Çfarë u diskutua në takimin e JD Vance me Zelenskyy: Ndaloni sa më shpejt Putin

GJERMANI-Nënpresidenti amerikan JD Vance tha të mërkurën se synimi i Uashingtonit është arritja e një marrëveshje paqeje të qëndrueshme, mes Ukrainës dhe Rusisë. Nënpresidenti Vance i bëri komentet pas një takimi kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy dhe përpara një takimi në prani të delegacioneve nga të dyja vendet.
Nënpresidenti Vance shoqërohej nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i Dërguari i Posaçëm i Presidentit Trump për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg.
"Në thelb qëllimi është, siç ka thënë edhe Presidenti Trump, që lufta të përfundojë. Ne duam të ndalim vrasjet, ne duam të arrijmë një paqe të qëndrueshme dhe jo atë lloj paqeje që do ta çonte Evropën Lindore drejt konfliktit vetëm disa vite më vonë", tha zoti Vance.
Nënpresidenti Vance tha se ai dhe Zelenskyy kishin patur një bisedë pozitive mbi mënyrën se si mund ta arrinin këtë qëllim, po ai shtoi se mbi këtë çështje “do të ofronin më shumë detaje në ditët, javët apo muajt në vijim".
Nga ana e tij edhe zoti Zelenskyy u bëri jehonë komenteve të zotin Vance.
"Ne zhvilluam një bisedë pozitive sot, në takimin tonë të parë, që nuk do të jetë i fundit e për këtë jam i sigurt", tha ai.
Presidenti Zelensky shtoi se duhet bërë më shumë punë për hartimin e një plani që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.
"Ne duhet të flasim më shumë, të punojmë më shumë dhe të përgatisim planin për të ndalur (Presidentin rus Vladimir) Putin", tha zoti Zelenskiy pas takimit që u mbajt në Mynih, në kuadër të Konferencës së Sigurisë.
Zoti Zelenskyy tha gjithashtu se ai po kërkon "garanci sigurie" nga Shtetet e Bashkuara përpara zhvillimit të çdo negociate për t'i dhënë fund luftës.
I pyetur nga gazetarët se ku e shihte përparimin në negociata nëse zoti Zelensky nuk ishte gati të ulej për bisedime me zotin Putin, Nënpresidenti Vance tha:
"Mendoj se mënyra se si kjo bisedë na çon përpara lidhet para së gjithash me atë që ne jemi ulur me anëtarë të shkëlqyer të delegacionit ukrainas" tha zoti Vance.
"Kemi këtu Sekretarin tonë të jashtëzakonshëm të Shtetit Marco Rubio, gjeneralin Kellogg. Është e rëndësishme që ne të mblidhemi dhe të fillojmë bisedimet që do të jenë të nevojshme për t’i dhënë fund kësaj çështjeje (t’i japim fund luftës). Kjo është gjithçka që mund të them tani për tani, sepse dua të ruaj opsionet këtu për negociatorët dhe ekipet tona përgjegjëse për ta mbyllur këtë gjë", shtoi ai.
Nënpresidenti Vance nuk iu përgjigj pyetjes nëse Shtetet e Bashkuara kishin arritur një marrëveshje për mineralet me Ukrainën apo mbi afatet e mundshme të arritjes së saj./VOA
Nënpresidenti Vance: Kërcënimi më i madh ndaj sigurisë së Evropës vjen nga brenda, jo nga Rusia

GJERMANI-Nënpresidenti amerikan JD Vance tha sot se kërcënimi më i madh që i kanoset sot Evropës është tërheqja nga disa prej vlerave të saj më themelore, që ndan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komentet zoti Vance i bëri gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë që mbahet në Mynih. Nënpresidenti amerikan u bëri gjithashtu thirrje udhëheqësve evropianë që te rrisin në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për mbrojtjen e kontinentit, teksa Amerika siç tha ai, përqendrohet në zonat e botës që janë në rrezik të madh.
Nënpresidenti amerikan Jd Vance tha se kërcënimi më i madh që i kanoset sot Evropës, ndryshe nga sa mendohet, nuk është i jashtëm. Komentet zoti Vance i bëri në Konferencën e Mynihut për Sigurinë.
“Kërcënimi që shqetësohem më shumë se i kanoset Evropës nuk është Rusia, nuk është Kina, nuk është ndonjë aktor tjetër i jashtëm, ajo për të cilën shqetësohem është kërcënimi nga brenda, tërheqja e Evropës nga disa prej vlerave të saj më themelore, vlerat e përbashkëta që ndan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Nënpresidenti Vance akuzoi administratën pararendëse se është përpjekur t’i mbyllë gojën njerëzve për të thenë atë që mendonin. Ai shtoi se Shtëpia e Bardhë nën drejtim e Presidentit Trump do të bëjë të kundërtën, duke lënë pajtimet dhe mospajtimet, të bëhen publike. Zoti Vance ripërsëriti thirrjen e Uashingtonit që Evropa të bëjë më shumë për të siguruar mbrotjen e saj.
