LIVE UPDATES

Një javë konflikt! Izraeli sulmon reaktorin në Arak, Irani lëshon 20 raketa balistike! Trump gati planin për sulm

➤Një javë konflikt në Lindjen e Mesme! ➤Irani lëshoi raketa balistike gjatë natës në Izrael, duke goditur në të paktën 4 zona. ➤Të paktën 32 persona janë plagosur në raundin e fundit të sulmeve hakmarrëse me raketa iraniane.➤ Irani tha se Izraeli sulmoi reaktorin e tij të ujit të rëndë në Arak, një strukturë bërthamore pranë qendrës së vendit.➤ Sulmet vijnë në një kohë kur Donald Trump ka miratuar planet për të sulmuar Iranin, por nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar. ➤Nga ana tjetër, udhëheqësi suprem i Iranit paralajmëroi Trumpin për "dëm të pariparueshëm" nëse ndërhyjnë SHBA-të

10 artikuj për këtë temë.
12 ORE ME PARE

Lufta vazhdon, Netanyahu "qan hallet": Edhe unë kam pasur kosto, mu shty dasma e djalit për herë të dytë

Një javë konflikt! Izraeli sulmon reaktorin në Arak, Irani
Benjamin Netanyahu

IZRAEL- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu foli për "koston personale" të luftës me Iranin. Pasi iu referua bombardimit të Londrës nga gjermanët në dimrin e vitit 1940, Netanyahu tha se kishte pasur edhe ai vështirësi dhe kosto nga nisja e luftës, duke përmendur shtyrjen e dasmës së djalit të tij...për herë të dytë.

Deklaratat, siç raportohet nga Guardian , u bënë nga Beersheba, përpara spitalit që u godit nga një raketë iraniane të enjten në mëngjes. Dhe, siç vëren gazeta britanike, deklaratat e tij vijnë në një kohë kur izraelitët po e kritikojnë kryeministrin për shkëputjen gjithnjë e më të madhe nga jeta e përditshme.

"Ka njerëz që janë vrarë, familje që kanë humbur të dashurit e tyre. Secili prej nesh mban një kosto personale, dhe familja ime nuk bën përjashtim,”- tha ai, duke vënë në dukje se nuk ishte hera e parë që dasma e djalit të tij Avner duhej të shtyhej. Ai shtoi se edhe e fejuara e djalit të tij ishte e zhgënjyer, e lëre më nëna e dhëndrit, duke shtuar për të “gruaja ime heroike Sara”.

Avner Netanyahu fillimisht e kishte planifikuar dasmën për në nëntor, por u shty për arsye sigurie. Data e re ishte e hëna, pavarësisht kërcënimit të protestave të opozitës./ZËRI

12 ORE ME PARE

Analiza: Sa është dobësuar realisht arsenali raketor i Iranit?

Një javë konflikt! Izraeli sulmon reaktorin në Arak, Irani
Foto ilustruese

TEHERAN- Irani ka shumë opsione të ndryshme raketash, por gjithnjë e më pak lëshues, pasi përballet me presionin mbytës izraelit për të shkatërruar objektet dhe arsenalin e Teheranit. Analiza nga Instituti Britanik për Studimin e Luftës tregon se në javën që nga fillimi i sulmit të Izraelit, Irani ka humbur kryesisht aftësinë e tij për të nisur sulme me raketa. Kjo nuk do të thotë se i ka humbur ato raketa plotësisht.

Teherani është detyruar të zhvendosë forca dhe armë në Iranin qendror, por problemi me të cilin përballet tani është i dyfishtë. Nga njëra anë, raketat dhe lëshuesit atje nuk janë të sigurta nga forca ajrore izraelite. Kjo e fundit ka arritur të eliminojë mbrojtjen ajrore iraniane dhe të gëzojë epërsi ajrore mbi pjesën më të madhe të Iranit. 

Nga ana tjetër, me tërheqjen e raketave më tej në Iranin qendror, distanca nga Izraeli rritet dhe ato tani janë në kufirin e rrezes së tyre të veprimit për sa i përket saktësisë. Nëse supozojmë tani se raketat dhe lëshuesit transferohen në rajonin e Isfahanit, në qendër të vendit, kjo do ta pengojë Iranin të përdorë tre raketa balistike me rreze të mesme veprimi.

