Çfarë ndodhi në votim? Huaja 302 mln$ me SHBA, "mungojnë" kartonët jeshilë të 3 figurave të njohura të PS-së (FOTO)
TIRANË- Kuvendi miratoi këtë të hënë, në seancën e dytë plenare pas asaj të orës 10:00, me 74 votat e deputetëve të Partisë Socialiste, marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake.
Shqyrtimi i projektligjit u zhvillua në një seancë me dyer të mbyllura, pasi mazhoranca argumentoi se dokumenti përmban informacion të klasifikuar. Nga ana tjetër, Partia Demokratike nuk mori pjesë në votim, ndonëse deklaroi se e mbështet marrëveshjen në parim. Ajo deklaroi para nisjes së seancës se nuk do të merrte pjesë në këtë votim, pasi sipas saj ai ishte në shkelje të Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës.
Por, gjatë votimit, një detaj tërhoqi vëmendjen. Nga pamjet e transmetimit, kartonët jeshilë nuk shfaqen të ngritur nga të gjithë deputetët e mazhorancës, të paktën 3 prej tyre nuk shfaqen duke ngritur kartonin jeshil.
Konkretisht, siç shihet edhe në foton e mëposthme, 3 deputetët që nuk shfaqen me kartonin jeshil, janë: Bledi Çuçi, ish-ministër i Brendshëm dhe ish-kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, Ervin Hoxha, ish-ministër i Brendshëm, si dhe Elisa Spiropali, ish-kryetare e Kuvendit.
Megjithatë, mënyra e votimit të deputetëve vërtetohet vetëm nga sistemi elektronik dhe procesverbali i Kuvendit, jo nga pamjet e transmetimit televiziv./ZËRI
'Rrëmbimi' i dokumentit nga Kuvendi/ PS kërkon përjashtimin e Shehajt, nesër vendos Sekretariati i Etikës
TIRANË- Sekretariati i Etikës do të mblidhet nesër në orën 09:30 për kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetit dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe referimin pranë SPAK.
PS ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Shehaj pas publikimit të një videoje ku ai mori një kopje të marrëveshjes së huasë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes. PS pretendon se Agron Shehaj, pasi është paraqitur në sallën ku mbahej dokumenti, ka kërkuar ta marrë kopjen fizike me vete, por është kundërshtuar nga stafi i Kuvendit.
Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, PS kërkon që ndaj Shehajt të merret masa e përjashtimit nga pjesëmarrja në komisione dhe seanca plenare për 60 ditë.
Ndërkohë, Kuvendi miratoi me 74 votat e Partisë Socialiste marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara për blerjen e pajisjeve ushtarake. Diskutimet u zhvilluan në një seancë me dyer të mbyllura, pasi mazhoranca argumentoi se dokumenti përmban informacion të klasifikuar, ndërsa Partia Demokratike bojkotoi seancën./ZËRI
"Blindohet" mbrojtja! Kuvendi miraton me 74 vota pro projektligjin e huasë prej 302 mln $ mr SHBA-në
TIRANË- Kuvendi ka miratuar këtë të hënë projektligjin për huanë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila do të përdoret për financimin e pajisjeve ushtarake.
Votimi u zhvillua në seancën e dytë plenare të ditës, pas asaj të orës 10:00. Partia Demokratike nuk mori pjesë në votim, duke deklaruar më herët se do ta bojkotonte procesin, pasi sipas saj miratimi i projektligjit ishte në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.
Në sallë, përveç deputetëve të Partisë Socialiste, ishin të pranishëm edhe tre deputetë të Partisë Socialdemokrate.
Para votimit, seanca plenare u ndërpre sërish dhe deputetët votuan me 74 vota pro zhvillimin e diskutimeve me dyer të mbyllura. Pas përfundimit të diskutimeve, Kuvendi vijoi me votimin e marrëveshjes së huasë me SHBA-në./ZËRI
Mbyllet seanca e parë! PS kalon në procedurë të përshpejtuar marrëveshjen me SHBA-në, PD bllokon foltoren
TIRANË-Seanca e parë plenare e Kuvendit të Shqipërisë është mbyllur pas tensioneve të krijuara gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes.
Me 75 vota pro dhe kundërshtime nga deputetë të opozitës, u miratua futja me procedurë të përshpejtuar në Kuvend e marrëveshjes prej për financim të jashtëm ushtarak prej 302 milionë dollarësh. Opozita kundërshtoi duke bllokuar foltoren, ndërsa seanca për miratimin e marrëveshjes do të mbahet në orën 15:00.
Marrëveshja prej 302 mln $ me SHBA, Balla nga Kuvendi: Financimi do të përdoret për Forcat e Armatosura
TIRANË-Ashtu siç ishte paralajmëruar kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka kërkuar votim me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes ushtarake me Shtetet e Bashkuara për financim të jashtëm ushtarak prej 302 milionë dollarësh. Balla u shpreh se marrëveshja parashikon investime për mbrojtjen dhe modernizimin e Forcave të Armatosura në kuadër të angazhimit që Shqipëria ka ndaj NATO-s.
Fjala e Ballës u zhvillua me kundërshtime nga demokratët, ku opozita shprehet se nuk është vendosur në dijeni të marrëveshjes dhe procedura e ndjekur është në shkelje të Kushtetutës.