“Kjo është një konferencë sigurie dhe jam i sigurt që të gjithë keni ardhur këtu të përgatitur për të folur rreth mënyrës se si synoni konkretisht të rrisni shpenzimet për mbrojtjen gjatë viteve të ardhshme në përputhje me një objektiv të ri. Dhe kjo është fantastike sepse siç e ka bërë shumë të qartë Presidenti Trump, ai beson se miqtë tanë evropianë duhet të luajnë një rol më të madh në të ardhmen e këtij kontinenti. Keni dëgjuar termin ndarje të barrës. Ne mendojmë se është një pjesë e rëndësishme e të qenit në një aleancë të përbashkët, pra qe evropianët të rrisin sigurinë ndërsa Amerika përqëndrohet në zona të botës që janë në rrezik të madh”.
Sekretari i Përgjithshëm i Natos Rutte tha se Nënpresidenti amerikan Vance ka “absolutisht të drejtë” kur flet mbi nevojën që Evropa të bëjë më shumë për mbrojtjen e saj. Komentet zoti Rute i bëri gjatë një takimi dy palësh me zotin Vance.
“Është diçka që duhet bërë. Ne duhet të shpenzojmë shumë më tepër. Por duhet të diskutojmë gjithashtu edhe mbi ritmin e prodhimin në industrinë e mbrojtjes. Sigurisht që ky është një problem që e hasim si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në pjesën tjetër të NATO-s. Ne thjesht nuk po prodhojmë mjaftueshëm. Ne nuk po ecim me të njëjtin hap si rusët apo kinezët”, tha zoti Rutte.
Ukraina dhe perspektiva për bisedimet e paqes, ishin në vëmendjen kryesorë të takimit të nivelit te lartë.
Nënpresidenti JD Vance tha se Uashingtoni do të përdorte mjetet ekonomike dhe ushtarake në bisedimet me Rusinë për të siguruar një marrëveshje të mirë paqeje mbi Ukrainën. Komentet zoti Vance, i cili do të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy më vonë gjatë ditë së sotme, i bëri gjatë një intervistë për gazetën ‘Wall Street Journal’ para mbërritje së tij në Mynih. Por zëdhënësi i tij William Martin sqaroi më vonë se komentet e zotit Vance nuk ishin ndonjë kërcënim ndaj Moskës. Zoti Martin tha se nenpresidenti thjesht bëri të qartë faktin se askush nuk do t’i heqë nga dora Presidentit Trump opsionet që ka, ndërsa nisin negociatat për paqe mes Kievit dhe Moskës. /VOA
Ukraina në konferencën e Mynihut! Von der Leyen: BE-ja dhe SHBA-ja duan që lufta të ndalojë

GJERMANI-Presidenti ukrainas tha se Ukraina do të duhet të dyfishojë numrin e ushtrisë së saj në 1.5 milion njerëz nëse nuk mund të bashkohet me aleancën ushtarake të NATO-s. Sipas Zelenskyyt, SHBA-të ishin kundër anëtarësimit të Kievit në Aleancën Euro-Atlantike, ndërsa ai beson se Uashingtoni nuk e pa kurrë vendin e tij si një anëtar të NATO-s.
Zelenskyy thotë se do të ishte në interesin e Ukrainës dhe NATO-s që Ukraina të bashkohet me aleancën: Ne kemi një ushtri të fortë që mund të bëjë një NATO më të fortë kudo.
Ndërkohë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se "një Ukrainë e dështuar do të dobësonte Evropën, por do të dobësonte edhe Shtetet e Bashkuara".
“Edhe BE-ja dhe SHBA-ja duan që gjakderdhja në Ukrainë të ndalet. Të dyja dëshirojnë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, një paqe që çon në një Ukrainë sovrane dhe të begatë, së cilës duhet t'i jepen garanci solide sigurie”,-u shpreh Leyen.
Gjatë fjalës së saj, presidentja e Komisionit vuri në dukje "shumat historike" me të cilat evropianët kanë mbështetur Ukrainën.