Isfahani është rreth 1,600 kilometra larg territorit izraelit.

Një javë konflikt! Izraeli sulmon reaktorin në Arak, Irani

Raketat balistike Haj Qassem (rreze veprimi 1,400 kilometra), Fattah (1,400 kilometra) dhe Kheibar Shekan (1,450 kilometra), gjithashtu nuk mund të arrijnë Izraelin. Këto janë tre lloje që Irani ka pretenduar se i përdor kundër Izraelit. Në vend të kësaj, mund të përdorë raketat Emad (1,700 kilometra), Ghadr (1,950 kilometra) dhe Sejjil-1 (2,000 kilometra). Megjithatë, edhe llojet me rreze veprimi më të gjatë nuk janë zgjedhje të dukshme. Raketat Emad dhe Ghadr përdorin lëndë djegëse të lëngshme, e cila është e vështirë për t'u transportuar dhe e vështirë për t'u trajtuar, ndryshe nga ato me lëndë djegëse të ngurtë.

Megjithatë, është e mundur që Teherani po i frenon forcat në rast se e sheh konfliktin aktual me Izraelin si një kërcënim ekzistencial, në të cilin rast do të nisë përsëri breshëri raketash në shkallë të gjerë. Por kjo do ta vendoste përballjen ushtarake me Izraelin në një kontekst tjetër./ZËRI

13 ORE ME PARE

Eksperti i sigurisë: Qëllimi i politikës së Trumpit është që Irani të bëjë lëshime

Një javë konflikt! Izraeli sulmon reaktorin në Arak, Irani
Donald Trump

Ilan Berman është zëvendëspresident i Këshillit Amerikan për Politikë të Jashtme dhe këshilltar për siguri kombëtare i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Kongresit dhe agjencive qeveritare amerikane. Ai së voni po ashtu ka shërbyer si udhëheqës i ekipit që menaxhoi tranzicionin e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM) në emër të administratës së presidentit Donald Trump, dhe tani është anëtar i bordit të Radios Evropa e Lirë.

Në një intervistë dhënë Radios Farda të Radios Evropa e Lirë, Berman, ekspert i shquar për Lindjen e Mesme, foli për situatën që po zhvillohet me shpejtësi në Iran dhe për rolin e SHBA-së në konfliktin që filloi pasi Izraeli më 13 qershor nisi sulme ndaj Republikës Islamike, duke hapur një kapitull të ri në konfrontimin mes dy vendeve.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndryshuar diçka në mendjen e presidentit Trump që nga nisja e konfliktit?

Ilan Berman: Nuk mendoj se ka ndryshuar ndonjë gjë, të paktën deri më tani. Unë e shoh kështu politikën amerikane: Po e përshkallëzon situatën për të ulur më pas tensionet. Presidenti Trump në të kaluarën e ka bërë shumë të qartë se qëllimi i tij përfundimtar është që ky regjim të vijë në tavolinën e negociatave dhe të bëjë lëshime domethënëse lidhur me programin e tij bërthamor.

Ditët e fundit, ai është zemëruar gjithnjë e më shumë sepse është e qartë që regjimi iranian po fitonte kohë dhe nuk po negocionte në mirëbesim lidhur me programin bërthamor. Ata, në thelb, vetëm po e zvarrisnin procesin.

Radio Evropa e Lirë: Por, ata [SHBA-ja dhe Iranin] kishin planifikuar që të takoheshin të dielën [më 15 qershor] apo jo?

Ilan Berman: Po, dhe unë nuk e kam të qartë nëse ai ishte një plan i sinqertë apo vetëm vetë u hodh si ide, ndonëse Shtëpia e Bardhë e dinte se izraelitët do të sulmonin [Iranin].

Por, ajo që më duket e rëndësishme tani është se presidenti ende dëshiron një marrëveshje.

Ajo që ka bërë Izraeli, të paktën deri tani, e ka rritur ndjeshëm mundësinë që Irani të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të bëjë lëshime domethënëse. Mendoj se ky është ende qëllimi kryesor i politikës së administratës Trump.

