LIVE UPDATES

Zjarret përfshijnë disa qarqe të vendit, betejë me flakët në Dajt dhe Fier

♦ Zjarret në Shqipëri vijojnë të mbeten ende aktive. Situata më problematike vijon të mbetet në Dajt edhe në Fier. ♦Një zjarr i përmasave të mëdha është regjistruar gjatë mesnatës në një prej pikave më të njohura turistike në vend, në Syrin e Kaltër, bashkia Finiq. ♦Vendi edhe sot vijon të jetë nën 'pushtetin' e zjarreve, ku në 24 orë janë regjistruar 32 vatra, nga të cilat 11 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 16 janë fikur. ♦Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë zonën pyjore të Dërmenasit, pranë grykëderdhjes së lumit Seman në Fier, duke ngritur alarmin për përhapjen e flakëve drejt masivit me pisha. ♦ Pasditen e kësaj të diele është rregjistruar në fshatin Borje, në njësinë administrative Shishtavec të Kukësit,një vatër zjarri duke përfshirë një sipërfaqe të mbuluar me dëllinja. ♦Situata e krijuar nga zjarri në zonat e Bardhajt dhe Myselimit në Shkodër po shkon drejt stabilizimit, pasi ndërhyrja e forcave në terren dhe nga ajri ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të vatrave më problematike. ♦Një zjarr me përmasa të mëdha vijon të përfshijë zonën pyjore të Semanit në Fier, ku janë identifikuar katër vatra aktive që po përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë. ♦Në kodrat e fshatit Peshkëpi në bashkinë e Selenicës një vatër zjarri është aktivizuar duke përfshirë një zonë me bimësi shkurrore dhe duke ngritur shqetësime për përhapjen e flakëve. ♦Është përfshirë nga flakët fshatin Kropisht në bashkinë Selenicë të qarkut Vlorë, duke krijuar një situatë të vështirë për ekipet që po operojnë në terren. ♦Përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarreve në territorin e Bashkisë Lezhë vijojnë në zonën e Tale, Bërzanë, Rrilë dhe Ishull, ndërsa një nga zonat më problematike mbetet Kalivaçi, ku forcat e angazhuara po përballen me një terren të vështirë që po e komplikon ndërhyrjen. ♦Në zonën e Kodrës së Krastës në Elbasan është rregjistruar një vatër zjarri këtë të diel, ku flakët iu afruan dy banesave dhe detyruan një ndërhyrje të menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse.♦Zjarri është shfaqur në masivin pyjor të Tërbunit në Pukë, vetëm pak ditë pasi e njëjta zonë u përball me një nga zjarret më të mëdha të kësaj vere, që përfshiu mijëra hektarë sipërfaqe pyjore.

11 artikuj për këtë temë.
17 ORE ME PARE

Pukë, vatër zjarri në Tërbun, dyshohet për zjarrvënie

Zjarret përfshijnë disa qarqe të vendit, betejë me
foto nga vendi i ngjarjes

PUKË- Një vatër e re zjarri është shfaqur në masivin pyjor të Tërbunit në Pukë, vetëm pak ditë pasi e njëjta zonë u përball me një nga zjarret më të mëdha të kësaj vere, që përfshiu mijëra hektarë sipërfaqe pyjore.

Zjarri është konstatuar në një pjesë tjetër të masivit, ndërsa terreni i thyer dhe bimësia e dendur po favorizojnë përhapjen e flakëve dhe po e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen e ekipeve në terren.

Sipas informacioneve paraprake, ekzistojnë dyshime se vatra mund të jetë shkaktuar nga zjarrvënie e qëllimshme, megjithatë shkaqet e sakta pritet të përcaktohen pas verifikimeve që do të kryejnë autoritetet.

Ndërkohë, shërbimi zjarrfikës është nisur drejt zonës për të izoluar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në pjesë të tjera të masivit pyjor.

