LIVE UPDATES

Pagat në drejtësi përplasin PD me PS! Gjykatat ‘kyçin’ dyert, Bardhi: Respektoni Kushtetutën! Balla: Vendosim më 17 shtator

♦Ngërçi me pagat e magjistratëve ka ndezur debat mes opozitës dhe mazhorancës gjatë mbledhjes së Konferencës të Kryetarëve, para seancës plenare. ♦Kreu i grupit të PD-së, Gazmend Bardhi kërkoi që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve, ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dekaroi se Kuvendi do të shqyrtojë më 17 shtator projektligjin që adreson vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. ♦Teksa mbledhja zhvillohej administrata e Dhomës Penale në Gjykatën e Tiranës nisi bojkotin, ndërsa punonjësit dhe sekretarët e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës kanë bllokuar shërbimet. Ata kërkuan sqarime për vonesën e pagave të muajit gusht dhe informacion se kur do të kryhet pagesa. ♦Situata u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. ♦Në këto kushte KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. ♦Megjithatë Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit.

6 artikuj për këtë temë.
1 ORE ME PARE

Pagat e gushtit të bllokuara/ Mbyllet mbledhja, DEKLARATA e prokurorëve: Çështjen do e trajtojmë në rrugë ligjore

Pagat në drejtësi përplasin PD me PS! Gjykatat
foto ilustrim: olsjan cela

TIRANË- Është mbyllur mbledhja e drejtuesve të prokurorive me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsjan Çela, ku në fokus ishte situata e krijuar pas bllokimit të pagave të muajit gusht 2026 për sistemit të drejtësisë.

Në takim morën pjesë drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Shoqatës së Prokurorëve. Diskutimet u përqendruan te garantimi i zbatimit të kuadrit ligjor dhe financiar për pagat, si dhe te vijimi normal i funksionimit të institucioneve të drejtësisë.

Në deklaratë bëhet me dije se, të gjithë pjesëmarrësit kanë vlerësuar se çëshjta kërkon zgjidhje të shpejtë, ndërsa u dakordësua vijimi i trajtimit të çështjes përmes instrumenteve ligjore.

Deklarata:

Mbi mbledhjen lidhur me situatën e pagesave të magjistratëve dhe administratës së sistemit të drejtësisë

Sot, më datë 8 shtator 2026, në Prokurorinë e Përgjithshme u zhvillua një mbledhje e thirrur nga Prokurori i Përgjithshëm me pjesëmarrjen e drejtuesve të prokurorive, përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve, lidhur me situatën e krijuar pas bllokimit të ekzekutimit të pagesave për pagat e muajit gusht 2026 të magjistratëve dhe administratës.

Gjatë mbledhjes u diskutua në mënyrë të detajuar situata e krijuar, si dhe nevoja për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe financiar që rregullon pagat e magjistratëve dhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.

Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan se çështja kërkon një zgjidhje të shpejtë, të qartë dhe në përputhje me ligjin, në respektim të standardit kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, duke garantuar vijimësinë normale të funksionimit të institucioneve dhe respektimin e të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës.

Në këtë kuadër, u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë.

Mbledhja urgjente u thirr nga Prokurori i Përgjithshëm dhe në të morën pjesë drejtues të prokurorive, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Shoqatës së Prokurorëve. Prokurorët u mblodhën në një kohë kur Administrata e Gjykatës së Tiranës dhe ajo e Gjykatës së Apelit kanë nisur bojkotin për shkak të moskalimit të pagave të muajit gusht. /ZËRI

3 ORE ME PARE

Projektligji për pagat e magjistratëve, Bardhi: Bie ndesh me vendimin e Kushtetueses, 2 kolegët e PS s'kanë kapacitet për...

Pagat në drejtësi përplasin PD me PS! Gjykatat
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i është kundërpërgjigjur deklaratës së Taulant Ballës për projektligjin e pagave të magjistratëve.

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Bardhi u shpreh se ligji i depozituar nga dy deputetët socialistë është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Bardhit, përcaktimi i pagave është detyrë dhe përgjegjës i Këshillit të Ministrave. Bardhi shtoi se sipas tij, kolegët socialistë nuk kanë aftësinë për të për të interpretuar një vendim të Kushtetueses.

“Cenim i pavarësisë së sistemit gjyqësor. Kemi dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve diçka të pavërtetë. Kemi dëgjuar Kryeministrin se kompetencën për të propozuar pagat e ka Këshilli i Ministrave dhe të drejtën për të miratuar pagat e ka Kuvendi i Shqipërisë. Dua të informoj se, sot që flasim Këshilli i Ministrave nuk e ka ushtruar detyrimin për të propozuar projektligj për pagat e magjistratëve. Nuk është detyrë e deputetëve të propozojnë pagat apo çështje që prekin buxhetin e shtetit në raport me një sistem tjetër. Këshilli i Ministrave do duhej të kishte përmbushur këtë përgjegjësi të tij në raport me pushtetin gjyqësor. Fondet buxhetore menaxhohen nga Këshilli i Ministrave.