Por, që të arrihet ky qëllim, Trump duhet të bëjë një kërcënim të besueshëm për përshkallëzim dhe unë do të thosha që kjo është arsyeja pse po shohim këtë zhvendosje të madhe të aseteve ushtarake në Lindjen e Mesme, sepse ekziston një rrugë tjetër nga mund të shkojë kjo situatë nëse regjimi iranian nuk pranon dhe nuk kthehet në tavolinën e negociatave. Mendoj se presidenti është i përgatitur që ta ndihmojë Izraelin në kryerjen e një sulmi ndaj Fordos dhe objekteve të tjera, por nuk mendoj se kjo është zgjedhja e tij e parë.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti Trump e përdor shumë fjalën dorëzim. Pse? Pse mendoni se ai e përdor këtë term? Dhe çfarë mendoni se kjo fjalë nënkupton për të?

Ilan Berman: Sigurisht është një fjalë e rënduar dhe nuk mendoj se ka të bëjë me fjalën ‘dorëzim’ siç po interpretohet në Lindjen e Mesme, që ka të bëjë me nderin shtetëror apo familjar. Mendoj se ajo që po bën ai është e artikuluar shumë qartë se si ai e sheh pozicionin aktual të Iranit, sepse pas katër apo pesë ditësh të fushatës së Izraelit, regjimi iranian është në një pozitë të vështirë ushtarake.

Mendoj se presidenti Trump e sheh këtë. Nëse regjimi iranian kthehet në tavolinën e negociatave, ato nuk do të jenë negociata mes palëve të barabarta. Do të jetë shumë më tepër rreth asaj se çfarë lëshimesh thelbësore mund të bëjë Irani, që do të ishin të pranueshme për presidentin Trump.

Radio Evropa e Lirë: Ka shumë diskutime për këtë çështje. Mendoj se e kam parë edhe në njërin prej shkrimeve tuaj, çështjen e ekzistencës dhe fatit të Republikës Islamike si sistem në tërësi. Dhe ka shumë zëra që pyesin: a është vërtetë ky synimi kryesor apo jo? Dua të di çfarë mendoni ju. A është ndryshimi i regjimit opsion?

Ilan Berman: Nuk mendoj, të paktën tani për tani. Dhe këtë e them me kujdes, sepse besoj fort që Republika Islamike është një sistem i korruptuar dhe se populli iranian e ka bërë shumë të qartë se dëshiron diçka tjetër, por nuk mendoj se kjo është në horizont, të paktën jo nga ana e Izraelit dhe SHBA-së. Izraeli e ka bërë shumë të qartë se ndryshimi i regjimit nuk është në tavolinë në këtë fazë të fushatës së tij ushtarake, dhe administrata Trump, të paktën për tani, do të preferonte shumë më tepër, sipas asaj që shoh unë, një marrëveshje me regjimin ekzistues sesa një ndryshim regjimi.

Radio Evropa e Lirë: Po çfarë është ky ndryshim regjimi? A mund ta elaborojmë pak? Sepse çfarë do të thotë që nuk është në horizont? Çfarë nënkupton ndryshimi i regjimit në këtë kontekst, si do ta nënkuptonte Izraeli apo SHBA-ja një ndryshim regjimi?

Ilan Berman: Është një lloj i modelit të vjetër të Irakut për të imponuar ndryshimin e regjimit nga jashtë. Nuk mendoj që as Izraeli e as SHBA-ja e duan një gjë të tillë.

Por, mendoj se ka gjëra që të dyja shtetet mund të bëjnë që mund të krijojnë avantazh për forcat opozitare që veprojnë brenda vendit.

Dhe Izraeli veçse ka vepruar në këtë drejtim. Ka sulmuar selinë e Basij [forcë paramilitare e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike]. Ka bombarduar Ministrinë e Inteligjencës. Dhe këto gjëra, sipas meje, kanë për synim të krijojnë mundësi për iranianët që të marrin situatën në duart e tyre.

Por, a ka një përpjekje serioze nga Izraeli ose Amerika për të mbështetur opozitën iraniane dhe për t’i inkurajuar e mbajtur ata nëse dhe kur ata të ngrihen? Nuk mendoj se po e shohim ende një gjë të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Njerëzit po pyesin, vëzhguesit po pyesin, si munden që iranianët të marrin situatën në duart e tyre kur ata po ikin që të shpëtojnë?

