"Tani do çmontojmë gënjeshtrat, ftoj..."! Meta reagon pas vendimit të GJKKO: Drejtësi me regji dhe gjykim "me risi"
TIRANË- Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga qelia lidhur me vendimin sotëm të GJKKO-së për kalim në gjykim të dosjes në ngarkim të kreut të PL-së dhe të pandurve të tjerë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i PL-së, e cilësoi vendimin si ‘drejtësi me regji dhe gjykim me risi’, ndërsa hodhi akuza për mungesë hetimesh të qëllimshme.
Sipas Metës, gjatë procesit janë evidentuar “gënjeshtra” dhe “falsifikime” nga ana e akuzës, teksa ftoi mediat që të ndjekin seancat gjyqësore. Meta thotë se do publikohen sipas tij, 'gënjeshtrat, falsifikimet dhe mashtrimet që ndodhen në fashikuj'.
Reagimi i plotë i Metës:
Dihet se e gjithë Ramaforma ishte një Drejtësi me Regji, për të shtuar korrupsionin në përmasa skizofrenike në Shqipëri, siç e provoi edhe raporti i Transparency International, që faktoi përkeqësimin me 11 vende, krahasuar me një vit më parë.
Sot u shënua edhe një gjykim “me risi”.
Edhe pse gjykatësja konstatoi drejtësinë e shumë pretendimeve tona, me mungesën e qëllimshme të veprimeve hetimore nga akuza për moszbardhjen e së vërtetës, në vend që të kërkonte që të bëheshin këto hetime të domosdoshme, por të shmangura qëllimisht deri tani, vendosi që çështja të kalojë në gjykim, por edhe listoi të gjitha veprimet hetimore, që duhen bërë njëkohësisht për zbardhjen e së vërtetës.
Pra tani nuk do të kemi vetëm gjykim por paralelisht edhe hetim.
Sidoqoftë, duke shprehur keqardhjen që humbëm 6 muaj kohë, edhe pse u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës gjatë këtij procesi, mezi presim fillimin e gjykimit në themel dhe i ftoj të gjithë gazetarët dhe të gjithë trupin diplomatik në Tiranë që të ndjekin çdo seancë.
Përfundimi i seancës paraprake na jep lirinë që të çmontojmë publikisht të gjitha gënjeshtrat, falsifikimet dhe mashtrimet që ndodhen në fashikuj.
Falenderoj dy avokatët e mi, Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima për punën e tyre dhe për pranimin e të gjithë provave të reja nga gjykata, të paraqitura prej tyre, të cilat prokurorët i kishin shmangur qëllimisht.
I paçuditur nga bllokimi recidivist i integrimit europian nga Edi Rama, i cili ka tmerr edhe nga drejtësia e tij.
Dosja Meta për gjykim! Kryemadhi: S'ka asgjë...do shikoni kartat e krediteve, kanë paguar për dashnoret apo jo
TIRANË- GJKKO kaloi për gjykim dosjen ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe tre të pandehurve të tjerë Fatime Kryemadhi, Ema Coku dhe Pirro Xhixho. Në fjalën e saj para mediave, Kryemadhi tha se nuk kishte asnjë surprizë dhe në dosje sipas saj nuk ka asgjë. Ish-deputetja theksoi se fatin e saj nuk e ka në dorë as gjykata dhe as prokuroria, por është një betejë me veten dhe zotin.
Monika Kryemadhi: Fatin tonë nuk e ka as GJKKO dhe as Prokuroria, por e kemi vetë në dorë. Kjo është një betejë me opinionin publik, nuk është beteje ligjore. Beteja jonë është beteja me vetëveten dhe zotin. Sa i përket vendimit të sotëm mund të them që ishte një vendim nën presion, jo të gjithë e përballojnë presionin. Gjyqtarja pranoi që në dosje 90% të akuzës së prokurorëve nuk ka asnjë provë. Në dosje nuk ka asgjë. Tani do kënaqeni, do shikoni të gjitha kartat e krediteve të bizneseve. Kanë paguar për dashnoret apo jo.
Dosja përfshin tre hetime, çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror. Meta akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje./ZËRI
Dosja Meta për gjykim! Cakrani: Procedurë koti. Kryemadhi: Do shohim 'Big Brother'-in e drejtësisë, Iliri ka një shans
TIRANË-GJKKO vendosi që të kalojë për gjykim dosjen në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë. Në dalje të ambjenteve të gjykatës avokati i Metës, Kujtim Cakrani, deklaroi se gjykata pranoi se hetimet janë të paplota dhe se mungojnë prova materiale dhe dëshmi, por sërish vendosi të mos pranojë kërkesat për plotësim hetimesh dhe ta dërgojë çështjen për gjykim.