Situata në Tërbun mbetet nën monitorim, ndërsa forcat e emergjencës vijojnë të jenë të angazhuara edhe në vatra të tjera zjarri të raportuara në zona të ndryshme të vendit./ZËRI 

17 ORE ME PARE

Zjarr në Krastë të Elbasanit, dy shtëpi rrezikohen nga flakët (VIDEO)

Zjarret përfshijnë disa qarqe të vendit, betejë me

ELBASAN- Në zonën e Kodrës së Krastës në Elbasan është rregjistruar një vatër zjarri këtë të diel, ku flakët iu afruan dy banesave dhe detyruan një ndërhyrje të menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse. Në operacion u angazhuan tre mjete zjarrfikëse dhe 12 efektivë, të cilët përqendruan punën në krijimin e një perimetri sigurie për të penguar avancimin e zjarrit drejt zonës së banuar.


Pas ndërhyrjes së forcave në terren, vatra u vu nën kontroll, duke shmangur dëmtimin e banesave të rrezikuara. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet për shkaqet që çuan në aktivizimin e zjarrit./ZËRI

17 ORE ME PARE

Zjarret në Lezhë, Ndreu: Situata mbetet e vështirë në Kalivaç, operacioni vijon

Zjarret përfshijnë disa qarqe të vendit, betejë me
FOTO

LEZHË- Përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarreve në territorin e Bashkisë Lezhë vijojnë në zonën e Tale, Bërzanë, Rrilë dhe Ishull, ndërsa një nga zonat më problematike mbetet Kalivaçi, ku forcat e angazhuara po përballen me një terren të vështirë që po e komplikon ndërhyrjen. Në terren po punojnë strukturat zjarrfikëse dhe ekipet e angazhuara në operacion, me synimin për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për ta mbajtur situatën nën kontroll.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka bërë të ditur se operacioni po vijon pa ndërprerje, pavarësisht vështirësive që paraqet zona.

Vazhdojmë betejën në Kalivaç, në një terren tepër të vështirë!, shkruan Pjerin Ndreu.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa operacioni në Kalivaç mbetet në fokus për shkak të terrenit të thyer dhe sfidave që po hasen në shuarjen e flakëve./ZËRI

18 ORE ME PARE

Zjarr në Kropisht të Vlorës, flakët shtrihen në 1.5 kilometra, kërkohet ndërhyrje nga ajri

Zjarret përfshijnë disa qarqe të vendit, betejë me
foto nga zjarri

VLORË- Është përfshirë nga flakët fshatin Kropisht në bashkinë Selenicë të qarkut Vlorë, duke krijuar një situatë të vështirë për ekipet që po operojnë në terren. Sipas informacioneve nga vendngjarja, flakët janë përhapur në një front prej rreth 1.5 kilometrash, ndërsa terreni i vështirë po e bën më të ndërlikuar ndërhyrjen nga toka.

Në operacion janë angazhuar zjarrfikësit e Selenicës, të mbështetur edhe nga forcat zjarrfikëse të Vlorës, të cilat janë thirrur në ndihmë për shkak të përmasave të zjarrit. Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe kushteve në terren, është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri, me synimin për të izoluar vatrën dhe për të shmangur avancimin e zjarrit në zona të tjera.

Autoritetet vijojnë operacionin për vënien nën kontroll të situatës, ndërsa deri në këto momente nuk raportohet për të lënduar./ZËRI

20 ORE ME PARE

Selenicë/ Zjarri përfshin kodrat e Peshkëpisë

Zjarret përfshijnë disa qarqe të vendit, betejë me
foto nga zjarrI

SELENICË-  Në kodrat e fshatit Peshkëpi në bashkinë e Selenicës një vatër zjarri është aktivizuar duke përfshirë një zonë me bimësi shkurrore dhe duke ngritur shqetësime për përhapjen e flakëve.

Sipas informacioneve nga terreni, era po favorizon avancimin e zjarrit, ndërsa terreni kodrinor po e bën më të vështirë ndërhyrjen për izolimin e vatrës.

Forcat zjarrfikëse pritet të ndërhyjnë për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa autoritetet po mbajnë situatën nën monitorim për të shmangur përhapjen e zjarrit në zona të tjera.