Ilan Berman: Është një pyetje e mirë. Shiko, unë mendoj që problemi që kemi ne perëndimorët kur mendojmë për ndryshim të regjimit në Iran është se, në të vërtetë, nuk kemi qenë seriozë në investimin për mundësinë e ndryshimit brenda Iranit.

Ne flasim shumë për ndryshim të regjimit, por në të vërtetë nuk kemi investuar në një fushatë për të zgjeruar komunikimin, për të krijuar një fond mbështetës për greva, për të bërë të gjitha këto gjëra që do t’i jepnin opozitës iraniane hapësirën për të marrë frymë, për t’u organizuar dhe për t’u mobilizuar kundër regjimit.

Kjo, sipas mendimit tim, është një problem shumë i madh, dhe mendoj se është një parakusht i domosdoshëm që iranianët të ndihen mjaftueshëm të sigurt për t’u ngritur në mënyrë të qëndrueshme./REL

13 ORE ME PARE

SHBA i jep edhe 2 javë kohë Iranit: Pastaj do vendosim sulmojmë apo jo

Një javë konflikt! Izraeli sulmon reaktorin në Arak, Irani
Donald Trump

SHBA-Shtëpia e Bardhë tha të enjten se presidenti Donald Trump do të marrë një vendim nëse do ta sulmojë Iranin brenda brenda dy javësh, por ende nuk ka një datë konkretë. Sipas të njëjtit burim, korrespondenca me Iranin, ende vazhdon.

Në një takim informues me gazetarët, zëdhënësja Caroline Levitt tha për Iranin: E di që ka pasur shumë spekulime rreth vendimmarrjes së presidentit dhe nëse Shtetet e Bashkuara do të angazhohen apo jo. Do të marrim një vendim nëse sulmojmë brenda dy javëve të ardhshme.

Por Teherani ka bërë me dije se nuk do të pranojë negociata nëse Izraeli nuk i ndal sulmet. I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, thuhet se kanë folur në telefon disa herë që nga fillimi i sulmeve izraelite. Paralelisht, Garda Revolucionare kërcënon SHBA-në se nëse e ndihmon Izraelin në një sulm ndaj Iranit, amerikanët do të marrin një përgjigje të ashpër. Në të njëjtën kohë, ata e përshkruan Donald Trump si një "budalla".

Teksa deklaratat vijojnë, Irani nisi një sulm të ri me raketa kundër Izraelit, ndërkohë që kërcënoi gjithashtu se do të mbyllte Ngushticën e Hormuzit./ZËRI

17 ORE ME PARE

Kush është “Gorilla”, gjenerali amerikan që po shtyn Trumpin drejt sulmit kundër Teheranit

Një javë konflikt! Izraeli sulmon reaktorin në Arak, Irani
Erik Kurilla

SHBA-Një person që po luan një rol vendimtar pas skenave të luftës midis Izraelit dhe Iranit është Gjenerali Erik Kurilla, i njohur si "Gorilla", kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, komandës së operacioneve në Lindjen e Mesme.

Ai është një "skifter" që po shtyn përpara një përgjigje të fortë ushtarake kundër Republikës Islamike dhe dëgjohet me vëmendje nga shefi i Pentagonit Pete Hegseth, i cili po i plotëson praktikisht çdo kërkesë për transportues avionësh dhe luftëtarë shtesë që do të dërgohen në Lindjen e Mesme, veçanërisht në një kohë të përfshirjes së mundshme të bazave amerikane në rajon. 

Sipas Politico, Kurilla po “luan një rol të jashtëzakonshëm në përshkallëzimin e përplasjes midis Teheranit dhe Izraelit ”, duke dërguar më shumë armë në rajon pavarësisht shqetësimeve nga zyrtarë të tjerë të lartë të Pentagonit, siç janë Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine dhe Drejtori i Politikave të Pentagonit, Elbridge Colby, se ai po “vendos shumë burime në Lindjen e Mesme në kurriz të rajoneve të tjera”. (Një zëdhënës i Caine mohon çdo mosmarrëveshje.) 

Kurilla gjithashtu kaloi më shumë kohë me Presidentin Trump sesa çdo gjeneral tjetër, sipas disa burimeve.

Gjeneral  gëzon një ndikim të rrallë në krahasim me drejtues të tjerë ushtarakë. Zakonisht, gjeneralët më të lartë përballen me rezistencë nga drejtuesit e Pentagonit, të cilët përpiqen të balancojnë praninë globale të trupave amerikane. Por një prej personave të njohur me marrëdhënien mes komandantit të CENTCOM (Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara) dhe shefit të Pentagonit tha se nuk kishte parë kurrë që Hegseth t’i kishte refuzuar ndonjë kërkesë të vetme të Kurillës për më shumë mjete ushtarake.

Pentagoni dërgoi këtë javë një aeroplanmbajtëse të dytë në Lindjen e Mesme, konfirmuan dy zyrtarë të mbrojtjes, së bashku me dislokime të reja avionësh luftarakë F-22, F-35 dhe F-16. Kjo i jep SHBA-së dy aeroplanmbajtëse në rajon për herë të dytë këtë vit – një lëvizje e rrallë. Dislokimi i këtyre forcave nga Paqësori drejt Lindjes së Mesme është një sinjal se rajoni po merr sërish përparësi për administratën, edhe pse drejtuesit e Pentagonit janë përpjekur të përqendrojnë vëmendjen tek Kina.

Kurilla, gjatë një dëshmie në Kongres javën e kaluar, deklaroi se kishte përgatitur një “gama të gjerë opsionesh” për Hegseth dhe presidentin Donald Trump për të ndaluar Iranin nga sigurimi i armëve bërthamore.

Shtëpia e Bardhë ka mbështetur përforcimin ushtarak në rajon, ndonëse disa zyrtarë theksojnë se Kurilla e ka pasur të lehtë të argumentojë pse i nevojiten më shumë avionë, anije dhe sisteme mbrojtjeje ajrore.

“Ai nuk ngurron t’ua paraqesë kërkesat drejtuesve civilë,” tha një diplomat. “Hegseth ka qëndruar gjithmonë në anën e tij.”

Disa ish-zyrtarë mendojnë se ndikimi i Kurillës lidhet më shumë me natyrën e detyrës së tij – drejtues i komandës luftarake që mbulon Lindjen e Mesme në një kohë krize.

“Kjo nuk ka shumë të bëjë me Kurillën vetë,” tha Bilal Saab, i cili ka shërbyer në Pentagon gjatë administratës së parë të Trump. “Nuk ka kundërshtime nga Pentagonit apo Këshilli i Sigurisë Kombëtare për zhvendosjen e mjeteve ushtarake për të mbrojtur trupat dhe personelin në rajon.”

Pavarësisht karakterit të tij herë-herë të ashpër – përfshirë një incident të raportuar për shtyrjen e një anëtari të ekuipazhit ushtarak që çoi në një hetim të ushtrisë – Kurilla, i cili shmang mediat, ka lënë përshtypje të mirë te zyrtarët e lartë për guximin e tij. Ai është nderuar me Yllin e Bronztë për udhëheqjen e trupave amerikane në një përplasje të armatosur në vitin 2005 në kulmin e Luftës së Irakut, pavarësisht se ishte qëlluar tri herë. (Në atë kohë, CENTCOM deklaroi se nuk kishte dijeni për ndonjë hetim ndaj Kurillës.)

“Ai ka pamjen e gjeneralit që kërkojnë si Hegseth, ashtu edhe Trump,” tha një ish-zyrtar. “Është i fuqishëm, i stërvitur, mishërimi i asaj pamjeje ‘vrastare’ që ata po kërkojnë.”

Zyrtarët që kanë marrë pjesë në diskutime me Kurillën për dislokimin e forcave në rajon thanë gjithashtu se ai ka një aftësi të veçantë për të bindur të tjerët për rëndësinë e kërkesave të tij.

“Ai është jashtëzakonisht strategjik dhe bindës për atë që mund të arrijë CENTCOM nëse i jepen burimet e duhura,” tha Dan Shapiro, i cili deri në janar ishte zyrtari më i lartë i Pentagonit për politikat në Lindjen e Mesme. “Kjo ishte e vërtetë gjatë administratës së Biden-it. Ndoshta është edhe më e vërtetë tani.”