Avokati Kujtim Cakrani: Gjykata pasi relatoi kërkesat tona kur ne i kishim të bazuara për plotësim hetimet, gjykata i konstatoi se hetimet janë të paplota. Gjykata përsëri nuk u ngrit dot në lartësinë që kërkon detyra, nuk pranoi kërkesat dhe e kali çështjen për gjykim duke thënë që këto çështje zgjidhen vetëm në themel. Gjykata e themelit do të bëjë dhe prokurorin dhe gjykatësin. Nuk ka asnjë të re, sot ka përfunduar çështja ligjore në themel fillon çështja politike. Kjo është një procedurë koti. Kemi 7 muaj që merremi me gjykatën dhe janë tallur me avokatët. Mangësitë e hetimeve ka qenë dëshmitë që duhet të merreshin në SHBA që gjykata i konstatoi, dëshmitë në Shqipëri me parlamentarët shqiptarë, që nga Rama dhe të gjitha ta që ideuan ligjin për minierat. Gjykata përsëri tha që duhet të merren në themel. Prova të tjera, janë prova të tjera që Kryemadhi ka bërë dhe aktet e vlerësimet financiare që dhe aty ka mangësi. Kryemadhi e Meta nuk shin familjarë. Kanë qenë dy deputetë, kanë pasur role të ndryshe ne jetën politike.
Ndërkohë në deklaratën e saj, Monika Kryemadhi e cilësoi procesin si politik, duke theksuar se do të përballet me akuzat në seancat gjyqësore. Kryemadhi pretendoi se gjatë seancës, gjyqtarja ka përmendur disa elementë që sipas saj nuk janë paraqitur nga prokuroria. Kryemadhi ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi akuzat për korrupsion, duke përmendur rastin e biznesmenit Adrian Shatku, për të cilin tha se nuk është marrë në pyetje. Sipas saj e vetjma gjë e mirë nga procesi është se për në Strasburg Metës i jep shans të madh.
Monika Kryemadhi: Ne do kënaqemi përditë në seanca, do të shohim Big Brother të drejtësisë. Kjo është një drejtësi qesharake. Por ka një gjë të mirë ky vendim, se për në Strasburg Metës i jep shans të madh, jo vetëm për të zbardhur çështjen në lidhje me veten e tij, por edhe për të treguar që ato miliona dollarë taksapaguesit amerikanë dh evropianë kanë paguar për një sistem drejtësie, për të cilën kryepolicët e drejtësisë thonë që gjykata afërmendsh merr vendimin që thotë prokuroria. Unë s’kam asnjë lloj surprize. Ky është gjyq politik, ka qenë gjyq politik. Kam frikë se videot e Agasit kërcënojnë shumë njerëz edhe brenda GJKKO. Fatin tonë në dorë nuk e ka as GJKKO-ja, as Prokuroria, fatin tonë e kemi vet në dorë, kjo është betejë me opinionin publik, beteja me drejtësinë ka munguar. Beteja jonë është betejë me vetveten dhe me zotin.
Ilir Meta akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi./ZËRI
Kalon për gjykim dosja Meta-Kryemadhi! Ish-presidenti nën akuzë për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie
TIRANË-Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur që dosja ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë, të kalojë për gjykim. Dosja përfshin tre hetime, çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror.
Meta akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.
Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Hetimi nisi në vitin 2019 pas dy kallëzimeve të mbërritura në SPAK.
Në përfundim të seancës, jashtë ambjenteve të GJKKO, avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani tha se kalimi për gjykim i dosjes, ka çuar në përfundimin e procesit ligjor për Metën dhe nisjen e çështjes politike. Edhe Monika Kryemadhi e quajti gjyqin politik, teksa e cilësoi procesin e saj dhe të Metës, si një farsë. Kryemadhi ka theksuar se vetë gjyqtarja Irena Gjoka ka pranuar se nuk ka asnjë provë, ndërsa sipas saj prokurorët thonë akuzat janë perceptime. /ZËRI
GJKKO vendos sot kalimin ose jo për gjykim të dosjes! Kryemadhi: Sido që të shkojë, do shihemi një herë në muaj
TIRANË-Ish-deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme, ku ndiqet si e pandehur së bashku me ish-bashkëshortin e saj, kreun e PL, Ilir Meta. Kryemadhi njejtë si herët e tjera përshëndeti mediat, ku nuk i ka kursyer batutat, teksa u shpreh se do të shohë çfarë vendimi do jepet nga gjyqtarja sot.
Monika Kryemadhi: Sido që të shkojë puna, do shihemi një herë në muaj.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të japë sot vendimin nëse dosja ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë do të kalojë apo jo për gjykim. Gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli javën e kaluar shqyrtimin e dosjes, pas një procesi 8-mujor, që kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim ndaj Metës e Kryemadhit, të dy të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI