LIVE UPDATES

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa kushte të liderit të Iranit: E dimë ku fshihet!

➤Sulmet e ndërsjella me raketa mes Izraelit dhe Iranit vijuan për të pestën ditë radhazi.➤ Në Iran, të paktën 224 persona janë vrarë që nga fillimi i armiqësive. ➤Në Izrael , 24 persona janë vrarë. ➤Presidenti Donald Trump është larguar herët nga samiti i G7 për t'u kthyer me nxitim në Uashington, pasi i ka udhëzuar ekipit të tij që të përpiqet të takohet me zyrtarët iranianë sa më shpejt të jetë e mundur. ➤Trump mohoi se është larguar për të punuar për një armëpushim dhe u tha banorëve të Teheranit që të evakuohen. ➤Izraeli shënjestroi tre objekte dhe shkencëtarë kryesorë bërthamorë iranianë. ➤Izraeli deklaroi se eliminuan Shefin e Shtabit të Përgjithshëm iranian Ali Shadmani.

20 artikuj për këtë temë.
5 ORE ME PARE

"E dimë se ku fshihet Khamenei"/ Irani i përgjigjet Trump: Nuk na paskeni njohur!

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Donald Trump

TEHERAN- "E dimë se ku fshihet Khamenei, por nuk do ta godasim,"-deklarata e presidentit Donald Trump ka marrë një kundërpërgjigje të ashpër nga Irani. Në një postim në faqen zyrtare të internetit të Republikës Islamike të Iranit, Teherani i përgjigjet shkurt dhe prerë paralajmërimeve të Donald Trump.

"Z. Donald J. Trump! Ju ende nuk e keni njohur kombin e madh të Iranit...,"-shkruhet në postimin e parë, por nuk lihet me aq!

Në disa postime të tjera shkruhet: Përfshirja zyrtare e SHBA-së do të thotë se regjimi sionist është i dëshpëruar dhe i kanë mbaruar armët. Nëse Irani kërcënohet nga SHBA-të, atëherë thuajini ‘lamtumirë’ interesave amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katar dhe Kuvajt.

Kjo është hera e parë që Trump nga një kundërpërgjigje nga vetë shteti i Iranit. Mesa duket kërcënimi i lëshuar nga Shtëpia e Bardhë nuk është pritur mirë, edhe pse deri më tani, SHBA është ndalur vetëm në deklarata dhe nuk ka ushtruar asnjë sulm ndaj shtetit të Iranit./ZËRI

5 ORE ME PARE

CNN: Irani është 'vite larg' ndërtimit të armëve bërthamore

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Foto ilustruese

TEHERAN- Pavarësisht pretendimeve të Izraelit se Irani ishte muaj larg ndërtimit të një arme bërthamore, ndaj edhe Forcat Mbrojtëse të Izraelit u "detyruan" të nisnin sulme parandaluese, e vërteta duket se është ndryshe. Vlerësimet e inteligjencës amerikane zbuluan se Republika Islamike ishte vite larg ndërtimit të tillë, siç pretendon Izraeli. Kështu të paktën raporton CNN, duke cituar burime që e kanë lexuar raportin e inteligjencës amerikane.

Duke cituar katër persona, CNN raporton se jo vetëm që Irani nuk ishte pranë ndërtimit të një arme të tillë, por nëse do ta kishte në plan, do i duheshin 3 vite që të ishte në gjendje të prodhonte një armë të tillë. Por Komanda Qendrore e Izraelit besonte se Irani mund të përfundonte ndërtimin shumë më shpejt.

I pyetur nga Fox News të dielën në lidhje me përfundimet e ndryshme rreth aftësive bërthamore të Iranit nga SHBA-të dhe Izraeli, kryeministri Benjamin Netanyahu tha: Informacioni që morëm dhe ndamë me Shtetet e Bashkuara ishte absolutisht i qartë. Ishte absolutisht e qartë se ata po punonin, sipas një plani sekret, për të armatosur uraniumin. Ata po lëviznin shumë shpejt.

Një zyrtar amerikan i cituar në raport tha se zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se, deri më tani, Izraeli mund ta ketë shkurtuar afatin kohor të Iranit për të blerë armën bërthamore disa muaj./ZËRI

 

6 ORE ME PARE

"Daulle lufte" po dëgjohen nga SHBA-të, ç'do vendoset për Iranin?

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Donald Trump

SHBA- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania duket se kanë ndërtuar përsëri një front të përbashkët për Lindjen e Mesme. Pas rrjedhjeve të informacionit nga takimi urgjent me stafin e tij ushtarak në Shtëpinë e Bardhë, duket se presidenti Trump është më afër se kurrë vendimit për t'u angazhuar në luftë me Teheranin. Nga ana tjetër edhe qeveria britanike duket se ka dhënë urdhra të qarta për të përforcuar forcat e saj në Mesdheun Lindor, me më shumë avionë luftarakë dhe personel.

Donald Trump, pak para largimit të tij të nxituar nga samiti i G7, u takua me kryeministrin britanik Keir Stramer. Kthimi i tij në Uashington tregon se janë marrë vendime specifike në lidhje me atë që po ndodh midis Iranit dhe Izraelit. Përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-së në një luftë me Iranin sjell në pah "kujtimet" e Luftës së Parë të Gjirit në vitin 1990 dhe operacionit të përbashkët SHBA-Britani në Irak në vitin 2003.

Ndërkohë nga ana tjetër, Irani, përmes Shefit të Shtabit të Ushtrisë, bëri thirrje për evakuimin e menjëhershëm të Tel Avivit dhe Haifës, ndërsa theksoi se bombardimet që kishin ndodhur deri më sot, ishin thjesht "paralajmërime", në krahasim me ato që pritet të ndodhin kundër Izraelit./ZËRI

8 ORE ME PARE

Trump: E dimë se ku fshihet Khamenei, nuk do e vrasim (për momentin)!

