Endri Shabani zgjidhet Avokat i Popullit! PD braktis votimin, Rama në Kuvend
TIRANË- Kuvendi ka zgjedhur Endri Shabanin Avokat të Popullit me 85 vota pro. Kryeparlamentari Niko Peleshi hapi votimin për prezencën, por opozita refuzoi dhe u largua nga salla.
Teksa Partia Demokrati braktisi sallën në shenjë bojkoti për votimin, kryeministri Edi Rama u paraqit në Kuvend për të votuar. Pasi është zgjedhur Endri Shabani si Avokat i Popullit, Rama është larguar nga salla.
Votimi për kandidatët:
Tartar Bazaj / 1 pro / 79 abstenim, 7 kundër
Aranita Brahaj / 4 pro, 76 abstenim, 7 kundër
Skënder Haluci / 1 pro / 72 abstenim, 14 kundër
Adriana Kalaja / 0 pro / 69 kundër, 17 abstenim
Beism Ndregjoni / 0 pro, 61 abstenim, 25 kundër
Endri Shabani / 85 vota pro, 0 abstenim, 3 kundër
“Ky 35-vjetor ju gjen me rezultatin më të dobët", Berisha replikon me Ballën: S'ka më farsën elektorale! "Never more"
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha dhe kreu i grupit socialist, Taulant Balla, janë përplasur gjatë mocionit me debat për 11 majin. Në replikë me socialistin, Berisha vijoi me akuzat për manipulim votash, duke e quajtur Ballën si njënga kriminelët elektoralë më të mëdhenj të vendit. Kreu i demokratëve ka vijuar retorikën se zgjedhjet janë antikushtetuese pasi u rrëmbyen në metoda anti-ligjore, ndërsa zotohet se kjo nuk do të ndodhe më.
"Parafolësi është një nga kriminelët elektoralë më të mëdhenj të vendit, nga manipulatorët më kryesorë në bashkëpunim me kartelet e drogës. Dhe manipulatorët e votës së diasporës. Kjo është realiteti. Për sa i përket pretendimeve, garantoj shqiptarët se kurrë më 11 maj forca politika e bazuar në krimin drogën nuk është fituese. Zgjedhjet i rrëmbeu me metoda anti ligjore anti Kushtetues. Konkluzioni i KE se duhet ndarë partia nga shteti dëshmon se në Shqipëri zgjedhjet u zhvilluan mes shteti partiak dhe partive politike. Kjo dënon me vdekje farsën që u zhvillua. Ju garantoj se nuk do mundni ta zhvilloni më atë farsë. Ne ja dolëm se do mbrojmë votë. Por e themi këtu Never more, Kurrë më, hiqeni nga mendja.", tha Berisha.
View this post on Instagram
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh nga foltorja e Kuvendit se zgjedhjet e 11 majit ishin të lira dhe të ndershme. Balla nuk la pa ironizuar PD-në, duke u kujtuar se ky 35-vjetor i gjen me humbjen më të rëndë në histori. Sa i përket akuzave të opozitës, Balla theksoi se zgjedhjet u fituan edhe në diasporë, ku 2 ndër 3 shqiptarë në diasporë i besuan PS.
"Së pari më lejoni t’ju uroj gëzuar festën e Partisë demokratike, 35 vjetor i rëndësishëm për një prej forcave më të rëndësishme politike në tranzicionin shqiptar. Më vjen keq që ky 35 vjetor ju gjen edhe në rezultatin më të dobët historik të partisë tuaj, më i dobët edhe se më 1997, më i dobëti edhe në betejat që ju drejtoi Luli...Po mirë këtu ka ndikuar shteti e pushteti, po në Diasporë ç’ju gjeti? Dy në tre shqiptarë në Diasporë ia besuan votën Ramës. Si shpjegohet kjo? Faleminderit Diasporës, motrave dhe vëlleërve të diasporës që ia dhanë votën PS dhe Edi Ramës si kryeministër.", u shpreh Balla.
"S'e njoh lepurin e Surrelit, as ujkun e Cërrikut"! Manja ironizon opozitën: E keni kthyer Avokatin e Popullit në vend pune!
