LIVE UPDATES

Protesta nga mbështetësit e Veliajt, GJKKO&SPAK: U cënuan, pse nuk u morën masa? Duam përgjegjësit! Opozita i merr 'në mbrojtje'

➤ SPAK dhe GJKKO i kanë dërguar shkresë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. ➤ Institucionet e drejtësisë kërkojnë vendosjen para përgjegjësisë të personave që penguan Policinë e Shtetit që të vepronte për të ruajtur rendin në protestën e mbështetësve të kryebashkiakut Erion Veliaj. ➤ Gjykata e Posaçme e ka quajtur të paprecedentë sjelljen e Policisë së Shtetit. Po ashtu, po ashtu SPAK në këtë reagim e konsideron qëndrimin e Policisë së Shtetit përkundrejt rastit, duke theksuar se efektivët nuk ndërhynë edhe kur u lajëmruan nga Garda. ➤ Mosveprimi i Policisë, sipas SPAK dhe GJKKO, solli cënimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. ➤ Dy ditë pas grumbullimit, një reagim erdhi edhe nga opozita. Kryedemokrati Sali Berisha ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama. Numri një i opozitës i bëri thirrje kreut të qeverisë të mos protestojë më para SPAK, ndryshe do kundërpërgjigjet me protesta. ➤Ende nuk ka një sqarim nga Policia e Shtetit. ➤ Dje në Kuvend, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se masat nuk ishin marrë për shkak se nuk ishin lajmëruar për protestë.

5 artikuj për këtë temë.
4 MUAJ ME PARE

"Dënoj dhunën ndaj GJKKO', Meta nga burgu: PL nuk ka organizuar protesta ndaj këtij institucioni

Protesta nga mbështetësit e Veliajt, GJKKO&SPAK: U cënuan,
Ilir Meta

TIRANË-Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka komentuar nga qelia grumbullimin e mbështetësve të kryebashkiakut Erion Veliajt, para Gjykatës së Posaçme. Kreu i PL thotë se dënon me ashpërsinë më të madhe sulmin dhe dhunën e orkestruar të Narkoshtetit ndaj GJKKO, të urdhëruar drejtpërdrejt nga Kreu i Organizatës, Edi Rama. Meta shprehet se Partia e Lirisë jo vetëm që nuk ka organizuar një protestë ndaj GJKKO, por shprehet se personalisht u ka bërë thirrje publike anëtarëve dhe simpatizantëve, të mos tuboheshin për asnjë arsye para këtij institucioni, as në shenjë solidariteti për të.

POSTIMI:

Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin dhe dhunën e orkestruar të Narkoshtetit ndaj GJKKO, të urdhëruar drejtpërdrejt nga Kreu i Organizatës, Edi Rama. Rrethimi i GJKKO me policë e nëpunës bashkiakë dhe refuzimi zyrtar i Narkopolicisë për garantimin e sigurisë fizike të gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte një “grusht shteti” kundër grushtit të shtetit. Vetë “Ramaforma” ishte një grusht shteti sepse me vendime mbi ligjet dhe Kushtetutën, si  edhe me vettingun e kontrolluar prej tij, Kreu i Organizatës e kapi të gjithë sistemin e drejtësisë. Por meqë denoncimet konkrete persistente, kallëzimet penale persistente, protestat dhe presioni persistent i opozitës e arritën një rezultat, atëhere u urdhërua edhe ky “grusht shteti” kundër grushtit të shtetit që Edi Rama e realizoi po vetë. Pavarësisht reagimit të vonuar të GJKKO, pas 48 orësh, kjo ngjarje provon mentalitetin mafioz të Kreut të Organizatës dhe raportin e tij intimidues, shantazhues dhe kërcënues ndaj institucioneve të shtetit edhe vetë “Drejtësisë së Re” që ai krijoi.

Distancohem nga të gjithë palo-analistët e financuar me paratë e inceneratorëve që këtë ngjarje kriminale përpiqen ta krahasojnë me protestën e Partisë së Lirisë para SPAK, ku asnjë anëtar apo simpatizant i saj, në asnjë moment, nuk ka ushtruar dhunë ndaj institucioneve dhe as ka vënë në rrezik jetën e prokurorëve. U kujtoj se protesta para SPAK është shoqëruar me kallëzimin penal për rrëmbimin tim banditesk nga horra me maska, me armatim të rëndë, pa dokument identifikimi, që nuk më treguan asnjë urdhër ndalimi dhe që më shoqëruan me automjete private, të urdhëruar nga vetë Edi Rama, Altin Dumani dhe McGonigali, që e provoi edhe mosveprimi i SPAK-ut pas këtij kallëzimi ndaj drejtuesve të Narkopolicisë.

Nënvizoj se Partia e Lirisë jo vetëm që nuk ka organizuar një protestë ndaj GJKKO, por ju kujtoj se unë personalisht u kam bërë thirrje publike anëtarëve dhe simpatizantëve, të mos tuboheshin për asnjë arsye para këtij institucioni, as në shenjë solidariteti me mua. Qëndrimet tona ndaj Dumanit nuk kanë të bëjnë me çdo prokuror të SPAK-ut por me shërbimet e tij të neveritshme ndaj Edi Ramës dhe McGonigalit, me proceset politike ndaj drejtuesve të opozitës, me amnistimin publik që i bëri inceneratorit fantazmë të Tiranës, që e cilësoi “krim intelektual”, si dhe për mos vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kësaj mega-afere.

Nënvizoj se çdo arritje në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është vetëm rezultat i kallëzimeve penale persistente, i denoncimeve persistente, i protestave publike persistente dhe i këmbënguljes së Partisë së Lirisë dhe opozitës në tërësi. Prandaj duhet vazhduar me denoncimet, kallëzimet penale dhe protestat persistente për të arritur qëllim final, rrëzimin e Narkoshtetit dhe ndëshkimin e merituar të Kreut të Organizatës. Pas 11 Majit, SPAK-u do të vazhdojë të funksionojë dhe do t’i rikthehet misionit të tij, ndërsa Edi Rama nuk do të jetë nevoja të bëjë asnjë ditë paraburgim dhe as të fshehë celularin sepse provat dhe firmat e tij janë publike.

Të mërkurën, qindra mbështetës të Partisë Socialiste u mblodhën para kangjellave të Gjykatës së Posaçme duke protestuar kundër arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pjesë e tubimit ishin edhe personazhe publike. Që atë ditë opozita ngriti zërin duke kërkuar që si në protestat e tyre, edhe kësaj here të vendosej gardhi rrethues. Por mesa duket të njëjtat pretendime ka edhe GJKKO dhe SPAK. Dje në Kuvend, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se masat nuk ishin marrë për shkak se nuk ishin lajmëruar për protestë./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

"Mbështetësit e Veliajt sulmuan gjyqtarët e prokurorët"/ SPAK i kërkon përgjegjësit Ministrisë së Brendshme

Protesta nga mbështetësit e Veliajt, GJKKO&SPAK: U cënuan,
Foto ilustruese

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar gjithashtu për protestën e mbajtur pak ditë më parë para institucionit për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Përmes një shkrese zyrtare, e cila është paraprirë nga Gjykata e Posaçme, SPAK i kërkon Ministrisë së Brendshme që të vendosë para përgjegjësisë personat që penguan Policinë e Shtetit që të vepronte për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë tubimit. Po ashtu, SPAK në këtë reagim e konsideron qëndrimin e Policisë së Shtetit një shkelje flagrante të detyrimeve ligjore dhe një cenim serioz të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.

“SPAK ka kërkuar përmes shkresës zyrtare me nr. protokolli 5458, dt. 14.02.2025: Marrjen e masave nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë përpara përgjegjësisë personat përgjegjës për mungesën e reagimit. Një shpjegim të argumentuar për mungesën e masave si në rastet e ngjashme në incidentin e datës 12.02.2025,”- thuhet ndër të tjera në njoftim.

Të mërkurën, qindra mbështetës të Partisë Socialiste u mblodhën para kangjellave të Gjykatës së Posaçme duke protestuar kundër arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pjesë e tubimit ishin edhe personazhe publike. Që atë ditë opozita ngriti zërin duke kërkuar që si në protestat e tyre, edhe kësaj here të vendosej gardhi rrethues. Por mesa duket të njëjtat pretendime ka edhe GJKKO dhe SPAK. Dje në Kuvend, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se masat nuk ishin marrë për shkak se nuk ishin lajmëruar për protestë./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Shkresa e SPAK dhe GJKKO, Bardhi kërkon shkarkimin e Hoxhës dhe Prodës: Rrezikuan jetën e gjyqtarëve

Protesta nga mbështetësit e Veliajt, GJKKO&SPAK: U cënuan,
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar pas shkresës së Stukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme që dërguan në Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme për protestën e mbajtur pak ditë më parë nga mbështetësit e kryebashkiakut Erion Veliaj. Bardhi akuzoi ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha se gënjeu në Kuvend për mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj protestës së organizuar gjatë gjyqit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Deputeti demokrat përmes postimit të tij në rrjetet sociale ka kërkuar shkarkimin e Hoxhës dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Prodën dhe ndjeken penale të tyre.

“Ministri i Brendshëm gënjeu dje publikisht dhe keqinformoi Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj tentativës mafioze të drejtorëve batakçi të Bashkisë së Tiranës për të intimiduar fizikisht në krye të detyrës gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm. Ky mashtrim institucional dhe publik i Ministrit të Brendshëm provon edhe autorësinë e urdhrit politik për të penguar drejtësinë që të mbajë përgjegjës para ligjit cilido, pavarësisht statusit të tij.

Erion Veliaj nuk është mbi ligjin. Ai është mik e bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës, por ky i fundit nuk mund të keqpërdorë shtetin dhe Policinë e Shtetit për ti ardhur në ndihmë një personi që hetohet për korrupsion dhe pastrim parash. Edi Rama mund të zgjedhë të jetë avokat i Erion Veliajt, por këtë duhet ta bëjë privatisht, jo duke keqpërdorur institucionet e shtetit.

Mosveprimi i Policisë së Shtetit, që sipas GJKKO dhe SPAK, ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ, në krye të detyrës, nuk mund të kalojë në heshtje.

Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra dhe të ndiqen penalisht.

E kundërta, mosveprimi i Edi Ramës, e bën atë jo vetëm drejtpërdrejt përgjegjës për situatën, por është edhe një grusht shteti i pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor, duke zbatuar parimin mafioz se nëse gjykata e prokuroria dënon e heton pa leje, atëherë do jenë të vetëm e pa mbrojtjen e shtetit. Kjo nuk do të ishte thjesht e paprecedentë, por KRIMINALE”, shkruan Bardhi.

Të mërkurën, qindra mbështetës të Partisë Socialiste u mblodhën para kangjellave të Gjykatës së Posaçme duke protestuar kundër arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pjesë e tubimit ishin edhe personazhe publike. Që atë ditë opozita ngriti zërin duke kërkuar që si në protestat e tyre, edhe kësaj here të vendosej gardhi rrethues. Por mesa duket të njëjtat pretendime ka edhe GJKKO dhe SPAK. Dje në Kuvend, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se masat nuk ishin marrë për shkak se nuk ishin lajmëruar për protestë./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

"Mbaje mend"/ Protesta për Veliaj në SPAK, Berisha-Ramës: Po thirre protestë tjetër do vijmë në Surrel

Protesta nga mbështetësit e Veliajt, GJKKO&SPAK: U cënuan,
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë si rrallë herë në mbrojtje të Stukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organozuar dhe GJKKO. Në fjalën e tij, gjatë një konference për mediat, kreu i PD tha se protestuesit sulmuan makinat e gjykatësve dhe punonjësve të administratës së gjykatës, duke i quajtur këto veprime si aktet e banditëve. Sipas kryedemokratit, këto akte kanë cënuar Kushtetutën, ndaj edhe i dërgoi një mesazh kryeministrit Edi Rama.

"Unë i jap ultimatum Edi Ramës, mos guxo të organizosh protestë tjetër se opozita do të përgjigjet me një kundërprotestë që ti nuk mund ta imagjinosh. Mos guxo, mbaje mend këtë. Po thirrje protestë, do thirret protesta përfundimtare për ty. Po shkojmë drejt zgjedhjeve, ki kurajën të përballesh me votën e shqiptarëve, por sulmi që bëre, tejkalove El Çapon, Toto Rinën dhe çdo kriminel në pushtet dhe jashtë pushteti që ka ekzistuar gjer sot,"-tha Berisha.

Rrethimi i godinës së SPAK/ Berisha: Sulm kriminal nga narkoshteti ndaj institucioneve të drejtësisë

Dje, qytetarët shqiptarë dhe komuniteti ndërkombëtar ishin dëshmitarë të akteve më të shëmtuara në historinë e narkoshtetit sulmit kriminal ndaj institucioneve të drejtësisë nga institucione të tjera të narkoshtetit. Dje ishte puntata më kulmore e Narkosit në Shqipëri. Protestë e organizuar, e lajmëruar nga Edi Rama dhe qeveria e tij, nga rrogëtarë të shtetit dhe policë me dhe pa armë, rrethuan për orë të tëra gjykatën speciale dhe prokurorinë speciale. Mbajtën të ndryrë në gjykatë, gjykatës dhe punonjës të administratës së gjykatës, sulmuan si banditë makinat e tyre. U sollën sikur ato të ishin institucione të pushtuesit. Një sulm i tillë dëshmon jo vetëm dështimin e plotë dhe total, por shkallën e jashtëzakonshme të kriminalizimit të drejtuesve të narkoshtetit shqiptar. Të dërgosh mijëra policë dhe rrogëtarë shteti për të rrethuar një institucion të zbatimit të ligjit, të kërcënosh me jetë gjykatësit, i nxitur direkt nga Edi Rama, është një apel për çdo shqiptar. Dëshmon se je i gatshëm të përdorësh çdo mjet antidemokratik, të përdorësh dhunën sa herë që zbatimi i ligjit nuk të intereson. Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo mazhorancë, kjo pseudomazhorancë apo narkomazhorancë, ka faktuar se nuk njeh ligj, nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Por, në një akt të pashembullt në historinë e një shteti, por natyrisht në një akt tipik të një narkoshteti, kjo zgjodhi tani sulmet fizike kundër gjykatësve dhe prokurorëve që kanë vendosur ndryshe nga sa dëshiron narkomazhoranca. Nuk është kjo një akt i papritur. Nuk është kjo një rezultat i momentit. Jo, të dashur qytetarë. Ky është rezultati i ndërtimit prej vitesh të një narkoshteti në këtë vend, i mbështetur fuqishëm nga Xhorxh Soros dhe mafia e tij. Mos harroni se Edi Rama dhe Erion Veliaj që organizuan në mënyrën më të turpshme, më kriminale, më të padenjë rrethimin e institucioneve të drejtësisë dhe sulmin fizik ndaj prokurorëve dhe gjykatësve, mbajtjen peng në ndërtesë për orë të tëra duke mos i lënë për të dalë, kanë kryer gjer në këtë akt, me dhjetëra akte të tjera, për të cilat edhe mund të jenë mbështetur dhe duartrokitur. Me këtë akt, Edi Rama dhe banda e tij, organizata e tij kriminale që kryeson, u dëshmuan shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ata pranojnë një drejtësi që shtrihet tek këmëbt e tyre, që u nënshtrohet atyre. Kurrë nuk kam lexuar, nuk kam dëgjuar, që një shtet, përveç narkoshteteve që të kenë një qëndrim të tillë, të kryejnë akte të tilla ndaj institucioneve të një pushteti tjetër, që në Kushtetutë dhe në parim ndërkombëtar duhet të jetë i pavarur. Janë tejkaluar të gjitha normat. Unë i jap ultimatum Edi Ramës, mos guxo të organizosh protestë tjetër se opozita do të përgjigjet me një kundërprotestë që ti nuk mund ta imagjinosh. Mos guxo, mbaje mend këtë. Po thirrje protestë, do thirret protesta përfundimtare për ty. Po shkojmë drejt zgjedhjeve, ki kurajën të përballesh me votën e shqiptarëve, por sulmi që bëre, tejkalove El Çapon, Toto Rinën dhe çdo kriminel në pushtet dhe jashtë pushteti që ka ekzistuar gjer sot.

Të mërkurën, qindra mbështetës të Partisë Socialiste u mblodhën para kangjellave të Gjykatës së Posaçme duke protestuar kundër arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pjesë e tubimit ishin edhe personazhe publike. Që atë ditë opozita ngriti zërin duke kërkuar që si në protestat e tyre, edhe kësaj here të vendosej gardhi rrethues. Por mesa duket të njëjtat pretendime ka edhe GJKKO dhe SPAK. Dje në Kuvend, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se masat nuk ishin marrë për shkak se nuk ishin lajmëruar për protestë./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Protesta për Veliajn, GJKKO shkresë Policisë: U cënuam, pse nuk u morën masa?

Protesta nga mbështetësit e Veliajt, GJKKO&SPAK: U cënuan,
Pamje nga protesta

TIRANË- Stuktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme i kanë dërguar një shkesë Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme për protestën e mbajtur pak ditë më parë nga mbështetësit e kryebashkiakut Erion Veliaj. Sipas shkresave, është cenuar institucioni, e po nga mbështetësit janë intimiduar punonjësit e dy institucioneve të drejtësisë. Gjithashtu, sipas SPAK dhe GJKKO, protestuesit kanë penguar furgonin e Drejtorisë së Burgjeve. Në shkresën e publikuar, SPAK dhe GJKKO kërkojnë sqarime. Më konkretisht, Gjykata e Posaçme thotë se nga ana e Gardës së Republikës është kërkuar vazhdimisht mbështetje nga Policia e Shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë para godinave të Gjykatës dhe të SPAK-ut, por kanë hasur në mosreagim nga ana e Policisë së Shtetit. Si shembull, marrin dy tubimet e ngjashme të mbajtura nga mbështetësit e kryedemokratit Sali Berisha. Duke krahasuar ngjarjet, kërkojnë të dinë se përse nuk u morën të njëjtat masa.

“Kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit. Po ashtu, kjo gjykatë ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion e gjithë procedura ligjore e ndjekur dhe planin e masave që janë marrë në rastet e ngjashme sikurse gjatë protestave të datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025, si dhe një shpjegim i argumentuar dhe me prova pse nuk është ndjekur e njëjta praktike edhe në rastin e incidentit të datës 12.02.2025,"-shkruan SPAK dhe GJKKO.

NJOFTIMI I PLOTË:

Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj që prej datës 12.02.2024, datë në të cilën u zhvillua seanca për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj…, për t’ju vënë në dijeni nëse nga ana e Gjykatës është kërkuar prezencë e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës për marrjen e masave sa i takon sigurisë dhe rendit publik, gjatë kohës që zhvillohej seanca gjyqësore e sipërcituar, duke ju kërkuar ndjesë që për shkak të ngarkesës nuk kemi arritur t’ju përgjigjemi në kohë, ju bëjmë me dije si më poshtë: Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me shkresën Nr. 589 Prot., datë 13.02.2025, me lëndë “Mbi konstatimin e mos reagimit të Policisë së Shtetit, për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë si dhe rrezikimin e jetës dhe shëndetit të gjyqtarëve të Gjykatave të Posaçme dhe personelit administrativ”, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe për dijeni Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Nëpërmjet kësaj shkrese, institucionet e sipërcituara janë vënë në dijeni se: Që përpara fillimit të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkelqim Fusha, me qëllim verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit, në kuadër të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024, regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ambientet e jashtme të Gjykatës së Posaçme u grumbulluan turma protestuesish, të cilit bllokuan tërësisht hyrjen në oborrin e përbashkët të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK. Punonjësit e Gardës së Republikës kanë informuar Gjykatën se, në vazhdimësi është kërkuar prej tyre ndihmë nga Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin jashtë të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK, duke vendosur kordonin e sigurisë me punonjës policie me uniformë, sikurse është vepruar në raste të tjera të ngjashme në protestat e datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025.

Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; gjykata.gov.al Gjithashtu, informacioni i cili i është përcjellë institucionalisht Policisë së Shtetit nga Garda e Republikës ku i është bërë e ditur rreth grumbullimit të një numri të konsiderueshëm protestuesish përballë Gjykatave të Posaçme është mbuluar gjithashtu pothuajse nga të gjitha mediat, edhe në lidhje direkte. Godina e Gjykatës së Posaçme ruhet dhe mbrohet nga Garda e Republikës së Shqipërisë sipas parashikimeve të ligjit nr. 33/2021 “Për gardën e Republikës së Shqipërisë”, nenit 12, pika 2, gërma “d” e tij, si dhe VKM-së Nr. 507, datë 27.07.2022 “Për një shtesë në vendimin nr. 597, datë 13.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e personaliteteve dhe objekteve të tjera, që ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës së Shqipërisë”, pika 1 e tij, ku parashikohet shprehimisht se: “Në shkronjën “b”, të pikës 2, të vendimit nr. 597, datë 13.10.2021, të Këshillit të Ministrave, pas nëndarjes “ii” shtohen nëndarjet “iii” dhe “iv”, me këtë përmbajtje: “iii. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”; iv. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Në nenin 7, pika 1, gërma “l” e ligjit nr. 33/2021 “Për gardën e Republikës së Shqipërisë”, parashikohet shprehimisht se “1. Garda e Republikës së Shqipërisë ka përgjegjësi dhe kryen këto detyra kryesore: …l) bashkëpunon e bashkëvepron me Policinë e Shtetit dhe shërbimet inteligjente për ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve dhe të objekteve në ruajtje, sipas rregullave të përcaktuara në marrëveshje të përbashkët ndërmjet drejtuesve të strukturave”. Pra, siç parashikohet në dispozitat ligjore dhe VKM-në, të cituara më sipër, Garda e Republikës ruan dhe mbron vetëm perimetrin e brendshëm të Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe bashkëpunon e bashkëvepron me Policinë e Shtetit për ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve dhe të objekteve në ruajtje. Përveç sa më sipër, institucioneve të sipërcituara, ju është bërë me dije një tjetër fakt i rëndësishëm mbi situatën e datës 12.02.2025, që ka qenë vështirësia e lëvizjes së gjyqtarëve qoftë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, e cila u rëndua gjatë mbrëmjes, ku protestuesit jo vetëm kanë penguar gjyqtarët të dalin nga ambientet rrethuese të gjykatës, por edhe kur kanë tentuar të dalin, automjetet shoqëruese të tyre janë qëlluar nga ana e protestuesve, duke sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët.