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Donald Trump

SHBA- Tensionet sa vijnë dhe shtohen për atë që po ndodh mes Izraelit dhe Iranit. Por edhe presidenti amerikan, Donald Trump, nuk po ndihmon me deklaratat e tij. Në një postim në Truth Social, Donald Trump theksoi se amerikanët e dinë se ku fshihet lideri i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Ky ishte një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj tij. Por, Trump shtoi se nuk është në planet e tyre që ta vrasin...të paktën ende jo.

"Ne e dimë saktësisht se ku fshihet i ashtuquajturi "Udhëheqës Suprem". Ai është një objektiv i lehtë, por është i sigurt atje - Ne nuk do ta neutralizojmë (vrasim!), të paktën jo për momentin. Por ne nuk duam raketa kundër civilëve apo ushtarëve amerikanë. Por durimi ynë po mbaron. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!" shkroi ai në rrjetin e tij social, ndërsa në një postim të mëvonshëm, i bëri thirrje Khamenei që të "dorëzohej pa kushte".

Izraelitët që nga nisja e sulmit kanë vendosur, në thelb, tre objektiva: shkatërrimin e arsenalit bërthamor iranian, eliminimin e programit bërthamor iranian; dhe përmbysjen e mundshme e regjimit teokratik iranian, një përmbysje që mund të vijë nën peshën e efekteve që konflikti aktual do të ketë në aparatin shtetëror. Në kontekstin e pikës së tretë, izraelitët tani po shqyrtojnë madje edhe mundësinë e vrasjes së vetë udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei. Por ky opsion deri më tani është bllokuar me veto nga vetë presidenti amerikan, Donald Trump, i cili nuk e ka dhënë miratimin e tij për këtë plan./ZËRI 

8 ORE ME PARE

Si i parashikojnë 'pizza-t' konfliktet botërore?

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Foto ilustruese

SHBA- Një lloj tjetër diagrami po përdoret për të parashikuar krizat globale. Shtimi i udhqimeve të porositura në Pentagon është bërë një parashikues çuditërisht i saktë i ngjarjeve të mëdha gjeopolitike. Aq i saktë është saqë njihet "Indeksi i Pizzave të Pentagonit". Edhe rasti i fundit vetëm sa e provon këtë teori!

Duke ndjekur aktivitetin në piceritë lokale në Qarkun Arlington, llogaria në "X", e quajtur "Pentagon Pizza Report" vuri re një rritje të aktivitetit nga katër piceri pranë Pentagonit më 12 qershor. U zbulua se pati porosi më shumë se zakonisht, rreth orës 7.00 të mbrëmjes.

Kjo ndodhi vetëm disa orë para se të përhapej lajmi për sulmin e Izraelit ndaj Iranit. Por fuqia parashikuese e picës nuk është një teori e re. Siç shkroi në LinkedIn, Alex Selby-Boothroyd, gazetar i "The Economist", kjo metodë është përdorur edhe shumë kohë më parë.

“Indeksi i Pizza-s të Pentagonit ka qenë një parashikues çuditërisht i besueshëm i ngjarjeve globale - nga grushtet e shtetit te luftërat - që nga vitet 1980.”

Gjatë Luftës së Ftohtë, thuhet se operativët sovjetikë monitoruan aktivitetin e shpërndarjes së picave në Uashington, duke besuar se një rritje e papritur e kërkesave gjatë natës sinjalizonte se personeli ushtarak po punonte jashtë orarit. Ata i vunë edhe një emër të koduar: Pizzaint!

Në janar të vitit 1991, Frank Meeks, i cili në atë kohë zotëronte 43 pika shitjeje Domino's në zonën e Uashingtonit, i tha Los Angeles Times: Media nuk e di gjithmonë kur do të ndodhë diçka e madhe sepse janë në shtrat, por shpërndarësit e picave janë atje në orën 2 të mëngjesit.

Ai shtoi se natën e 1 gushtit 1990, CIA porositi një numër rekord picash në një natë të vetme - 21 të tilla. Disa orë më vonë, forcat irakiane pushtuan Kuvajtin, duke shënuar fillimin e Luftës së Gjirit. 

Por Pentagoni e hodhi poshtë teorinë, duke vënë në dukje se ata kanë shumë mundësi për t'u ushqyer brenda ndërtesës së tyre, madje konsumojnë sushi, sanduiçe dhe petulla. 

Megjithatë, teoria qëndron!/ZËRI

8 ORE ME PARE

Izraeli paralajmëron sulme “të mëdha” në Teheran

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Foto ilustruese

TEL AVIV- Izraeli ka paralajmëruar se sulme “të mëdha” në Teheran janë në ardhje, derisa presidenti amerikan, Donald Trump pritet të takohet me Këshillin për Siguri Kombëtare, pasi ka bërë thirrje për “përfundim të vërtetë” të sulmeve ajrore vdekjeprurëse që kanë këmbyer armiqtë e përbetuar për pesë ditë me radhë. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se ushtria e shtetit të tij do të lëshojë paralajmërime tjera për banorët e Teheranit, para sulmeve që pritet të kryhen më 17 qershor.

“Ne do të sulmojmë shënjestra shumë të rëndësishme në Teheran sot… ne do të vazhdojmë me goditje të rënda kundrejt Iranit”, ka thënë Katz.

Paralajmërimet kanë ardhur teksa mediat iraniane kanë raportuar për disa shpërthime në qytetin e Isfahanit, ku gjenden disa qendra bërthamore. Ndërkohë, sirenat ajrore janë dëgjuar nëpër Tel Aviv, për t’i paralajmëruar banorët për ndonjë sulm të mundshëm iranian. Teksa është larguar nga samiti i shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7), të mbajtur në Kanada, Trump është shprehur i zemëruar ndaj Teheranit pse nuk ka arritur marrëveshje për programin bërthamor, i cili është duke u shënejestruar nga Izraeli, edhe pse Irani pretendon se e ka vetëm për qëllime civile.

“Nuk po kërkoj armëpushim, po kërkojmë diçka më të mirë sesa armëpushimi”, u ka thënë Trump gazetarëve duke u nisur nga Kanadaja për në Uashington, duke e lënë samitin ende pa përfunduar.