Ligji i propozuar nga dy deputetë socialsitë është në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses. Nuk kanë aftësinë për të përllogaritur pagat, as kapacitetin për të interpretuar një vendim të Kushtetueses. Vendimi i Kushtetueses është i detyrueshëm për zbatim, prandaj duhej të bashkëvepronte Këshilli i Ministrave me Kuvendin. Sot që flasim, në njërën nga gjykatat e vendit administrata nuk po ofron shërbime për qytetarët. Sistemi gjyqësor futet në kolaps”, tha Bardhi./ZËRI

3 ORE ME PARE

Pagat e reja të magjistratëve, Balla: Do të votohen në Kuvend më 17 shtator

Pagat në drejtësi përplasin PD me PS! Gjykatat
taulant balla

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dekaroi se Kuvendi do të shqyrtojë më 17 shtator projektligjin që adreson vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.

Pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla është ndalur për mediat ku u shpreh se projektligji është dorëzuar brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe do të shqyrtohet me prioritet.

Balla u shpreh se në një shtet demokratik, ku funksionon ndarja e pushteteve, kompetenca për përcaktimin e pagave i takon Kuvendit.

“Në Kuvend ka 140 deputetë, por vetëm 2 deputetë të PS-së kanë dorëzuar një projektligj që adreson vendimin e Kushtetueses. Kështu po e ushtrojmë përgjegjësinë që na takon. Kemi parashikuar shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në datën 17 shtator.

Në demokraci, secili ka këndvështrimin e vet, jurisprudenca nuk është ekzakte. Projektligji është depozituar brenda afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe do të shqyrtohet me prioritet. Është një projektligj që nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar.

Atyre që iu djeg barku, që kur iu teket shkojnë e shajnë me libër shtëpie prokurorë dhe gjyqtarë dhe sot mendojnë se duhet të mbështesin pagat e gjyqtarëve... Si qytetar mendoj se, në një shtet demokratik, me ndarje të pushteteve, kompetenca për caktimin e pagave është vetëm e Kuvendit. Prisni të flasë Kuvendi”, tha Balla./ZËRI

3 ORE ME PARE

Ngërçi me pagat përplas PS-PD/ Bardhi: Gjykatat në kolaps, zbatoni vendimin e Kushtetueses! Balla: I përcakton Kuvendi!

Pagat në drejtësi përplasin PD me PS! Gjykatat

TIRANË- Para nisjes së seancës plenare këtë të martë në orën 17:00, ëshë mbledhur Konferenca e Kryetarëve. Gjatë mbledhjes janë regjistruar debate mezhorancës dhe opozitës, pasi kreu i grupit të PD-së, Gazmend Bardhi, solli çështjen e pagave të drejtësisë. 

Bardhi i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke kërkuar që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve. Sipas Bardhit, sot gjykatat janë në kolaps pikërisht për shkak të mos zbatimit të këtij vendimi. 

“Sot gjykatat janë në kolaps pikërisht sepse ju nuk respektoni Kushtetutën. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe ju nuk merreni me atë çështje. Për ju nuk ka rëndësi Kushtetuta. Ka një vendim të Këshillit të Legjislacionit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ju nuk veproni. Pasojat janë se gjyqtarët janë pa paga dhe sot gjykatat janë në krizë. Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Gazment Bardhi.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi ka vijuar me akuza ndaj Peleshit, duke i thënë se e mbylli sesioni parlamentar duke shkelur Kushtetutën dhe e nisi po njësoj. 

"Ju jeni kryetari i Kuvendit i vetmi në histori që konsideroni më të rëndësishëm zbatimin e një akti qeveritar sesa Kushtetutën. Në hierarkinë e normave ju nuk vendosni Kushtetutën e Shqipërisë, por urdhrat e Këshillit të Ministrave. Na folët këtu se si do të jetë sesioni i ri parlamentar, por ju po e nisni këtë sesion duke shkelur Kushtetutën. E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni me shkelje kushtetuese. Do të duhej që ky Kuvend ta niste sesionin dje. Po ju nuk jeni serioz, nuk e njihni Kushtetutën", ka vijuar Bardhi. 

Në përgjigje, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u shpreh se mazhoranca e ka respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shtoi përcaktimi i nivelit të pagave është kompetencë e Parlamentit.

“Ne kemi respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kemi ushtruar të drejtën tonë kushtetuese për të propozuar ligjin përkatës. Ky krah i Kuvendit nuk ka vënë asnjëherë në diskutim vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo të gjykatave të tjera”, është shprehur Balla.