Taulant Balla: Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë. Një marrëveshje e veçantë për sigurinë kombëtare të vendit, një marrëveshje që konfirmon fuqizimin e marrëdhënieve të shkëlqyera të Shqipërisë me aleatin e saj të madh, SHBA-të. Kjo është një marrëveshje që shkon përtej termave financiarë, është një dëshmi konkrete e besimit që SHBA-të kanë ndaj Shqipërisë dhe rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që vendi ynë luan për sigurinë euroatlantike. Shqipëria mbështet objektivin e ri të NATO-s për të arritur në 5% të PBB-së për mbrojtjen dhe sigurinë, me PS-në në qeverisje deri në 2035, duke dëshmuar se mbrojtja dhe siguria janë prioritete tona strategjike. Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajijsje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve më të larta të NATO-s. Financimi do të disbursohet gradualisht sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes. Shqipëria do të ketë 48 muaj për aktivizimin e fondeve, afat deri në 12 muaj. Çdo përdorim i fondeve do të miratohet nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes duke garantuar transparencë të plotë.
/ZËRI
U shoqërua së bashku me disa protestues të tjerë, lirohet Arben Kola: Nuk u ushtrua presion...bëra thirrjen 'Rama i pabesë'
TIRANË- Kanë nisur pak minuta më parë përplasjet mes Policisë dhe protestuesve, në perimetrin pranë Kuvendit, ku po mbahet seanca e fundit plenare. Gjatë tensioneve, uniformat blu kanë shoqëruar një nga organizatorët e protestave të “Revolucionit Flamingo”, Arben Kolën. Mësohet se Kola ka tentuar të çajë kordonin e efektivëve të Policisë.
Pas daljes nga ambientet e Policisë, Kola dha një prononcim për News24, ku tha se shoqërimi i tij erdhi ndërsa po bënte thirrjet e zakonshme të protestës.
“Thjesht po bëja thirrjet tona të zakonshme. Thirrjet ishin: ‘Ju me gaz, ne me vezë’, ‘Edi Rama i pabesë’. Si duket u bënë xhelozë. Nuk thanë asgjë. ‘Pse ke dalë, ligji ky e ligji ai’, siç janë akuzat që policia përdor për të shantazhuar protestuesit. Nuk u ushtrua presion,"- u shpreh Kola.
Po ashtu, në komisariat janë shoqëruar edhe disa protestues të tjerë.
Protesta vijon para Kuvendit dhe kishte nisur që prej orës 08:30 të mëngjesit të sotëm./ZËRI
Protestuesit ndahen, një pjesë e tyre vendosen te Ministria e Brendshme
TIRANË-Qytetarët janë mbledhur sot para Kuvendit në protestën e 58. Një pjesë e tyre janë vendosur te Ministria e Brendshme, efektivët ndodhen më të shumtë në numër. Nuk dihet ende skenari i qytetarëve, ndërsa të tjerë vijojnë të jenë para godinës së Kuvendit. Me thirrjet “parlament i krimit”, “parlament analfabet” dhe “nuk na përfaqësoni”, ata kërkojnë që qeveria të dorëhiqet.
/ZËRI
“Shqiponjat” në vijën e parë, gardh metalik e autobotë...qytetarët në protestë, 'blindohet' Kuvendi

TIRANË-Qytetarët kanë lajmëruar sot protestën e radhës para Parlamentit. Protestuesit kanë filluar të mblidhen, teksa seanca pritet të fillojë në orën 10:00. Nga ana tjetër masat e sigurisë para Kuvendit janë shtuar.
Në zonën përreth Parlamentit janë vendosur autobotë me ujë, barriera metalike dhe një gardh i gjerë policor. Në rreshtin e parë janë pozicionuar forcat “Shqiponja” dhe FNSH. Ndërkohë efektivët kanë rrethuar edhe hyrjen nga Ministria e Brendshme.
View this post on Instagram
Në tubimin e zhvilluar më 23 korrik protestuesit hodhën vezë në drejtim të automjeteve të deputetë dhe ministrave teksa hynin dhe dilnin nga ambientet e Kuvendit.
Sot Kuvend dhe protestë! Parlamenti mblidhet 2 herë brenda ditës, caktohen anëtarët zëvendësues të komisioneve
TIRANË-Kuvendi mblidhet sot për caktimin e anëtarëve zëvendësues në komisionet parlamentare. Seanca do të fillojë në orën 10:00, ndërsa njëkohësisht pritet të mbahet edhe protesta e radhës para godisnës së Parlamentit.
Sipas rendit të ditës, deputetët do të miratojnë fillimisht procesverbalin e seancës së kaluar dhe do të shqyrtojnë njoftimet, ndërsa pika kryesore është projektvendimi për ndryshimin e vendimit nr. 87/2026, që lidhet me caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.
Ndërkohë parlamenti pritet të votojë sot marrëveshjen e sjellë nga qeveria të premten, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Marrëveshja nuk është pjesë e rendit të ditës, por pritet të bëhet e ditur nga kryetari i Kuvendit në nisje të seancës plenare, me qëllim që të shqyrtohet dhe miratohet me procedurë të përshpejtuar.
Marrëveshja do të shqyrtohet në komisionet parlamentare, ndërsa deputetët do të rikthehen në një seancë të dytë plenare, e planifikuar në orën 15:00.
Jashtë Kuvendit qytetarët do të zhvillojnë tubimin e radhës, ku priten sërish tensione. Në seancën e kaluar më 23 korrik, u përplasje mes policinsë dhe qytetarëve, ndërsa deputetët që hynin në parlament u qëlluan me vezë. Mes tensioneve dhe kaosit, mazhoranca votoi e vetme 7 projektrezoluta të institucioneve kushtetuese, 2 akte normative dhe 15 projektligje.
Rendi i ditës
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 27.7.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 23.7.2026.
2. Njoftime.
3. Projektvendimi "Për një ndryshim në vendimin nr. 87/2026, “Рër caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit", i ndryshuar".
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.