Presidenti amerikan ka thënë se qëllimi i tij është “një fund, një fund i vërtetë, jo armëpushim”. Më herët gjatë 17 qershorit, ushtria izraelite ka thënë se e ka vrarë Ali Shadmanin, i cili është emëruar komandant i selisë qendrore Khatam ol-Anbiya, pas vrasjes së gjeneralit Gholam Ali Rashid në sulmet izraelite të 13 qershorit. Irani nuk e ka pranuar vdekjen e Shadmanit, i cili ka qenë gjeneral në Gardën Revolucionare Islamike.

Selia është përgjegjëse për komandën operacionale dhe lideri i tij shërben si zëvendës-komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Iranit. Trump është larguar nga samiti G7 më 16 qershor me një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale, duke paralajmëruar që “secili duhet të evakuohet menjëherë nga Teherani”.

“Irani do të duhej të nënshkruante ‘marrëveshjen’. U kam thënë ta nënshkruajnë. Çfarë turpi dhe humbje e jetëve njerëzore. Thënë qartë, IRANI NUK MUND TË KETË ARMË BËRTHAMORE. E kam thënë disa herë”, ka shkruar Trump në rrjetin social, Truth Social.

Rrjeti televiziv amerikan, CNN e ka cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë të ketë thënë se komenti për evakuim ka qenë presion për Iranin që të negociojë. Edhe ushtria izraelite e ka lëshuar më herët një njoftim, duke u bërë thirrje banorëve të një distrikti të Teheranit që të evakuohen.

Izraeli deklaron se sulmet kundër liderëve ushtarakë, shkencëtarëve bërthamorë iranianë, qendrave për pasurim të uraniumit dhe programit të raketave balistike, janë të domosdoshme për të parandaluar Iranin që të ketë armë bërthamore.

Sulmet kanë vrarë të paktën 224 njerëz në Iran. Irani është hakmarrë duke nisur mbi 370 raketa dhe qindra donë në Izrael. Deri më tani është raportuar për 24 persona të vrarë./REL

10 ORE ME PARE

Izraeli kundër Iranit: Sa gjatë do të vazhdojnë të shkëmbejnë sulme?

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Foto ilustruese

TEHERAN- Konflikti Izrael - Iran, siç po zhvillohet ende, edhe kur kanë kaluar 5 ditë nga nisja e operacionit "Rising Lion/ Ngritja e Luanit". Nga njëra anë, në bilancin e frontit të luftës iraniano-izraelit, superioriteti ajror i padiskutueshëm i Forcave të Armatosura Izraelite po vihet në diskutim, ashtu siç po vihet edhe arsenali raketor i Iranit. Izraelitët, nga njëra anë, godasin sepse munden, me qëllim që të godasin instalime shumë specifike: ushtarake, energjetike, bërthamore, ndërsa iranianët, nga ana tjetër, godasin "verbërisht" sepse nuk kanë zgjidhje tjetër. Ata duan të shkaktojnë konfuzion në mbrojtjen ajrore izraelite.

Çfarë po ndodh me mbrojtjen ajrore izraelite?

Megjithatë, ndërsa hyjmë në ditën e 5-të të kësaj faze të re të konfliktit, dikush pyet veten se sa gjatë iranianët dhe izraelitët mund të vazhdojnë të shkëmbejnë zjarr kundër njëri-tjetrit me këtë ritëm. Luftimet mund të zgjasin me javë ose edhe me muaj, megjithëse alternativa e "javëve" mund të jetë më shumë e mundshme duke pasur parasysh rrethanat aktuale.

Izraelitët kanë vendosur, në thelb, tre objektiva: shkatërrimin e arsenalit bërthamor iranian, eliminimin e programit bërthamor iranian; dhe përmbysjen e mundshme e regjimit teokratik iranian, një përmbysje që mund të vijë nën peshën e efekteve që konflikti aktual do të ketë në aparatin shtetëror. Në kontekstin e pikës së tretë, izraelitët tani po shqyrtojnë madje edhe mundësinë e vrasjes së vetë udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei. Por ky opsion deri më tani është bllokuar me veto nga vetë presidenti amerikan, Donald Trump, i cili nuk e ka dhënë miratimin e tij për këtë plan. 

Kur iu kërkua të komentonte mbi këto skenare gjatë një interviste me "ABC News", kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu argumentoi se eliminimi i 86-vjeçarit Khamenei nuk do ta përshkallëzonte më tej konfliktin, por përkundrazi do ta përfundonte. Por sërish, për ta kryer këtë operacion, u duhet dritë jeshile nga Uashingtoni. Administrata Netanyahu mund të veprojë kryesisht në mënyrë autonome, por mbetet në thelb e varur nga SHBA-ja. Nëse, për shembull, dëshiron të godasë objektet bërthamore iraniane në Fordow, që janë "të varrosura" thellë në mal, do të ketë nevojë për bombat hiper-shpërthyese të amerikanëve dhe bombarduesit strategjikë amerikanë "B-2". Këto pajisje luftarake për momentin i ka vetëm Amerika. 

Me fjalë të tjera, qëndrimi amerikan do të përcaktojë në thelb të ardhmen e konfliktit iraniano-izraelit.

Me ritmet aktuale, Irani dhe Izraeli mund të vazhdojnë të shkëmbejnë zjarr për javë të tëra, por me kalimin e kohës do të shterojnë rezervat e tyre dhe do të detyrohen që të mbyllin një proces jashtëzakonisht të kushtueshëm. 

Izraeli ka qartësisht epërsinë në vijën e parë të konfliktit. Megjithatë, Irani ka provuar në të kaluarën se mund t'u bëjë ballë sulmeve jo për muaj, por edhe për vite me radhë. Lufta Iran-Irak, për shembull, zgjati pothuajse 8 vjet. Izraeli tani mund të jetë më i pajisur në armatime sesa Iraku i Sadamit dekada më parë, por nuk ndan një kufi me Iranin si Iraku, dhe për këtë arsye mundësia e operacioneve tokësore duhet të përjashtohet.