21 ORE ME PARE

Irani konfirmon takimin me shtetet evropiane të premten

Një javë konflikt! Izraeli sulmon reaktorin në Arak, Irani
Ministri iranian

IRAN- Ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, konfirmoi të enjten se do të takohet me homologët e tij britanikë, francezë dhe gjermanë, si dhe me diplomatin më të lartë të Bashkimit Evropian të premten në Gjenevë, raportoi media shtetërore iraniane, sipas Reuters. Ai tha se takimi kishte ardhur me kërkesë të tre shteteve evropiane.

Takimi përfaqëson një përparim të mundshëm diplomatik pas 7 ditësh bombardimesh izraelite, si dhe është takimi i parë diplomatik ballë për ballë që nga fillimi i krizës.

Sulmet vijojnë në ditën e shtatë të konfliktit. Nga raketat balistike të lëshuara nga Irani u godit një spital në qytetin jugor izraelit të Be'er-Sheva. Zëdhënësja e Qendrës Mjekësore Soroka deklaroi se po vlerësojnë shkallën e dëmeve dhe numrin e të plagosurve. Ndërkohë, pas goditjes nga raketa, spitali është evakuuar pasi dyshohet për një rrjedhje substancash të rrezikshme në katin e sipërm të ndërtesës dhe policia ka filluar evakuimin dhe largimin e njerëzve nga zona. Izraeli ka paralajmëruar hakmarrje, pas sulmit./ZËRI

21 ORE ME PARE

Izraeli thotë se udhëheqësi suprem i Iranit 'nuk mund të lejohet më të ekzistojë'

Një javë konflikt! Izraeli sulmon reaktorin në Arak, Irani
Spitali i sulmuar nga iranianët

IZRAEL- Ministri i mbrojtjes i Izraelit tha të enjten se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, "nuk mund të lejohet më të ekzistojë" pasi spitali Soroka në Izraelin jugor u godit gjatë një sulmi me raketa iraniane, raporton Agence France-Presse (AFP).

Israel Katz u tha gazetarëve në Holon pranë Tel Avivit: Khamei deklaron hapur se dëshiron që Izraeli të shkatërrohet - ai personalisht jep urdhrin për të qëlluar spitalet. Ai e konsideron shkatërrimin e shtetit të Izraelit si një qëllim. Një njeri i tillë nuk mund të lejohet më të ekzistojë.

Sulmet vijonë në ditën e shtatë të konfliktit. Nga raketat balistike të lëshuara nga Irani u godit një spital në qytetin jugor izraelit të Be'er-Sheva. Zëdhënësja e Qendrës Mjekësore Soroka deklaroi se po vlerësojnë shkallën e dëmeve dhe numrin e të plagosurve. Ndërkohë, pas goditjes nga raketa, spitali është evakuuar pasi dyshohet për një rrjedhje substancash të rrezikshme në katin e sipërm të ndërtesës dhe policia ka filluar evakuimin dhe largimin e njerëzve nga zona. Izraeli ka paralajmëruar hakmarrje, pas sulmit./ZËRI

1 DITE ME PARE

Bombardimi i spitalit në Izrael, Netanyahu: Tiranët e Teheranit do ta paguajnë

Një javë konflikt! Izraeli sulmon reaktorin në Arak, Irani
Benjamin Netanyahu

IZRAEL-Pas sulmit të drejtpërdrejtë me raketa iraniane ndaj spitalit Soroka në Beer Sheva, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar me tone të ashpra, duke paralajmëruar një përgjigje të fuqishme ndaj Teheranit.

“Tiranët e Teheranit do të paguajnë një çmim të rëndë”, deklaroi Netanyahu në një komunikatë zyrtare të shpërndarë për mediat, duke e quajtur Iranin një regjim terrorist që po shënjestron civilët izraelitë.

Sipas kryeministrit izraelit, raketat iraniane u lëshuan kundër spitalit Soroka, një nga institucionet më të mëdha mjekësore në jug të vendit, si dhe kundër popullsisë civile në qendër të Izraelit, përfshirë zona si Tel Aviv dhe Jeruzalem, ku u raportuan shpërthime dhe dëme të konsiderueshme.

