‘Mbikëqyrja Institucionale’! Mara: SPAK 220 mln lekë për hetimet! KLGJ: 2 mld më pak nga sa kërkuam, s'na dalin
TIRANË-Në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale po diskutohet për projekt buxhetin e vitit 2026. Prokurori Vladimir Mara tha se menaxhimi financiar i SPAK është fokusuar në financimin e shpenzimeve dhe përmbushjen e objektivave prioritare si përmirësimi i kapaciteteve të hetimit penal, forcimi i kapaciteteve për hetimet financiare dhe pasurore dhe ndjekjen efektive të konfiskimit. Shifra e planifikuar për rritjen e kapacitetit të hetimeve është 220 milionë lekë.
Vladimir Mara: Në 2026 janë planifikuar edhe 220 mln lekë që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve të hetimit. Një pjesë e këtij buxheti shkon për rritjen e kapaciteteve hetimore. Sa i përket ngjarjes së ndodhur për sigurinë, janë marrë të gjitha masat lidhur me sigurinë e godinës, në të cilën ushtron aktivitetin SPAK, nuk mendoj se ka problematikë lidhur me sigurinë e punonjësve brenda këtij institucioni. Po ashtu edhe për prokurorët ka masë të shtuar të sigurisë së tyre. Në lidhje me portofolin e kriptomonedhave është një fakt i bërë publik nga drejtuesi i SPAK, kjo ka lindur realisht nga nevoja gjatë hetimeve të kryera sidomos ato që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, ka pasur raste të sekuestrimit të kriptovalutave dhe ne nuk kemi patur portofol për t’i ruajtur këto kriptovaluta. Mendoj se ka nevojë edhe për ndërhyrje ligjore lidhur me këtë problematikë.
Mara u pyet edhe nëse sistemi i Prokurorisë së Posaçme ka patur sulme kibernetike, për të cilën u shpreh se nuk ka djeni për një problem të tillë.
“Në dijeninë time nuk kemi patur problematikë të tillë”, është shprehur Mara.
Një ndarje buxheti është parashikuar edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor, por kreu i KLGJ, Ilir Rusi u shpreh se nga shuma e kërkuar janë 2 miliardë më pak. Rusi thotë se 57 milionë lekë do të shkojnë për investime lidhur me çështjen e sigurisë në gjykata, ndërsa 123 milionë të tjera për përmirësimin e infrastrukturës. Ilir Rusi tha se nevojiten edhe rreth 340 milionë lekë shtesë.
Ilir Rusi: KLGJ ka 3 programe buxhetore, një për KLGJ, një për Qendrën e Teknologjisë dhe Informacionit dhe një për gjykatat. Kërkesat kanë qenë për një buxhetim prej 9.000.300.000 lekë për të treja këto programe. Në projekt buxhet është miratuar në vlerën 6.000.800.000 lekë, me diferencë prej 2.000.500.000 lekë që përbën një miratim të tanishëm sipas projektbuxhetit në vlerën e 26% më pak se buxheti i kërkuar nga KLGJ. Buxhetimi për 2026 është 20% më tepër sesa viti i kaluar. Buxheti më i madh shkon për paga, sigurime shoqërore, mallra e shërbime të tjera. Kemi parashikuar 57 milionë lekë për sigurinë në gjykata, duke marrë në konsideratë edhe kërkesat e fundit të bëra nga gjykatat për rritjen e sigurisë, për blerjen e pajisjeve teknologjike për të rritur nivelin e sigurisë në Gjykata. 167 milionë lekë për mjetet e teknologjisë për sigurinë në gjykata, detektorë, kamera, skanerë, mjete alarmi 123 milionë për përmirësimin e infrastrukturës në gjykata, ka gjykata që nëse çon postë detektori, nuk ka ku ta vendosësh, ndaj duhet përmirësim i infrastrukturës lidhet me këtë, 50 milionë lekë të reja për pajisje të reja.
Projektbuxheti i vitit 2026 është programuar në vlerën 8.8 miliardë lekë, rreth 1 miliard euro më shumë se në 2025, ku përfitojnë edhe institucionet e drejtësisë. Rritjen më të madhe e ka Këshilli i Lartë Gjyqësor me gati 12 milionë euro më shumë, duke marrë për vitin 2026 gjithsej 68 milionë euro. Edhe SPAK merr një buxhet më të madh për vitin 2026. Prokuroria e Posaçme do të ketë në dispozicion 21 milionë euro nga 18.8 milionë që kishte vitin e kaluar./ZËRI
PD mungon në mbledhjen e parë të Komisionit për “Territorialen”, Mazniku: Të dalim dyshe-treshe për dëgjesa
TIRANË- Është mbajtur sot në Kryesinë e Kuvendit mbledhja e parë e Komisionit të Posaccëm për Reformën Territoriale, ku ra në sy mungesa e anëtarëve të Partisë Demokratike, por jo të aleatëve të saj si Arbjan Mazniku dhe Edmond Haxhinastlo.
Mbledhja e parë u drejtua nga bashkëkryetari i PS, Arbian Mazniku, i cili tha se fokusi i komisionit duhet të jetë tek gjetja e modeleve apo mekanizmave që qytetarët shqiptarë të çdo bashkie të kenë akses në shërbime, si dhe propozoi aëtarët e këtij komisioni të zbresin në terren për dëgjesa.
“Një kërkesë që do vinte për mbledhjen e radhës është që në dy ose tre faza të diskutimeve publike, unë besoj që do të ishte e udhës që anëtarë të komisionit, jo të gjithë, por në grupe dyshe e treshe, të kemi mundësinë të lëvizim në territor dhe të bëjmë dëgjesa drejtpërdrejt vetë, në zona të ndryshme, me grupe të ndryshme të territorit, në mënyrë që të prekim deri diku drejtpërdrejt si anëtarë të komisionit problematikat. Qofshin njësitë e pushtetit vendor, qofshin qytetarët tanë në raport me pushtetin vendor, dhe të kemi mundësinë t’i raportojmë në mënyrë të qenësishme.
Kështu që unë do kisha shumë dëshirë që ky komision të ishte në fakt më shumë se një grup pune, një vend ku ne të kemi një punë të prekshme, diskutime të qenësishme, të hapura dhe të shohim të gjitha opsionet e mundshme, dhe të synojmë për të gjetur zgjidhjet më të mira.”, tha Mazniku./ZËRI
“Nëse bie zjarri te ne, ju bie edhe ju”, sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese-deputetëve: Na duhen 2 mln lekë…
TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile, nga Komisioni i Ligjeve bëri një kërkesë të drejtpërdrejtë për shtesë buxheti, duke kërkuar 2 milionë lekë për mbrojtjen nga zjarri, një kërkesë që, sipas tij, përsëritet për të tretin vit radhazi.
“Nëse bie zjarri te ne, bie edhe tek ju,” tha me ironi ai, duke theksuar se godina është e amortizuar dhe sistemi i mbrojtjes nga zjarri ka nevojë urgjente për përmirësim.
“Do u lutesha Ministrisë së Financës që të jetë më bashkëpunuese sa i përket kërkesave tona. Duke pasur dhe rritje të vendimeve, kërkesave, mendoj që sjell… pra pakësimi i buxhetit nuk është në dinjitetin e Gjykatës Kushtetuese të shtrijë dorën. Po flasim për zërin investim dhe për sa i përket situatës së krijuar, ashtu sa i përket dhe sigurisë kibernetike, ku kemi kërkuar shtesa në lidhje me serverin që kemi instaluar.
Duke qenë se kemi shtuar në strukturë një drejtori shtesë prej 5 vetash, ajo e marrëdhënieve për studimet, gjithashtu është i disati vit që kërkojmë fond minimal prej 2 mln lekë për mbrojtjen nga zjarri, është i treti vit që e kërkoj edhe për shkak të amortizimit të ndërtesës. Se meqë jemi komshinj po na ra zjarri neve, ju bie dhe juve“, u shpreh Sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese.