Megjithatë, të dhënat na çojnë përsëri te "faktori SHBA", i cili pritet të jetë vendimtar në zhvillimet për sa i përket kohëzgjatjes dhe rezultatit të dyluftimeve.

Amerikanët mund të ndërhyjnë:

-diplomatikisht (duke detyruar rifillimin e bisedimeve mbi programin bërthamor të Teheranit)
-ushtarakisht (duke u dhënë izraelitëve bombat shpërthyese që u nevojiten për të goditur objektet bërthamore iraniane në Fordow)
-ushtarakisht dhe më pas diplomatikisht ("duke lejuar" sulmet izraelite që do ta dobësojnë më tej Teheranin dhe më pas "duke i ftuar" iranianët në bisedime).

Nëse më në fund japin dritën jeshile për vrasjen e Khameneit ose udhëheqësi 86-vjeçar iranian jep dorëheqjen, pyetja është se cila mund të jetë situata e trashëgimisë politike brenda Iranit.

A mund të kthehet 64-vjeçari Reza Pahlavi, djali i mërguar i Shahut të fundit, në Teheran me misionin e marrjes së frenave të politikës në vend? Një skenar i tillë vlerësohet si praktikisht shumë i vështirë duke pasur parasysh rrethanat e sotme. Nga ana tjetër, megjithatë, ekziston edhe precedenti i fundit i përmbysjes së Bashar al-Assad në Siri. 

Megjithatë, të dhënat na çojnë përsëri te "faktori SHBA", i cili pritet të jetë vendimtar në zhvillime. Çfarë do të bëjë Trump? Izraelitët do ta donin atë në anën e tyre, por sipas kushteve të tyre. Presidenti amerikan, megjithatë, duhet të marrë në konsideratë edhe kundërshtimet serioze të shprehura nga qarqet konservatore brenda SHBA-së. Elementë të njohur të MAGA-s (Make American Great Again), duke përfshirë personalitete të medias (Tucker Carlson), drejtues të lartë të administratës aktuale (J.D. Vance) dhe anëtarë të vetë familjes Trump (si djali presidencial Donald Trump Jr.), kanë bërë thirrje vazhdimisht për shkëputjen e SHBA-së nga tensionet në Lindjen e Mesme. Të paktën për një farë kohe./ZËRI

12 ORE ME PARE

Sulmet e Izraelit ndaj Iranit, zhduket futbollisti i Interit

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Mendi Taremi

TEHERAN- Mendi Taremi mbetet i bllokuar në Iran. Sulmuesi iranian i "nerazzurrëve" ishte kthyer në atdheun e tij për të kaluar momentet e fundit të relaksit para fillimit të Kupës së Botës për Klube.

Por sulmi izraelit ndaj Teheranit e ka bllokuar atë në vendin e tij, dhe kështu ai nuk do të jetë në gjendje të forcojë ekipin italian në turne.

Në fakt, ndërsa bombardimet izraelite po ndikojnë seriozisht në disa zona civile në Iran, zikaltërit kanë humbur kontaktin me sulmuesin. Ende nuk dihet çfarë ka ndodhur me të, njofton faqja e internetit "Footmercato"./ZËRI

12 ORE ME PARE

Deklarata e re e Trump: Do ta shkatërrojmë Iranin nëse dëmton popullin tonë

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Donald Trump

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump bëri deklarata të reja pasi mbërriti në Uashington disa orë pas largimit të tijnga Kanadaja, ku ishte planifikuar Samiti i G7-ës.

"Ne do ta shkatërrojmë Iranin nëse ata dëmtojnë popullin tonë. Ne do t'i shpërbëjmë ata nëse i bëjnë diçka popullit tonë. Mendoj se ata e dinë shumë mirë se nuk duhet t'i prekin ushtarët tanë,"- u tha Donald Trump gazetarëve pas kthimit të tij në Uashington.

Kështu, presidenti amerikan i dërgoi një mesazh të qartë Teheranit disa ditë pasi Irani kërcënoi të sulmonte bazat amerikane.

Por sërish mbetet shpresëplotë. Më herët, Donald Trump u tha gazetarëve: Ne do të arrijmë diçka më të mirë se një armëpushim. 

Zyrtarisht, Uashingtoni mohon çdo përfshirje të drejtpërdrejtë në operacionet e Izraelit kundër Iranit. Megjithatë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump nuk e ka mbajtur sekret faktin se SHBA-të rezervojnë të drejtën për t'u përgjigjur në rast të një sulmi./ZËRI

13 ORE ME PARE

Konflikti me Iranin-5 shqiptarët largohen nga Izraeli, ndodhen në Egjipt

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
FOTO ILUSTRUESE

IZRAEL- Pesë qytetarë shqiptarë, që ndodheshin në Izrael për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar sot nga Izraeli në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit. Ata ndodhen tashmë në Egjipt, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri. Lajmi u dha nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

"Pesë shtetas shqiptarë, të cilët ndodheshin në Izrael për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar sot shëndoshë e mirë nga Izraeli përmes Egjiptit. Ata ndodhen tashmë në Egjipt, në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri. Largimi dhe kthimi i tyre u lehtësua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet ambasadave në Tel Aviv dhe Kajro. Falënderojmë autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe Ambasadën Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane dhe Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Liban për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre,"-thuhet në njoftim. 

14 ORE ME PARE

Një legjion i huaj agjentësh dyfish sekret: Arabë dhe vajza, kush ishin të infiltruarit e Mossad-it në Iran

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
pamje nga operacioni

IRAN-Për të identifikuar liderët ushtarakë, shkencëtarët dhe vendet për të goditur, inteligjenca izraelite përdori burra dhe gra të integruar në mënyrë perfekte në Iran. Një legjion i huaj agjentësh dyfish sekret, sepse ata u rekrutuan larg Izraelit: këta janë ekzekutorët pa emër që thuhet lejuan Mossad-in të depërtonte në rrugët e Teheranit dhe shkretëtirat e bazave të raketave, duke i lejuar ata të gjenin rezidencat e njerëzve dhe shkencëtarëve kryesorë të regjimit që punuan për bombën atomike.

Burra dhe veçanërisht vajza, të përzgjedhur në vende që nuk ngjallin dyshime dhe të trajnuar për vite përpara se të hyjnë në veprim. Hipoteza u formulua në vitin 2021, kur dronët e nisur nga territori iranian i vunë flakën një qendre kërkimore bërthamore.

Konfirmimi erdhi vitin e kaluar, kur një rrjet spiunësh izraelitë u arrestua në Turqi: ata ishin kryesisht qytetarë palestinezë ose sirianë, të punësuar nga inteligjenca e shtetit hebre. Të rinjtë që i përkisnin pakicave shiite të Afganistanit, diasporës libaneze dhe ish-republikave sovjetike të Azisë dyshohet se u përzgjodhën për misionet në Iran.

Përveç tyre, do të kishte evropianë, amerikano-jugorë dhe arabë, të zgjedhur nga qytetarët e vendeve me interesa të forta ekonomike në Teheran, të cilët mund të gjejnë më lehtë strehë.

Mossad-i fillimisht, shpesh ua besonte operacionet e tij hebrenjve që u rritën në komunitetet evropiane, amerikane ose arabe. Sot edhe ata kanë nevojë për njerëz që janë në gjendje të përshtaten në një komb të mbyllur dhe mosbesues si Republika Islamike.

Më të mirat ishin vajzat, të afta për t’u ftuar në vilat e të fuqishmëve në kodrat e Teheranit, si dhe në ndërtimin e bombave apo gjuajtjen me saktësi.

Disa prej tyre, gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes, do të kishin “shënjuar” shtëpitë e krerëve të Pasdaranit me tregues lazer: një gjurmë e ndjekur nga raketat “Spice” të hedhura nga avionët luftëtarët e valës së parë.

Të tjera shoqëruan në shkretëtirë patrullat e sulmuesve që zbritën nga qielli për të goditur armët kundërajrore vetëlëvizëse nga pas dhe për të shpërndarë retë e dronëve vrasës pranë vendeve të fshehta të raketave balistike. Më pas ato u zhdukën pa gjurmë.

Prej 72 orësh drejtuesit e teokracisë jetojnë në psikozën e kolonës së pestë: kudo ka arrestime dhe kontrolle.

Udhëheqësit po kërkojnë furishëm strehimore, por në të njëjtën kohë duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin për të menaxhuar zhvillimet dramatike të situatës: telefonatat dhe bisedat, sado të koduara, bëhen gjurmë elektronike që nuk u shpëtojnë avionëve spiunë të Mossad duke i lejuar ata të drejtojnë agjentët në terren drejt drejtimeve të reja. Me një kthesë të mundshme: tani që ata kanë kontrollin e plotë të ajrit dhe nuk kanë më frikë nga zjarri kundërajror, izraelitët mund të guxojnë të nisin sulmet e parashutistëve kundër bunkerëve të raketave nëntokësore ose laboratorëve bërthamorë, ku bombat nuk mund të depërtojnë.

Ata kanë bërë tashmë diçka të ngjashme në Siri. Veprimi në tunelet iraniane mund të jetë shumë i rrezikshëm, por nuk duket se ka ndonjë alternativë për të pushtuar bazat e gërmuara në barkun e maleve. Marrë nga La Peppublika.

14 ORE ME PARE

Cilat janë opsionet e Trump përballë Iranit?

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Donald Trump

SHBA- Komentet e Presidentit Trump mbi konfliktin Izrael-Iran kanë ndryshuar nga një mbështetje e plotë për sulmet ajrore të Izraelit në një distancim të fortë prej tyre, dhe anasjelltas.

Dykuptimësia e tij i ka shtuar ndjenjën e pasigurisë ndërsa vetë luftimet përshkallëzohen - ashtu si edhe largimi i tij nga G7 në Kanada. Ai thjesht tha se kishte "gjëra të mëdha" për t'u rikthyer në Uashington.

Shtëpia e Bardhë tha se largimi i tij kishte të bënte me “atë që po ndodh në Lindjen e Mesme”, ndërsa më vonë në Truth Social ai tha se kjo “nuk kishte të bënte fare me një armëpushim”.

Më parë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmet ishin “plotësisht të koordinuara” me SHBA-në.

Pra, cilët faktorë po e rëndojnë Trumpin dhe, më e rëndësishmja, cilat janë opsionet e tij tani?

1. Duke iu nënshtruar presionit të Netanyahut dhe duke përshkallëzuar situatën

Ndërsa raketat izraelite goditën Teheranin të enjten, Trump kërcënoi udhëheqësit e Iranit me sulme "edhe më brutale" nga aleati i tij izraelit i armatosur me bomba amerikane.

Ne e dimë objektivin përfundimtar të Trump. Ai thotë, ashtu si Netanyahu, se Irani nuk mund të ketë një bombë bërthamore. Çështja kryesore është se ai ka thënë se opsioni i tij i preferuar (ndryshe nga Netanyahu) është nëpërmjet një marrëveshjeje midis SHBA-së dhe Iranit (kjo rrugë pasqyron gjithashtu imazhin e tij të vetëshpallur si një ndërmjetësues marrëveshjesh i klasit botëror).

Por ai ka dhënë mendime të ashpra se si të arrihet kjo, ndonjëherë duke u mbështetur në kërcënimin e forcës, herë të tjera duke shtyrë përpara diplomacinë. Javën e kaluar ai madje tha në të njëjtën frymë se një sulm izraelit ndaj Iranit do të ndihmonte një marrëveshje ose do ta "shkatërronte atë".

Ku po shkon operacioni i Izraelit?