Debati për ngërçin e pagave në sistemin e drejtësisë vjen në kohë kur administrata në Gjykatën e Tiranës ka bojkotuar, duke bllokuar punimet. Ata kërkojnë sqarime sqarime për vonesën e pagave të muajit gusht dhe informacion se kur do të kryhet pagesa.

Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë Toni Gogu që premtoi se çështja e pagave të magjistratëve do të zgjidhet me nisjen e këtij sesioni parlamentar.

Mbledhja e Konferecës së Kryetarëve vjen pak disa orë para nisjes së seancës, që shënon sesionin e ri parlamentar. /ZËRI

5 ORE ME PARE

Ngërçi me pagat në drejtësi/ Bojkot në Gjykatën e Tiranës, administrata bllokon shërbimet: Çfarë do bëhet me ne?!

Pagat në drejtësi përplasin PD me PS! Gjykatat
gjykata e tiranes ne bojkot

TIRANË- Administrata gjyqësore ka dalë në bojkot për shkak të ngërçit të krijuar me pagat në sistemin e drejtësisë. Punonjësit dhe sekretarët e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës kanë bllokuar shërbimet, duke kërkuar sqarime për vonesën e pagave të muajit gusht dhe informacion se kur do të kryhet pagesa.

Mësohet se administrata ka njoftuar për bojkotin kryetarin e Gjykatës. Por, punonjësve u është komnunikuar se do të ketë një qëndrim pas mbledhjes së kryetarëve të të gjitha gjykatave, e parashikuar në orën 15:00 në Gjykatën e Lartë.

Po këtë të martë, do të mblidhen edhe drejtuesit e prokurorive për situatën e pagave. Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka thirrur drejtuesit e prokurorive të rretheve, Shoqatën e Prokurorëve dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në një takim që do të zhvillohet pa praninë e mediave. 

Pak ditë më parë, ministri i drejtësisë Toni Gogu deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar, por aktualisht mungon baza ligjore për formulën e pagës. Ai tha se boshllëku do të plotësohet në sesionin e ri parlamentar, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë nga Kuvendi dhe jo nga përplasja mes institucioneve.

Pse u krijua ngërçi me pagat në drejtësi?

Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, ormulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pas kalimit dhe afatit dhe në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Në një reagim zyrtar, Ministria e Financave kërkoi që të ridërgoheshin listëpagesat sipas metodologjisë së mëparshme. Sakaq, për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive./ZËRI

8 ORE ME PARE

Kuvendi nis sot sesionin e ri! Pas 1 muaji pushim, rikthehen deputetët...do të "priten" nga protestuesit

Pagat në drejtësi përplasin PD me PS! Gjykatat

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë rikthehet sot, në sesionin e ri parlamentar të legjislaturës së 11-të pas pushimit veror. Këtë të martë, në orën 17:00, deputetët do të mblidhen në sallën e seancave plenare për çeljen e sesionit të ri parlamentar. 

Seanca e parë do të jetë kryesisht ceremoniale. Fjalën hapëse do ta mbajë kryeparlamentari Niko Peleshi dhe më tej rendi i ditës përfshin vetëm çeljen e punimeve.

Në seancën hapëse, nuk dihet nëse kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm. Ndërsa nga ana tjetër, do të mungoi lideri i opozitë, Sali Berisha pasi ndodhet në udhëtimin e tij Shtetet e Bashkuara.

Sipas rendit të përcaktuar, të publikuar pak ditë më parë, në seancëdo të trajtohen procedurat e zakonshme që shoqërojnë nisjen e një sesioni të ri parlamentar, përfshirë edhe miratimin e dokumentacionit të mbetur nga seanca e fundit e zhvilluar në fund të muajit korrik.

Para seancës së Kuvendit, pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve rreth orës 11:00 të paradites së nesërme. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve do të diskutohet dhe miratohet projektprogrami i punës së Kuvendit dhe projektkalendari i punimeve.

Sesioni i ri parlamentar pritet të shoqërohet me debate të rëndësishme politike, ku ndër çështjet kryesore janë reforma zgjedhore dhe riorganizimi administrativ-territorial. Kjo e fundit ka nxitur jo pak debate, madje dhe protesta të cilat kundërshtojë draftin e propozuar nga Partia Socialiste që parashikon shkrirjen e 15 bashkive. 

Ndërkohë, në të njëjtën kohë, rikthimi i deputetëve në Kuvend pritet të shoqërohet edhe me protestë jashtë godinës të paralajmëruar nga protestuesit. Policia pritet të marrë masa, pasi protestuesit kanë bërë thirrje dhe kanë kërcënuar se do të godasin deputetët me vezë dhe domate./ZËRI

Poll

MOS HUMB