TIRANË- Kryetari i Komisionit të Ligjeve, njëherësh dhe deputet i Partisë Socialistë, Ulsi Manja, i është drejtuar me tone të ashpra opozitës pas tërheqjes së firmave për kandidatët për Avokatin e Popullit. Nga foltorja e Kuvendit, Manja ka akuzuar opozitën për tërheqjen e firmave jashtë afateve proceduriale, pasi sipas tij, bie ndesh me zbatimin e vendimin të Komisionit që miratoi listën me 26 kandidatë.
“Unë e kuptoj se gjithçka që u tha deri tani është qëndrim dhe arsyetim politik. Kjo nuk do të thotë se arsyetimet politike mund të mbivendoset mbi ato ligjore dhe procedurale. Unë jam këtu për të kërkuar deri në fund të përmbyllet faza e përzgjedhjes së AP sipas raportit të Komisionit të Ligjeve, i cili ka pasur këtë bazë ligjore, kushtetutën. Kemi shpallur afatin 20 ditor që është shprehja e interesit, pas 20 ditësh kemi marrë 26 kandidatura, pastaj i kemi verifikuar. Më 12 dhe 13 nëntor komisioni i ka dëgjuar të 26 kandidatët. Meqë 17 nëntor komisioni ka miratuar listën me 26 kandidatë që sipas vlerësimin plotësonin kushtet për të qenë kandidat. Kemi thënë që deri më 2 dhjetor kandidatët të mbledhin firmat. Tërheqja e firmave pas afatit të 2 dhjetorit bie ndesh me parimin e sigurisë juridike. Nuk mund të firmosni në mëngjes dhe tërhiqeni në darkë, kjo krijon kaos", tha Manja.
Më tej, Manja ka ironizuar qëndrimin e opozitës për zvarritjen e procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Sipas Manjss argumentet e opozitës për tërheqjen e firmave janë justifikime, duke iu thënë: 'Nuk e di se kush është lepuri i Surrelit, dhe as ujku i Cërrikut’.
"Ju thoni jemi tërhequr se jemi bërë pishman se nuk votojmë lepurin e Surrelit. Ju thoni nuk votoni lepurin e Surrelit, unë në këtë listë nuk e di kush është as lepuri i Surrelit as ujku i Cërrikut. Ju tani doni të zhbëni gjithë procesin për të mbledhur firmat në kafe. Tani ndajeni mendjen jeni opozita e Shqipërisë apo partia e klubit?", tha Manja.
/ZËRI
Rama nuk shkon në seancë, rrëzohet kërkesa e Shehajt, deputeti interpelancë me Koçiun
TIRANË- Gjatë seancës së sotme parlamentare ishte parashikuar të mbahej një interpelancë mes deputetit Agron Shehaj dhe kryeministrit Edi Rama.
Pasi iu dha fjala nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, Shehaj propozoi heqjen nga rendi i ditës të interpelancës me kryeministrin, pasi ky i fundit nuk ishte i pranishëm në seancë. Rama ka deleguar ministren e Brendshme, Albana Koçiu, për të zhvilluar interpelancën në vend të tij. Kërkesa e deputetit të partisë Mundësia u rrëzua me 77 vota kundër dhe 28 pro.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Shehaj u ndal te akuzat për vjedhje dhe shpërdorim detyre ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku. Lidhur me interpelancën, Shehaj u shpreh se Rama nuk është i përqendruar te Kuvendi, por te çështja e Ballukut.
“Siç e thashë, kërkoj interpelancë me kryeministrin dhe ministren e Brendshme. Nuk është askund në rregullore që kryeministri mund të shmangë interpelancën. Unë e kuptoj shqetësimin, sepse në fakt fati i këtij vendi dhe i kryeministrit nuk është i përqendruar në Kuvend, sepse fati nuk po vendoset në këtë Kuvend. Kryeministri ka halle më të mëdha për të zgjidhur tani sesa të dalë në interpelancë. Kryeministri ka hallin e Ballukut, është hall i madh. Sot Rama ishte në një event dhe me paturpësinë më të madhe ka dalë në 30-vjetorin e Prokurimeve Publike duke u mburrur për arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Mazhoranca ka humbur fabulën. A i keni dëgjuar përgjimet, ku Balluku fillimisht anulon një tender ‘me ndjesi’, dhe më pas del se mbyll një kontratë me kompaninë turke përpara se të hapej tenderi? Në radhë të parë duhet të respektoj qytetarët. Mënyra se si unë i respektoj është duke folur për vjedhjet tuaja”, - tha Shehaj./ZËRI
Avokati i Popullit votohet sot/ PS rrëzon kërkesën e PD, Berisha bllokon foltoren
TIRANË- Pas më shumë se tre orësh diskutimesh dhe debatesh për Avokatin e Popullit, Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën e opozitës për heqjen nga rendi i ditës të votimit për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit. Kërkesa u rrëzua me 30 vota pro, 77 kundër dhe një abstenim. Pas votimit në Kuvend, projektvendimi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit do të shqyrtohet gjatë seancës së sotme.