Deri në këto momente nuk janë bërë të ditura shkaqet që kanë çuar në rënien e zjarrit, ndërsa operacioni për shuarjen e tij pritet të vijojë në orët në vijim./ZËRI

20 ORE ME PARE

Flakët pushtojnë pyllin e Semanit, katër vatra zjarri aktive

Zjarret përfshijnë disa qarqe të vendit, betejë me
foto nga zjarrI

FIER-Një zjarr me përmasa të mëdha vijon të përfshijë zonën pyjore të Semanit në Fier, ku janë identifikuar katër vatra aktive që po përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë.

Situata mbetet shqetësuese, ndërsa forcat zjarrfikëse të Fierit ndodhen prej disa orësh në terren, duke punuar për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre në pjesë të tjera të masivit pyjor.

Kushtet atmosferike po e bëjnë më të vështirë operacionin, pasi era po favorizon avancimin e zjarrit dhe po rrit rrezikun për përfshirjen e sipërfaqeve të tjera me bimësi.

Shërbimet e emergjencës vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar. Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën, me synimin për ta vënë plotësisht nën kontroll zjarrin në orët në vijim./ZËRI

20 ORE ME PARE

Shkodër/ Zjarri vihet nën kontroll, bonorët jashtë rrezikut

Zjarret përfshijnë disa qarqe të vendit, betejë me
FOTO ILUSTRUESE

SHKODËR- Situata e krijuar nga zjarri në zonat e Bardhajt dhe Myselimit në Shkodër po shkon drejt stabilizimit, pasi ndërhyrja e forcave në terren dhe nga ajri ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të vatrave më problematike.

Flakët u riaktivizuan gjatë mesditës për shkak të erës së fortë, duke rritur shqetësimin për përhapjen e tyre pranë banesave. Megjithatë, sipas autoriteteve vendore, rreziku për zonat e banuara është shmangur.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, bëri të ditur se operacioni u zhvillua në mënyrë të koordinuar, me angazhimin e zjarrfikësve, Shërbimit Pyjor, Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, punonjësve të njësive administrative, vullnetarëve dhe banorëve të zonës.

"Pas një riaktivizimi të zjarrit, të favorizuar nga era gjatë mesditës, situata në Bardhaj dhe Myselim është drejt normalizimit dhe banesat janë jashtë rrezikut. Vatrat janë vënë nën kontroll falë ndërhyrjes së koordinuar nga toka dhe ajri," u shpreh Beci.

Operacioni u mbështet edhe nga dy helikopterë, të cilët ndërhynë mbi vatrat më të rrezikshme, duke ndihmuar në izolimin e flakëve dhe frenimin e përhapjes së tyre.

"Zona vijon të mbahet nën monitorim për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm," shtoi kryebashkiaku.

Edhe pse situata është përmirësuar ndjeshëm, autoritetet do të vijojnë monitorimin e zonës për të parandaluar rikthimin e flakëve në orët në vijim./ZËRI

21 ORE ME PARE

Zjarri në fshatin Borjen të Kukësit, era e fortë rrezikon banesat

Zjarret përfshijnë disa qarqe të vendit, betejë me
foto nga zjarri

KUKËS- Një vatër zjarri është aktivizuar pasditen e kësaj të diele në fshatin Borje, në njësinë administrative Shishtavec të Kukësit, duke përfshirë një sipërfaqe të mbuluar me dëllinja.

Flakët po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga era e fortë, ndërsa banorët e zonës janë angazhuar menjëherë në përpjekjet për të frenuar avancimin e tyre deri në mbërritjen e forcave zjarrfikëse.

Ndërkohë, automjeti zjarrfikës i Kukësit është nisur drejt vendngjarjes për të ndërhyrë në izolimin e vatrës dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit në zona të tjera.

Sipas banorëve, shqetësimi kryesor mbetet afrimi i flakëve pranë banesave, pasi kushtet atmosferike po e bëjnë më të vështirë kontrollin e situatës. Autoritetet vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa situata mbetet nën monitorim./ZËRI

21 ORE ME PARE

Zjarr përfshin pyllin në Dërmenas, flakët përparojnë në drejtim të pishave (VIDEO)

Zjarret përfshijnë disa qarqe të vendit, betejë me
foto nga zjarrI

DËRMENAS- Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë zonën pyjore të Dërmenasit, pranë grykëderdhjes së lumit Seman në Fier, duke ngritur alarmin për përhapjen e flakëve drejt masivit me pisha.

