'Gazetarët me burime të kufizuara, ka presion politik'/ Çfarë thotë raporti i BE për median në Shqipëri
TIRANË-BE ka publikuar progresin raportin për Shqipërinë për vitin 2025. Në pjesën që lidhet me median, Progres-raporti ngre shqetësime serioze për mungesën e vetërregullimit, polarizimin e skajshëm dhe presionin ndaj gazetarëve, veçanërisht në mediat online.
Raporti vëren gjithashtu se kapacitetet e sigurisë kibernetike në vend mbeten të dobëta dhe gjatë periudhës së raportimit janë regjistruar disa sulme ndaj mediave online. Po ashtu BE ndalet edhe te kushtet e punës dhe siguria profesionale e gazetarëve shqiptarë. Raporti thekson se pagat e ulëta, ngarkesa e lartë e punës dhe presioni politik kanë ushqyer autocensurën, e cila “mbetet e përhapur në media”.
“Vetërregullimi në sektorin e medias mbeti i dobët dhe i penguar nga burimet e kufizuara, peizazhi i polarizuar dhe përdorimi i retorikës nxitëse në debatin publik. Mbetet e rëndësishme të promovohet respektimi i kodeve etike në të gjithë sektorin. Siguria e kufizuar në punë dhe kushtet e këqija të punës për gazetarët, të kombinuara me vetëcensurë dhe presion nga aktorët politikë dhe pronarët e mediave, vazhduan të paraqesin sfida serioze. Problemet mbeten me pagat e papaguara, ngarkesat e tepërta të punës dhe pasigurinë, veçanërisht në mediat lokale dhe online,” nënvizon raporti.
BE kritikon Shqipërinë: Mbylli "Tik Tok" për të mbrojtur fëmijët, por vijon kudo aktiv
TIRANË-Platforma 'TikTok' vijon të jetë aktiv në Shqipëri pavarësisht vendimit të qeverisë në mars të këtij viti për ta pezulluar atë. Ky fakt është prekur edhe në progresin raportin e Bashkimit për Shqipërinë për vitin 2025. Në raport thuhet se ndalimi i Tik Tok u arsyetua në pulik si masë për mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtja e dëmshme, ndërkohë që aktualisht aplikacioni është i aksesueshëm në gjithë Shqipërinë dhe nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për heqjen e ndalimit nga qeveria.
"Në mars të vitit 2025, qeveria vendosi të pezullojë aksesin në një platformë të madhe të mediave sociale në të gjithë vendin për 12 muaj me arsyetimin e mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtja e dëmshme. Ndërsa nuk kishte asnjë njoftim zyrtar për heqjen e ndalimit, platforma është e arritshme në të gjithë vendin pas një marrëveshjeje për të siguruar filtra për gjuhën e urrejtjes në gjuhën shqipe. Kapaciteti i sigurisë kibernetike të mediave është përgjithësisht i dobët. Disa sulme kibernetike kundër mediave ndodhën gjatë periudhës së raportimit", thotë progres-raporti i BE.
Mbyllja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, pas një konsultimi publik. Shkak i nismës u bë vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi një grup nxënësish u përfshinë në sherr me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare kërkoi zyrtarisht mbylljen e aksesit në platformën sociale "Tik Tok" deri më datë 13 mars, por mbyllja nuk ka ndodhur ende. Për mbylljen e aplikacionit do të bllokohen IP e Tik Tok në territorin e Shqipërisë, DNS e TikTok, SNI (Server Name Indications) të Tik Tok dhe IP e kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë. Gjithsesi mbyllja ende nuk ka ndoshur dhe shumica e përdoruesëve të Tik Tok, vijojnë të kenë akses në platformë./ZËRI
Progres raporti për Shqipërinë/ BE vlerëson hapat drejt integrimit dhe SPAK, në “skaner” edhe 11 maji
TIRANË- BE ka publikuar progresin raportin për Shqipërinë për vitin 2025. Raporti vlerëson hapat e ndërmarra në procesin e negociatave nga vendi ynë, luftën kundër korrupsionit dhe zgjedhjet e 11 majit. Në raport, Shqipëria vlerësohet si vend që ka përparuar në hapat drejt integrimit me hapjen e grupeve negociuese dhe në përfitimet e Planit të Rritjes.
“Qeveria miratoi Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2025-2027. Puna vazhdoi për zhvillimin e Programit Kombëtar për Anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili synon të përafrojë kuadrin rregullator vendas me acquis të BE-së dhe të sigurojë zbatimin e tij efektiv. Komunikimi mbi integrimin evropian është përqendruar në hapjen e grupeve negociuese dhe në përfitimet e Planit të Rritjes. Duhet të bëhen përpjekje të mëtejshme për të siguruar transparencën dhe përfshirjen e publikut në procesin e reformave që lidhen me BE-në.”, thuhet ndër të tjera në raport.
Lufta kundër korrupsionit është një tjetër çështje me interes, ku sipas raportit, Shqipëria ka bërë progres. Më tej, nënvizohet edhe roli i SPAK që ka bërë përparim të dukshëm drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në këtë fushë.
Ndër të tjera në raport theksohet se është bërë progres në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, ndërsa nëvijëzohet roli i SPAK në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimet për raste korrupsioni të nivelit të lartë, përfshirë ato që lidhen me politikanë dhe zyrtarë të lartë. Megjithatë, raporti thekson se, korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm.
“Shqipëria është në një nivel përgatitjeje të moderuar dhe ka treguar përparim. Është miratuar Strategjia Kundër Korrupsionit 2024–2030. Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka konsoliduar më tej rezultatet pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe ka bërë përparim të dukshëm drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në këtë fushë. Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm, duke ndikuar si në sferën publike ashtu edhe në atë private. Korniza institucionale për parandalimin e korrupsionit vazhdon të ketë ndikim të kufizuar, ndërsa bashkërendimi me organet e zbatimit të ligjit mbetet i dobët. Mangësitë në transparencën dhe efektivitetin e kontrollit të deklarimeve të pasurive duhet të adresohen”, thuhet veç të tjerash në raport.
Sa i përket zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, raporti thekson se ato u zhvilluan në një klimë të thellë polarizimi dhe kandidatët nuk gëzonin kushte të barabarta. Sipas raportit, përdorimi i votimit nga jashtë u menaxhua mirë dhe u konsiderua një arritje elektorale e rëndësishme.
“Konkluzionet paraprake të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR treguan se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të organizuara në mënyrë profesionale, por u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe kandidatët nuk gëzonin kushte të barabarta. Megjithatë, kandidatët patën përgjithësisht mundësi të zhvillonin fushatën lirshëm. Futja e votimit nga jashtë vendit u menaxhua mirë dhe u vlerësua gjerësisht si një zhvillim historik në procesin zgjedhor. Kodi Zgjedhor u ndryshua në korrik 2024 dhe në shkurt 2025, duke reflektuar pjesërisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe u zbatua në zgjedhjet parlamentare të majit 2025. Ndryshimet mundësuan votimin nga jashtë vendit, ndryshuan sistemin e votës preferenciale, rritën kufijtë e shpenzimeve elektorale, modifikuan afatet zgjedhore dhe rregulluan kohën televizive për kandidatët. Megjithatë, nevojiten ende ndryshime të tjera për të adresuar rekomandimet e paplotësuara të OSBE/ODIHR dhe për t’u përafruar plotësisht me standardet demokratike.", thuhet në raport.