Paparashikueshmëria e tij nganjëherë portretizohet nga mbështetësit e tij pas faktit si strategjike - e ashtuquajtura teoria e "të çmendurit" e marrëdhënieve të jashtme. Kjo teori është përdorur më parë për të përshkruar taktikat negociuese të Trump dhe sugjeron që pasiguria e qëllimshme ose paparashikueshmëria në lidhje me përshkallëzimin funksionon për të detyruar kundërshtarët (ose edhe aleatët në rastin e Trump) të bindin. Kjo i atribuohet në mënyrë të famshme disa prej praktikave të Luftës së Ftohtë të Presidentit Richard Nixon.

Disa nga këshilltarët dhe mbështetësit e Trump mbështesin anën e "presionit maksimal" të teorisë së të çmendurit kur bëhet fjalë për qasjen e tij ndaj Iranit. Ata mendojnë se kërcënimet në fund do të mbizotërojnë sepse, argumentojnë ata, Irani nuk e ka seriozisht negocimin (edhe pse në vitin 2015 vendi nënshkroi një marrëveshje bërthamore të udhëhequr nga Obama, nga e cila Trump u tërhoq më vonë).

Netanyahu ka ushtruar presion të vazhdueshëm mbi Trumpin që të ndjekë rrugën ushtarake dhe jo diplomatike, dhe presidenti amerikan - pavarësisht dëshirës së tij të deklaruar shpesh për të fituar Çmimin Nobel për Paqen - në fund mund të shohë nevojën për të përmbushur kërcënimet e tij më luftarake ndaj udhëheqjes së Teheranit.

Izraeli gjithashtu mund të shtyjë më fort prapa skenave për përfshirjen amerikane, siç e sheh ai, për të përfunduar punën. SHBA-të kanë bomba shpërthyese bunkerësh që Izraeli beson se mund të shkatërrojnë vendin nëntokësor të pasurimit të uraniumit të Iranit në Fordow.

Ndërsa luftimet përshkallëzohen, rritet edhe presioni mbi Trump nga kampi agresiv i republikanëve në Kongres, të cilët prej kohësh kanë bërë thirrje për ndryshim të regjimit në Iran.

Trump do ta shohë gjithashtu argumentin se kjo mund t’i detyrojë iranianët të negociojnë me të, me një pozicion tashmë më të dobët. Por fakti mbetet se iranianët ishin tashmë në atë tryezë, pasi një raund i gjashtë bisedimesh me të dërguarin e Trump, Steve Witkoff, ishte planifikuar në Oman të dielën.

Bisedimet tani janë lënë pas dore.

2. Vendi i mesëm - mbajtja e kursit

Deri më tani, Trump ka përsëritur se SHBA-të nuk janë të përfshira në sulmet e Izraelit.

Përshkallëzimi vjen me rreziqe të rëndësishme dhe potencialisht përcaktuese të trashëgimisë për Trumpin. Shkatërruesit detarë amerikanë dhe bateritë e raketave tokësore tashmë po ndihmojnë në mbrojtjen e Izraelit kundër hakmarrjes iraniane.

Disa nga këshilltarët e Trump në Këshillin e Sigurisë Kombëtare ka të ngjarë ta paralajmërojnë atë kundër çdo gjëje që mund të shtojë intensitetin e sulmeve të Izraelit ndaj Iranit në ditët në vijim, veçanërisht pasi disa raketa iraniane shkelën mbrojtjen izraelito-amerikane me efekt vdekjeprurës.

Netanyahu tani po argumenton se shënjestrimi i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, do t’i jepte fund, jo do ta përshkallëzonte konfliktin.

Por një zyrtar anonim amerikan u tha disa mediave gjatë fundjavës se Trump e bëri të qartë se ishte kundër një veprimi të tillë.

3. Dëgjimi i zërave të Magës dhe tërheqja prapa

Një nga faktorët e mëdhenj politikë që i interesojnë Trumpit është mbështetja e tij e brendshme.

Shumica e republikanëve në Kongres ende e mbështesin fuqimisht Izraelin, duke përfshirë furnizimet e vazhdueshme amerikane me armë për vendin. Shumë prej tyre i kanë mbështetur hapur sulmet e Izraelit ndaj Iranit.

Por ka zëra kyç brenda lëvizjes së Trumpit “Ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri” (Maga) të cilët tani e hedhin poshtë hapur këtë mbështetje tradicionale “të palëkundur” për Izraelin.

Gjatë ditëve të fundit ata kanë pyetur pse SHBA-të po rrezikojnë të përfshihen në një luftë në Lindjen e Mesme, duke pasur parasysh premtimin e Trump për politikën e jashtme "Amerika e Para".

Gazetari pro-Trump, Tucker Carlson, shkroi një kritikë të ashpër të premten, duke thënë se pretendimet e administratës për mospërfshirje nuk ishin të vërteta dhe se SHBA-të duhet të "braktisin Izraelin".

Ai sugjeroi që Netanyahu “dhe qeveria e tij e etur për luftë” po vepronin në një mënyrë që do të tërhiqte trupat amerikane për të luftuar në emër të tij.

Carlson shkroi: “Angazhimi në të do të ishte një gisht i mesëm në fytyrën e miliona votuesve që hodhën votat e tyre me shpresën për të krijuar një qeveri që më në fund do t’i vinte Shtetet e Bashkuara në vend të parë.”

Në mënyrë të ngjashme, përfaqësuesja amerikane, Marjorie Taylor Greene, besnike e palëkundur e Trump, postoi në X se: "Kushdo që kërkon me ngulm që SHBA-të të përfshihen plotësisht në luftën Izrael/Iran nuk është Amerika e Para/MAGA".

Kjo përfaqëson një dobësi të konsiderueshme për Trumpin.

Kjo shton presion mbi të për të vendosur distancë midis ofensivës së SHBA-së dhe Izraelit dhe ka shenja, të paktën publikisht, se ai është përgjigjur.

Debati për Maga gjatë fundjavës përkoi me postimin e tij në mediat sociale se iu bashkua presidentit rus Putin në thirrjen për t'i dhënë fund luftës. Të dielën ai tha se Irani dhe Izraeli duhet të bëjnë një marrëveshje, duke shtuar: "SHBA-të nuk kishin të bënin fare me sulmin ndaj Iranit".