“Ekonomikisht dhe ushtarakisht mbështetja totale shkon në 134 miliardë lekë. euro. Kjo është më shumë se kushdo tjetër ka kontribuar”,-theksoi ajo, duke theksuar se kjo shumë përfshin 52 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, e barabartë me atë të Shteteve të Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, ajo kujtoi "sanksionet e ashpra" që Perëndimi ka vendosur kundër ekonomisë ruse, si dhe mosvarësinë graduale të BE-së nga gazi natyror rus./ZËRI
Konferenca e Sigurisë në Mynih, Trump përcjell mesazhe për NATO-n dhe kritika për ukrainën

GJERMANI- Këtë fundjavë, nga e premtja në të dielë, do të zhvillohet Konferenca vjetore e Sigurisë në Mynih (MSC), ku pjesë e saj do të jenë 60 liderë dhe zyrtarë duke përfshirë zëvendëspresidentin e SHBA Jay Vance dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Konferenca e këtij viti karakterizohet nga tensioni gjeopolitik i shkaktuar nga qëndrimi i lidershipit amerikan nën drejtimin e Donald Trump, kryesisht në lidhje me pushtimin rus, veçanërisht pas bisedës që ai pati me Vladimir Putin. Kjo konferencë pritet që të jetë më ndryshe nga ato që janë zhvillur më parë.
Ndërkohë, siç raporton Politico, Vance nuk do të takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz, duke sinjalizuar një notë serioze diplomatik për liderin e vendit pritës në një kohë të tensioneve transatlantike të rritura për një marrëveshje të mundshme paqeje për Ukrainën. Një zyrtar gjerman konfirmoi se të dy udhëheqësit nuk do të takoheshin, por theksoi se Vance dhe Scholz ishin takuar tashmë gjatë samitit të inteligjencës artificiale në Paris të hënën.
Deklaratat e para të Vance nga Mynihu
Ndërkohë, në deklaratat e tij të para nga kryeqyteti bavarez, J.D. Vance përsëriti se NATO dhe BE mbeten aleatë të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara.
"Evropa është sigurisht një aleate shumë e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara, NATO është një aleancë shumë e rëndësishme ushtarake. Por ne duam të sigurohemi që NATO është krijuar me të vërtetë për të ruajtur sigurinë dhe një pjesë e kësaj është që NATO të bëjë më shumë ndarje të peshës në Evropë, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mund të fokusohen në disa nga sfidat në Azinë Lindore", tha Vance, duke folur para gazetarëve së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.
Tensionet mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian po rriten
Tensionet në marrëdhëniet SHBA-Evropë janë evidente. Pala amerikane po shtyn për një përfundim të shpejtë të luftës, madje edhe me lëshime serioze ndaj Rusisë, ndërsa BE-ja mbetet në favor të vazhdimit të presionit ndaj Moskës për paqe nga një pozicion fuqie. Pas takimit të saj me ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Rustem Umerov, kreu i diplomacisë evropiane, Kaya Kalas, deklaroi se Europa duhet të ketë një rol qendror në negociata. "Prioriteti ynë tani duhet të jetë forcimi i Ukrainës dhe sigurimi i garancive të forta të sigurisë."
Në të njëjtën kohë, siç raporton Deutsche Welle, analistët dhe kreu i Konferencës, Christoph Heusgen, konfirmuan se në margjinat e Konferencës priten procese intensive diplomatike në lidhje me Ukrainën. Njëra prej tyre ka të bëjë me një “marrëveshje” të mundshme mes SHBA-së dhe Ukrainës... E vetmja gjë e sigurt për momentin është se orët e ardhshme priten të jenë kritike.
Të gjithë sytë janë në atë që do të thotë zëvendëspresidenti amerikan JD Vance të premten pasdite, ndërsa mediat gjermane raportojnë se një takim Vance-Zelensky është i afërt në Mynih. Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë nën përbërjen e saj të re po i bën presion Evropës dhe Gjermanisë që të marrin përsipër barrën e plotë, tani e tutje, për të mbështetur ushtarakisht Ukrainën për të siguruar paqen pa praninë ushtarake amerikane.
Nga ana tjetër, Trump, megjithë shpalljen e bisedimeve trepalëshe mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës , qëndrimi i tij u tregua përçarës. Ai e ka përshkruar rivendosjen e plotë të kufijve të Ukrainës para vitit 2014 si "jorealiste", duke shkaktuar shqetësim në Evropë dhe brenda udhëheqjes ukrainase. Uashingtoni përjashtoi dislokimin e trupave amerikane, si dhe anëtarësimin e menjëhershëm të Ukrainës në NATO. Ndarja transatlantike kërcënon unitetin e NATO-s, e cila këtë vit feston 76 vjetorin e ekzistencës.
Qëndrimi i Trump, megjithatë, po shkakton shqetësim edhe në rajone të tjera. Propozimi i tij për të "blerë" Grenlandën dhe tensioni i mëpasshëm me Danimarkën, nxjerrin në pah përbuzjen e tij për parimet e NATO-s, sipas analistëve. Ish-ambasadorja e Britanisë së Madhe në SHBA, Kim Darroch, paralajmëron se ky qëndrim dërgon mesazhe të gabuara për Rusinë dhe Kinën./ZËRI
Bisedimet për armëpushim, zyrtarët amerikanë dhe ukrainas do të takohen në Gjermani

GJERMANI-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të enjten se një takim në Munih mes zyrtarëve të lartë nga Moska, Kievi dhe Uashingtoni, është caktuar të mbahet të premten, më 14 shkurt.
“Nesër mbahet takimi në Munih. Rusia do të jetë atje me përfaqësuesit tanë. Ukraina është e ftuar, gjithashtu”, tha Trump për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë në prag të Konferencës së Sigurisë në Munih.
Ai nuk tregoi se cilët zyrtarë nga këto vende do të jenë pjesë e takimeve, por theksoi se “do të jenë zyrtarë të lartë nga Rusia, Ukraina dhe nga Shtetet e Bashkuara”, për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës gati trivjeçare.
Shtëpia e Bardhë nuk lëshoi komunikatë për takimin, por u bë e ditur më herët se në konferencën e Munihut do të marrin pjesë nënpresidenti amerikan JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe i dërguari i Trumpit për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg. Media ukrainase cituan një zëdhënës të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ta ketë mohuar se ishte planifikuar një takim me përfaqësues rusë.
“Nuk priten bisedime me rusët në Munih”, tha Dmytro Lytvyn, sipas një deklarate të cituar në media.
Vance dhe Rubio do të takohen me Zelenskyn para hapjes së konferencës vjetore, e cila mbledh udhëheqës politikë, oficerë ushtarakë dhe diplomatë në qytetin gjerman. Nuk është e qartë nëse Rubio do të mbërrijë në kohë për një takim të hershëm, pasi avioni i tij ushtarak pësoi një problem mekanik 90 minuta pas nisjes dhe u detyrua të kthehej në Uashington, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce. Para nisjes, Rubio tha se ai dhe Vance do të takoheshin me Zelensky, “dhe në një moment… do të duhet të angazhohemi edhe me homologët rusë”.
“Natyrisht, ne do të flasim me Ukrainën dhe me të gjithë aleatët dhe partnerët tanë në Evropë dhe në mbarë botën për këtë çështje”, tha Rubio në një intervistë për radio, më 13 shkurt.
Lytvyn theksoi se qëndrimi i Ukrainës mbetet i pandryshuar: Ukraina duhet të bisedojë fillimisht me Shtetet e Bashkuara, ndërsa Evropa duhet të jetë pjesëmarrëse në “çdo bisedë serioze për hir të një paqeje të vërtetë dhe të qëndrueshme”.
“Dhe, vetëm një qëndrim i përbashkët duhet të jetë në tryezë për bisedimet me rusët. Nuk takohemi me rusët në një tryezë boshe. Aktualisht nuk ka asgjë në tryezë”, tha Lytvyn.
Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022 për të mos e lejuar Ukrainën të largohet nga ndikimi i saj dhe të afrohej me Evropën. Trump tronditi aleatët evropianë kur më 12 shkurt njoftoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike mbi një orë me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe se ata kishin rënë dakord t’i fillonin bisedimet për paqe.
Trump bisedoi edhe me Zelenskyn dhe më 13 shkurt tha se e kishte siguruar atë se ai do ta ketë një vend në tryezën e bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës. Më 13 shkurt, Rubio bisedoi me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andriy Sybiha, për nevojën për një “diplomaci të guximshme” për t’i dhënë fund luftës, sipas një njoftimi të Departamentit të Shtetit.
Në intervistën për radio, Rubio tha se ka “shumë çështje të ndërlikuara që duhet të diskutohen”, përfshirë pretendimet territoriale, kontrollin e armëve, gjuhën dhe çështjet kulturore.
“E gjithë kjo do të duhet të zgjidhet” së bashku me “garanci të qëndrueshme sigurie për Ukrainën”, tha ai, duke shtuar se evropianët do të duhet të jenë të gatshëm ta marrin përgjegjësinë për këtë.
“Është një punë e vështirë, por dita e djeshme ishte hapi i parë në një rrugëtim të gjatë që na pret”, tha ai, duke iu referuar telefonatës së Trumpit me Putinin.
“Do ta përsëris atë që tha presidenti… vrasjet dhe vdekjet duhet të ndalen në Ukrainë”, theksoi ai./REL