Kujtojmë se Komisioni i Ligjeve kaloi për votim në seancën e sotme gjashtë kandidatë për Avokat të Popullit, të gjithë të mbështetur nga firmat e deputetëve të opozitës. Në nisje të seancës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, lexoi edhe kërkesën e opozitës për të mos përfshirë në rendin e ditës votimin për Avokatin e Popullit, duke nënvizuar se ata janë tërhequr nga firmat për të gjithë kandidatët.
Një moment tensioni u shënua kur kreu i opozitës, Sali Berisha, bllokoi foltoren duke mos lejuar deputeten demokrate Ina Zhupa të merrte fjalën sipas rendit. Në këto kushte, kryetari i Kuvendit ndërpreu seancën, me kërkesë të demokratëve. Pas ndërprerjes, fjala iu dha Berishës, i cili theksoi se PS është “katandisur keq”, pasi sipas tij Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama nuk kanë më guximin për t’u ballafaquar me deputetët demokratë./ZËRI
Avokati i Popullit/ Balla: Do e zgjedhim sot, Këlliçi: Nuk ka kandidatë, u tërhoqhën firmat
TIRANË- Ka rinisur debati në seancën e Parlamentit pas një ndërprerjeje prej 10 minutash, të kërkuar nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ishin dy deputetët Balla (PS) dhe Këlliçi (PD), të cilët replikuan me njëri-tjetrin lidhur me kalimin në votim të Avokatit të Popullit. Mes akuzave ndaj njëri-tjetrit, Balla u shpreh se sot do të zgjidhet Avokati i Popullit, me ato kandidatura që ka sjellë PD disa javë më parë.
Balla:
“Seanca e sotme është shumë e rëndësishme, pasi miratojmë buxhetin 2026 nen për nen. Ky buxhet është më i madhi në histori, me shumë të mira, me rritjen e pensioneve dhe pagave. Edhe për ju është një seancë e rëndësishme, por ju nuk keni seriozitet në këtë seancë. Sot ka një debat të rëndësishëm për raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet. Ju talleni me të gjitha kauzat që nisni. Ne jemi këtu, ne kemi firmosur ju; ky është i vetmi flamur që nuk di kush e ka ngritur. Siç tha: ‘Këta i ka bindur Ervin Salianji.’ Ne sot do të votojmë për Avokatin e Popullit me kandidaturat që keni sjellë ju.”
Ndërsa Këlliçi në fjalën e tij theksoi se PD ka depozituar një kërkesë për tërheqjen e firmave të kandidatëve për kreun e Avokatit të Popullit. Ai u shpreh se kjo përbën shkelje, pasi sipas tij PS po synon të zgjedhë avokatin pa kandidatura. Këlliçi kërkoi kohë që PD të sjellë një listë të re për këtë pozicion.
Këlliçi:
“Janë tërhequr firmat për kandidatët. Kur Balla quan ‘zagar’ deputetët e opozitës, nuk ka rregullore. Nuk merrni asnjë masë për grupin parlamentar të PS-së, kur vijnë dhe fyejnë deputetët e opozitës. Ne kemi depozituar me shkrim tërheqjen e firmave, por ju doni ta fusni në rend të ditës zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Nuk keni si të zgjidhni Avokatin e Popullit, sepse nga ana proceduriale nuk keni kandidatë, pasi firmat janë tërhequr. Ne e kemi bërë këtë për të pasur një proces serioz. Kërkojmë kohën e duhur për të sjellë kandidaturat për Avokatin e Popullit dhe për të dorëzuar firmat.”/ZËRI
“O injorant!”, Balla kërkon ndërprerjen e seancës: Nuk flasim derisa të dalë jashtë Flamur Noka
TIRANË- Seanca në Kuvend është ndërprerë me kërkesë të Taulant Ballës, për shkak se kërkon përjashtimin nga punimet të deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Ky i fundit e quajti Ballën injorant, gjatë kohës që socialisti ishte duke folur nga vendi. Balla i kërkoi Niko Peleshit ndërprerjen e seancës dhe përjashtimin e Nokës, në të kundërt socialistët nuk do të marrin më fjalën në seancën e sotme.