Irani ka kërcënuar tashmë se do të sulmojë bazat amerikane në rajon nëse, siç po ndodh tani, Uashingtoni ndihmon mbrojtjen e Izraelit.

Rreziku i çdo viktime amerikane ka të ngjarë të shohë që argumenti izolacionist i Magës të rritet në mënyrë eksponenciale, duke shtuar potencialisht presionin mbi Trumpin që të tërhiqet dhe t'i kërkojë zotit Netanyahu t'i japë fund ofensivës më shpejt.

Marr% dhe përshtatur nga BBC

14 ORE ME PARE

Ministri i Jashtëm i Katarit dënon sulmin izraelit ndaj centraleve bërthamore të Iranit: Doha është e angazhuar në ndërmjetësim

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Katar

KATAR- Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, po mban një konferencë për shtyp në Doha ku do të flasë për armiqësitë e vazhdueshme Izrael-Iran.

Ai tha se Katari “dënon me forcë” sulmin e Izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke e quajtur atë “një masë të pallogaritur që do të ketë pasoja shumë të rënda”.

Ai theksoi se sulmi ndodhi në një kohë kur Irani po “përparonte në një kurs pozitiv diplomatik”, me Uashingtonin, një proces në të cilin ishin të angazhuara shumë vende rajonale. Katari, tha ai, është ende i përfshirë në ndërmjetësim me SHBA-në dhe “beson se ekziston një dëshirë amerikane për një marrëveshje”.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për një armëpushim midis palëve ndërluftuese - Izraelit dhe Iranit”, tha ai.

14 ORE ME PARE

Lufta vijon, Irani nxjerr në punë të gjithë mjekët dhe infermierët: S’ka pushime

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Lufta

IRAN- Zëvendësministri i shëndetësisë i Iranit ka njoftuar se të gjithë mjekët dhe infermierët me leje duhet të kthehen në punë.

“Të gjitha lejet për mjekët dhe infermierët janë anuluar dhe atyre u është kërkuar të jenë vazhdimisht të pranishëm në qendrat mjekësore jo vetëm për të ofruar shërbime, por edhe për të luajtur një rol efektiv në rritjen e moralit dhe stabilitetit psikologjik të ekipeve të trajtimit”, tha zëvendësministri i Shëndetësisë për Trajtimin, Seyed Sajjad Razavi.

“Ministria e Shëndetësisë qëndron me ju dhe është e gatshme të ofrojë mbështetje dhe ndihmë nëse lind ndonjë nevojë”, shtoi ai në komentet e transmetuara nga agjencia e lajmeve Tasnim.

Razavi tha se udhëzues të specializuar për trajtimin e viktimave të aksidenteve masive janë dërguar në qendrat mjekësore dhe universitetet.

14 ORE ME PARE

Analiza e Al Jazeera: Sinjalet e përziera të Trumpit janë pjesë e 'luftës psikologjike' kundër Iranit

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Donald Trump

SHBA- Presidenti i SHBA-së po angazhohet në luftë psikologjike me komentet e tij kontradiktore mbi përballjen Izrael-Iran, thotë Adel Abdel Ghafar nga Këshilli i Lindjes së Mesme për Çështjet Globale.

“Gjërat mund të përshkallëzohen, por mendoj se në fund të fundit Presidenti Trump dëshiron që kjo të qetësohet, sepse nëse sulmohen objektet amerikane, nëse mbyllet Ngushtica e Hormuzit, do të ketë një ndikim në ekonominë amerikane dhe ekonominë globale”, i tha ai Al Jazeera-s.

Një luftë në Lindjen e Mesme nuk do t'u shërbejë interesave të Trump për rritje ekonomike, tha Ghafar. Megjithatë, Izraeli ka axhendën e vet, duke përfshirë Netanyahun që "lufton për mbijetesën e tij politike dhe dëshiron luftë të përhershme".

Objektiva të tjera izraelite përfshijnë “një lloj ndryshimi regjimi” në Iran dhe “largimin e vëmendjes së botës nga Gaza”, shtoi ai.

"Ne kemi përdorimin e urisë si mjet lufte, gjë që është qartësisht një krim lufte. Por për fat të keq, tani vëmendja e botës është përqendruar në konfliktin midis Iranit dhe Izraelit dhe jo në krizën në Gaza."

Marrë dhe përshtatur nga Al Jazeera

14 ORE ME PARE

Më shumë se 600 persona ikin nga Irani në Azerbajxhan

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Lufta

IRAN- Qindra shtetas të huaj kanë kaluar nga Irani në Azerbajxhanin fqinj që kur Izraeli filloi të sulmonte vendin.

“Që nga fillimi i përshkallëzimit ushtarak midis Izraelit dhe Iranit, më shumë se 600 qytetarë nga 17 vende janë evakuuar nga Irani nëpërmjet Azerbajxhanit”, tha një zyrtar i paidentifikuar qeveritar për agjencinë e lajmeve AFP.

Të evakuuarit, të cilët kaluan kufirin nëpërmjet pikës së kontrollit të Astarës në bregdetin e Detit Kaspik, po transportohen në aeroportin e Bakusë dhe “po dërgohen me aeroplan në vendet e tyre me fluturime ndërkombëtare”, tha burimi.

Midis të evakuuarve janë qytetarë të Rusisë, Bjellorusisë, Kazakistanit, Kirgistanit, Taxhikistanit, Uzbekistanit, si dhe Gjermanisë, Spanjës, Italisë, Serbisë, Rumanisë, Portugalisë, Shteteve të Bashkuara, Emirateve të Bashkuara Arabe, Kinës dhe Vietnamit.

14 ORE ME PARE

Irani paralajmëron: Sulmet ndaj Izraelit do të intensifikohen në orët në vijim

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Iran

IRAN- Forcat e armatosura iraniane po e paralajmërojnë Izraelin për një valë të re “sulmesh të ashpra” me “armë të reja dhe të përparuara” që do të intensifikohen në orët në vijim.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit, IRNA, citoi gjeneral brigade Kiomars Heidari, komandantin e forcave tokësore të ushtrisë, të martën të ketë thënë se qindra dronë me rreze të gjatë veprimi me "aftësi të sakta dhe fuqi të madhe shkatërruese" kishin goditur zona në qytetet izraelite të Tel Avivit dhe Haifës.

“Armiku duhet ta dijë se një valë e re sulmesh të ashpra nga forcat e armatosura, veçanërisht forcat tokësore të ushtrisë, me armë të reja dhe të përparuara ka filluar dhe do të intensifikohet në orët në vijim”, shtoi Heidari.

Dje, ushtria iraniane zbuloi një dron të ri vetëshkatërrues – Shahed 107 – me një rreze veprimi prej 1,500 kilometrash (930 miljesh). Nuk është e qartë nëse kjo armë është përdorur ende në konflikt.

14 ORE ME PARE

Lufta Izrael-Iran, Trump: Më mirë një fund se sa një armëpushim

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Presidenti Donald Trump

SHBA- Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve në Air Force One se po kërkon "një fund të vërtetë" të konfliktit me Izraelin dhe Iranin, duke argumentuar se është më mirë sesa një armëpushim, ndërsa gjithashtu sugjeroi se heqja dorë tërësisht nga negociatat është një mundësi.

I pyetur se çfarë është më mirë se një armëpushim, siç aludoi në një postim në Truth Social, Trump tha "një fund, një fund i vërtetë, jo një armëpushim. Një fund. Ose dhënie e plotë. Edhe kjo është në rregull".

Trump tha se pret që 48 orët e ardhshme do të zbulojnë më shumë nëse Izraeli planifikon të ngadalësojë apo të përshpejtojë sulmet e tij ndaj Iranit.

“Do ta zbuloni vetë. Askush nuk është ngadalësuar deri më tani,”- tha Trump.

Trump planifikon të takohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në Dhomën e Situatave të martën.

I pyetur nëse përfshirja ushtarake e SHBA-së do të siguronte shkatërrimin e programit bërthamor të Iranit, siç e kanë thënë publikisht disa zyrtarë izraelitë, Trump u tha gazetarëve: “Shpresoj që programi i tyre të shkatërrohet shumë kohë para kësaj. Ata nuk do të kenë një armë bërthamore.”

Lidhur me atë që fshihej pas thirrjes së tij për të evakuuar menjëherë Teheranin, Trump tha se nuk kishte ndonjë kërcënim specifik, por se ishte më e sigurt për njerëzit të evakuoheshin duke pasur parasysh situatën në terren.

"Dua që njerëzit të jenë të sigurt... Është gjithmonë e mundur që diçka të ndodhë. Dua vetëm që njerëzit të jenë të sigurt."

Lidhur me shqetësimin për trupat ose asetet amerikane në rajon, Trump i quajti ata njerëz të shkëlqyer dhe tha se SHBA-të do të sulmonin “shumë rëndë” nëse Irani i prekte ata: “Mendoj se ata e dinë të mos i prekin trupat tona”.

I pyetur në lidhje me raportet që ai po shqyrton dërgimin e Zëvendëspresidentit JD Vance dhe Steve Witkoff për t'u takuar me iranianët këtë javë, Trump tha: "Mund ta bëj. Mund ta bëj. Varet se çfarë do të ndodhë kur të kthehem."

 

17 ORE ME PARE

Trump: Të marrë fund programi bërthamor i Iranit, SHBA do të veprojë

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Donald Trump

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se dëshironte një "marrëveshje të vërtetë" për t'i dhënë fund problemit bërthamor me Iranin dhe la të kuptohej se mund të dërgojë zyrtarë të lartë amerikanë për t'u takuar me Republikën Islamike, ndërsa lufta ajrore Izrael-Iran vazhdon për të pestën ditë radhazi.

Trump tha se “nuk kishte thënë që po kërkonte një armëpushim” dhe se dëshiron që Irani të heqë dorë plotësisht nga zhvillimi i kapaciteteve bërthamore.

Ai shtoi gjithashtu se nuk mendon që Izraeli do të ngadalësojë ofensivën e tij kundër Iranit. “Do ta shihni gjatë dy ditëve të ardhshme. Do ta shihni. Askush nuk është ngadalësuar deri tani”, u shpreh ai. Trump gjithashtu premtoi se do të “veprojë ashpër” ndaj Iranit, nëse interesat amerikane në rajon do të goditen./ZËRI

17 ORE ME PARE

Ushtria izraelite: U vra shefi i shtabit të Përgjithshëm në Iran, njeriu më i afërt i Ali Khamenei

Dita e 5-të e konfliktit Izrael-Iran! Trump kërkon dorëzimin pa
Ali Shadmani

IRAN-Izraeli tha se sulmet e tij gjatë natës vranë shefin e shtabit të Iranit “në kohë lufte”, vetëm disa ditë pasi ai u emërua për të zëvendësuar një komandant të vrarë në sulmet e mëparshme.

Pas “informacionit të saktë” të marrë nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhe “një mundësie të papritur gjatë natës (të martën), Forcat Ajrore Izraelite goditën një qendër komande me personel në zemër të Teheranit dhe eliminuan Ali Shadmanin”, tha IDF në një deklaratë.

Irani ende nuk ka komentuar mbi pretendimet e Izraelit rreth vdekjes së Shadmanit. Shadmani mori detyrën të premten pasi sulmet fillestare të Izraelit ndaj Iranit vranë disa komandantë të lartë, përfshirë paraardhësin e tij, gjenerallejtënant Gholam Ali Rashid.

Rashid dhe Shadmani kishin udhëhequr Shtabin Qendror të Khatam al-Anbiya, një njësi që koordinon midis ushtrisë së rregullt dhe Gardës Revolucionare të Iranit./ZËRI

Poll

MOS HUMB