marrëveshje?
Sali Berisha: Nuk ka gjë në botë që t’i japë më kapital Edi Ramës. Në qoftë se ka një figurë të nxirë. A e di kur ishte mirë Edi Rama? Kur ishte Maduro në pushtet. Se thoshin është Ramduro, por është edhe Maduro. Maduro iku, tani ky ka mbetur i vetëm. /ZËRI
Bordi i Paqes! Balla ftesë historike! Bardhi: Jemi pro anëtarësimit, por procedura e përshpejtuar shkel Kushtetutën (PS e voton)
TIRANË- Seanca e sotme në Kuvend, do të jetë e ndarë me disa pjesë, ku pritet që të kalohet me procedurë të përshpejtuar dhe projektligji i depozituar nga qeveria, në lidhje me ftesën e presidentit të SHBA, Donald Trump, që Shqipëria të jetë pjesë e Bordit të Paqes.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla e quajti ftesën një vlerësim historik për Shqipërinë dhe i kërkoi opozitës që t’i bashkohet mazhorancës në votim.
“Sot, Kuvendi i Shqipërisë thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike që shkon përtej rendit të zakonshëm. Republika e Shqipërisë dhe Kryeministri i saj, Edi Rama, janë ftuar të jenë vend anëtar themelues të Bordit të Paqes. Kjo shënon një moment të paprecedentë pozitiv, ku vendi ynë shihet si aktor që kontribuon për paqen dhe jo si pjesë periferike për zgjidhjen e tyre. Kjo nuk është diçka e zakonshme, nuk është formale dhe as simbolike. Në letrën zyrtare, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e cilëson këtë nismë si përpjekje madhore për ndërtimin e paqes, orientuar drejt rezultateve konkrete për të sjellë paqe kudo ku ka konflikte në botë. Prandaj, kolegë dhe kolege deputetë, Bordi i Paqes, sipas kartës që do të shqyrtojmë sot në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, është organizmi i duhur kombëtar që synon stabilitetin dhe ku paqja kudo në botë të jetë e qëndrueshme.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme do të bëjë prezantimin e plotë të kësaj karte dhe përfaqësimin e Shqipërisë nga Kryeministri Edi Rama, duhet ta dimë rëndësinë e fillimit sa më parë të punës së këtij Bordi, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga Kryeministri Edi Rama.
Pikërisht në këtë frymë, Shqipëria jonë është ftuar të jetë, jo më si dikur, si një vëzhguese, por si një bashkë-arkitekte themeluese të një organizmi të ri ndërkombëtar për paqe.
Vota sot do të jetë një test tjetër i konfirmimit të marrëdhënieve me SHBA-në dhe që ne nuk kemi ndasi me njëri-tjetrin. Shpresoj të jetë një votë unanime e të gjithë deputetëve të Kuvendit. Fakti që Shqipëria ftohet si anëtare themeluese, i jep vendit ton një rol aktiv në Bordin e Paqes.
Ky besim nuk është i rastësishëm, por i një udhëheqje të një politike të jashtme të suksesshme. Opozita nuk ftohet për të votuar një parti, nuk po votojmë një mazhorancë apo opozitë, por votohet për Shqipërinë”, tha Balla.
Ndërkohë që kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se opozita është pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, por tha se procedura e ndjekur, ajo e përshpejtuar, është në shkelje të Kushtetutës.
“Jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe i kërkojmë presidentit që të japë miratimin që të hyjë në fuqi menjëherë. Kjo marrëveshje që ne miratojmë pas 12 orëve, hyn në fuqi pas 35 ditëve. Na thoni, ku e ke i urgjencën? Ndërkohë që kemi shansin të respektojmë Kushtetutën. Gjatë kësaj jave i kërkojmë miratimin Preidentit që të na japë autorizimin që ligji të hyjë në fuqi dhe e bëjmë efektive benda një jave. Zbatoni Kushtetutën dhe e bëjmë efektive marrëveshjen brenda 7 ditëve. Pse duhet të shkelni rregulloren, ne jemi kundër kërkesës për procedurë të përshpejtuar”, tha ai.
Pas debateve, Kuvendi miratoi me 80 vota pro dhe 22 vota kundër, kërkesën për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se me miratimin e kërkesës për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar u vendos që projektligji të diskutohet dhe të miratohet brenda kësaj seance plenare.
Peleshi theksoi se, përpara se të niste shqyrtimi dhe votimi i projektligjit, ishte e domosdoshme mbledhja e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme për shqyrtimin e tij.
Ai bëri të ditur se Komisioni do të ketë në dispozicion 1 orë e 20 minuta për shqyrtimin e projektligjit dhe se në orën 12:00 seanca plenare do të rifillojë për diskutimin dhe miratimin e tij./ZËRI
Shqipëria në Bordin e Paqes, ‘hija’ e Trump ‘i mbyll gojën’ opozitës në Shqipëri, Mediu: Do ta votojmë me të dyja duart…
TIRANË- Qeveria miratoi dje aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas ftesës së presidentit Donald Trump në drejtim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa relacioni kalon sot për votim në Kuvend me procedurë të përshpejtuar. Shqipëria bëhet kështu vendi i parë në botë, që miraton ligjërisht pjesëmarrjen në një Bord që ende nuk është ngritur, dhe ku shumë shtete kanë pikëpyetjet e tyre në lidhje me qëndrimin që do të mbajnë ndaj ftesës së Trump. Por pavarësisht procedurës së përshpejtuar, që është nisur nga qeveria, duket se dhe opozita në Shqipëri, i druhet një vote jo, me frikën se një qëndim i tillë do të nxiste një bllokadë të tyre në Uashington, gjithnjë nëse kanë raporte me zyrtarë amerikanë. Edhe pse zëra periferikë nga radhët e opozitës, kanë pretenduar se Rama po shfrytëzon ftesën që i është bërë Shqipërisë, për të pastruar imazhin e tij personal, zyrtarisht Partia Demokratike pritet që të votojë pro pjesëmarrjes së Shqipërisë në bordin e paqes, përfaqësuar nga kryeministri socialist, që në syrin e tyre është një “Ramaduro”.
PD ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancën e nesërme dhe ka deklaruar votën “pro”, për të treguar mbështetjen ndaj partneritetit me SHBA.
“Pavarësisht shkeljes së rregullores dhe faktit që Rama po përdor këtë nismë për propagandë, ne do të jemi në Kuvend për të votuar PRO, si mbështetje ndaj përpjekjeve të Presidentit Trump për paqen dhe sigurinë globale”, thuhet në deklaratën e grupit parlamentar të PD-së.
Ndërkohë që vetë Berisha, i pyetur për qëndrimin që do ta mbajë PD në Kuvend, u tregua i kursyer me gjketjen e fjalëve, duke deklaruar se opozita Shqiptare mbështet përpjekjet e Trump për të vendosur paqen në Gaza.
“Nuk kam asnjë dijeni për këtë. Unë po informohem nga ju. Parimisht opozita mbështet plotësisht përpjekjen dhe vlerësojmë përpjekjen për paqe në Gaza të presidentit Trump. Nuk di cilat janë asgjë tjetër më shumë se kaq. Të dhënat janë të ndryshme megjithatë”, tha ai.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ishte më i qaartë në qëndrimin e tij, kur tha se opozita do të votojë pro pjesëmarrjes me të dyja duart, edhe pse deri tani nuk dihet pothuajse asgjë mbi Bordin e Paqes. Sipas tij, precedenti që mund të vendoset në Gaza përmes këtij bordi, ku marrin pjesë edhe vende si Rusia apo Bjellorusia mund të krijojë kosto edhe në Ballkan.
‘Sot Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka diskutuar për Bordin e Paqes dhe është diskutuar se mund të sjellë paqen në Gaza po qe Rama atje. Ne kemi vetëm shfaqje për të rritur një imazh pa thelb. Pyetja e pare është, çfarë do votojmë, mbi ç’logjikë kushtetuese do votojmë? Nuk ka një dokument legal që votohet. Po them që opozita është pro për Bordin e Paqes, por ajo që më intereson si politikan është të kuptoj se mbi çfarë bazash reale krijohet ky bord paqeje? Do votojmë pjesëmarrjen në çfarë? Është akoma ide. Ajo që mund të ndodhë në Gaza përmes këtij bordi, ku ka edhe vende si Rusia apo Bjellorusia…Precedenti që krijohet në Gaza mund të krijojë kosto edhe në Ballkan. Opozita do ta votojë me të dyja duart, por nuk e di çfarë do votojë’, tha Mediu.
Në relacionin që qeveria i dërgoi dje Kuvendit, thuhej se miratimi i projektligjit nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Megjithatë, anëtarësimi në Bord do të shoqërohet në të ardhmen me kontribute financiare vullnetare, të cilat do të përfshihen në buxhetin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe në planifikimet afatmesme buxhetore 2027–2029.
Për zbatimin e projektligjit ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa për zbatimin e marrëveshjes do të përfshihen edhe Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Marrëveshja për themelimin e Bordit të Paqes është iniciativë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetet nga rezoluta nr. 2803 (2025) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së./ZËRI
Aderimi për në Bordin e Paqes, Kuvendi mblidhet sot në seancë për miratimin
TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot një seancë plenare për ratifikimin e marrëveshjes së aderimit të vendit në Bordin e Paqes për Gazën.
Ditën e djeshme 21 janar, Këshilli i Ministrave miratoi marrëveshjen, e cila në këtë fazë nuk parashikon detyrime financiare për Shqipërinë. Sipas Kartës së Bordit, kontributet do të jenë vullnetare dhe do të përcaktohen në një fazë të mëvonshme. Edhe Partia Demokratike ka bërë të ditur se do ta mbështesë ratifikimin.
Shqipëria do të përfaqësohet në Bordin e Paqes nga kryeministri Edi Rama. Mandati i anëtarësimit do të jetë trevjeçar, me mundësi rinovimi. Raportohet se status të përhershëm do të kenë vetëm shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë gjatë vitit të parë të anëtarësimit, por për këtë pikë kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vendi jonë nuk do të paguajë.
Organizata Bordi i Paqes ka ftuar udhëheqësit e rreth 60 vendeve, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Bordi i Paqes përfshin liderë ndërkombëtarë dhe figura kyçe globale, me synimin për të trajtuar si pasojat e menjëhershme të konflikteve, ashtu edhe shkaqet e thella strukturore që prodhojnë paqëndrueshmëri./ZËRI