DEBATET
Balla: E keni sjellë kërkesën sjellë 24 orë, deri më tani jeni në shkelje të rregullores sepse nuk kemi dëgjuar pse duhet tërhiqet nga rendi i ditës, njëri i bie patkoit, tjetri gozhdës, nuk ka sqaruar se kjo çështje duhet të ikë nga rendi ditës. Njëri fili për lepurin, po folët për lepurin duhet të flisni për zagarin. Talleni me një të persekutuar politik, siç është Besim Ndregjoni, ai nuk zgjidhet dot se nuk e lë ligji se është 70 vjeç. Talleni me Adriana Kalanë…
Noka: O injorant!
Balla: Ky zotëria duhet të dalë jashtë!
PD kërkoi në nisje të seancës së sotme heqjen e zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga rendi i ditës, pasi kundërshtojnë emrin e Endri Shabanit. PD deklaroi se mbështet dy emra nga lista me 6 kandidatë që i janë dërguar Kuvendit, atë të Besim Ndregjonit dhe të Adriana Kalasë. /ZËRI
Avokati i Popullit, Shehaj: Është e qartë që PS po e vjedh, donit dhe kreun e SPAK por ‘nuk u lejojnë’ ambasadorët
TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme në Kuvend, për shkak të kërkesës së Partisë Demokratike, për heqjen nga rendi i ditës zgjedhjen e Avokatit të Popullit, sa kohë që në listë qëndron emri i Endri Shabanit. Edhe kreu i Paritsë Mundësia Agron Shehaj, u shpreh se PS po kërkon t’i rrëmbejë opozitës postin e avokatit të popullit.
Agron Shehaj: Pavarësisht qëndrimeve qesharake, është e qartë që Avokati i Popullit i takon opozitës. Është e qartë qe keni vendosur ta rrëmbeni dhe kjo nuk është cudi. Tani që nëse flasim, në një sallë tjetër po vendoset kreu i ri i SPAK dhe aty janë mbledhur të gjithë ambasadorët, nuk ka vend për gazetarët sepe kanë frikë se ju rrëmbeni dhe kreun e ri të SPAK. Imagjinoni cfarë poshtërimi po ju bëjnë ambasadorët. Ftojmë kolegët opozitatë ta pranojmë se nuk kemi çfarë të bëjmë, e kanë vendousr ta rrëmbejnë.
Kam kërkuar interpelancë, ju kemi pyetur nëse do të jetë apo jo kryeministri dhe nuk më keni dhënë përgjigje. Nëse nuk është kryeministri kërkon që interpelanca të shtyhet. Praktika juaj për tiu shamngur ballafaqimit është në kundërshtim me rregulloren. Cfarë kuptimi ka të delegojë një ministre?
PD kërkon heqjen e Endri Shabanit nga lista për Avokatin e Popullit: Mbështesim Adriana Kalanë ose Besim Ndregjonin
TIRANË- Ka nisur seanca në Kuvend, me Partinë Demokratike që këmbëngul që procesi i përzgjedhjes së avokatit të popullit të kthehet në pikën zero, për shkak se ata kanë tërhequr firmat nga mbështetja e 6 kandidatëve që kanë kaluar fazën e parë. PD kërkoi që të hiqet emri i Endri Shabanit nga lista, dhe dy kandidaturat që ata mbështesin janë ajo e Adriana Kalasë dhe Besim Ndregjonit. Ndërkohë që sa i takon kandidaturës së Endri Shabanit, kreu i PD, Sali Berisha tha se ‘lepuri i Surrelit nuk merr asnjë firmë.
“Në 5 dhjetor ju jeni njoftuar për tërheqjen e gjithë firmave të deputetëve të PD për kandidaturat që janë paraqitur për Avokat të Popullit. Në listë ndodhet edhe lepuri i Surrelit, Endrit Shabani, i cili po çon deri në fund skenarin e maxhorancës që Avokatin e Popullit do ta marrë PS-ja. Që të jemi të qartë, qëndrimi ynë është i prerë, asnjë nga 26 kandidatët për Avokat nuk i ka firmat e deputetëve të PD-së për të garuar”, tha Këlliçi.