Kjo situatë ka sjellë që edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe shpalljes së vendimit, protestuesit kanë izoluar nëpërmjet rrethimit të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ, të cilëve dukshëm iu cenuar siguria për jetën dhe shëndetin e tyre. Pavarësisht fakteve të mësipërme, si dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore të parashikuara në ligjin “Për policinë e shtetit”, nga ana e Policisë së Shtetit, e cila ka si mision parësor ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë, duke treguar një indiferentizëm të pashpjegueshëm në ndjekjen dhe parandalimin e kësaj situate e cila mund të rrezikonte seriozisht jetën. Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; gjykata.gov.al dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ. Kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka konsideruar këtë sjellje të paprecedent të Policisë së Shtetit, të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore përkundrejt institucioneve kushtetuese të sistemit të drejtësisë shqiptare, siç janë Gjykatat e Posaçme dhe SPAK, të cilave ju ofrohet mbrojtje e posaçme, jo vetëm nga ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, por dhe nga ligji nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. Në përmbushje të parimeve themelore të shtetit të së drejtës dhe në përputhje me parimet kushtetuese të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, organet e drejtësisë duhet të mbrohen në mënyrë absolute nga çdo lloj sulmi apo ndikimi i jashtëm. Respektimi i pavarësisë së sistemit të drejtësisë është thelbësor për funksionimin e duhur të demokracisë dhe për garantimin e një procesi të drejtë ligjor për të gjithë qytetarët. Çdo tentativë për të ndikuar apo cenuar punën e organeve të drejtësisë bie ndesh me frymën dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me detyrimet ndërkombëtare që vendi ynë ka marrë përsipër, në kuadër të sundimit të ligjit. Nëpërmjet mosveprimeve të saj, Policia e Shtetit ka kontribuar në pengimin e Gjykatës së Posaçme në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe ligjore për të gjykuar në një ambient të sigurt dhe të qetë si dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e gjyqtareve dhe personelit administrativ.

Nëpërmjet shkresës më sipër, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që të marrin masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, në zbatim të ligjit, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë të paprecedentë. Po ashtu, kjo gjykatë ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion e gjithë procedura ligjore e ndjekur dhe planin e masave që janë marrë në rastet e ngjashme sikurse gjatë protestave të datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025, si dhe një shpjegim i argumentuar dhe me prova pse nuk është ndjekur e njëjta praktike edhe në rastin e incidentit të datës 12.02.2025. Aktualisht, gjykata është në pritje të kthimit të përgjigjes nga ana e autoriteteve kompetente, me qëllim ndjekjen e rrugëve të tjera institucionale sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore.

Të mërkurën, qindra mbështetës të Partisë Socialiste u mblodhën para kangjellave të Gjykatës së Posaçme duke protestuar kundër arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pjesë e tubimit ishin edhe personazhe publike. Që atë ditë opozita ngriti zërin duke kërkuar që si në protestat e tyre, edhe kësaj here të vendosej gardhi rrethues. Por mesa duket të njëjtat pretendime ka edhe GJKKO dhe SPAK. Dje në Kuvend, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se masat nuk ishin marrë për shkak se nuk ishin lajmëruar për protestë./ZËRI

Poll

MOS HUMB