Netanyahu e cilësoi këtë akt si një sulm barbar dhe të paprecedentë ndaj infrastrukturës civile, duke pretenduar se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe do të veprojë me vendosmëri për të ndaluar agresionin iranian.

1 DITE ME PARE

Ç’ndodh me ekonominë botërore nëse Irani bllokon Hormuzin?

Një javë konflikt! Izraeli sulmon reaktorin në Arak, Irani
FOTO ILUSTRUESE

IRAN-Ngushtica e Hormuzit – kjo ngushticë detare është itinerari më i rëndësishëm i anijeve për transportin e naftës. Hormuzi midis Omanit dhe Iranit lidh Gjirin Persik dhe shtetet eksportuese të naftës Bahrein, Kuvajt, Katar, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me Oqeanin Indian.

Anijet çisternë mbërrijnë këtu nga shumë vende të botës. Shumica transportojnë naftën bruto nga rajoni i Gjirit Persik për në Europë, Azi dhe Amerikën e Veriut. Pika më e rëndësishme e këtij itinerari është ajo ndërmjet Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit, brezi më i ngushtë me një gjerësi prej 55 kilometrash, dhe korsia e lundrimit për anijet e mëdha është vetëm 3,7 kilometra.

Ngushtica e Hormuzit kyç për sigurimin e interesave strategjike të Iranit në rajon.

Edhe në të shkuarën në kontekstin e sanskioneve ndërkombëtare ndaj Iranit, Teherani vazhdimisht ka kërcënuar me mbylljen e ngushticës Hormuz. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në konfliktin aktual. Dawood Nazirizadeh, ekspert në fushën e ekonomisë nga Teherani, thekson se: „Në rast se ngushtica e Hormuzit përfshihet në këtë luftë, është një rrezik i madh për të gjithë ekonominë botërore. Qeveria e Iranit e konsideron këtë rrugë detare si çelësin kryesor për sigurimin e interesave strategjike në rajon në jug të Iranit dhe të Gjirit Persik. Nëse ndodh diçka në këtë drejtim, ky do të ishte kërcënim i madh për ekonominë botërore në tërësi.”

Hormuzi zë vendin e dytë ndër itineraret më të rëndëishme në botë për transportin e naftës si rruga Malacca dhe Kanali i Suezit.

Një humbje nga bllokimi i kësaj rruge detare si pasojë e konfliktit aktual do të ishte e vështirë të kompensohej. Pasoja do të ishin rritja e çmimit të naftës e benzinës, që gjithësesi ditët e fundit janë shtrenjtuar.

Po ashtu mund të krijoheshin ngushtica në zinxhirin e furnizimeve për shumë produkte nga nafta. Prishja e këtij zinxhiri mund t’i krijojë vështirësi ekonomisë në shumë vende të botës./DW

1 DITE ME PARE

Trump miraton planin për sulmin ndaj Iranit

Një javë konflikt! Izraeli sulmon reaktorin në Arak, Irani
Donald Trump

SHBA-Presidenti amerikan Donald Trump u tha ndihmësve të tij të lartë se ka miratuar planet e sulmit ndaj Iranit, por po priste për të parë nëse Teherani do të braktiste programin e tij bërthamor, raporton Wall Street Journal. Trump thuhet se po shqyrton një sulm amerikan ndaj Fordos , një objekt nëntokësor i pasurimit të uraniumit në Iran.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, hodhi poshtë të mërkurën kërkesën e Trump për dorëzim pa kushte, ndërsa presidenti amerikan tha se durimi i tij kishte sosur. 

Khamenei e qortoi Trumpin në fjalimin e regjistruar të së mërkurës, duke thënë se "çdo ndërhyrje ushtarake amerikane" do të ishte e kushtueshme dhe shtoi: "Kombi iranian nuk do të dorëzohet".

Trump e shpërfilli refuzimin, duke thënë "fat të mbarë", por përsëri nuk pranoi të zbulonte planet e tij. "Dua të them, askush nuk e di se çfarë do të bëj", tha ai.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha në një video të mërkurën se forcat e vendit të tij po “përparonin hap pas hapi” drejt eliminimit të kërcënimeve të paraqitura nga centralet bërthamore dhe arsenali i raketave balistike të Iranit.

Poll

MOS HUMB