Berisha: E keqja banale e kombit jeni ju. E keqja banale e kohës jeni ju. Pse i them këto? Ky parlament ka një Komision Ligjesh, këtë Komision Ligjesh e kryeson një ish-ministër i juaj.
Në garën e Avokatit të Popullit, një ditë ky mbledh komisionin dhe vendos në mënyrë të diskutueshme, me të drejtë apo pa të drejtë, nuk mund të them, që për kandidatët për Avokat të Popullit do ketë deputeti të drejtë vetëm për një firmë.
Ky është një vendim i një komisioni, që ligji dhe Kushtetuta e ngarkon për shqyrtimin dhe për organizimin e procedurës së votimit të Avokatit të Popullit.
Ai është kryetar komisioni.
Tjetër puna se e keqja banale e shndërron atë në hiç.
Ne zbatuam vendimin e Komisionit të Ligjeve.
Në përputhje me vendimin e Komisionit të Ligjeve, ne bëmë shkresën dhe tërhoqëm të gjitha firmat.
Dhe, thashë edhe njëherë, deputeti mund të vendosë një firmë për një kandidat, për të tjerë mund të vendosë shumë, por vendimi i Komisionit të Ligjeve ishte i qartë, nuk pranohen sepse janë vendosur firma, i njëjti deputet ka firmosur disa kandidatë.
Tani ju, meqenëse duhej patjetër që ai zoti Këlliçi e quajti Lepuri i Surrelit, por unë do ta quaj opozita që duam, kishte marrë firma, tani përmbysni vendimin.
Po përmbysni vendimin e Komisionit të Ligjeve, vendimin tuaj, shkelmoni mbi veten tuaj, vetëm e vetëm që të grabisni Avokatin e Popullit.
Ne kemi qenë luajalë me ligjin.
Komisioni i Ligjeve vendosi që nuk mund të ketë më shumë se një të drejtë për një kandidat çdo deputet.
Në respekt të saj, ne tërhoqëm firmat.
Dhe ju vazhdoni tani, sepse ju e dini se Lepuri i Surrelit nuk merr dot asnjë firmë.
Jo, nuk i merr dot.
Dhe shikoni se ç’bëni, i bëni edhe atij kukumalen në qafë për të realizuar një akt të turpshëm.
Bëjeni, por është një gjë shumë e ulët.
Seancë maratonë në Kuvend, nga Projektbuxheti dhe Avokati i Popullit, te interpelanca mes Shehajt dhe Ramës
TIRANË- Në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend, e cila pritet të jetë maratonë, do të diskutohen një sërë projektligjesh, ku më i rëndësishmi është projektbuxheti i vitit të ardhshëm, i cili mori miratimin në Komisionet Parlamentare. Po ashtu në rendin e ditës janë parashikuar dy interpelanca, e para ajo e deputetes Ina Zhupa me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, dhe e dyta ajo e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj me kryeministrin Edi Rama, për aksionin e lirimit të hapësirave publike. Në seancën e sotme, një prej temave më të nxehta pritet të jetë ajo për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, për shkak të përplasjeve mes PD dhe PS. Deputetët e PD janë tërhequr nga firmat dhe kanë kërkuar që përzgjedhja të kthehet në pikën zero, ndërsa vendimmarrja pritet që ti takojë sot seancës plenare. Në rendin e ditës është po ashtu dhe projektligji për paqen fiskale, i kundërshtuar dhe nga faktori ndërkombëtar në vendin tonë, që synon fshirjen e borxheve të vjetra që bizneset i kanë Drejtorisë së Tatimeve.