'Djali vrau babin, vrasja për një kalë, kuzhinieri u vra nga kolegu'! Ministrja: Polici s'mund të rrijë në kuzhinë dhe restorante

TIRANË-Ministrja e Brendshme Albana Koçiu në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ka komentuar tre vrasjet e 28 tetorit, ku Marjan Kodheli vrau me thikë babin e tij Pjetër Kodhelin; picieri Filip Shehu vrau me thikë kolegun, 34-vjeçarin Indrit Ismaillari në bar-restorantin “City Lounge” dhe Kristo Mema vrau turistin 42-vjeçarin Keli Hoxha, në kalanë e Beratit, pas sherrit banal për kalin.
Sa i përket tre rasteve Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu u shpreh se ngjarjet janë tragjike por të pashmangshme nga puna që bën përditë Policia e Shtetit. Sipas saj në këto ngjarje nuk impikohet puna e Policisë së Shtetit.
Albana Koçiu: Do ndalem pak tek historia e vrasjeve të ndodhura në një ditë, tre vrasje në një ditë. Për hir të së vërtetës janë tre krime tre histori tragjike, nuk janë vrasje mafizoe. Për fat të keq janë ngjarje të pashmangshme nga puna që bën përditë Policia e Shtetit. Unë nuk besoj se ka një vend të botës, ku polici rri në kuzhinë për të parandaluar që djali të godasë babin me thikën e bukës, apo ku polici rri brenda në kuzhinën e restorantit për të parandaluar picierin të godasë me thikë kuzhinjerin. Janë absolutisht ngjarje tragjike por nuk impikohet puna e Policisë së Shtetit, patjetër që autorët janë kapur menjëherë.
“I trajtuat si kriminel, pse nuk merreni me makinat e të fortëve”, Kapri pyet Koçiun për monopatinat, ministrja: Po punojmë me intesitet për ligjin
TIRANË- Ministrja e Brendshme Albana Koçiu është duke raportuar përpara deputetëve në Komisionin për Çështjet e Brendshme, ku u pyet nga deputeti Erald Kapri, mbi vendimin drastik për ndalimin e qarkullimit për motomjetet elektrike. Kapri u shpreh se sekuestrimi i mjeteve të qytetarëve u bë pa asnjë bazë ligjore, duke shkelur të drejtën e pronës, ndërsa ministrja tha se prevalon e drejta për mbrotjen e jetës, për shkak të numrit të aksidenteve, në të cilat këto mjete ishin përfshirë. Edhe pse nuk dha një afat, se kur ligji do të jetë gati, Koçiu u shpreh se për draftin po punohet me shpejtësi, dhe sapo të jetë gati ai do të kalojë për votim në Kuvend.
Erald Kapri: Në lidhje me monopatinat, në udhëzimin që ju keni nxjerrë nuk keni asnjë bazë ligjore. Këtu keni shkelur një parim kushtetues, një i ri që shmang trafikun në Tiranë, që ble një produkt me taksa, madje merr dhe kredi për atë, shkoni dhe jua konfiskoni, i lini në një ambient që po shkatërrohen atje, dhe ju thoni ne po bëjmë ligjin. Ky nuk është standard europian zonja ministre, si mund ti ndaloni përdoruesit e monopatinave, pa ligj, ndërkohë që nuk ndaloni makinat e të fortëve, kur keni një ligj antimafia në fuqi. Ju nuk merreni me të fortët por me të dobtët, merreni me një shtresë të shoqërisë që punojnë nga mëngjesi në darkë, dhe ju i trajtuat si kriminel. Unë hapa përdorimin në Vjenë, ku përdoruesit e monopatinave trajtohen si përdoruesit e biçikletave. Nuk i ndalon njeri përdoruesit.
Albana Koçiu: Sa i përket monopatinave, arsyeja kryesore që ne shkuam në një masë drastike është fakti i aksidenteve të shpeshta, të këtyre mjeteve që janë të parregulluara në legjislacion, që duhet të kenë një shpejtësi të normuar. Ka monopatina që ecin me shpejtësi deri në 80 km në orë, kjo ishte arsyeja e një mase esktreme dhe të menjëhershme, është masë që e kanë ndërmarrë edhe shtete të tjera më herët. Unë besoj që është shumë e rëndësishme që është mbrojtja e jetës së fëmijëve tanë, në raport me një investim që është patjetër i rëndësishëm, për këdo. Patjetër që përdorimi i tyre përmirëson ndotjen në mjedis, por ka prioritet mbrojtja e jetës. Ne po punojmë me intesitet, shumë shpejt do të paraqiten rregullimet e reja, të cilat do ta kthejnë përdorimin e këtyre mjeteve ashtu siç duhet për të garantuar sigurinë.
Me vendim të ministres Koçiu, motomjetet elektrike janë ndaluar që prej datës 13 Tetor, ndërkohë që një numër i madh mjetesh janë sekuestruar, dhe po mbahen në mjedis të hapur, duke u bërë rrezik edhe për funksionimin e tyre. Mjete të tilla janë të ndjeshme ndaj lagështirës, dhe ekspozimi në shi mund të sjellë dëmtimin e pariparueshëm të tyre. /ZËRI
Aksidentet dhe kriminaliteti, Ministrja e Brendshme: Shqipëria, vend i sigurt! Numri i krimeve është ulur
TIRANË-Ministrja e Brendshme Albana Koçiu në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ka bërë bilancin në lidhje me gjendjen aktuale të sigurisë publike në vend, masat e ndërmarra deri më tani nga ky dikaster dhe strukturat vartëse. Gjatë fjalës së saj, ministrja Koçiu theksoi se Shqipëria është një vend i sigurt, duke sjellë në vëmendje shifrat e dukshme që tregojnë për besimin e qytetarëve dhe turistëve në vend.
Sipas saj, ka ulje të krimeve të rënda dhe vrasjeve me dashje, duke theksuar se numri i vrasjeve ka rënë nga 41 për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në 29 këtë vit.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu: Shqipëria është e vend i sigurt, ky është përshkrimi që i ka bërë vendit tonë udhërrëfyesi Lonly Planet. Në faqet e mediave më të njohura ndërkombëtare, në çdo përditësim zyrtar përsëritet e njëjta fjali, Shqipëria është vend i sigurt. Mjafton ti referohemi fakteve dhe shifrave. Vendi ynë mirëpriti 12 milionë turistë, si dhe qytetarë të huaj që hapin biznese apo blejnë prona këtu. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza. Kemi një 99% zbulueshmëri sa i përket veprave penale; nga 20 vepra penale, 19 zbardhen në kohë dhe ndalohen. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë reduktuar gjithashtu edhe aksidentet e rënda me 17% krahasuar me një vit më parë.
Ndër të tjera ministrja tha se kanë rritur ndjeshëm sigurinë duke arritur 95% zbulueshmëri për veprat penale. Koçiu përmendi edhe punën e SPAK, duke thënë se ka sekuestruar e konfiskuar pasuri me vlerë 65.5 mln euro.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu: Nga SPAK janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë 65.5 milionë euro me burim nga kriminaliteti, të cilat po përdoren për financimin e projekteve sociale. Sa i përket rendit dhe sigurisë publike, në nëntë muaj zbulueshmëria e veprave penale ka qenë mbi 95%. Vrasjet me dashje janë reduktuar ndjeshëm, nga mesatarisht dy vrasje në javë, sot kemi një vrasje çdo dy javë. Shpërbërja e grupeve kriminale është një nga arsyet pse niveli i veprave të rënda penale është ulur ndjeshëm. Në fushën e narkotikëve, gjatë nëntëmujorit janë identifikuar dhe asgjësuar 195 mijë bimë narkotike, janë zbuluar 103 raste të trafikut dhe janë arrestuar 173 shtetas të implikuar. Krahasuar me vitin 2024, niveli i zbulueshmërisë është rritur dukshëm. Janë identifikuar gjithashtu mbi 1 mijë raste të kultivimit të kanabisit, në 9 muaj policia ka kryer 1 mijë aksione.
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes ka komentuar tre vrasjet e 28 tetorit, ku Marjan Kodheli vrau me thikë babin e tij Pjetër Kodhelin; picieri Filip Shehu vrau me thikë kolegun, 34-vjeçarin Indrit Ismaillari në bar-restorantin “City Lounge” dhe Kristo Mema vrau turistin 42-vjeçarin Keli Hoxha, në kalanë e Beratit, pas sherrit banal për kalin.
Sipas saj në këto ngjarje nuk impikohet puna e Policisë së Shtetit./ZËRI