Sipas informacioneve nga terreni, zjarri është aktiv në dy vatra të ndryshme në anën veriore të lumit, ndërsa era e fortë po favorizon avancimin e flakëve dhe po vështirëson ndërhyrjen.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Fierit, të cilat po punojnë për izolimin e vatrave dhe shmangien e përhapjes së zjarrit në pjesën më të dendur të pyllit.

Autoritetet vijojnë operacionin në terren, ndërsa situata mbetet dinamike për shkak të kushteve atmosferike që po favorizojnë përhapjen e flakëve./ZËRI

1 DITE ME PARE

Shqipëria në "flakë"! 11 vatra aktive: Himara në 'qetësi', Dajti, Shkodra dhe Fieri në 'luftë' me zjarret

Zjarret përfshijnë disa qarqe të vendit, betejë me
foto ilustruese

TIRANË-Vendi edhe sot vijon të jetë nën 'pushtetin' e zjarreve, ku në 24 orë janë regjistruar 32 vatra, nga të cilat 11 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 16 janë fikur. Vatrat problematike janë ato në Dajt, Shkodër e Fier, ku flakët e zjarrit po përhapen me shpejtësi. Ministria e Mbrojtjes njofton se në Malin e Dajtit janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe 1 helikopter për shuarjen e zjarrit.

Zjarri në Fieri vijon prej tre ditësh, ku në terren ndodhen 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë, 90 forca të tjera, si dhe 90 ushtarakë, 1 helikopter dhe 1 Air Tractor. Edhe në Bardhaj të Shkodrës, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive.

NJOFTIMI:

Ministria e Mbrojtjes - informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 16 janë fikur.

Për përballimin e situatës është realizuar një angazhim i gjerë operacional në nivel kombëtar, me 735 forca vendore dhe 64 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 475 efektivë, 7 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor. Për ditën e sotme është parashikuar angazhimi i 160 forcave ushtarake në zonat ku ndërhyrja vijon.

Angazhimi kryesor është përqendruar në vatrat më problematike.

Në Malin e Dajtit, krahas strukturave bashkiake, sot janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe 1 helikopter.

Në Bardhaj të Shkodrës, janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse, shërbimi pyjor, strukturat e emergjencave civile, si dhe mbështetje nga FA me 1 automjet zjarrfikës dhe 1 helikopter, ndërsa sot operacionit i shtohen 33 forca dhe 1 ambulancë.

Në Fier, janë përfshirë 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë, 90 forca të tjera, si dhe 90 ushtarakë, 1 helikopter dhe 1 Air Tractor. Sot vijon mbështetja me 33 forca.

Operacioni në Himarë është përmbyllur me fikjen e zjarrit, pas një mobilizimi të gjerë me 26 automjete zjarrfikëse, 120 efektivë, 40 vullnetarë, 67 forca bashkiake, 20 forca policore dhe 180 efektivë të FA me 2 helikopterë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.

1 DITE ME PARE

Zjarr në Syrin e Kaltër! Digjen 4 kioska tregtimi, flakët shuhen pas mesnate

Zjarret përfshijnë disa qarqe të vendit, betejë me
foto ilustruese

SARANDË-Një zjarr i përmasave të mëdha është regjistruar gjatë mesnatës në një prej pikave më të njohura turistike në vend, në Syrin e Kaltër, bashkia Finiq. Si pasojë e flakëve, raportohet se janë djegur plotësisht 4 kioska tregtimi private që ndodheshin në këtë zonë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar 3 mjete zjarrfikëse dhe 2 mjete të policisë së bashku me efektivët. Fikja e plotë të zjarrit është bërë e mundur rreth orës 02:00 të mëngjesit. Nga hetimet paraprake të autoriteteve, dyshohet se shkak i rënies së zjarrit ka qenë një masë elektrike./ZËRI

Poll

MOS HUMB