RENDI I DITËS
Në mbështetje të urdhrit nr. 39, datë 9.12.2025 të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 2.12.2025 dhe 4.12.2025. (Neni 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)
2. Njoftime. (Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)
3. Interpelancë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa. (Neni 80 i Kushtetutës, neni 96 i Rregullores së Kuvendit)
4. Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga deputeti Agron Shehaj. (Neni 80 i Kushtetutës, neni 96 i Rregullores së Kuvendit)
5. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës dhe neneve 55, 75-77, 84 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Shprehet nismëtari Shprehet relatori Koha e votimit nen për nen dhe në tërësi
6. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës dhe neneve 55, 75-77, 84 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Shprehet nismëtari Shprehet relatori Koha e votimit nen për nen dhe në tërësi
7. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës dhe neneve 55, 75-77, 84 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Shprehet nismëtari Shprehet relatori Koha e votimit nen për nen dhe në tërësi
8. Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës dhe neneve 55, 75-77, 84 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Shprehet nismëtari Shprehet relatori Koha e votimit nen për nen dhe në tërësi
9. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës dhe neneve 55, 75-77, 84 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Shprehet nismëtari Shprehet relatori Koha e votimit nen për nen dhe në tërësi
10.Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës dhe neneve 55, 75-77, 84 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Shprehet nismëtari Shprehet relatori Koha e votimit nen për nen dhe në tërësi
11.Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës dhe neneve 55, 75-77, 84 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Shprehet nismëtari Shprehet relatori Koha e votimit nen për nen dhe në tërësi
12.Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës dhe neneve 55, 75-77, 84 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Shprehet nismëtari Shprehet relatori Koha e votimit nen për nen dhe në tërësi
13.Projektligji “Për buxhetin e vitit 2026”. (Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155 dhe 158, të Kushtetutës, të nenit 30, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe neneve 55, 75-77 dhe 84 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Shprehet nismëtari Shprehet relatori Koha e votimit nen për nen dhe në tërësi
14.Projektligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”. (Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës dhe neneve 55, 68 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Pyetje Shprehet nismëtari Shprehet Komisioni përgjegjës për Ekonominë, Punësimin dhe Financat Dhënie mendimi Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike Dhënie mendimi Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme Dhënie mendimi Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik Diskutime (Shprehen grupet parlamentare) Koha e votimit
15.Projektligji “Për gjuetinë”. (Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe neneve 55, 68 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Pyetje Shprehet nismëtari Shprehet Komisioni përgjegjës për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm Dhënie mendimi Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike Dhënie mendimi Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme Dhënie mendimi Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën Dhënie mendimi Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural Diskutime (Shprehen grupet parlamentare) Koha e votimit
16. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.155/2020, “Për ndryshimet klimatike””. (Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës dhe neneve 55, 68 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Pyetje Shprehet nismëtari Shprehet Komisioni përgjegjës për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm Dhënie mendimi Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike Dhënie mendimi Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat Dhënie mendimi Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme Dhënie mendimi Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën Dhënie mendimi Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural Diskutime (Shprehen grupet parlamentare) Koha e votimit
17. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 80/2021, “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, të ndryshuar. (Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës dhe neneve 55, 68 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Pyetje Shprehet nismëtari Shprehet Komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike Dhënie mendimi Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale Dhënie mendimi Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik Diskutime (Shprehen grupet parlamentare) Koha e votimit
18. Projektvendimi “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”. (Në mbështetje të nenit 61, të Kushtetutës, të neneve 3, 4, 5 dhe 9, të ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, si dhe të nenit 111, të Rregullores së Kuvendit, shumicë e cilësuar prej 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për miratim) Koha e votimit
19. Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 104/2025 “Për ngritjen e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat”. (Në mbështetje të neni 78, pika 1, të Kushtetutës dhe të neneve 19, pika 2, 21, pika 1, dhe 55, të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim) Koha e votimit
20. Mocion me debat për gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e raportit final të OSBE-ODIHR-it, për zgjedhjet parlamentare të 11 maj 2025. (Në mbështetje të nenit 99 të Rregullores së Kuvendit) Zhvillimi i debatit (Në bazë të nenit 48, pika 3, koha prej 150 minuta e debatit do të jetë e shpërndarë në mënyrë përpjestimore ndërmjet grupeve parlamentare.) Minutazhi është si vijon: · Grupi parlamentar i Partisë Socialiste: 89 minuta · Grupi parlamentar i Partisë Demokratike: 38 minuta · Grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim”: 8 minuta · Grupi parlamentar “Partia e Lirisë”: 8 minuta · Deputetët jashtë grupeve parlamentare: 8 minuta
21. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. (Në mbështetje të nenit 45 të Rregullores së Kuvendit: Çdo deputet mund të flasë jo më shumë se 5 minuta dhe nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, jo më shumë se 8 minuta. Koha e diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta.)